Gjymtimi

Foto ilustruese

Eris RUSI

Në një ditë të zymtë janari, kur gjithë njerëzit kishin mendjen të mbroheshin nga i ftohti dhe rrebeshi i shiut që kishte sterruar me baltë rrugët, pemët dhe jetën, profesor Alfons Bratko ishte i vetmi që u fut në universitet me një shprehje të këndshme në fytyrë. Askush nuk ia dalloi tamam buzëqeshjen, por pamja e atij burri të mirë që kishte ardhur pa çadër, pikonte qull në ujë, e prapë e kishte bërë rrugën nga makina deri tek godina e hyrjes së fakultetit me një hap të qetë, me terezi, këtë donte të thoshte.

– E po si jeni? Mirëmëngjes! – iu drejtua dy punonjëseve sanitare, të cilat që në atë fillim dite kishin një pamje të lodhur.

– Si gjithmonë i qeshur profesor! I lumi ti! – u përgjigjën dhe ai iu buzëqeshi. Ndjehej shumë mirë atë ditë, i çlodhur, i freskët, me përqafimin e gruas ende të ngrohtë mbi vete dhe vajzat që i kishte lënë ende të ëndërronin në gjumë: ja kjo ishte jeta, gjëra të vogla, të thjeshta që ta lehtësonin ekzistencën mbi botë.

Ishte gëzim ta shihje këtë burrë të qeshur e të plotë, me një pamje gazmore, fytyrë të rrumbullakët që mbulohej e gjitha nga një mjekër e hijshme e zezë, e stërmadhe. Kushdo që e njihte, nuk e mbante mend ta kishte parë ndonjëherë pa mjekër. Edhe dokumentet e identitetit i kishte me fotografi ku në pah dilte pamja e paqme, e cila më shumë merrej me mend nga picërrima plot gëzim dhe jetë e syve, sepse mjekra nuk linte të diktohej asgjë tjetër.

Profesor Alfonsi u ngjit në katin e tretë, derën e zyrës e gjeti hapur dhe kur u fut brenda, pa hedhur vështrimin te asnjë prej kolegëve në mënyrë të veçantë, uroi:

– Çfarë dite, miq! Ky qielli që pikon nga lart, i shtrydhur si fëmijëria që s’na vjen më!

– E çka për të gëzuar këtu? Me baltë dhe të lagur jemi bërë të gjithë. – nuk iu durua profesor Llazarit, e me të thënë këtë, u mbyll tek ekrani i telefonit, sikur shihte gjëra të rëndësishme në mes.

– Perëndia na tregon që qielli vrenjtet për punë të njerëzisë! E si ndëshkim po na nxin me baltë këtu në tokë të gjithëve. Ndaj më i përmbajtur, të lutem, koleg! – gjëmoi profesor Theofani.

Ndërsa profesoreshë Efrosina vetëm lëshoi një mërmërimë hidhërimi, pa folur fare.

– Epo çfarë thashë tek e fundit? Urim bëra! Jo mallkim! – psherëtiu profesor Alfonsi, që u kujtua për një dorëzim dokumentesh në sekretarinë e katit të parë. I pa edhe njëherë të tre, doli gjithë shkathtësi të mbaronte punë.

– E patë? E patë apo jo? – përçmoi me një zë të vrazhdë, profesor Llazari sapo u mbyll dera. – Ky njeri po më çmend. Një djall e gjysmë është. Ku e gjen atë kënaqësi e buzëqesh? Diç fsheh patjetër.

Dy kolegët e tjerë u panë sy ndër sy. Ajo që dëgjuan sikur hapi kutinë e Pandorës.

– Mund të jetë njeri i mirë, në fakt, por kaq i qeshur, e keni parë, kaq shumë i gëzuar, e dalluat apo jo, kaq vaj t’i venë punët…Nuk e di, Perëndia e faltë, por shumë po abuzon me fatin që i ka rënë për hise!

Ashtu vërtet, – foli me një frymë pas profesor Theofanit, Efrosina. – Nuk më takon mua ta them, por është i vetmi të cilin makina e lë fiks te dera e shkollës. E patë, asnjë pikë balte në këpucët e tij!

Profesor Llazari pohoi me kokë çdo fjalë sikur të kishin dalë nga zemra, e tij. Nuk harroi të shtonte me mllef të pafshehur:

– Me atë buzëqeshje që s’e di si krijohet pas asaj mjekre të tij. E ta dini, se unë e njoh më mirë se ju të gjithë. Ka një grua të jashtëzakonshme. Një mrekulli, e si e ka marrë as vetë Zoti nuk i jep shpjegim.

– Kujdes me zotin, koleg, – gjëmoi Theofani.

– Edhe fëmijët. Dy vajza të mrekullueshme ka, për çudi!

Gjynah, – iu përgjigj profesor Theofani. – Gjithë këto të mira, edhe ai qesh…Nuk i druhet fatit.

Dy kolegët e tjerë, ranë në heshtje pas fjalëve të tij. Më pas, Efrosina, që ishte në kulmin e mërzisë, kumboi:

– Sot nuk dua ta shikoj më në zyrë!

– Edhe unë, që e kam gjakun tim, s’dua t’ia shoh bojën. Boll kokëçarje nga ky qiell që nxin sot!

– Të bëjmë diçka, sipas moralit të Perëndisë atëherë, – fërkoi duart profesor Theofani, që u gjet në rolin e thurrësit të kurthit. – Ta veçojmë nga grupi, nga ne, d.m.th. Për sot. Përkohësisht. Kështu do të biem rehat këtë ditë e ai do të humbasë, sadopak, shkëlqimin e buzëqeshjes së tij.

Kur profesor Alfonsi u kthye të merrte tekstet për mësim, pa me habi që zyrës diç i mungonte. Tavolina e tij e punës. Edhe karrigia që rrotullohej.

Po kjo kështu? – pyeti i çuditur.

– I dashur koleg, sot menduam që do të gjendeshe më mirë i veçuar nga ne, jemi të gjithë plot pezëm e baltë. Të çuam gjërat te kjo dhoma përballë, është zyrë e lënë bosh nga teknikët e internetit. Do jesh për mrekulli.

Alfonsi picërroi sytë. E dinte që dhoma përballë nuk përdorej nga njeri, ishte ngushtë, pa dritare dhe bënte një i ftohtë acar që të thante shpirtin. Por nuk tha gjë. Në veshë i jehuan fjalët e fundit të kolegut, Theofanit, “Për Perëndi”, ndaj buzëqeshi. Ose u duk kështu, sepse vetëm ca qime nga mjekra e stërmadhe sikur lëvizën vendit. U kthye mbrapsht, tundi lehtë dorën në ajër si për t’iu thënë mirupafshim, e pa e dhënë veten, lëvizi tek zyra e vetmuar.

 

 

Në studion e dekanit të fakultetit kishte një heshtje të thellë, plot respekt. Profesor Alfonsi kaloi paradhomën bosh dhe shkoi u ul drejt në një kolltuk që shihte nga dritarja përballë. Vazhdonte të binte një shi i zymtë përjashta, por ai ndjehej rehat, i veshur me një fanellë me ngjyra të çelëta që të kujtonin festat e kaluara të dhjetorit. Mjekra i shkëlqente nga një gaz i lehtë, e kur sytë u përplasën me ato të dekanit që po rrinte me të dyja duart mbi tavolinë, arriti vetëm të thotë:

– Kjo zyrë, sa mirë e paskeni rregulluar! Të ka lezet vetja të vish e të trokasësh këtu!

Dekani nuk u përgjigj, por lëvizi butësisht në karrige. Po mundohej të gjente fjalët e duhura për të nisur bisedën. Profesor Alfonsi ishte nga themeluesit e atij institucioni, tashmë kishte njëzet vjet që ushtronte punën me përkushtim, e kur e kishte marrë vesh që kolegët i kishin bërë dalje, përkohësisht, duke e degdisur në një kthinë të ftohtë e pa dritare në katin e tretë, e gjeti me vend ta thërriste e t’i kërkonte ndjesë.

– Më vjen keq që gjërat rrodhën në këtë mënyrë. – psherëtiu. – Ndoshta kolegët e zyrës menduan të bëjnë një shaka pa kripë.

– Pse? Çfarë ka ndodhur? – u shqetësua profesor Alfonsi. Toni i dekanit ishte serioz dhe ai nuk e dinte ende për se bëhej fjalë.

– Që të lëvizën, pra. Të syrgjynosën në këto ditë të ftohta janari me shi. Ajo zyrë nuk është e tillë, por qeli e ngushtë, e ftohtë.

– Ah, e keni fjalën për rrengun që më punuan sot, dekan? E kuptoj lojën e tyre, por të mos e bëjmë të madhe. Thanë që është vetëm përkohësisht.

Sa i shëndetshëm, i sigurt, i qeshur dhe i mirë iu duk dekanit ky koleg.

Të lumtë! – duartrokiti. Dhe nuk i la mundësi të thoshte asnjë fjalë më tepër, as edhe të qëndronte edhe për pak çaste më shumë i ulur në atë kolltuk të butë. E shoqëroi tek dera dhe i rrahu shpatullat, duke mos harruar ta përgëzonte. –E për çfarë dreq vogëlsish do mërzitemi me njëri-tjetrin? S’ka kuptim.

Menjëherë pas tij, në të njëjtën zyrë thirri të vinin dhe kolegët e departamentit. Profesor Theofani, Llazari, Efrosina hynë brenda të nxirë në fytyrë. Do të kish spiunuar patjetër ai mjekroshi tinëzar, pa pikë dyshimi, për shakanë që i bënë me vendin e tij.

– E përkohshme, Perëndia na faltë, zoti dekan! E dimë përse na keni thirrur, e përkohshme, pa dyshim!

Zëri i profesor Theofanit u tret para buzëqeshjes së dekanit, që urtë e butë nisi t’iu sqarojë se vërtet në fillim mund të kishte baza për marrje masash nga institucioni, por profesor Alfons kishte dale i qeshur nga ajo zyrë. –Mjekra e tij rrëzëllente, patjetër që nuk u duk i mërzitur, por buzëqeshte! – deklaroi dekani. – ndaj mund ta mbyllim këtë çështje, pa bërë zhurmë.

Tre kolegët u panë sy ndër sy. Nuk ishte kjo ajo që prisnin. Deri diku kishin menduar që profesor Alfonsi do të kishte shpërthyer nga inati prej shakasë pa kripë që i bënë. Qëndrimi në atë kthinë të ftohtë, të ngushtë, ku të mbyteshin mendimet dhe dëshirat, do të ishte mjaft edhe për studentët më të prapë.

Ai qeshte? – pëshpëriti profesor Llazari dhe si mori aprovimin e dekanit, fërkoi duart, i la një hop pushim fjalëve, e më tej nisi të flasë ngadalë:

– Mendojeni dhe ju, i nderuar dekan! Ky njeri, që vjen çdo ditë në këtë institucion, ka njëzet vjet që e bën këtë, e ne hiqemi sikur nuk e vëmë re si tallet me ne. Përherë i qeshur dhe i lumtur. A nuk është kulmi kjo? E më besoni, i them këto pa asnjë lloj dashakeqësie, unë e kam për zemër, dreqin.

Dekani u gjend i papërgatitur. Priste që kolegët profesorë të mbusheshin me frymë lirisht, por po ndodhte e kundërta. Ata diç kishin për të thënë, ndaj ai u vu të dëgjonte me kureshtje edhe fjalën e tyre.

Një orë më vonë, në paradhomën e zyrës së dekanit e thirrën sërish profesor Alfonsin. Kësaj here, u prit nga sekretarja e cila herë pas herë i hidhte buzëqeshje të ngrohta, mos ki frikë, sikur i thoshte, e kur merrte konfirmim nga pamja e paqtë dhe e qeshur e Alfonsit, ulte kokën mbi shkresa. Dekani e la të priste gjatë, por kur u fut në zyrën e tij, ai ndjeu shpengim dhe u çlirua në një fishkëllime ngadhënjyese. Veprim i gabuar, pasi dekani e pa vëngër dhe nuk e la të ulej tek ai kolltuku i rehatshëm si në takimin e parë, por i foli zymtë:

– E kam me të shpejtë, profesor! Bisedova dhe me kolegët tuaj. Ata ende nuk ndjehen plotësisht rehat, megjithë zhvendosjen tuaj në zyrë tjetër. Nuk duan të jenë as edhe në një kat me ju, diç i pengon të bëjnë normalisht punën. Kur i pyeta përse, nuk më dhanë dot një shpjegim të plotë e të qartë, por unë nuk kam asnjë arsye që të vë në dyshim fjalën e tre kolegëve të nderuar. Ndaj më duhet që të shoh në tërësi efektet e kësaj situate. Si do të thonit po t’iu zhvendosja në katin e poshtëm fare?  Mund të jeni më pranë studentëve që iu vlerësojnë aq shumë, e njëherësh iu jepni kohë kolegëve tuaj të mbledhin veten. Është diçka e përkohshme, e di, ndaj më ndjeni…

Te fjalët e fundit zëri i dekanit u drodh, sikur të kishte guxuar shumë më tepër nga sa i lejohej me kërkesën e tij. Por tre kolegët më parë i kishin kërkuar ta ekzagjeronte ndëshkimin, për të parë a do të fashitej gëzimi nga pamja e atij mjekroshi të pacipë.

Profesor Alfonsit iu shkund gjithë koka. Në fakt u duk kështu, pasi mjekra iu drodh sikur të ishte një kollë e pazëshme. E dinte për ku bëhej fjalë, një kthinë e ftohtë, pa dritare e dyer, si një apendicit qorr i asaj ndërtese, në bodrum.

Po sendet e mia? – guxoi të flasë. – Tavolina, karrigia, librat?

Këtë shenjë dorëzimi  po priste dhe dekani që i buzëqeshi, u ngrit e pa i lënë kohë të fliste, e shoqëroi drejt derës duke i treguar daljen: -I kemi menduar të gjitha, pa merak. Ndërsa ne po flasim, punëtorët po merren me zhvendosjen e tyre, hap e mbyll sytë do ta kesh sistemimin e ri!

 

Nuk ka një qëndrim të qartë dhe të prerë ndaj sjelljes së profesor Alfonsit. Atij i ndërruan sallën e studimit. Nuk u thye. E çuan në katin e poshtëm, ku nuk ka zyra por llaç e baltë që pret të ndërtohet një ditë. Asgjë sërish. Kolegët e djeshëm nuk i flasin më, e shpërfillin, si dikë që jeton i syrgjynosur në një ambient që veç zyrë akademiku nuk është, por ai nuk stepet, nuk e jep veten, nuk klith. Prandaj, nëse në fillim e gjykuan sikur të ishte një hero që iu bën ballë prapësive, tani kanë filluar të lodhen, presin që të shkundet njëherë e mirë, të gjunjëzohet dhe të humbasë, ashtu si të tjerët, në mërzi dhe shi.

Profesor Alfonsi gjendet në shkallët e katit të parë, nuk ka nevojë të kërkojë ku është salla që do të zhvillojnë mësim. Por klasa e tij nuk është më një klasë. Kanë mbetur vetëm tetë studentë që i shkojnë nga pas, me një pendesë dhe dembelizëm që atë e çudit.

– Po të tjerët, ku janë të tjerët? – përsërit ndërsa iu tregon rrugën ku duhet të shkojnë.

– E gjetën klasën e zënë dhe u larguan. Për këtë orë, vetëm, përkohësisht!

Kukurisma të qeshure kur fjala “përkohësisht” kumboi në korridor. Edhe studentët e kishin marrë vesh. U mundua të sqarohej, t’iu shpjegonte si ishin punët, që e gjitha ishte një keqkuptim, që do të zgjidhej, përfundimisht.

– Po ju, profesor, vazhdoni të qeshni sikur e gjitha kjo është lojë! Ne kjo na mërzit!

Kush e tha këtë? Profesor Alfons picërroi sytë. Iu duk e pabesueshme që studentët të merreshin me ato thashethemnaja korridoresh, ndaj si kundërpërgjigje, buzëqeshi me mirësi. Por mjekra iu drodh, e sytë i shkëlqyen në një zjarrmi pikëlluese.

Prej së largu, do ngjante sikur dëneste ai trup njeriu shtatlartë, i drejtë, me çantën e detyrave të korrigjuara dhe regjistrin nën krah. Por ishte profesor Alfonsi, që kukurisej nën mjekrën e tij.

Si mbërriti në klasën ku mendonte të mos e shqetësonte njeri, kontrolloi në ishte ende e lirë apo jo. U kthye me ngazëllim nga studentët t’iu jepte lajm të mirë, por askush nuk ishte më pas tij.

 

Nuk ka më punë me studentët. I caktuan një detyrë administrative që lidhej me marrjen e firmave të pedagogëve përkatës, kontrollin nëse e kryejnë apo jo detyrën e mësimdhënies çdo orë, deri në përfundim të orarit zyrtar. Përse e gjithë kjo? Zërat nuk kishin mbetur më të tillë brenda fakultetit. Një lloj antipatie e madh ndaj atij që veç buzëqeshte e nuk përkulej nga goditjet, kishte prekur të tërë, pedagogë dhe studentë.

Drejtuesit e institucionit prisnin që kjo të merrte fund, e njëherësh të ndërpritej ajo kollë e madhe e qiellit që iu hidhte pështyma shiu ditëve të tyre. Prandaj u dha një vendim që ishte sa kolegjial, po aq dhe hyjnor:

-Ta bëjmë këtë njeri të zbresë me këmbët në tokë e të përkulet si ne të gjithë.

Studentët e morën të parët mesazhin dhe rebelimi i tyre erdhi nën trajtat: “E urrejmë buzëqeshjen e profesor Alfonsit”.

Fjala profesor rezultoi e tepërt, ndërsa “buzëqeshja” shumë zbukuruese dhe e pameritueshme, ndaj u kalua tek diçka më e drejtpërdrejtë, “Të urrejmë Alfonsin”, e kjo jehonë mori aq shumë përkrahje sa nuk mbeti njeri pa e thënë të paktën një herë të vetme.

Nga jashtë, nisi të reflektohej një interesim jo i zakonshëm për gjithë sa po ndodhte. Deri sa një ditë, në ambientin ku punonte Laura, bashkëshortja e Alfonsit, u dëgjuan shkoqur fjalët:

– Atij edhe sikur gruaja t’ia dredhë në sy, prapë do vazhdojë të qeshë! Alfonsi, mjekroshi që qesh!

Kjo nuk u përsërit një, por shumë herë, deri sa u dëgjua plotësisht nga Laura e cila nuk priti të mbaronte orari zyrtar i punës së saj, por mblodhi të gjitha gjërat në çantë dhe u largua para kohe. Në shtëpi, priti sa të vinte ai. Dera u hap me çelësin që rrotullohej dy herë në bravë, e kur bashkëshorti i shkoi afër dhe u mat ta puthte në buzë si zakonisht, ajo u step, iu duk i huaj dhe njëlloj siç e kishin përshkruar në punë. Në fytyrë, i varej, por jo që të dukej tamam, një buzëqeshje, ndoshta, që lodronte e fshihej si dritë-hije nën mjekrën e dendur.

– Dreqin, paska qenë e vërtetë!- pëshpëriti, por burri i saj nuk po kuptonte gjë. Si një fëmijë naiv, qëndronte me krahët e hapura drejt saj, ta përqafonte.

– Kjo është absurde, – mendoi Laura, por në mendje përfytyroi të gjithë peripecitë e burrit të saj, të dëgjuara në punë. – I dashur, – mori guximin t’i flasë. – Njerëzit kanë filluar të pshpëritin për ty dhe po thonë gjëra që nuk më pëlqejnë. Thuhet që të kanë larguar nga zyra ku rrinë profesorët e vërtetë, e tani qëndronin në një lloj bodrumi ku as punonjësit e shërbimit nuk marrin mundimin të futen. Që nuk jep më mësim, por të kanë lënë të bësh spiunin dhe angari të tjera të ulëta që e zhveshin nga dinjiteti njeriun. Të vërteta janë?

Alfonsi nuk u përgjigj menjëherë. E vështroi me dashuri, kishin krijuar një familje me dy vajza që rriteshin ngrohtë dhe të lumtura vit pas viti, ndaj nuk pat dashur t’iu shkundte rehatinë. Nuk kishte treguar asgjë nga fatkeqësitë që po i ndodhnin në punë, pasi me të mbaruar orari zyrtar, ai kthente kurrizin dhe mundohej të harronte të gjitha. Por tani gruaja e dinte, meritonte një shpjegim prej tij. Por nga t’ia niste? Si?

Heshtja u mor si një provë fajësie nga ana e të shoqes.

– Çfarë ke bërë që e ke merituar këtë trajtim? – e pyeti rrëmbyeshëm ajo.

– Asgjë, e dashur! – u drodh nga ai zë i ftohtë Alfonsi. – Nuk kam bërë asgjë ndryshe nga sa kam bërë këto njëzet vjet në punë. Por njerëzit janë të çuditshëm, e di?

U mundua t’i kapte dorën dhe të ledhatonte pëllëmbën e butë të saj, por gruaja bëri një hap më prapa.

– Nuk ka mundësi të mos kesh bërë gjë dhe të vijë gjithë ky ndryshim. Pra janë të vërteta ato që thuhen?

– Të vërteta, – përsëriti pas saj bashkëshorti mjekrosh. – Por përkohësisht!

Ky pohim ishte si një thikë e mprehtë në zemrën e gruas. – Kjo është tradhti! – e tha me zë të lartë, por në vend që të merrte një reagim nga i shoqi, ky buzëqeshi dhe foli i qetë:

– T’i lëmë marrëzirat, grua!

Por nuk ishte aq e lehtë gjithë kjo. Bashkëshortes iu rrokullisën në mendje gjithë thashethemet e dëgjuara lart e poshtë, e tani po bindej që ishin jo vetëm të vërteta, por ndoshta shumë më pak nga sa kishin ndodhur vërtet. Një majë ajsbergu që ajo e mjera nuk e dinte dhe ishte e fundit që po e merrte vesh.

– Nga nesër, dua që gjithë kjo të marrë fund. Nëse nuk ke bërë asnjë faj, kërko të të kthehen mbrapsht të gjitha gjërat që të janë hequr padrejtësisht!

Me këtë urdhër që ishte më shumë një kërcënim, biseda mes tyre mbaroi. Ajo u largua në dhomën tjetër, por se përse iu duk që nga prapa e ndoqi një buzëqeshje e përhumbur, e pakuptimtë e të shoqit, që e mbushi të gjithën me pezm.

 

Tanimë nuk e ka më as familjen. Gruaja një të premte mbrëma, i solli dy vajzat e tyre në dhomën e ndenjes, ku ai po punonte mbi një mal shkresash administrate, e pa u menduar gjatë i tha:

– Gjithë kjo situatë nuk na pëlqen e presim që t’i japësh një zgjidhje, përfundimisht.

Si helm i përpiu fjalët që dëgjoi. Iu duk çudi e gjitha kjo dhe u mundua të buzëqeshte, por nuk ia doli dot. Aurelia, vajza e madhe tij që shkonte në gjimnaz, doli para të ëmës dhe i tha:

– Në shkollë më vënë në lojë për shkakun tënd babi. Përse nuk i ndryshon gjërat e t’i kthesh si më parë, përfundimisht?

Gruas i kaloi një shkëndijë djallëzore në sy. Më mirë se kaq askush nuk mund të bënte avokatinë e urdhrit që pat shqiptuar.

– Po ti Klea, edhe me ty merren në shkollë? – arriti të shqiptojë, i gjorë dhe i pashpresë Alfonsi.

– Nuk e di babi. Mua më pëlqen që qesh! – foli e vogla dhe doli nga radhët e dy femrave të tjera, i shkoi afër dhe e puthi në faqe. Çfarë gëzimi për prindin e gjorë.

Por më tutje ishte e shoqja dhe vajza e madhe. Nuk po dinte ç’të bënte, e ndoshta duhej t’i jepte fund njëherë e mirë kësaj maskarade të poshtër që po i luhej me jetën.

– Do ta zgjidh këtë, ju premtoj. Por më përpara më lini të mbyll këto dokumente që duhet t’i çoj nesër në punë. M’i kërkojnë urgjentisht.

E nesërmja ishte ditë pushimi. Kur e urdhëruan të punonte edhe atë ditë, nuk kishte pranuar, i revoltuar u qe përgjigjur: “Përse unë? Pse vetëm unë? Nuk ka të tjerë? – por urtë e butë e kishin nxjerrë nga zyra pa i dhënë asnjë sqarim.

Ndaj po punonte që t’i mbyllte që sot dokumentet, nesër të paraqitej sa për dorëzim e ta kishte gjithë ditën për gruan dhe dy vajzat e tij.

– Edhe nesër në punë? Vetëm ti? Ç’je bërë i tillë!

Gruaja u zbeh. E gjitha kjo ishte absurde, pa kuptim. Vetëm e vogla shihte e pafajshme, e priste të mbaronin, që ta përqafonte të atin sërish.

Alfonsi nuk u përpoq të shfajësohej. Do ishte më keq. Kur guxoi të ecte drejt tyre, zëri i akullt i gruas e fshikulloi të gjithin:

– Mos shkel asnjë hap më tutje! Kemi nevojë të rrimë pak vetëm. Na lër të vuajmë si duhet! Me dinjitet, o njeri!

Kjo fjalë ishte përmbysje qielli mbi të, një paralizë e vrazhdë, që e trazoi të gjithin. O njeri! Po ato, po të tjerët, çfarë ishin më mirë se aq?  U kthye pas, në dhomën e tij, bëri një çantë të vogël me tesha dhe doli nga shtëpia, i vetëm dhe i braktisur, të kërkonte një sistemim të ri ku të ngryste natën, përkohësisht.

 

Nisi kështu një jetë tjetër, e ftohtë, e vetme, e acartë, për Alfonsin. Puna ishte një syrgjynosje e dhimbshme por ai nuk e jepte veten. Familja i mungonte, por kishte shpresë që herët a vonë ato të parat, vajzat dhe gruaja do ta falnin pa kushte. Ndërkohë ditët iknin e ai vazhdonte të jetonte i mbështjellë me kujtime dhe ca ndjesi të pashpjegueshme, që acaroheshin sa herë e qëmtonte dorën brenda mjekrës së tij të madhe, i menduar, në një dhomë me qira në periferinë e qytetit të marrë si mundësi e vetme e atyre ditëve pa njeri.

Kishte nisur të kërrusej ashtu pa kuptuar. Dalëngadalë trupi i tij po i afrohej tokës i tërhequr si nga një forcë magnetike, për të treguar përuljen e shpinës së rënduar nga vitet. Edhe zëri, e qeshura e tij, nuk ishin më si njëherë e një kohë. Në vend të tyre dilte një kollitje e lodhur, një mërmërimë fatkeqe, që as ai vetë nuk e dëgjonte plotësisht, e që përngjante me vajtimin.

Kështu i qante i gjithë shpirti Alfonsit të gjorë. Por nuk kishte asnjë lloj dëshire që të ulej pranë dikujt e t’i hapte zemrën. E kishte përpirë ankthi për t’iu përvjedhur botës, njerëzve, jetës, sa edhe kur kalonte ngjitur vitrinave të dyqaneve që reflektonin jetën së jashtmi, ai ulte sytë si të qe fajtor që ishte akoma i dukshëm. Edhe hija e tij e shqetësonte, do të donte të mos e kishte, të mos zinte aspak vend në këtë botë të hidhur që e kishte tjetërsuar pa më të voglin shkak.

Vetëm kujtimet, këto dreq mendimesh që lidhnin prapa në kohë fytyra të dashura e copëza jete të ëmbla, i qëndronin si gropë e madhe e zezë netëve në vetmi, ku shkonte e hidhej brenda, por në vend që të mbytej si brenda një pusi të thellë, ai dërrmohej dhe dëgjonte si i shkërmoqeshin eshtrat një e nga një.

Gdhihej e ngrysej me mendimin ku kishte gabuar, e ç’duhej të bënte për t’i sjellë në vend gjërat, para se ta dëbonin përfundimisht nga puna. Ndjente mall për familjen e tij dhe për gjithë çka kishte qenë e rregullt dhe e qeshur më parë. Ai mllef ndaj tij i dukej i ekzagjeruar, por nuk e kuptonte dot nga se vinte. Deri natën e ëndrrës, që e bëri tjetër njeri.

 

Ëndrra sikur ishte parashikuar të vinte në atë mënyrë tinëzare. Gjumi e kishte kapur të shtrirë në divanin e vetëm të dhomës. Koka i qe anuar nga njëra anë, mjekra kryeneçe i mbulonte krejt pamjen e tij dhe ëndrra filloj me qimet e mjekrës, që si gjilpëra të vogla shpuese e depërtuan gjithandej, e mbuluan krejt, të zi. Kështu, në atë gjumë të shqetësuar, pa në ëndërr zyrën e tij të dikurshme, në katin e tretë. Ish kolegët e tij ishin aty, të mbledhur në dritare, me sytë nga rruga. Në ëndërr e pa veten e tij që po vinte me nxitim në punë dhe buzëqeshi.

Por, po njëlloj po qeshnin dhe kolegët pranë dritares.  Bashkë me ta dalloi dhe një tjetër fytyrë që nuk e njihte. Do të ishte profesor i ri. E kuptoi që ky i pacipë që i doli në ëndërr  si i panjohur, i kishte marrë gjithë ngarkesën e lëndëve, i kishte përvetësuar pa iu dridhur syri ato që patën qenë privilegjet e Alfonsit deri pak kohë më parë. Ndaj u vu të përgjojë, që të kuptonte burimin e shqetësimeve dhe përndjekjes pa shkak që po i bënin mizorisht.

 

Kolegu i ri dhe i panjohur, kur e dalloi të ecte drejt hyrjes së fakultetit, nxitoi t’iu thoshte të tjerëve gjithë ngazëllim:

– Erdhi, erdhi edhe sot! Ta shikoni si është katandisur, profesori. Por tani nuk ka makinë që të të sjellë deri tek dera e shkollës e të mos bëhesh me baltë, profesor! Nuk të flet e të qesh kush si dikur, profesor, erdhi fundi yt, pa pikë dyshimi, profesor!

Dhe qeshte. Tre të tjerët e panë të menduar dhe u afruan të shikonin me kujdes jashtë. Ndjenë një keqardhje kur panë kërrusjen e atij njeriu me të cilin kishin ndarë vite bashkë. Jetë e mallkuar dhe mosmirënjohëse. I pari që theu heshtjen, ishte profesor Theofani:

– Perëndia jep, perëndia merr! Gjithë kjo kryelartësi, për hiçmosgjë! Të mos rebelohet njeriu deri në këtë shkallë? Një zot e di!

Duke u afruar pranë dritares, edhe profesor Llazari i hodhi sytë tej e tej, gjithë pikëllim:

– Tashmë s’i ka mbetur më asgjë, as shtëpia, as gruaja, as vajzat, e lanë të gjithë.

– E lanë sepse e meritonte një fund të tillë! – u hodh i riu i asaj zyre. Ndjeu një frikë mos gjërat nisnin të ndryshonin në favor të Alfonsit, e aq shpejt sa i kishte marrë dhe ai privilegjet, po aq shpejt mund t’i humbte sërish.

– Eh… Nuk kemi kaluar dhe aq keq kur ishte mes nesh! Dinte të qeshte aq bukur, i gjori! – mërmëriti profesoreshë Efrosina sikur t’i fliste vetes.

Një heshtje e nderë u ul në mes. Të gjithë po mendoheshin, i kishin marrë të gjitha, në fakt jeta i ishte rrëmbyer e gjitha ish kolegut të tyre. E tani vërtitej si një qenie fatkeqe dhe e mjerë, endacak pa kuptim në qytet.

I sapoardhuri e nuhati rrezikun, ndaj gjëmoi:

– Të gjitha i keni marrë? Këtë po mendoni? Jeta ia hoqi të gjitha profesor Alfonsit dhe ai e ka kuptuar gabimin e tij? Hë? Kështu apo jo? – dhe me sytë zjarr flakëroi të pranishmit, që u gëlltiten nga ato fjalë, sikur t’u qenë lexuar mendimet.

– Po çfarë ka ndryshuar tek ai, në fund të fundit? Po vjen prapë në punë, apo jo? Në mos me makinën që e le tek dera, më këmbë. Por këtu është. Iu shpërfill të gjithëve, ta dini, e mirë jua bën!

Kur i shqiptoi këto fjalë, dora e tij valëvitej ngadhënjyese në ajër.

– Por ai po tallet me ju. E shihni apo jo, sfidues, si vjen në këtë punë ku nuk e do kush, i braktisur nga gruaja dhe vajzat, pa një shok e një fjalë mike, e ai prapë, e mban, mjekrën e tij. Ia hoqët të gjitha? Po mjekrën ia latë? Është simboli që iu përqesh të gjithëve, ndaj mos u merrni më me të. Dëbojeni, njëherë e mirë, të rrijë larg nesh e të gjejë paqe me veten. Ka për të qenë i lumtur gjithsesi.

– Mjekra e tij? Po nuk do merremi me lesh, de,  – klithi i revoltuar profesor Llazari.

– Ah, koleg i dashur, nuk doja t’iu lëndoja ndjeshmërinë, të më falni. Por një njeri që tregon përkujdes për mjekrën, që nuk e lë të dalë jashtë vendit një qime, përkundrazi rri i përkushtuar sikur të jetë gjithçka, është i rrezikshëm. I humbi të gjitha, por ka mjekrën e tij e kjo i mjafton. Ne jemi hiç para tij dhe mjekrës. Ne jemi më poshtë se trillet e tij. Sa e keqe e madhe kjo sjellje po e lamë të bëhet rrugë, koleg.  

Këto fjalë ishin gjëmim brenda asaj dhome. Të tre profesorët u shkundën nga tronditja,  mëshira dhe mallëngjimi shumë shpejt e përmbysën kovën e helmit që kishin në zemër dhe u dëgjua në një kohë:

– Ky është rreziku ynë! Ky njeri që nuk stepet para asgjëje, ta gjymtojmë. T’i heqim atë dreq mjekre.

 

Alfonsi në këtë pikë lëvizi në gjumë me mllef dhe shqetësim. Nuk u zgjua dot, megjithëse ankthi e mbuloi me bulëza të ftohta djerse. Ëndrra nuk kishte mbaruar akoma.

 

Mëria dhe mllefi i asaj zyre u përhap deri në rektorat. Nuk doli një vendim i prerë, i firmosur, pasi nuk kishte mundësi të formulohej një urdhër-zbatim për heqje mjekre. Por profesori i ri doli garant të gjente një palë gërshërë dhe kur u kthye me ato në kohë rekord, kolegët e zyrës e përgëzuan. Në shkallë, teksa zbrisnin për tek dhoma qeli e Alfonsit, iu bashkuan edhe të tjerë që e kishin marrë vesh lajmin, që prisnin më në fund ta shihnin si ishte fytyra e rrumbullakët e atij mjekëroshi të madh, si do shkelej përfundimisht me këmbë ajo shpifësirë njeriu.

U kollitën në shkallët që futeshin tek dhoma e ftohtë përdhese. Alfonsi ishte brenda, i dëgjoi, u tremb kur kujtoi mos ishte vonë me dokumentet për të dorëzuar, ndaj si i zënë në faj thirri:

– Edhe pak dhe mbarova. Tani…

Nuk e lanë të përfundonte fjalinë. I pari iu fut në dhomë profesori i ri që përdrodhi me pikëllim zërin:

– Kemi ardhur i dashur koleg, t’iu kërkojmë ndjesë. Të më falni dhe mua që mora guximin t’iu zëvendësoja orët gjatë kohës që mungonit. Asnjë nuk mund ta bëjë si ju lëndën tuaj!

Po kjo? Profesor Alfonsit i vezulloi një heshtë zjarri drejt e në zemër. Klithi i trembur nga gëzimi. Po merrte fund gjithçka? Ndjesia e tij e fajit, çdo gjë e mbrapshtë do të kthehej në vend e ky makth do të mbaronte njëherë e mirë?

– Të gjithë do t’iu kërkojnë falje, një e nga një, – vazhdoi i riu. – Por si fillim, t’i bëjmë gjërat për të qenë. – dhe nxori një gërshërë të madhe që e mbante prapa krahëve. Ishte surprizë ta shihje atë profesor të ri, që vringëllinte tehet e gërshërës së madhe në ajër, i gatshëm të priste.

– Po kjo, mos doni të prisni shiritin e pajtimit? – u mundua të bënte shaka Alfonsi.

– Me këtë do të presim mjekrën tuaj profesor!

– Mjekrën, kjo është absurde? Ç’iu prish mjekra ime?

– Kështu duam dhe pikë.

Arrogancë rioshe. Nismëtari me gërshërën në dorë iu afrua i bindur në forcën e tij, por për herë të parë, njerëzit dalluan rebelimin e vërtetë të Alfonsit. Një grusht i drejtë, i vendosur që gjakosi nofullën e agresorit. Pastaj klithi. Alfonsi. Goditi sërish i rebeluar dhe ngriti zërin në qiell:

– Më lini rehat! Akoma doni prej meje?

Kjo ishte sa e dhunshme, aq ndjellëse. Kur panë gjakun e profesorit të goditur, turma u shty përpara. Kishte akademikë dhe studentë, por dhe njerëz që vinin nga rruga, që e dinin historinë e donin të linin gisht në gjithë këtë. Alfonsit aq i bënte. Klithi sërish. Këtë herë, gjuajti me shkelm dy nga ish kolegët e zyrës, që iu avitën me marifet ta lidhnin me një rrip që e mbanin në duar.

Të gjithë qeshën. Ai godiste e njerëzit qeshnin. Turma sa vinte e afrohej, por Alfonsi nuk u dorëzua. Goditi me shpirt, gjuajti sa mundi, klithi i bindur që do të mekej e të shndërrohej në memec po të vazhdonte gjatë, por nuk ndaloi. Pastaj qau.

E në lotët e parë të ëndrrës, Alfonsi u zgjua nga gjumi gjithë dëshpërim.

 

Tanimë, pas ëndrrës, po qëndron symbyllur, i shtrirë. I duket sikur në atë gjumë të mbrapshtë e kanë rrahur paq, realisht. Ndjen dhimbje, sikur kokën ta ketë të mbushur me gunga nga grushtet e turmës. Por ndjesia që duhet të heqë dorë nga dukja, nga ajo mjekër e madhe e zezë, që të shpëtojë, iu bë fuqiplotë në mendime. Ishte natë e thellë kur shkoi në lavaman, mori gërshërët, shkumën e rrojës, briskun. U mbush thellë me frymë dhe nisi të presë ngadalë mjekrën e përhershme të tij.

Po gjymtohej me dorën e vet, për diçka që nuk e kishte urdhëruar kush, por që mund të qe shkaktare e fatkeqësive. Sa më tepër pastrohej nga mjekra ajo fytyrë, aq më shumë nisi të dallohej diçka krejt e re për Alfonsin.  Në pasqyrë reflektohej pamja e një njeriu të frikësuar, të lodhur, të dhembshëm, që s’kish c’të kërkonte më nga jeta.

– Po unë të jem ky? – pëshpëriti i përhumbur.  Zot, çfarë pamje e dhimbshme. Një fytyrë njeriu, me rrëke lotësh, vija të mëdha, të thella, të dendura, një dënesë e madhe e një mallkim të qare, që e paskësh mbuluar mjekra e tij. Zbehtësia e asaj pamjeje nuk ishte diçka njerëzore, kishte diçka të frikshme, por jo të shëmtuar; të hidhur, por jo të helmatisur; vuajtëse, por jo që të ndillte përbuzje.

Sa e zymtë, sa me baltë, sa me shi, ajo fytyrë. Sa me dhimbje, sa me frikë, sa dreq!

Të nesërmen në mëngjes eci me hapa të shpejtë, të mbërrinte i pari në fakultet. Vuri re që kushdo që e shihte, ndryshonte menjëherë qëndrim dhe zbutej drejt tij. Mbi lëkurën e zbehtë të bardhë të asaj pamjeje, mund të lexoheshin shenjat e çdo fyerjeje, të çdo mallkimi, të çdo sajese dhe mashtrimi, në kurriz të tij. Edhe braktisja. Nga miqtë, gruaja, fëmijët, në formën e një kafshimi të kuq në të dy anët e faqes, pastaj në mollëza, në eshtra, e dukshme, pa pikë dyshimi, mbi të.

Ajo fytyrë dikur e mbuluar me mjekër, tanimë ishte një plastelinë ku qe shënjuar turbullimi, mallkimi, pamundësia e jetës. I çmendur, kështu thoshte fytyra, e nuk kishte kuptim.

Ndaj njerëzit i hapnin rrugë, pëshpëritnin nën zë; “Kot u morëm me këtë fatkeq”, dhe ndjenin pendesë të thellë në shpirt.

U ngjit drejt e në zyrën e dekanit që ishte brenda dhe kur e pa ngriu plotësisht.

– Profesor, – arriti të thotë. – paskeni ndryshuar pamje? Sa mirë.

Alfonsi nuk foli menjëherë. Ato vraga të thella, njolla të errëta dhimbjeje, të pashmangshme, të pashlyeshme, të përhershme, padrejtësie që i dukeshin plotësisht në fytyrë, i jepnin të gjithë të drejtën e botës që të rifitonte privilegjet e rrëmbyera me të padrejtë. Dhe dekani e kuptoi këtë, pa dyshim.

– Si i bëhet tani? – psherëtiu gjithë ankth dhe stepje Alfonsi.

Dekani u step, tani që po e shihte nga afër, pa atë mjekrën që dikur e bënte të ngjante i qetë e i qeshur, e ndjeu që kishin shkuar tepër larg. Gjërat duhej të rregulloheshin, përfundimisht.

– Një situatë e papranueshme, e dalë nga kontrolli, profesor. Iu kuptoj, plotësisht. Më lejoni të vendosim në vend gjërat siç ishin më parë dhe këtu të mbyllet kjo histori. Që tani do të jap urdhër të ktheheni në vendin ku iu takon, tek zyra me kolegët ku keni qëndruar përherë.

Profesor Alfonsi doli i lehtësuar, duke mbyllur butë derën pas krahëve. U ngjit në zyrën në katin e tretë dhe kolegët që e panë në atë gjendje, ngrinë gjithë faj.

Alfonsi u mundua të buzëqeshte. – Do të më sjellin prapë mes jush, – pëshpëriti dhe iu ktheu krahët, të dilte sa më shpejt nga aty. Si u gjend jashtë, këmbët e drejtuan një kohë të gjatë nëpër rrugë. Qyteti e shihte, fliste, e shumë shpejt u mor vesh që prapësitë mbi Alfansit do të merrnin fund. Njerëzit ishin gabuar ndaj tij. Pas disa orësh fillikat, që i ngjau me rrugëtimin e turpit që kushdo ta shihte pamjen e re të tij, mori rrugën e kthimit për në shtëpinë ku jetonte dikur. Nuk trokiti në derë, por rrotulloi çelësin në bravë dy herë, ishte akoma shtëpia e tij, tek e fundit.

Brenda ishin të treja, gruaja dhe dy vajzat. E prisnin që të vinte. Bashkëshortes i kishin shkuar menjëherë fjalët për aktin e normalizimit, për pranimin pa kushte në punë, si më parë.

– I miri im, na kishe munguar, – i buzëqeshi ajo, dhe nuk vonoi t’i hidhej në qafë, duke e puthur dhe duke i ledhatuar fytyrën, atë fytyrë të huaj, të panjohur, me kanalet e dhimbjes si brazda të djerra toke, plot dhimbje.

Edhe vajza e madhe u gëzua dhe i shkoi pranë, i preku dorën e lehtësuar që në shkollë nuk do ta vinin më në lojë. I kishte munguar ai njeri që ishte babi i saj, e tashmë gjërat do të ktheheshin në vendin e tyre. I çuditshëm, pa mjekër, por kjo do t’i dilte prapë dhe do të mbulonte ato shenja të frikshme që i dukeshin sheshit.

Vetëm më e vogla, vajza që ai e donte si dritën, nuk iu afrua. Nuk mundi t’i buzëqeshte dot, e dinte që ishte babi i saj, por pse ai nuk ngjante më si dikur? Përse mundohej dhe shtirej, sillej me zor, sikur të qe një tjetër njeri? E mjekra e tij, ajo gjëja e zezë që e mbante përherë me vete, ngado që shkonte, ditën dhe natën, ku kishte shkuar? Si ia kishin hequr e me ç’qëllim?

– Çfarë të kanë bërë babi? – foli sikur të mos ishte askush tjetër në atë dhomë, përveç asaj dhe atij. Qëndruan përballë njëri-tjetrit, e nuk lëvizën dot as edhe një hap më shumë. Duhej t’i përgjigjej. Por asgjë s’do kish kuptim.

– Duhet vallë? – mendoi me ngulm Alfonsi pa e hapur gojën.

Përjashta shiu pushoi së rëni, qielli u hap dhe retë zbardhën dhëmbët, të lehta e të lira. Këto re ikanake, pa kujtesë e as shpirt. U mat të vinte buzën në gaz e ta ngrohte vajzën e vogël, të bëhej i bukur për të, si në përrallat që kishin magji. Por gjithë sa mundi t’i krijohej në fytyrë, e që e zbehu vogëlushen e trembur, ishte vuajtje dhe shumë shëmtim.

22.01.2018


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.