READING

Gjergj Kastriota Skanderbeg dhe arbëreshët e Sicil...

Gjergj Kastriota Skanderbeg dhe arbëreshët e Sicilisë

Giuseppe Schirò Di Maggio

GJERGJ KASTRIOTA SKANDERBEG DHE ARBËRESHËT E SICILISË

(Fjalim i mbajtur në Korçë më 19 nëntor 2018 në vijën e Festimeve të Vitit të Skënderbeut.)

 

Pashko Vasa ka një shprehje që përmbledh teorinë dhe në disa aspekte edhe praktikën e shqiptarisë në jetën civile, shoqërore, politike e sidomos fetare të shqiptarëve: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”! Prandaj, “besimi” nuk është ai i tri apo katër feve që shqiptarët shfaqin, por është një përmbledhje e të gjithave në një koncept laik, por krejtësisht fetar: shqiptaria!

Natyrisht, si të gjitha besimet, “shqiptaria” ka priftërinjtë, hoxhallarët e saj. Gjatë shekujve, “shqiptaria”, fe laike, ka përballuar mirë të gjitha sulmet e historisë së kundërt, derisa në dritën e lirisë është bërë e rritur, e vetëdijshme dhe e pashmangshme. Por kush është ai Pontifex Maximus i kësaj feje? Pontifex Maximus qysh në fillim ka qenë dhe sot është dhe nesër do të jetë Gjergj Kastrioti Skënderbeu! Pra, slogani i Pashko Vasa-s duhet, sipas meje, të integrohet si ky: Feja e shqiptarit është shqiptaria, me Skënderbeun te kryesia!  Madje, them më shumë. Ne mund ta lartësojmë Skënderbeun si “shenjtor mbrojtës” të shqiptarisë!   Më lejoni të shpjegoj më mirë. Në disa vende arbëreshë shenjtori mbrojtës i katundit Shën Gjergji Dëshmori i Madh shoqërohet me Gjergj Kastriotin Skënderbeun e që të mos mendoni se e teproj, e zmadhoj, ekzagjeroj, bie ndonjë dëshmi nga jeta e përditshme. Per Qeftin, katundi arbëresh në krahinën e Foxhas: «Ata shqiptarë që fortifikuan dhe ripopulluan Chieuti-n (në Puglia, sh. i red.), gjetën dhe e mirëpritën këtë shenjtor (pikërisht Shën Gjergjin) si mbrojtës, gjithashtu sepse midis shenjtorit dhe Princit të tyre ka ngjashmëri. Shën Gjergji e Gjergj Kastrioti Skënderbeu: dy mbrojtës të zellshëm të krishterimit “ (Shiko: Festa di San Giorgio a Chieuti – Pino Consalvo).    Një shembull tjetër i ngjashmërisë. Nga vendi web i Bashkisë së Munxhifunit (Montelcilfone, krahina e Campobasso-t). Titulli i Çmimit të Dytë të vitit 2003, i promovuar nga revista “Kamastra” dhe “Qendra Sociale Gjaku i Shprishur”, është ky: Çmimi “San Giorgio e Skënderbeu”. Shën Gjergji e Skënderbeu.   Një citim tjetër nga vendi web i San Giorgio Lucano. “Toponimi ka një origjinë agjonimike (dmth.: me emër shenjti)  dhe ka origjinë nga kulti i San Giorgio-t, por ndoshta kujton edhe emrin e heroit shqiptar Giorgio Castriota Skënderbeu; në fakt, vendi ishte prekur nga një emigrim i shqiptarëve në shekullin XVI (TCI Bas. Cal 355)”.   Një libër, të cilin unë ende nuk e kam blerë, me sa duket nga titulli afron ngushtë dy figurat: San Giorgio dhe Skënderbeu nga autorët Franco Pezzotta-Fernanda Pugliese (Litotipografi Romanelli-Guglionesi (CB), 2002.  Nga miti mund të kalojmë në shenjtërimin! Për më tepër është vetëm një bashkëtingëllore “s-ë” që ndan dy mbiemrat “mitik” dhe “mistik”! Dhe është një kufi i hollë dhe i papërmbajtshëm.    Pra, kjo mi-s-tikë mitike konkretizohet në faktin se ne dëgjojmë të qarkullojë në disa vende të Kalabrisë Arbëreshe një emër i përveçëm personi “Skënderbeu”: “gjyshi im Skënderbeu, kushëriri im Skënderbeu”. Në lindjen e një fëmije, shfaqja e emrit të Udhëheqësit të shquar duket të jetë ogurmirë. Jo aq në vendet Arbëreshe të Sicilisë, por emri i së shoqes Donika sot imponohet nga prindi që ka thithur edhe pak kulturë arbëro-schipetare.    Nëse ne arbëreshë të Sicilisë nuk kemi emrin e pagëzimit Skënderbe’, ndoshta nga një nderim i tepruar për Heroin, kemi me bollëk titulluar, në zonat arbëreshe të Sicilisë, me emrin Giorgio Kastriota Skanderbeg shkolla, rrugë, klube, shoqata kulturore, klube të futbollit, gurë përkujtimorë, edhe ku gjuha shqipe ka humbur si në Palazzo Adriano dhe në Mezzojuso; dhe kjo gjë të shkakton urrejtje për humbjen por njëkohësisht mallëngjim se këto katunde ende tregojnë anëtarësinë arbëreshe, në veçanti në festimet e përvitshme o përkujtimore, me dëshirën të rrinë në numrin e trevave arbëreshe. Pothuajse çdo vend ka një kopje të bustit të Skënderbeut gdhendur nga skulptori Odhise Paskali, por Mezzojuso-s, Munxifsit, ende asnjeri akoma nuk ia ka dhuruar.

Ka gjithashtu në Sicilinë arbëreshe luajtje e shfaqje të vogla për shkollat ​​kushtuar Skënderbeut, madje shfaqje me kukulla, që ne quajmë me fjalë siciliane “opera dei pupi”, të cilën autorë siciljanë admirues të kontekstit arbëresh në Sicili vijnë për të propozuar me sukses në teatrin e fëmijëve, me tituj me zë të lartë: “Le gesta di Giorgio Kastriota Skaderbeg”.

“L’ Opera dei Pupi”, siç dini, është një art i lashtë i skenës me atë që ju quani “teatri i kukullave”, që ka përhapur epikat e mëdha italiane: Orlando furioso, Gerusalemme liberata, etj. Vitin e kaluar, për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, shumë e festuar në Piana degli Albanesi në provincën e Palermos (Sicili), shfaqje të tilla kanë ngjallur interes të madh dhe këtë vit do të përsëriten.

Për t’u kthyer te diskursi mbi mitikën-mistikën që shkakton figura e Skënderbeut,  Francesca Di Miceli (Unipa) në një raport të titulluar “Për mitin e Skënderbeut”[1] shkruan: «Këto janë mitet që sipas Jensenit (etnologu Adolf Ellegard Jensen, Mythos dhe Kult bei Naturvölkern, Berlin 1951, 1960 – sh.r.) sot përmbushin funksionin e veçantë të kuptimit të plotë të natyrës së vërtetë të njeriut, duke e kthyer atë në origjinën e tij hyjnore. Kështu, sipas kësaj perspektive, çdo individ i cili ka një rëndësi të madhe historike fiton një veshje mitike kur, duke u ngritur mbi kontigjentin, ai merr pjesë paradoksale në mbinatyrën, duke e futur veten plotësisht në fushën e shenjtë. Prandaj, miti krijon një realitet në hapësirën e vet të përkohshme që është jashtë kohës dhe, për më tepër, siç Eliade pohoi në Traktatin e tij mbi historinë e feve, në të gjitha fenomenet e shenjta është evidente një hierophani që njëkohësisht posedon një vlerë historike dhe një vlerë universale arketipale. Kjo nënkupton që është e nevojshme të merret parasysh rëndësia e “së vërtetës” dhe të “realitetit të pranishëm në transmetimin mitik që nuk është as trillim as përrallë, por tregim i vërtetë: si për përmbajtjen, ashtu siç është rrëfimi i episodeve të ndodhura në një gjendje të mëparshme (që rishikohen për t’i bërë ato të marrin një veshje të shenjtë që është e dobishme për grupin dhe që ndikon në realitetin e tanishëm), si për shenjtërinë, pasiqë vë në lëvizje forma të shenjta të dobishme për grupin nëpërmjet reflektimeve aktuale».   Arbëreshët këto fjalë i kanë menduar menjëherë që nga fillimi.    Emri i Giergj Kastriotit Skënderbeut jehon për më shumë se pesë shekuj në të gjitha zonat shqiptare të koaguluara në shtete ose të shpërndara në të gjithë botën, në grupe të mëdha si dhe në ato të vogla, sigurisht në çdo shtëpi.   Kjo është e qartë për mua. Por nëse shkoj në detaje, kur është “shkruar” zyrtarisht për të parën herë emri i Skënderbeut në komunitetet e diasporës arbëreshe që në shekullin 1400 shkuan në Sicili? Papët e Romës e kishin lavdëruar shumë Skënderbeun dhe Papa Kallisti III e quajti  “Athleta Christi dhe defensor fidei” dhe në dokumentet hartuar nga mbreti i Napolit emri i Skënderbeut është shkruar me qartësi.   Sigurisht refugjatët shqiptarë që erdhën në Itali pas vdekjes së Skënderbeut do të kenë qenë të vetëdijshëm për veprat dhe fundin e Heroit dhe do të kenë folur natyrisht për të. Por ku e gjejmë të shkruar për herë të parë emrin e tij në Sicili?    Giuseppe Schirò (1865-1927) në librin e tij Canti tradizionali[2]  (f. XXVII), kur shkruan për emigrimin e shqiptarëve në Palazzo Adriano, emigrim i mëparshëm se ai, p. sh., që intereson Horën e Arbëreshëvet, bën fjalë për dy dokumente latine në të cilat lexojmë emrat e Skënderbeut dhe të familjes së tij: «Ricordo qui due diplomi di Giovanni d’Aragona, Re di Sicilia, l’uno dei quali, recante la data del giorno 8 ottobre 1467, è stata da me per la prima volta messo in luce nel 1904 (v. Gli Albanesi e la Questione Balcanica, pp 216-18) (…); e l’altro del 18 ottobre 1467, già prima conosciuto e poi da me ripubblicato nella sua integrità (op. Cit. P. 218). Nel primo  si legge: Nos Joannes ecc. – Per litteras illustrissimi regis Neapolis Ferdinandi nostri Nepotis, erga nos commendati sunt… (e shkruhen emrat) strenui duces contra Turcas, Georgji Masrechij Castriota Skanderbegh consanguinei, quorum patres cum dicto Georgio Scanderbegh et eorum militibus… » etj. Në të dytin dokument të njëjtit emra.

Më afër nesh,  nga arbëreshët e Sicilisë emri i Skënderbeut shihet shkruar te libri “La vita di Padre Giorgio Guzzetta” i priftit latin Giovanni D’Angelo (1763-1832), botuar në vitin 1798 dhe veçanërisht në dokumentin që At Giorgio Guzzetta (1682-1756) i drejton mbretit të Napolit, titulli i të cilit dokument është “Diritto Che hanno li Serenissimi Re di Sicilia sopra dell’Albania, onde ben possano intitolarsi ancora Re, e Despoti, cioè Signori di essa” (E drejta që kanë Mbretërit e shkëlqyeshëm të Sicilisë mbi Shqipërinë, kështu që ata ende mund të quhen Mbretër dhe Despotë, dmth. Zotërinj të saj”.

Lexojmë: « Shumë më tepër, që ende vazhdon me të Shkëlqyeshmit Mbretër të Dy Sicilive sundimi, nëse jo mbi Shqipërinë, mbi familjet më të shquara të saj, që, pas vdekjes së Princit të tyre Kombëtar Giorgio Castriotta, të quajtur Skënderbeu, kanë shkuar në numer të math të banonin të shpërndara në më shumë koloni në të dy Sicilitë, dhe ende aty ruajnë, duke mbajtur me mrekulli ritet e tyre të lashta, rrobat, kostumet dhe gjuhën shqiptare.[3]»   At Gjergj Guxeta në këtë mënyrë, duke i falur mbretit të Dy Sicilive, një mbretëri “të vështirë” siç ishte ajo e Shqipërisë pushtuar nga turqit, e falënderonte mbretin, pasi ky kishte dhënë pëlqimin e tij për themelimin e Seminarit Arbëresh në Palermo.    Ku e kur, megjithatë, fillon kulti i Skënderbeut është shkruar në librin voluminoz të Nicolò Chetta-s (1742-1803, Contessa Entellina)[4] me titull “Tesoro di notizie su de’ Macedoni” (Thesar lajmesh mbi ca Maqedonë), shtypur në Palermo në vitin 1777.  “Thesari lajmesh mbi ca Maqedonë” është një libër me vlerë të jashtzakonshme, shkruar me italishtjen e atëhershme, i vlefshëm për ata që duan të thellojnë, dhe folja “thellojnë” duhet të merret po me këtë kuptim, historinë e maqedonasve të cilët nuk janë veçse Shqiptarët.    Nga fillon Thesari i Nicolò Ketas? Nga libri i Zanafillës së Biblës, nga Noeu saktësisht! Por kjo nuk është ajo që unë dua të raportoj. Libri i dytë i veprës titullohet: “Albani ed epiroti tralli macedoni” dhe kapitujt janë këta: “Cap. I – Fin a’ tempi de’ Castrioti; Cap. II – Glorie degl’albani Castriotici; Cap. III – Vanti degli albani scanderbegini”. Ka praktikisht gjithçka që duhet të dimë në detaje. Dhe shkruan edhe për Pelasgët.[5]    Për Skënderbeun qysh atëherë kanë folur dhe kanë shkruar të gjithë autorët arbëreshë, in primis Girolamo de Rada në Kalabri, të të cilit besoj se njihni gjithë shkrimet dhe veprat, dhe Gabriele Dara në Sicili,  Zef Schiro (1865-1927) në Sicili, poet ky me theks të plotë frymëzimi, Zef Serembe dhe Antonio Santori në Kalabri, e të tjerë deri më sot.     Si shembull i interesimit të poetëve arbëreshë të Sicilisë, më pëlqen të lexoj strofat e para të një himni kombëtar shqiptar të shkruar pasi Shqipëria u bë e pavarur, dhe një sonet nga poeti arbëresh i Horës së Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi – Palermo) Trifani (Trifonio) Guidera (1873-1936)[6]. Ai, autodidakt edhe në gjuhën shqipo-arbëreshe, shkruan, ndër të tjera, duke u përpjekur të respektojë ritmin e vargjeve, këtë Kënk Kombiare (f. 114, vepër cituar në shënim).

V

Kënk Kombiare

Adha Gegëra adha Toskra

Nënë flamurit t’ Shqipris

Ku shkelqen dielli i liris

Gjith nji bashkë ejani sot.

Çë kur hiri Turku i zi

Shumë kemi na duruar

Gjithë vemi tue luftruar

Mosnjerì ka të limonjë.

E refreni:

Si të bij t’ Skanderbegut

Si edhe bij të Shqipëris

Luftrar të fuqishëm jemi

Jemi trëmbimi i Turqis.

 

E soneti ((f. 197, vepër cit.)::

XLIII

Këmbora e Krojës

Këmbora e Krojës sot këmbonë

Me lip i math e me i limahj rëkim

Ditën e bushtrë neve na kujton

Çë vdekja na rrëmbeu të madhin trim.

Skanderbegun nga shqipëtar vajton

E të tijin i pa-fanurënë Shqiperi

E se ngë ka nani e dreqëron

Per dhrominë çe jep nga shklirì.

Djelmë, burra, pleq e gra vun me nj’anë

Me helm shkuljën të blershimit krip

Skanderbegun kujtojën e klanë

Se i veljeshmi trim liri jip.

Nani çë vdiq, Turku pënguar mban

E prandaj më shum sot i mbajën lip.

Edhe unë kam shkruar poezi për Skënderbeun dhe fillimin e një romani që do të lexohen nga lëçitësit e shkëlqyer të pranishëm.   Për të mbyllur.   Francesca di Miceli (vepër cit.) për “Elementët e mitit Skënderbejsor” shkruan: «Ka shumë legjenda që përshkruajnë shtatin e lartë të Kastriotit, të fuqishëm, të pamposhtur, në mënyrë që të fut frikën dhe tmerrin mes armiqve që me siguri nuk duhej të nënvlerësoheshin. Një nga këto legjenda thotë se në prag të vdekjes Skënderbeu, i shqetësuar për fatin e njerëzve dhe familjes së tij, i kërkoi djalit të tij të strehohej me popullin e tij në Itali ku do të gjente mbrojtje nga papati dhe princat aragonezë për të cilët ai kishte rrahur fuqishëm. Por Skënderbeu e paralajmëroi të birin kundër rrezikut të pandalshëm turk dhe parashikoi që pas mbërritjes së tij në Adriatik, ai do të gjente në plazh, gati për ta pritur, një pemë në të cilën mund ta lidhte kalin e tij dhe shpatën e tij në mënyrë të tillë që në goditjen më të vogël të erës, armiqtë e tij të hidhur do të dëgjonin akoma shpatën e Skënderbeut duke rrotulluar në ajër dhe duke hingëlluar kalin e tij, dhe kjo do të kishte shkaktuar një tmerr të madh midis turqve, të cilët do të kishin qenë të kujdesshëm për të mos ndjekur popullin shqiptar. Një emër, një shpatë dhe një kalë lufte pastaj përmbledh veprat e Gjergj Kastriotit.»    Çfarë tjetër të them? Shenjt popullor o jo, a do të na ndihmojë Gjergj Kastrioti Skënderbeu për të shpëtuar sa mund të shpëtohet te kultura jonë shumëvjeçare arbëreshe? A do të na ndihmojë të ruajmë gjuhën që është dallimi fisnik i një populli të gjallë?

 

[1] In Atti del Convegno Internazionale di Studi Albanologici (Palermo-Santa Cristina Gela, 9-10 febbraio 2006): Giorgio Castriota Skanderbeg e l’identità nazionale albanese, Palermo 2009

 

[2] Giuseppe Schirò: Canti tradizionali ed altri saggi delle Colonie albanesi di Sicilia – Napoli, 1923.

[3] E At Gjergj Guzzetta continua il discorso rammentando al Re delle Due Sicilie: «Dura parimente negli animi almeno di quei Albanesi, che rimasti sotto il giogo turchesco nell’Albania, sospirano a caldi voti la libertà. E ben sapendo fra quanti Principi cristiani hanno signoreggiato nei scorsi tempi quel paese, non esservi ora altro legittimo erede nel mondo, che il solo Re di Sicilia, non hanno né altra speranza, né alcun diritto di altrove ottenerla, che dalla sua potentissima mano.  Onde lui solo venerano, ed invocano con gemiti qual di loro naturale Signore, e da lui anelano, che o colle sue gloriosissime armi liberi l’Albania dalla tirannide turca, con farsi strada alla conquista di Costantinopoli giusta l’alta mira de’ suoi Maggiori, o con la sua reale clemenza liberi gli afflitti vassalli Albanesi dall’Albania con facilitar loro la trasmigrazione, e fondazione, che desiderano fare di nuove altre colonie in Sicilia, che pur essa la brama, come tanto bisognosa di popolazione.  Un gran mezzo per degnamente promuovere, e portar felicemente a fine una delle due sì grandi, e gloriosissime imprese è il Seminario degli Albanesi nuovamente eretto in Palermo, ove ben educandosi la gioventù albanesa, e coltivandosi nelle buone lettere greche, e latine, promette qualificati soggetti, e zelanti Missionarj, che possano fruttuosamente impiegarsi in sì grand’affare per la maggior gloria di Dio, e bene dell’anime.  Ed avendo disposto la Provvidenza, ch’egli avesse avuta la sorte di essere la prima opera pia fondata in Palermo sotto gli auspicj dell’Invittissimo Re delle due Sicilie Carlo III Borbone al primo ingresso delle sue gloriosissime armi in questa città, e si aprisse coll’autorità del suo Luogotenente in questo Regno li 4 Novembre 1734 giorno consecrato agli applausi dell’immortal suo nome, sembra, che a di lui vantaggio avesse disposto un tal mezzo, e che alla Maestà sua regnante avesse riserbata il cielo la gloria di guadagnare, o di popolare un Regno con tal mezzo» .

[4] Francesco Altimari shkruan te Atti del Convegno Internazionale di Studi Albanologici (Palermo- Santa Cristina Gela, 9-10 febbraio 2006) : Giorgio Castriota Skanderbeg e l’identità nazionale albanese (Palermo 2009), në kuntesën e tij me titull “Kujtimi i Skënderbeut në diasporën arbëreshe të Italisë para dhe gjatë “Rilindjes”: «… duhet patjetër zgjeruar nga ana kohore dhe … duhet të konsiderohet si pararendësi i vërtetë i lëvizjes kombëtare shqiptare një figurë madhështore siç është figura intelektuale e Nikollë Ketës.»

[5] Sui pelasgi, Altimari, op. cit.: «Teza se shqiptarët rrjedhin nga pelasgët mitikë […] pati përkrahjen e parë që prej shekullit XVIII ne intelektualin arbëresh te Sicilisë Nikollë Keta (1740-1803), qe ka qene i pari arbëresh qe u mor me problemin e origjinës se popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe ne veprën Tesoro di notizie su de’ Macedoni (Palermo, 1777)».

[6] Trifonio Guidera LIRICHE – Edizione critica e introduzione di Matteo Mandalà – Traduzione italiana di Giuseppe Schirò Di Maggio – Palermo 2008.

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.