Fragment nga kapitulli “Ditari i Otilies”
Në këtë botë secilin e pranojnë ashtu siç pretendon të jetë, por edhe duhet të pretendojë gjithnjë se është diçka.
Njeriun e bezdisshëm e durojnë më fort se njeriun e pavlerë.
Nga shoqëria mund të kërkosh me ngulm ç’të duash, por kurrsesi diçka që sjell ndonjë pasojë.
Njerëzit i njohim jo kur vijnë ata te ne; duhet të shkojmë ne tek ata që të kuptojmë si janë në të vërtetë. Më duket si diçka gati e natyrshme kur mundohemi t’u gjejmë ndonjë të metë mysafirëve e të flasim jo dhe aq mirë për ta sapo ikin, sepse kemi të drejtë, si të thuash, t’i matim me kutin tonë. Madje edhe njerëz të përkorë e të drejtë s’rrinë dot thuajse kurrë pa bërë kritika të rrepta në raste të tilla.Përkundrazi, kur vemi tek të tjerët dhe i shohim në mjedisin e tyre e me zakonet që kanë, në kushtet e domosdoshme e reale ku jetojnë, kur vemi dhe i shohim si ngjajnë në ato rrethana ose si u nënshtrohen, atëherë duhet të jemi të paarsyeshëm ose keqdashës po t’i quajmë qesharake ca gjëra që në shumë raste të tjera do të na dukeshin të denja për t’u admiruar.
Me anë të atyre që i quajmë sjellje dhe zakone të mira duhet të arrijmë ato gjëra që përndryshe mund të arrihen vetëm me dhunë, madje as edhe me dhunë.
Shoqërimi me gra është burim mirësjelljeje.
Si ka mundësi që karakteri i njeriut, që është veçori e personalitetit të tij, të jetë në harmoni me mënyrën tonë të jetesës? Veçoria e personalitetit duhej të dilte në pah pikërisht nëpërmjet mënyrës së jetesës. Gjithkush kërkon të ketë të bëjë me diçka të rëndësishme, veçse me kusht që kjo të mos e vërë në siklet.
Avantazhet më të mëdha si në jetë përgjithësisht, ashtu dhe në shoqëri i ka ushtari i shkolluar. Ushtarët e pagdhendur mbeten së paku ata që janë, dhe, meqë prapa forcës fshihet zakonisht njëfarë shpirtmadhësie, në rast nevoje edhe me ta mund të merresh vesh.
S’ka njeri më të bezdisshëm se një civil ngalakaq. Prej tij njeriu mund të kërkonte finesë, sepse ai nuk ka punë me asgjë të vrazhdë.
Kur jetojmë me njerëz që kanë ndjesi të hollë edukate, drithërohemi për ta sa herë ndodhen përballë ndonjë sjelljeje të papërshtatshme. Një gjë të tillë ndiej gjithnjë për Sharlotën e bashkë me Sharlotën kur ndokush lëkundet në ndenjëse, diçka që ajo s’e honeps dot fare.
Asnjë burrë s’do të hynte me syze në hundë në një dhomë intime po ta dinte se ne grave na ikën sakaq qejfi për ta vështruar e për të bërë muhabet me të.
Kur familjariteti mënjanon respektin, kjo është gjithmonë diçka qesharake. Pas përshëndetjes s’do ta hiqte askush kapelën po ta dinte sa qesharak duket një veprim i tillë.
S’ka shenjë të jashtme mirësjelljeje që të mos ketë një kuptim të thellë moral. Edukatë e vërtetë është ajo që do të përçonte njëherazi këtë shenjë e këtë kuptim.
Sjellja është një pasqyrë ku secili tregon fytyrën e vet.
Ka një respekt të zemrës, ai është i afërt me dashurinë; prej tij buron mirësia më e madhe e sjelljes së jashtme.
Varësia e vullnetshme është gjëja më e bukur, e si do të ishte e mundur pa dashuri?
S’jemi kurrë më larg synimit të dëshirave tona sesa në çastin kur përfytyrojmë sikur i kemi arritur ato që dëshironim.
Kulmi i skllavërisë është ta quash veten të lirë kur s’e ke fituar me të vërtetë lirinë. Mjafton ta quash veten të lirë dhe do të ndihesh sakaq skllav. Po guxove ta quash veten skllav, do të ndihesh i lirë.
Dashuria është i vetmi mjet shpëtimi përballë privilegjeve të mëdha që ka dikush tjetër.
Është diçka e tmerrshme të shohësh kur me një njeri të shkëlqyer tallen budallenjtë.
Thuhet se për shërbëtorin askush s’është hero. Por kjo ndodh ngaqë vetëm heroi mund ta njohë heroin. Mbase shërbëtori është në gjendje të vlerësojë shokët e vet.
Për mediokritetin s’ka ngushëllim më të madh sesa fakti që gjeniu s’është i pavdekshëm.
Njerëzit më të mëdhenj janë të lidhur gjithnjë me shekullin e tyre nëpërmjet ndonjë dobësie.
Njerëzit i quajmë zakonisht më të rrezikshëm nga ç’janë.
Budallenjtë dhe të mençurit janë njësoj të parrezikshëm. Më të rrezikshmit janë gjysmëbudallenjtë dhe gjysmë të mençurit.
Për t’iu shmangur botës s’ka mjet më të sigurt se arti, dhe s’ka lidhje më të sigurt me të sesa nëpërmjet artit. Madje edhe në çastin e lumturisë më të madhe dhe të mjerimit më të thellë kemi nevojë për artistin. Objekt i artit janë e vështira dhe e mira.
Kur shohim se diçka e vështirë sendërtohet me lehtësi, na krijohet ideja e së pamundurës.
Vështirësitë rriten sa më tepër i afrohemi qëllimit.
Mbjellja s’është aq e vështirë sa korrja.
përktheu: Aristidh RISTANI
(Johann Wolfgang von Goethe: “Afritë perzgjedhëse”, titulli i origjinalit: “Die Wahlverwandtschaften”, Roman, Botimet “SANTORI”, Tiranë 2015, 310 faqe)
NO COMMENT