FATOS ARAPI (1930 – 2018)
VDEKJA E GJYSHES
Ja, edhe gjyshja në arkëz,
kukull e vogël në kartëz.
Është… dhe prapë s’është e tëra,
sikur nuk është si përhera.
Gjithë karfica, gjilpëra,
kapur satenet në kokë,
lidhur këpuckat përposh,
shami e lule në gjoks.
Mbyllur kapakët e syve
(ç’diej u shuan brenda tyre?).
E sheh… dhe të duket heshtja
pe gjasme e pe gjasme vdekja.
Gjyshja e vogël, e bukur,
e pastër…
Në arkëz kukull.
Gjithë karfica, gjilpëra,
qepur vite të tëra,
lidhur kujtime e malle…
dhimbje, që duken si përrallë.
E sheh… dhe të duket heshtja
pe gjasme e pe gjasme vdekja.
TË GJITHA TË DUHEN
Më e panevojshme se një përshëndetje në udhë
Heroizma; gjithnjë
Ka një mbrëmje që s’i duhet askujt.
Po ne si do të bënim pa sytë
Tmerrësisht joshës
Të intrigës? Shpirti
Së prapthi e veshi lëkurën e vet,
Qyteti të jep dhimbje koke; gjithnjë
Ka një mëshirë që s’i vlen askujt
Mushkëritë e drejtësisë janë qelbësuar
Dhe po i mjekojnë me ilaçe të skaduara.
Po ne si do të bënim
Pa gojëzën e bukur,
Kafshimin e errët të tradhtisë?
Të gjitha të duhen, vëllai im.
Një nga një dritat e qiellit i shuan
Sqepi i zogut në ag të agimit.
Dhe më e sinqertë është hipokrizia;
Vejusha-dënesje, mbi vdekjen tënde
Tani hedh trëndafilin e fundit:
Lavdinë, që s’i duhet askujt…
DITË TIRANASE
Ti mbyll derën pas e nisesh
Në mesin e rrugës takon ditën
Që të pyet e hutuar: – Nga të shkoj?
Shpresën e ushqejnë me shpresë –
Pastaj shpresës i vrasin shpresën.
Vetëm pasqyrat ndryshojnë,
Teknologjia përsosëse e tyre –
Fytyrat janë po ato.
Jo, ti, – hija jote shkrin në gotën me ujë
Diellin dhe kokrrën e aspirinës –
Ke dhimbje të forta koke.
E di: zembereku i zemrës sime
Është pluhurosur – kur do të vijë Ajo,
Me frymën e saj t’i fryjë,
Të ndjej ecjen tingëlluese të kohës.
Në qiellin e Tiranës, një unazë e zjarrtë
Fluturon nga syri në sy –
Kërkon gishtin e nuses.
Kërciti gonxhe e zambakut tek çelej,
Dhe marsi eci para meje.
Të paktën, o zot, akoma jemi njerëz
Respektojmë dallëndyshet dhe vdekjen.
NO COMMENT