Eugène GUILLEVIC
(1907-1997)
Recetë
Merr një çati tjegullash të vjetra
pak para mesditës.
Shpjere të tërën përbri
një bliri të rritur
që regëtin në erë.
Vendos sipër tyre
një qiell të kaltër, larë
nga retë e bardha.
Lëri sikundër janë.
Vështroji.
Filxhan
Edhe ti
je bërë për të nxënë.
Përreth
gjithçka është në lëvizje.
Jemi ndalur
tashmë
përballë shoshoqit.
Të zbrazët,
por besnikë.
Pjata
Pjata prej balte, të vjetruara,
ngjyra që u zbehën, u zbardhën,
ishit të reja kur hytë
në shtëpinë tonë.
Mësuam shumë gjëra
gjatë kësaj kohe.
Pikë
Nuk jam veçse fryt ndoshta
i dy vijave që priten.
Nuk kam asgjë.
Thonë: nisesh nga kjo pikë,
mbërrin atje.
Unë s’di gjë.
Por më fshin dot
njeri?
Trekëndësh dybrinjëshëm
Arrita të vendos
njëfarë rregulli në jetë.
Nuk jam keq kështu, mirë jam.
Trekëndësh barabrinjës
U dhashë ca si shumë pas rregullit,
e teprova njëçikë.
Tani asgjë nuk mund të ndodhë.
Paralele
Bërtisni nëpër hapësirën
që i duhet t’ju veçojë.
Aq fort bërtisni
edhe në këtë hapësirën tjetër,
saqë e ndani më dysh.
Qaheni shumë,
sikur vetëm juve ju është taksur
të mos takoheni kurrë.
Tangente
Veç një herë do të të prek
dhe do ta dish se është diçka kalimtare.
Edhe në të marrtë malli më vonë,
mos m’u lut më kot të kthehem.
Kohën do ta kesh të bollshme
që të kujtosh këtë çast tonin.
Dhe të përpiqesh të bindësh veten
se vazhdojmë të jemi bashkë.
Përktheu Romeo Çollaku
NO COMMENT