Elias KANETI (Nobel)
“… Edhe sot më duket sikur po ecnim në këmbë prapa arkivolit gjatë rrugës përmes tërë Parisit, gjer në varrezat e Per Lashezit. Kisha një ndjesi sfide të jashtëzakonshme dhe doja t’ua thosha tërë atyre që endeshin atë ditë rrugëve të këtij qyteti. E ndieja veten krenar, thua se i kisha sfiduar të gjithë ata për hir të saj. Askush nuk barazohej dot me të në mirësi. Me mendje thosha “mirësi”, por ndërkaq nënkuptoja atë “mirësinë” tjetër, domethënë aftësinë e saj për të mbetur e gjallë edhe pse kishte vdekur. Pranë meje, në të majtë e në të djathtë, ecnin dy vëllezërit e mi. S’po ndieja asnjë ndryshim midis tyre dhe meje: përderisa po vazhdonim të ecnim kështu, ishim që të tre një trup e një shpirt, por vetëm ne e askush tjetër. Gjithë ata njerëz të tjerë që po e përcillnin më dukeshin tepër pak. Kortezhi duhej të shtrihej në tërë qytetin, duhej të ishte po aq i gjatë sa ç’ishte edhe rruga ku po kalonte. Mallkova verbërinë që po i pengonte njerëzit të shihnin se kush po përcillej në varr.
Qarkullimi nuk u ndal, ose ndalej pak sa për ta lënë kortezhin të kalonte, dhe, sapo kishim kaluar, fillonte sërish e njëjta lëvizje, thua se atypari s’kishte kaluar arkivoli i ndokujt. Qe rrugë e gjatë, dhe ajo ndjesi sfide vazhdoi tërë kohës që po ecnim, thua se na duhej të luftonim për të hapur udhë midis asaj mase të pafund njerëzish.
Më bëhej sikur majtas e djathtas po binin viktima për nder të nënës, sikur ato s’qenë aq sa duhej, sikur s’po i kënaqnin dot pretendimet e saj: sa më e gjatë është rruga, aq më i përligjur është varrimi. “Shikojeni! Është ajo! E keni njohur? E dini kush është mbyllur aty brenda? Ajo është vetë jeta. Pa të nuk ekziston asgjë. Pa të, shtëpitë tuaja do të shemben, dhe trupat tuaj do të rrëgjohen poshtë gërmadhave.”
Këto mbaj mend akoma nga ai kortezh. Me sytë e mendjes e shoh veten duke ecur, e shoh veten duke e sfiduar me ballin e saj tërë qytetin e Parisit. Para nisjes kisha vështruar me urrejtje si po e mbërthenin arkivolin, dhe, për aq kohë sa ndenji akoma në shtëpi, më ngjante sikur patën përdorur dhunë ndaj saj. Por gjatë rrugës s’po ndieja asgjë të tillë, arkivoli qe shndërruar në vetë shëmbëlltyrën e saj, s’kishte më asgjë midis meje dhe admirimit për të, dhe kështu duhet të përcillet në varr një njeri si ajo, në mënyrë që ta admirosh plot dëlirësi.
Kjo ndjesi më vazhdoi pareshtur, me një forcë të pandryshuar, dhe duhet të ketë zgjatur nja dy a tri orë. Do të kisha qenë në gjendje të luftoja për të, të vrisja për hir të saj. Isha i gatshëm të bëja çdo gjë. Kjo nuk qe paralizë, kjo qe sfidë. Me ballin e saj i hapja rrugë përmes qytetit, nga të gjitha anët njerëz që kalamendeshin, dhe prisja të më kapte veshi ndonjë fyerje që do të më detyronte të hidhesha në betejë për ta mbrojtur.“
Përktheu: Aristidh RISTANI
(Elias Canetti: “Loja e syve – histori e nje jete”, titulli i origjinalit:
“Das Augenspiel – Lebensgeschichte”)
NO COMMENT