Egeri eci nëpër male

Ne foto: Autori me librin e perkthyer ne anglisht

Robert Seethaler, autori i romanit “Një jetë e tërë” në 150 faqe ka arritur të realizojë një kryevepër të vogël me romanin e tij të shkurtër.

Stefan Jäger

“Një jetë e tërë” e Robert Seethaler-it është shumë larg idilit alpin dhe letërsisë tradicionale për vendlindjen. Romani i tij nuk ka të bëjë me botën paqësore dhe të pashqetësuar në male, siç paraqitet ajo shpesh nëpër broshura. Përkundrazi, Seethaler-i përshkruan anën e errët dhe skamnore të një jete, e cila është shumë e varur nga trillet e natyrës.

“Një jetë e tërë“ është romani i katërt i autorit të lindur në Vjenë në vitin 1966. Në romanin e tij të fundit “Shitësi i kioskës së cigareve dhe gazetave” (der Trafikant – 2012) Seethaler-i pasqyron jetën në qytetin e madh të Vjenës, kurse tani guxon shumë në rajone pak të populluara. Por ajo që ka mbetur është që ai edhe këtë herë iu përkushtohet “njerëzve të vegjël”.

Andreas Egeri, protagonisti i romanit, rritet në oborrin e xhaxhait të tij, Hubert Krancshtokerit, në një fshat të vogël malor në Alpe, i cili e trajton adoleshentin me një ashpërsi të pamëshirshme, si “një krijesë, e cila duhet vetëm të punojë, të lutet dhe t’i kthejë të pasmet purtekës së lajthisë.

“Një herë e goditi aq fort, sa i theu Egerit kockën e kofshës dhe e gjymtoi për tërë jetën. Edhe pse kjo skenë në roman në vështrim të parë përshkruhet objektivisht, ajo pëson një thyerje ironike nga përzgjedhja e fjalëve, të cilat huazohen nga gjuha biblike. Prandaj edhe sjelljen e Krancshtokerit autori e paraqet si të neveritshme. Përpos dhunës dhe fantazive të plotfuqishmërisë së xhaxhait të tij, Egeri ia del të mos zhytet në dëshpërimin e kushteve të pafavorshme të jetës. Në dukje ai e duron fatin e tij me një qetësi stoike: rebelimin nuk e njeh.

Vitet që kalojnë s’ia ndryshojnë Egerit qëndrimin që ka ndaj jetës: ai përballet me sfidat shpesh të ashpra të jetës së përditshme dhe s’kërkon as më shumë e as më pak, sesa është e nevojshme për një jetë të thjeshtë. Ëndrrat ose vizionet për një “jetë më të mirë“ janë të huaja për të. Ai jeton – dhe kjo e kënaq protagonistin. Kjo duket e huaj për një botë të vetë-optimizimit dhe të optimizmit të jetës, ku e rëndësishme është të ngjitesh gjithnjë e më lart në shkallët e karrierës për të shtrydhur nga vetja edhe pikën e fundit të efikasitetit.

Dhe është pikërisht ky qëndrim i vetëpërzgjedhjes, që e bën kaq interesante këtë figurë letrare: me të Seethaler-i vendos pasqyrën përpara shoqërisë së shekullit të 21-të, të shqetësuar për efikasitetin.

Pasi grumbulloi mjaft të holla, Egeri blen një copë të vogël toke larg fshati. Ndërton për vete dhe gruan e tij, Marian, e cila do të mbetet dashuria e vetme e jetës së tij dhe i gëzohet fatit të tij të vogël, cili megjithatë shpërthen si një flluskë sapuni. Shtëpinë e zë nën vete një ortek. Maria, e cila pret një fëmijë, vdes. Egeri, i cili ishte duke bërë një shëtitje sipër shtëpisë, shpëton edhe një herë për një fije nga vdekja, e cila luan një rol të madh në roman.

Pas vdekjes se hershme të nënës së tij dhe disa vdekjeve gjatë ndërtimit të teleferikut, ku merr pjesë edhe Egeri, ai do të ballafaqohet edhe më vonë në mënyrë të përsëritur me brishtësinë dhe paqëndrueshmërinë e jetës.

Kur u kap rob e u burgos në burgjet ruse, pas disa javësh pushoi së numëruari të vdekurit, që varroseshin në një pyll të vogël mështeknash pas burgut. Vdekja i përkiste jetës, ashtu si myku bukës. Vdekja ishin ethet. Ishte uria. Ajo ishte një e çarë në murin e barakave, nëpërmjet të cilave fërshëllente era.

Gjashtë vjet pas përfundimit të luftës Egeri kthehet më në fund në fshatin e tij, ku shumë gjëra kanë ndryshuar. Fshati i heshtur dhe i qetë është shndërruar në një destinacion turistik: rrugët janë zgjeruar prej fluksit në rritje të turistëve, bujtina dhe hotele mbijnë nga toka si kërpudha, shumë teleferikë dhe ashensorë tirren si një rrjetë mbi malet përreth, po planifikohet një qendër pushimi me kopsht kurues dhe pishinë të mbyllur është duke u planifikuar. Lakonik vëren rrëfyesi “.

Egeri i pranoi të gjitha këto ndryshime me një habi të heshtur.” Kur bën kërkesë për t’u punësuar si teknik mirëmbajtjeje pranë operatorit të menaxhimit të teleferikut dhe dëshiron të marrë pjesë në ndërtimin e tij, i lihet të kuptojë se ai nuk është më “krejt i duhuri” për punën që duhet bërë. Për të, nuk ka më vend “në botën e teknologjisë moderne të qarkullimit”.

Protagonisti duhet të kuptojë se atë e ka lënë koha mbrapa. “Progresi” teknik e ka shtypur si t’i kishte kaluar ndonjë ortek sipër.

Kur jetës së tij po i vinte fundi, Egeri largohet gjithnjë e më shumë nga njerëzit e tij. Pasi kishte kaluar disa vite në fshat, fillon të banojë në një stallë të vjetër, të cilën e përshtat si banesë dhe ku jeton si eremit, të cilin banorët e tjerë të fshatit e vështrojnë me mosbesim.

Pa ndonjë iluzion e hedh vështrimin pas te “Një jetë e tërë”: Ai […] ishte një burrë i vjetër, i cili s’i duhej më askujt dhe që ndihej i lumtur se në një farë mënyre mund të ecte akoma. Kishte shumë kohë që ndodhej në këtë botë, të cilën e kishte parë të ndryshonte dhe që vit pas viti dukej sikur lëvizte më shpejt dhe atij i dukej vetja si mbetje e një kohe të humbur, një barishte me gjemba, e cila i shtriqej diellit sa mundej.

Robert Seethaler-i ka arritur që me romanin e tij të hollë të realizojë një kryevepër të vogël: me fjalë të thjeshta e të sakta, ai përshkruan jetën e një “burri të vogël” në male. Çdo fjalë është me vend – asnjëra nuk është e tepërt, apo të ndihet mungesa e ndonjë fjale. Pasi fillon ta lexosh, nuk shkëputesh dot më nga forca tërheqëse e stilit të tij narrativ.

Përshkrimet e tij të natyrës kanë një forcë të tillë ndriçuese sa ndonjëherë të bëjnë të mendosh për Pranverën e Georg Büchner-it, i cili e përshkruan me gjallëri lidhjen pothuajse mistike të protagonistit të tij me natyrën: “Dhe ndonjëherë, kur qëndronte shtrirë gjatë në atë pozicion, kishte ndjesinë se toka nën kurrizin e tij ngrihej dhe ulej butësisht, dhe atë moment ai e dinte se malet mbusheshin me frymë.

Megjithëse romani me temën e tij ka potencial për këtë, ai nuk bie as në sentimentalizëm dhe as nuk bëhet ezoterik, por i qëndron gjithmonë fakteve. Seethaler-i tregon me një forcë të tillë bindëse, saqë të duket se është ai protagonisti i romanit që i ka mbijetuar “fëmijërisë së tij, një lufte dhe një orteku” dhe pavarësisht të gjitha vështirësive dhe goditjeve të fatit, mendon që jeta e tij rrjedh pozitivisht: “Për mendimin e tij, ai ia ka dalë disi dhe ndaj i ka të gjitha arsyet që të jetë i kënaqur. “Sepse në fund të fundit a s’është kjo që ka rëndësi?”

Përktheu nga gjermanishtja Irena Nasi

Artikulli në origjinal në gjuhën gjermane është botuar në: literaturkritik.de 7/2015  https://literaturkritik.de/id/20809

Falënderojmë redaksinë e literaturkritik.de për lejen për ta përkthyer dhe botuar këtë tekst.

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.