Përkthyesja dhe studiuesja Janice Mathie-Heck rrëfen për bashkëpunimin e saj afatgjat me Robert Elsie për njohjen e letërsisë dhe kulturës shqiptare nëpër botë. Përmes një bisede me Palimpsest, ajo rrëfen njohjen me albanologun e shquar kanadezo-gjerman dhe deri tek projektet e përbashkëta si përkthimi në anglisht të “Lahuta e Malcisë” e At gjergj Fishtës:
Diku më shumë, diku më pak, Robert Elsie është i njohur për publikun shqiptar. Kjo nuk mund të thuhet për ju, si bashkëpunëtorja e tij më e ngushtë. A mund ta kujtoni se si u njohët me Robert Elsienë?
Është një histori e gjatë. Kam takuar së pari Besim Lumin (vëllain e Bekim Lumit të ndjerë) në vitin 1999, kur u mësoja anglisht në Calgary imigrantëve dhe refugjatëve të rritur.
Familja e Besimit kishte ardhur kohët e fundit në Kanada nga lufta në Kosovë, sepse kishte rreth 35 familje refugjatësh kosovarë që morën leje qëndrimi këtu në Calgary. Besimi, që u bë nxënësi im, më tregoi për vëllanë e tij, Bekimin, i cili ishte dramaturg i mirënjohur dhe regjisor teatri në Prishtinë. Ai gjithashtu përmendi mikun e Bekimit, Dr. Robert Elsienë, një shkrimtar që fliste shqip rrjedhshëm dhe që jetonte në Gjermani ku prodhonte libra mbi letërsinë, gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare.
Një nga kolegët e mi, Paulo da Costa, donte të bënte të njohur një edicion përkthimesh nga shqipja te “Filling Stacion”, një revistë letrare, me qendër këtu në Calgary dhe ai më tha që t’i kërkoja Robert Elsiesë sugjerimet dhe kontributin e tij. Kështu filloi një miqësi e mrekullueshme 17-vjeçare; korrespondenca, shkëmbime dhe bashkëpunime, të cilat morën fund me vdekjen e parakohshme të Robertit në tetor të vitit 2017. Ende e ndjej shumë thellë humbjen e tij.
Çfarë kujtoni nga bashkëpunimi me të?
Robert ishte një mik i dashur dhe unë i kënaqesha shumë bashkëpunimit me të. Ishte shumë i saktë, i ditur dhe kërkues në punën e tij. Ai kishte aftësi të shkëlqyera kërkimore dhe gjithmonë bënte më të mirën në çdo projekt që ndërmori. Bashkëpunim zgjati shumë, por u takova me të personalisht vetëm pesë herë: Dy herë në Gjermani, dy herë këtu në Calgary dhe një herë në Angli, në një turne pesë-ditor me Fatos Kongolin.
Të gjitha bashkëveprimet e tjera ishin në internet ose herë pas here me telefon. Roberti kishte një ndjenjë të mrekullueshme humori dhe gjithmonë ishte në gjendje të shihte anën më të lehtë të situatave të vështira dhe dilemave. Shoqëria jonë ishte plot respekt dhe profesionalizëm, duke treguar dashamirësi, përkrahje dhe inkurajim të madh ndaj meje. Ai shpesh theksonte se kisha “sytë e një shqiponje”. Ndoshta projekti ynë më sfidues ishte poema prej 16,500 vargjesh të Gjergj Fishtës, “The Highland Lute: The Albanian National Epic”! Ne ishim të dy të lindur në Kanadanë Perëndimore në vitin 1950 dhe ndanim shumë qëndrime dhe vlera tipike kanadeze. Përkundër kësaj, ai i donte shumë shqiptarët dhe e ndjente veten pjesë e kulturës dhe etikës së tyre. Ai ia kushtoi jetën prezantimit të shqiptarëve – veçanërisht letërsisë së tyre – në pjesën tjetër të botës. Isha e kënaqur të merrja pjesë në këtë synim të denjë dhe të mësoja shumë gjëra nga Roberti. Misioni ynë ishte që, së bashku, të bënim përkthime sa më të mira në gjuhën angleze, siç ishin në gjuhën e tyre origjinale.
***
Janice Mathie-Heck lindi në Jasper, Alberta, Canada më 1950. Ajo pati një fëmijëri jo të ngulitur, duke trashëguar prej familjes dashurinë për udhëtimet. Frankofile, ajo ndoqi universitetin, studioi linguistikë dhe punoi në Montreal, para se të vendosej në Calgary, si anëtare e French chorale, Voix des Rocheuses dhe e L’Alliance Française.
U diplomua për letërsi angleze në universitetin e Calgary-t më 1976. Mathie-Heck ka qenë mësuese e gjuhës angleze si gjuhë e dytë për emigrantët e rritur për shumë vite dhe ka qenë e përfshirë në këshillimin e refugjatëve shqiptarë nga Kosova.
Ajo është poete, përkthyese, redaktore dhe kritike letrar, dhe artikujt dhe poezitë e saj janë shfaqur në The Gauntlet, Freefall, Le Chinook, Filling Stacion, Jeta e Re, Illyria, Phoenix, Tempulli, Transkript, Translation Review, TransUlturAl dhe në faqen e internetit të Frontenac House. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në Wordweavers Writing Collective në Calgary, dhe ka përkthyer disa prej poezive të Johan Vupa.
Në bashkëpunim me Dr. Robert Elsie, ka shkruar hyrjen e vëllimeve të tre poetëve shqiptarë: Neither a Wound nor a Song (Gjonlekaj Publ.: New York, 2003), të Eqrem Bashës, The Condemned Apple (Green Integer: Copenhagen & Los Angeles, 2005), të Visar Zhitit, si edhe Blood of the Quill (Green Integer: Los Angeles, 2008), të Azem Shkrelit.
Në vitin 2005 ishte përkthyese rezidente te Banff International Literary Translation Centre. Ishte bashkëpunëtore me Robert Elsienë e një botimi dy gjuhësh shqip-anglisht e poezisë epike orale, Songs of the Frontier Warriors: Albanian Epic Verse (Bolchazy-Carducci: Wauconda, Ill., 2004), dhe e epikës letrare legjendare, prej 15,600 vargjesh, të poetit kombëtar shqiptar, Gjergj Fishta,
Së bashku me Robert Elsie, ajo përktheu dhe redaktoi një artikull mbi letërsinë shqipe në Transcript: the European Internet Review of Books and Writing, Vol. 24: (Aberystwyth, Uells, 2005). Ajo bashkë-përktheu romanin e Fatos Kongolit, The Loser (Seren Books: Bridgend, Uells, 2007), si dhe Lightning from the Depths: an Anthology of Albanian Poetry (Northwestern University Press: Evanston, Ill., 2008). Eseja e saj për poezinë e Visar Zhitit u shfaq në Mehr Licht! Eurozine, Issue 33, 2008. Ajo bashkëpunoi në përkthimin e romanit të Ornela Vorpsit, The Country Where No One Ever Dies (Dalkey Archive Press: Champaign, Ill. Dhe London, 2009). The Highland Lute: the Albanian National Epic (I. B. Tauris: London / Palgrave-Macmillan: New York, 2005).
Një fragment i bashkë-përkthimit të dramës së Doruntina Bashës, The Finger, u shfaq në Wasafiri: Writing the Balkans, Vol. 29, Issue 78 (The Open University in London, 2014). Ajo asistoi Robert Elsie në përkthimin e Thirty Agas Were Conversing: Albanian Heroic Verse, Vol. 26 (Centre for Albanian Studies, London, 2016). Ajo bashkë-përktheu dramën e Jeton Nezirajt, The Demolition of the Eiffel Tower (Laertes Press: Chapel Hill, N.C., 2017) me Robert Elsie dhe Alexandra Channer. Ajo gjithashtu ka punuar me dramaturgen Doruntina Basha në dramën The Finger (Laertes Press: Chapel Hill, N.C., 2017). Ajo rishikoi një bashkë-përkthim të një koleksioni të poezive të Flutura Açkës. Ky ishte bashkëpunimi i saj i fundit me Robert Elsienë, para se ai të ndërronte jetë në vitin 2017. Ajo kontribuoi në One Flew Over the Kosovo Theater: An Anthology of Contemporary Drama from Kosovo (Laertes Press: Chapel Hill, N.C., 2018).
Shumica e përkthimeve të Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck shfaqen në www.albanianliterature.net
NO COMMENT