Dy fjalë poeti për poetët

Zef Zorba

DY FJALË POETI PËR POETËT

Paralelizimi i këtyre tre poetëve të mëdhenj mendoj se mund të pasqyrojë zhvillimin e poezisë në Itali gjatë këtij shekulli. Sintetizimi vetëm në këta të tre sigurisht as i errëson e as i mënjanon poetët e tjerë me peshë, siç janë U. Saba, M. Luzi, V. Cardarelli, V. Sereni, P. P. Pasolini e dhjetëra të tjerë që jehojnë fort me individualitetet e veta të shkëlqyeshme. Drejt zgjedhjes së këtij triptiku nuk më shtyu gjykimi i Akademisë së Suedisë, që nderon Quasimodon e Montalen me çmimin Nobel e që ka pas menduar të njëjtin çmim edhe për Ungarettin.

Për këtë përmbledhje më kanë shtyrë kryesisht të tjera konsiderata, e sidomos koha e veprimtarisë së tyre, që nis thuajse njëherit (1915-1922), si dhe përpjekja e tyre e përbashkët për ripërtëritjen e poezisë në këndvështrim modern.

Shqipëruesi i këtyre vargjeve ka pasur rast të njihej që para 50 vjetësh me krijimet e tyre të para, pra në një kohë kur kritika konservatore dhe ajo e regjimit më fort e denigronte sesa e përkrahte poezinë moderne në tërësi, në rast se nuk e injoronte krejt. Sulmet e para konservatore e reaksionare u drejtuan kundër Ungarettit, kryesisht për shkak të një nga botimeve të tij të para Porti i varrosur në 1916. Thotë Ungaretti vetë:

“Botimi i Sentimento del tempo (Ndjenja e kohës) sikundër botimi i pjesës së parë të Allegria (Gazmendi), poedhe Porto sepolto (Port i varrosur), janë pritur me kritika të çuditshme. Madje në të dyja rastet jam “nderuar” gjer me krijimin e revistave letrare thuajse vetëm e vetëm për të më luftuar.”

Jo shumë i ndryshëm ka qenë qëndrimi i kritikës ndaj Montales e Quasimodos, megjithëqë më pak shpotitës, për shkak se fishekët po harxhoheshin të gjithë kundër Ungarettit duke pandehur se me “vrasjen” e këtij do të vritej “hermetizmi” i përqafuar nga të tre. Gjithashtu krijimet e para të Quasimodos e të Montales, ndonëse “hermetike” e “esencialiste”, dukej sikur nuk binin në kundërshtim të hapur me traditën.

Kjo antologji është e pamjaftueshme për pasqyrimin e veprës poetike të të treve apo për paralelizimin e tyre, pasi veç së vërtetës “traduttore-traditore”, edhe vetë metoda e antologjizmës është dashtë e pa dashtë vullnet i përzgjedhësit e njëfarë shkrandjeje e veprës totale të autorit. Nga fraksionarizimi ka rrezik që “poeti-njeri” të paraqitet me reflekse jo të qenësishme nga e gjithë prodhimtaria e tij. E mbara do të ishte të jepej shqipërimi i plotë i veprës poetike të çdonjërit. Po kujt ia mban? Mua jo. Megjithëse të tre cilësohen me titullin përmbledhës “poetë lirikë”, po të bazoheshim më fort në rrymën dhe formimin e secilit, do të quheshin vetëm “poetë”. Kjo pasi çdo libër i tyre ka një organicitet rigoroz. S’mund të veçohen pjesë pa cënuar integritetin e veprës, dramës, afreskut a simfonisë. Librat e tyre s’janë një për- mbledhje e thjeshtë poezish, por një vepër e plotë në vështrimin e mirëfilltë aristotelian. Thotë Ungaretti për librin Allegria:

“Ky libër s’është veçse një ditar. Autori nuk ka ndonjë ambicje tjetër dhe beson se edhe poetët e mëdhenj s’kanë pasur pikësynim të ndryshëm, posë që të linin një biografi të bukur të vetën”.

Prandaj edhe librat e tyre mbajnë që në titull këtë karakteristikë ditari.

Klasifikimi i veprave poetike të këtyre poetëve s’është i thjeshtë. Rruga e revolucionit artistik i ka çuar ata në zbulimin e metodës “hermetike” ose “esencialiste” të thelluar deri te fjala, rrokja, pauza.

Kritiku A. Gargiulo thotë:

“Duket sikur fjalës i është kthyer virgjëria fillestare… Hyjnë në fuqi vlerat e ritmeve, pauzave e ndoshta më shumë vlerat fonike ‘evokuese’…”.

E tillë ka qenë aspirata e artit të ri, e “ésprit moderne”: me fuqizue shprehjen poetike duke e zhveshur nga superstrukturat që po e mbysnin; poezia si shprehje artistike e “homo sapiens” duhej çliruar prej mërtisjesh të verbalizmit të një rutine të pezmatuar. Burizanë të kësaj domosdoshmerie, që në shekullin e kaluar, u bënë Lamartine e De Vigny, Leopardi e Pascoli, Heine e Rilke, Shelley e Byron etj. Ai kushtrim u kap shpejt e kryekreje në Francë: Beaudelaire e Verlaine në poezi, Degas e Renoir në pikturë, Debussy e Strauss në muzikë. Në vazhdën e tyre vërshimi mori dhenë: Mallarmé e Rimbaud, Picasso, Stravinski e qindra të tjerë. U shfaqën rryma e shkolla të reja, Futurizëm e Kubizëm, Psikanalizë e Ekzistencializëm, muzikë xhaz e dodekafonike. U qëmtua çdo fushë me zhdrivillime marramendëse e ndonjëherë, medet, edhe me anarkizma të çmendura. U mobilizuan talente novatorë, artistë që hiqnin zor, por qëlloi që me rrymat e vrullshme u përzjenë edhe mitomanë, snobë, intelektualoidë, qyrravecë. Për shkak të tyre në mjaft raste u vështirësua dallimi i gurëve vërtet të çmuar e sidomos iu hap goja konservatorëve, të cilët duke u mbështetur në të tilla shfaqje sporadike gjetën rastin të hidhnin helm mbi tërë artin modern. Koha dhe historia i fshinë këpurdhat që i mbinë modernizmit, duke i detyruar kritikët mallkues të reshtnin zërat e tyre përçmues.

Kështu u zhvillua e më vonë u fashit kritika ndaj hermetizmit.

Sot poetët e kësaj rryme kanë hyrë në tekstet shkollore, janë bërë objekt studimesh të thelluara dhe veprat e tyre botohen, ribotohen e përkthehen në gjuhë të ndryshme. Gjysmë shekulli më parë mjaft studiues shfaqnin dyshime rreth qëndrueshmërisë së poezisë moderne. Duke marrë shkak nga tipari dekadent i saj, nga parazitizmi që po i zhvillohej përreth e nga njëfarë rënieje të përkohshme që sollën zhgënjimet e Luftës së Parë, veçanërisht për Italinë, disa kritikë shpallën me solemnitet fundin e modernizmit në poezi. Paçka gjithë parashikimeve mortore të tyre, arti modern u estetizua, u konkretizua e u përhap gjerësisht. Këtë u detyruan ta pranojnë edhe kritikë me peshë, si Francesco Flora i cili deklaroi: “Megjithatë poezia esenciale hermetike o sido të quhet i pëlqen lexuesit modern”.

Në mbrojtje të poezisë moderne u ngritën studiues e filozofë të ndryshëm. Benedeto Croce sintetizoi: “Për poezinë, zeroja ekziston”.

Kështu lulëzuan kalibra të rinj poetësh. Tani arti modern s’ishte më një zë në shkretëtirë, një mirazh, porse realitet sublim i pamohueshëm.

 

 

Eugenio Montale

Nga KSENIA II

1.

Vdekja nuk të përkiste.

Edhe qentë e tu kishin vdekur, edhe

doktori i të marrëve që e quanit xhai i falisur,

edhe nëna jote me ‘specialitetin’ e saj

të pilafit me bretkoca, sajdi e kuzhinës lombarde,

e edhe baba yt që ditën e natën s’m’i ndan sytë

prej asaj pikture të vogël në mur.

E megjithatë ty vdekja nuk të përket.

 

Në varrimet duhej që unë të veja

fshehur në një taksi, larg prej të tjerësh,

për të mënjanuar lotë e trazira. As jeta,

me panairet e saja të kotësive e të grykësive

nuk kish rëndësi për ty e aq më pak

kangrenat universale që i shndërrojnë

njerëzit në ujqër.

 

Tabula rasa gjithçka; të mos ishte

ajo pikë e pacënuar, për mua e pakuptueshme,

e tamam pika që të përkiste.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.