READING

Dashuria, – nuk po e bëni siç duhet

Dashuria, – nuk po e bëni siç duhet

Foto ilustruese

Yann Dall’Aglio*

Çfarë është dashuria?

Dashuria është një term i vështirë për t’u përkufizuar dhe aplikimi i tij është shumë i gjerë. Unë e dua vrapimin: Unë mund ta dua një film, ose një libër: Mund të dua eskallopin. Mund të dua gruan time. Por, për shembull, ka një dallim të madh ndërmjet eskallopit dhe gruas sime: Që do të thotë se, unë mund ta vlerësoj eskallopin, por, në krahun tjetër, eskallopi nuk ma kthen dot mua vlerësimin. Ndërsa, ime shoqe më merr në telefon dhe më thotë që unë jam ylli i jetës së saj.

Kështu, vetëm një njeri me ndërgjegje mund të më konsiderojë mua si një qenie të dëshirueshme. Unë e di këtë dhe kjo është arsyeja përse dashuria mund të përkufizohet në një mënyrë më të qartë; si dëshira e të qenit të dëshirueshëm.

Këtu ngrihet problemi i përjetshëm i dashurisë: Si të bëhesh dhe si të mbetesh i dëshirueshëm?

Më parë njeriu e gjente përgjigjen e këtij problemi të madh duke iu nënshtruar në jetën e tij rregullave të një komuniteti. Aty, njeriu kishte një rol të përcaktuar për të luajtur, sipas gjinisë, moshës, statusit shoqëror dhe ajo që njeriu duhet të bënte ishte vetëm të luante pjesën e vet në mënyrë që të vlerësoheshe dhe të duheshe nga komuniteti të cilit i përket.

Mendoni për një vajzë të re, e cila duhet të mbetej e dëlirë, e virgjër përpara martesës: Mendoni për atë djaloshin e ri i cili duhet t’i bindej vëllait të tij më të madh, i cili në këmbim duhet t’i bindej patriarkut, babait.

Por, në shekullin e XIII ndodhi një fenomen në Perëndim, kryesisht me Rilindjen, e cila shkaktoi edhe krizën më të madhe të identitetit në historinë e njerëzimit. Ky fenomen është modernizmi, i cili në thelb, mund të përmbledhet në tri procese kryesore:

Së pari, procesi i racionalizimit të shkaktuar nga kërkimi shkencor, i cili përshpejtoi përparimin teknologjik.

E dyta, procesi i demokratizimit politik, i cili ka fuqizuar të drejtat individuale.

Dhe e fundit, procesi i racionalizimit të prodhimit ekonomik, dhe e liberalizimit të tregtisë.

Këto tri procese të ndërlidhura, kanë asgjësuar njëherë e përgjithmonë të gjitha traditat e vjetra të shoqërive perëndimore, të cilat, për pasojë, sollën ndryshime radikale të individualizimit. Tani, individët janë të lirë të vlerësojnë dhe të zhvlerësojnë. Ata mund të vlerësojnë qëndrimin, zgjedhjet, dhe objektet e mia. Si rezultat i kësaj, ata vetë janë të përballur me të njëjtën liri që e kanë edhe të gjithë njerëzit e tjerë, për t’i vlerësuar dhe zhvlerësuar ata vetë. Më fjalë të tjera, më parë vlera ime sigurohej nëpërmjet nënshtimit ndaj autoriteteve tradicionale: familja dhe komuniteti.

Ndërsa tani, vlera ime pikëzohet në bursë.

Në tregun e lirë të dëshirave individuale, unë e negocioj vlerën time ditë për ditë.

Kështu, ankthi i njeriut bashkëkohor: “A jam i dëshirueshëm?

Sa i dëshirueshëm jam unë?” Sa njerëz do të më duan?’

Dhe, si i përgjigjet ai këtij ankthi?!

Ai e bën këtë duke koleksionuar në mënyrë histerike objekte të dëshirueshme. Këtë proces koleksionimi, bashkë më gjërat e tjera, unë e quaj kapital të joshjes. Në të vërtëtë, shoqëria jonë konsumatore është tejet e varur nga kapitali i joshjes.

Në lidhje me konsumimin, thuhet se, shoqëria jonë është një shoqëri materialiste. Por, kjo nuk është e vërtetë.

Ne mbledhim objekte në mënyrë që të mund të komunikojmë me mendje të tjera. Ne e bëjmë këtë me qëllim që ata të na duan, që ne t’i joshim ata. Asgjë nuk mund të jetë më pak materialiste, ose më shumë sentimentale, sesa një adoleshent që blen një palë xhinse fringo dhe më pas i gris ato tek gjunjët, sepse ai dëshiron që ta bëjë Jennifer-in për vete.

Konsumerizmi nuk është materializëm. Por, është ajo që përtypet dhe sakrifikohet në emër të dashurisë, ose ndoshta në emër të kapitalit të joshjes.

Nën dritën e këtij këndvështrimi të ri bashkëkohor mbi dashurinë, si e përfytyrojmë ne dashurinë në vitet e ardhshme?

Foto ilustruese

Ne mund të supozojmë dy hipoteza:

E para, që ky proces kapitalizimi narcistik do të thellohet më tej. Vështirë të thuhet se çfarë forme do të marrë ajo, sepse ajo varet shumë nga novacionet shoqërore dhe ato teknologjike, të cilat janë shumë të vështira për t’u parashikuar. Por, ne, për shembull, mund të imagjinojmë një faqe interneti për takime me njerëz të tjerë, të cilat pak a shumë siç funksionojnë të gjitha programet e pikëzimit të besnikërisë ndaj tyre, do të përdorë pikë lidhur me kapitalin e joshjes, e cila mund të variojë nga – mosha, trashëgimia, pasuria, diploma ime, rroga ime, ose numri i klikimeve në profilin tim.

Ne gjithashtu mund të imagjinojmë një trajtim kimik pas ndarjeve që të na dobësojë ndjenjat tona të atashimit. Meqë jemi këtu, tashmë ekziston një program në MTV, ku mësuesit e joshjes e trajtojnë “thyerjen e zemrës” si të ishte një sëmundje. Për ta, të biesh në dashuri më dikë është humbje kohe, është shpërdorim i kapitalit të joshjes, kështu që kjo është një gjë që duhet eliminuar, si të ishte një sëmundje, si një infeksion.

Ne gjithashtu, mund të përfytyrojmë një përdorim romantik të gjenomit, ku secili mund ta mbajë atë me vete dhe ta prezantojë atë si të ishte një kartëvizitë pune dhe kështu do të mund të shikonim nëse joshja mund të përparojë deri në riprodhim.

Sigurisht që, kjo garë joshjeje, si çdo konkurs tjetër, do të krijojë ndasi të mëdha në lidhje me kënaqësinë narcistike, që do të përkthehet, po ashtu, në më shumë vetmi dhe frustracion. Kështu, ne mund të presim që vetë modernizmi, i cili është vetë origjina e kapitalit të joshjes, të vihet në pikëpyetje. Këtu, më vijnë ndër mend reagime të tipit neofashist ose si ato të komuniteteve fetare. Por, s’është e thënë që të ndodhë diçka e tillë.

Ne mund të mendojmë për dashurinë gjithashtu edhe në një mënyrë tjetër. Por, si?

Si është e mundur që ne të heqim dorë nga nevoja histerike që ne kemi për tu vlerësuar?

Epo, duke u ndërgjegjësuar për padobishmërinë tonë. Po, unë jam i padobishëm. Ne jemi të gjithë të padobishëm. Kjo padobishmëri është shumë e lehtë për t’u ilustruar sepse në mënyrë që të vlerësohemi ne kemi nevojë që të na dëshirojë dikush tjetër, që të më tregojë se unë nuk kam ndonjë vlerë timen, nuk kam asnjë vlerë mbartur me vete. Ne të gjithë pretendojmë se e kemi një idhull; ne të gjithë hiqemi sikur jemi idhull për dikë tjetër, por në fakt ne që të gjithë jemi mashtrues pak a shumë si ai burri që ecën në rrugë i cili duket “cool” dhe indiferent, ndërkohë që ai ka parashikuar dhe ka llogaritur që të gjitha sytë të jenë mbi të.

Unë mendoj se të qenit të vetëdijshëm mbi këtë qëndrim të përgjithshëm që na shqetëson ne të gjithëve, do t’i lehtësonte më shumë marrëdhëniet tona të dashurisë.

Dhe, kjo ndodh sepse unë dua që të tjerët të më duan nga maja e kokës deri tek gishti i këmbës për të justifikuar të gjitha zgjedhjet e mia – që histeria ime e joshjes ekziston. Rrjedhimisht, unë dua të dukem i përsosur në mënyrë që dikush tjetër të mund të më dojë. Edhe unë dua që ata të jenë të përsosur në mënyrë që unë të mund të ri-sigurohem mbi vlerën time dhe kjo rezulton në çifte të cilat janë të fiksuara me performancën, teatralitetin, që mund të ndahen lehtësisht nga njëri-tjetri në mosarritjet e para në çift.

Në të kundërt me këtë qëndrim, unë i referohem elbëlsisë, butësisë – dashurisë si ëmbëlsi, si butësi.

Çfarë është ëmbëlsia? Të jesh i ëmbël, i kujdesshëm do të thotë të pranosh dobësitë e njeriut që dashuron. Nuk po them që të bëhemi si ato çiftet e moshuara e të trishtuara…se kjo nuk është gjë e mirë.

Në të kundërt, duhet të mendoni se ka kaq shumë sharm, hijeshi, dhe lumturi në të qenit të ëmbël. Kemi edhe një lloj humori që fatkeqësisht thuajse nuk e përdorim fare. Kjo ka të bëjë me “vetë-talljen”, në një mënyrë pozitive, jo poshtëruese. Për një çifi i cili nuk mbështetet, apo mbahet nga kontrastet e traditës, mendoj se vetë-tallja, është një nga mjetet më të mira për jetëgjatësinë e marrëdhënies.

*Yann Dall’Aglio është filozof dhe autor francez me origjinë italiane. Yann, shkruan për dashurinë në epokën moderne. Ai e përshkruan dashurinë ,si dëshirën e njeriut për të qenë i dëshiruar.

TED Talk, TED Paris, tetor 2018

Përktheu: Enkeleda Suti

Burimi: https://www.ted.com/talks/yann_dall_aglio_love_you_re_doing_it_wrong?language=en#t-625835


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.