City (fragmente romani)

Alessandro Baricco

CITY

(fragmente nga romani)

22

Në universitetin e Gouldit erdhi një studiues anglez. Ishte nga ata me famë. Rektori Bolder e paraqiti në sallën e madhe. U ngrit në këmbë dhe shpalosi gjithë figurën dhe karrierën e tij para mikrofonit. Ishte një biçim gjëje e gjatë sepse studiuesi anglez na kishte shkruar libra pafund, e përveç kësaj kishte përkthyer e themeluar e përuruar, pa përmendur sa e sa punime ku kishte qenë udhëheqës e sa të tjera ku kishte qenë këshillues. Pastaj dhe bashkëpunonte. Kësaj të fundit s’i linte kusur. Bashkëpunonte marrëzisht. Kështu rektorit Bolder iu desh të fliste për një kohë të gjatë. Fliste në këmbë, duke lexuar fletët që mbante në dorë.

Pranë tij, i ulur, rrinte studiuesi anglez.

Ishte një situatë e pazakontë sepse rektori Bolder fliste për të sikur ai të kishte vdekur, jo se e bënte me të keq po se kështu ndodh, në situata të tilla kështu veprohet, oratori duhet të thotë gjëra të tilla që duken, do apo s’do, si lëvdata për një të vdekur, bien erë funerali, dhe gjëja më e bukur është se zakonisht i vdekuri është më se i gjallë, madje është i ulur aty pranë, dhe çuditërisht, mos me ta marrë mendja, ai rri mirë e bukur, pa kundërshtuar, edhe pse i duhet të durojë një torturë të tillë të llahtarshme, madje ka raste që instinktivisht e gjitha kjo edhe t’i shijojë.

Kësaj here kishim të bënim pikërisht me një rast të këtij lloji. Në vend që të zihej ngushtë, studiuesi anglez linte veten të mbulohej prej lëvdatave funebre të rektorit Bolder me një natyrshmëri tërësore e mençurake. Megjithëse altoparlantët e sallës së madhe shpërhapnin fjali të tipit “me pasion këmbëngulës dhe vendosmëri të paarritshme intelektuale” ose “last but not least, ka pranuar presidencën e nderit të Aleancës Latine, detyrë që mbulon dhe sot”, ai dukej si i mbrojtur nga çfarëdolloj droje, dhe i blinduar, si të thuash, në dhomën e tij të kolauduar hiperbarike. Kishte përvetësuar një shikim të ngrirë që e mbante ngulitur në boshllëkun përpara vetes, dhe këtë e bënte me një vendosmëri fisnike e stoike; e mbështeste shikimin me mjekrën e ngritur paksa dhe me ndonjë rrudhë që lëronte ballin, duke paraqitur një gjendje të qetë përqendrimi. Nofullat shtrëngoheshin lehtazi me intervale të rregullta, duke mprehur kësisoj profilin e fytyrës dhe duke lënë të nënkuptohej një gjallëri e fshehur që nuk ishte vënë kurrë nën fre. Shumë rrallë, studiuesi anglez kapërdihej, njëlloj sikur një dorë tjetër të përmbyste sahatin prej rërë: me një lëvizje elegante përcillte një palëvizshmëri tek një tjetër palëvizshmëri, duke dhënë përshtypjen e një durimi që kishte një jetë të tërë që bënte duel me kohën, dhe që gjithëherët e fitonte. E gjitha kjo përsoste një figurë gati-gati të përkryer që shpaloste në mënyrë të pavetëdijshme force të qashtër e largësi të shpërqendruar: të parën e përdorte për të vërtetuar lavdërimet e rektorit Bolder dhe të dytën për t’i lehtësuar nga pesha e servilizmit dhe e së rëndomtës. I madh. Dikur, bash kur rektori Bolder po fliste për aktivitetin e tij didaktik (“gjithnjë në mes të studentëve, por si një primus inter pares”) studiuesi anglez e tejkaloi vetveten: braktisi befas dhomën e tij hiperbarike, hoqi syzet, përkuli lehtas kokën, si i mundur nga shpërhapja e papritur e lodhjes, çoi gishtin e madh dhe atë tregues të dorës së djathtë drejt syve dhe, me të lëshuar qepallat, i lejoi vetes një masazh të lehtë e rrethor kokërdhokëve të syrit, një veprim tejet njerëzor ku e gjithë salla arriti të shihte, në mënyrë të përmbledhur, gjithë çastet e dhimbjes, zhgënjimit e dërrmimit që një jetë suksesesh nuk kishte mundur t’i fshinte, kujtimin e të cilave studiuesi anglez donte ta përcillte tani, përpara të gjithëve. Qe shumë e bukur. Pastaj, si të zgjohej nga një ëndërr, ngriti papritmas kokën, vuri përsëri syzet me një veprim të shpejtë, por të saktë dhe mori përsëri qëndrimin e mëparshëm stoik, me sytë e ngulitur në boshllëkun përpara vetes, me forcën e atij që e ka njohur dhimbjen, por nuk është mundur kurrë prej saj.

E pikërisht në atë çast prof. Mondrian Kilroi zuri të villte. Ishte ulur në rreshtin e tretë dhe e zuri të villte.

Përveç të qarës – gjë që tashmë e bënte shpesh dhe me një farë kënaqësie – prof. Mondrian Kilroi kishte filluar, herë pas here, dhe të villte, dhe kjo, përsëri kishte të bënte me studimet e tij dhe në veçanti me një ese që kishte pasur rastin të shkruante dhe që ai, për çudi, e përkufizonte si “rrënim përfundimtar dhe shpëtimtar të çfarëdolloj gjëje që unë kam shkruar, po shkruaj ose do të shkruaj”. Në të vërtetë ishte një ese shumë e veçantë. Mondrian Kilroi kishte punuar për të për katërmbëdhjetë vjet, pa i shpëtuar një presje. Pastaj, një ditë, ndërkohë që ishte mbyllur në një kabinë vidieopornoje ku duke shtypur butona pa fund mund të zgjidhje mes 212 programesh të ndryshme, kishte kuptuar se, më në fund, e kishte gjetur, kishte dalë nga kabina, kishte marrë një fletëpalosje që shpjegonte çmimet e “sallës së takimeve”, dhe, mbrapa saj, kishte shkruar esenë. E kishte shkruar aty, në këmbë, i mbështetur tek arka. Nuk ishte vonuar më shumë se dy minuta: eseja përbëhej nga një sekuencë e shkurtër prej gjashtë tezash. Teza më e gjatë nuk i kalonte gjashtë rreshtat. Pastaj ishte kthyer në kabinë sepse kishte ende dhe tri minuta të paguara dhe i vinte keq t’i shkonte dëm. Shtypte butonat si t’i vinte për mbarë. Kur përfundonte në videogei, acarohej.

Mund të duket dhe e çuditshme por eseja në vetvete nuk fliste për argumentin e preferuar të prof. Mondrion Kilroit, pra për objektet e harkuar. Për t’i mbetur besnikë fakteve, duhet të themi se eseja titullohej kështu:

 

ESE MBI NDERSHMËRINË INTELEKTUALE

 

Pumerangu që ishte një admirues i madh i saj dhe që praktikisht e dinte përmendësh, e kishte përmbledhur një herë kështu:

Nëse një hajdut bankash shkon në birucë, atëhere pse intektualët sorollaten me duar të lira?

Duhet thënë se, me bankat, Pumerangu “kishte një llogari të pambyllur” (fjali kjo e Shetsit, të cilën ajo e mbante si gjeniale). I urrente, edhe pse nuk ishte shumë e qartë arsyeja. Për një farë kohe kishte ndërmarrë një fushatë edukative kundër abuzimit të Bankomatëve. Bashkë me Dizelin dhe Gouldin përtypte çamçakëz pa pushim dhe pastai i ngjiste, ashtu të ngrohtë, në butonat e sporteleve automatikë. Zakonisht i ngjiste në butonin 5. Njerëzit vinin dhe kur u duhej të formulonin kodin sekret u binte në sy çamçakëzi. Po të mos e kishin numrin 5 vazhdonin, duke parë me kujdes ku i vinin gishtat. Po ta kishin 5 i zinte ankthi. Nevoja e ngutshme për para duhet të përballej me neverinë e çamçakëzit të përtypur. Disa përpiqeshin ta shqisnin gjënë e ngjitur me sende gjithëfarësoj. Puna shkonte deri aty sa përlytej e gjithë tastiera. Pak vetë ia dilnin, të tjerët dorëzoheshin. Është e trishtueshme ta thuash, po pjesa më e madhe kapërdiheshin mirë e mirë dhe pastaj shtypnin me gisht mbi çamçakëzin. Një herë Dizeli pa një zonjë të pafat e cila kishte në kodin e saj sekret tre 5 rresht. Shtypi të parin me shumë dinjitet dhe të dytin duke u ngërdheshur në fytyrë. Në të tretin shpërtheu me të vjella.

Meqë dolëm në temë: teza e parë e Esesë mbi ndershmërinë intelektuale thoshte kështu:

 

  1. Njerëzit kanë ide.

 

– Gjeniale – komentoi Shetsi.

– Është vetëm fillimi, zonjushë. E pastaj, shiko se nuk është aspak e thjeshtë. Një si puna e Kantit, sa për të thënë një emër, nuk do të linte ta kaloje kaq vaj.

– Ç’është ky Kanti?

– Një gjerman.

– Ah.

– Duhet ta laj edhe këtu?

– Pa ta shoh pak.

Herë pas here, kur lanin rulotin, vinte dhe prof. Mondrian Kilroi. Pas ngjarjes së çorbës së Vankuverit ai dhe Gouldi ishin bërë miq. Profesorit i pëlqenin shumë edhe të tjerët, Shetsi, gjiganti dhe memeci. Lanin e llafoseshin. Një nga temat e preferuara ishte Eseja mbi ndershmërinë intelektuale. Ishte një temë që i tërhiqte.

 

  1. Njerëzit kanë ide.

 

Prof. Mondrian Kilroi thoshte se idetë janë si galaktika intuitash vocërrake, dhe ishte i mendimit se janë diçka e ngatërruar, që shndërrohen vazhdimisht dhe janë në thelb të papërdorshme për qëllime praktike. Janë të bukura, kjo është e gjitha, janë të bukura. Po janë një hall i madh. Idetë, kur janë në një stad të pastër, janë një mesele e mrekullueshme. Janë shfaqe të befta të pafundësisë, thoshte. Idetë “të qarta e të dallueshme”, shtonte, janë një shpikje e Kartezit, janë një mashtrim, nuk ka ide të qarta, idetë janë të paqarta që në formulim, po pate një ide të qartë, ajo nuk është ide.

– Po çfarë është atëherë?

– Teza nr. 2, djema.

Teza nr. 2 thoshte kështu:

 

  1. Njerëzit shprehin ide.

 

Këtu është halli, thoshte prof. Mondrian Kilroi. Kur shpreh një ide i jep një formë që ajo në zanafillë nuk e ka. Në një farë mënyre duhet t’i japësh një formë bashkëkohore, të përmbledhur dhe të kuptueshme nga të tjerët. Po të mjaftojë vetëm ta mendosh, ajo mund të mbetet një mishmash i mrekullueshëm siç është. Por kur vendos ta shprehësh, atëherë fillon të qërosh diçka, të përmbledhësh diçka tjetër, të thjeshtosh këtu e të presësh aty, të rregullosh gjithçkanë duke e veshur me një farë logjike: i përvishesh punës dhe së fundi arrin diçka që njerëzit mund ta kuptojnë. Një ide “të qartë e të dallueshme”. Në fillim përpiqesh t’i bësh punët për së mbari: përpiqesh të mos flakësh shumë gjëra, do të doje të shpëtoje gjithë pafundësinë e idesë që ke në kokë. Përpiqesh. Po ata nuk të lënë kohë, të rrinë përsipër, duan ta kuptojnë, të sulmojnë.

– Cilët ata?

– Të tjerët pra, gjithë të tjerët.

– Për shembull?

– Njerëzit. Njerëzit. Ti shpreh një ide dhe ka njerëz që ta dëgjojnë. Dhe duan ta kuptojnë. Ose akoma më keq, duan të marrin vesh nëse është e drejtë apo e gabuar. Nuk është normale.

– E çfarë duhet të bëjnë? Ta hanë e kaq.

– Nuk e di se çfarë duhet të bëjnë, por di atë që bëjnë, dhe për ty që kishe një ide, dhe tani gjendesh aty duke u përpjekur ta shprehësh është njëlloj si të të sulmojnë. Me një shpejtësi marramendëse mendon vetëm ta bësh sa më të përmbledhur dhe ndoshta të mundshme që të përballojë sulmin, e të dalë e fituar, dhe kështu vë në punë gjithë inteligjencën tënde për ta shndërruar në një makinë të pasulmueshme, dhe sa më shumë ia del kësaj pune aq më tepër kujtohesh se ajo që po bën, ajo që realisht je duke bërë në atë çast, është se po e humbet pak e nga pak e me një shpejtësi marramendëse lidhjen me zanafillën e idesë tënde, me atë mrekulli mishmashi të pavetëdijshëm e të paskajshëm që ishte ideja jote, dhe kjo vetëm e vetëm me qëllim që ta shprehësh dhe për ta fiksuar kështu në një mënyrë mjaft të fortë e bashkëkohore e të stërholluar që të përballë valën e përplasjes me botën përqark, kundërshtitë e njerëzve, fytyrat dyshuese të atyre që nuk e kuptojnë mirë telefonatën e shefit tënd të departamentit që…

– Po ftohet, profesor.

Shpesh flisnin dhe hanin, sepse prof. Mondrian Kilroit i pëlqenin picat që gatuante Shetsi, kështu që, zakonisht të shtunave, hanin pica. Po dihet që pica e ftohtë, as që mund të çohet nëpër mend.

 

  1. Njerëzit shprehin ide.

 

Por nuk janë më ide, shpërtheu prof. Mondrian Kilroi. Janë llumra idesh të organizuara mjeshtërisht derisa shndërrohen në objekte tepër të ngurta, mekanizma të përkryera, makina lufte. Janë ide artificiale. Hollë-hollë janë vetëm në farefisni të largët me mishmashin e mrekullueshëm dhe të paskajshëm të zanafillës, por që përbën një farefisni gati-gati të pakapshme, si një aromë e hershme. Në të vërtetë gjithçka është plastike, gjë e sajuar, s’ka lidhje me realitetin, vetëm lajlelule për të bërë figurë të mirë në publik. Gjë që sipas tij të shpinte detyrimisht në tezën 3. Që thoshte kështu:

 

  1. Njerëzit shprehin ide që s’janë të tyret.

 

– Po tallesh?

– E kam me gjithë mend.

– Po si mund të shprehin ide që s’janë të tyret?

– Le të themi që nuk janë më të tyret. Ishin. Po shumë shpejt u rrëshqasin nga duart dhe shndërrohen në krijesa të sajuara që zhvillohen në mënyrë gati-gati të pavarur dhe kanë vetëm një qëllim: të mbijetojnë. Njeriu u fal atyre inteligjencën e tij dhe ato e shfrytëzojnë për t’u bërë gjithnjë e më forta e të sakta. Në një farë mënyre, inteligjenca njerëzore punon pandërprerë për të zbuluar kaosin e pafund e të mrekullueshëm të ideve origjinale dhe për ta zëvendësuar me plotësinë e paoksidueshme të ideve artificiale. Ishin ëndrra: tani janë objekte që njeriu i ka në dorë, dhe që i njeh përsosmërisht, por nuk di ta thotë se nga vijnë dhe si përfundim çfarë dreq lidhjeje kanë tashmë me të vërtetën. Në një farë mënyre as që e çan kokën më. Hyjnë në punë, i përballojnë sulmet, arrijnë të mposhtin dobësitë e të tjerëve, nuk thyhen pothuajse kurrë: pse ta lodhim veten me pyetje? Njeriu i shikon, zbulon kënaqësinë e të zotëruarit, të përdorurit, të parit në veprim. Herët a vonë, është e pashmangshme, mëson se mund t’i përdorë për të luftuar. S’i kishte shkuar fare nëpër mend më parë. Ishin ëndrra: kishte menduar vetëm t’ua tregonte të tjerëve, vetëm kaq. Po me kalimin e kohës: asgjë nuk shpëton nga dëshira e parë. Ishin ëndrra: njeriu i bëri armë.

Kjo ishte dhe pjesa që i pëlqente më shumë Shetsit. Ishin ëndrra: njeriu i bëri armë.

– E di se për çfarë mendoj shpesh, profesor?

– Hë, zonjushë.

– Për kaubojsit, kaubojsit e West-it, i ke parasysh?

– Po.

– E pra, qëllonin mrekullisht, dinin gjithçka për pistoletat e tyre, por po ta mendosh hollë-hollë: asnjëri prej tyre nuk ka ditur të prodhojë një pistoletë. E kupton?

– Vazhdo.

– Dua të them: ta përdorësh armën është një gjë, po ta shpikësh apo ta prodhosh është krejt tjetër gjë.

– E saktë, zonjushë.

– Nuk e di se çfarë domethënë kjo, po shpesh e vras mendjen.

– Bëni shumë mirë, zonjushë.

– Ashtu thoni?

– Jam më se i bindur për këtë.

Nga ana tjetër, Gould, po ta mendosh hollë, shiko se çfarë ndodh në kokën e një njeriu kur shpreh një ide dhe dikush, përballë tij, e kundërshton. Ti mendon se ai njeri ka kohë, apo ndershmërinë t’i kthehet ëndrrës nga ku zuri fill ideja dhe ta kontrollojë se mos vallë kundërshtimi ka ndonjë bazë? Nuk do ta bëjë kurrë. E ka më kollaj të përmirësojë idenë artificiale që ka në dorë për të përballur kundërshtimin apo të gjejë ndoshta një mënyrë për të kaluar në sulm dhe për të luftuar kundërshtimin, nëse duhet. E ç’punë ka respekti ndaj së vërtetës në këtë rast? S’ka punë. Ky është një duel. Po vendosin se kush është më i forti. Nuk duan të përdorin armë të tjera, sepse nuk dinë t’i përdorin: kësisoj përdorin idetë. Duket sikur synimi i gjithë kësaj pune është të qartësohet e vërteta, por në fakt ajo që të dyja palët duan është të përcaktojnë se kush është më i forti. Ky është një duel. Duken si intelektualë shumë të ndritur, por janë kafshë që mbrojnë territorin e tyre, luftojnë për femrën, sigurojnë ushqimin. Më dëgjo mirë Gould: nuk do të shohësh kurrë gjë më primitive dhe të egër sesa dy intelektualë që bëjnë duel. Dhe asgjë më të pandershme.

Vite më vonë, kur ç’ishte për t’u bërë ishte bërë dhe s’kishin ç’të bënin më, Shetsi dhe prof. Mondrian Kilroi u takuan, krejt rastësisht, në një stacion treni. Kishin goxha kohë pa u parë. Shkuan të pinin diçka së bashku dhe folën për universitetin, dhe se çfarë po bënte Shetsi, si dhe për faktin që profesori nuk jepte më mësim. Dukej qartë që do t’u kishte pëlqyer të flisnin për Gouldin, dhe për çka i kishte ndodhur, por e kishin shumë të vështirë. Në një farë pike mbetën gojëkyçur, dhe vetëm atëherë prof. Mondrian Kilroi tha:

– Qesharake ta thuash, po mendoj se ai djalë është i vetmi njeri i ndershëm që kam njohur në jetën time. Ishte një djalë i ndershëm. A ma beson?

Shetsi pohoi me kokë, dhe mendoi se ndoshta pikërisht ky ishte thelbi i gjithçkaje, dhe çdo gjë vihej në vendin e vet sikur të përpiqeshin ta kuptonin se Gouldi, më shumë se gjithçka, ishte një gjeni i ndershëm.

Pastaj, takimi mbaroi me profesorin që u ngrit dhe para se të largohej e përqafoi Shetsin, disi në mënyrë qesharake, po fort ama.

– Mos ma vini re nëse qaj, nuk jam i trishtuar, nuk jam i trishtuar për Gouldin.

– E di.

– Vetëm se qaj shpesh. Kështu më ndodh.

– Mos u bëj merak profesor, mua më pëlqejnë ata që qajnë.

– Më mirë kështu.

– Me të vërtetë e kam. Më kanë pëlqyer gjithmonë.

Pas asaj dite, nuk u panë më.

Gjithsesi pas tezës nr. 3 (Njerëzit shprehin ide që s’janë të tyret) vinte, me një farë rrjedhshmërie, teza nr.  4. Që thoshte kështu:

 

  1. Idetë, kur shprehen, pra kur i nënshtrohen presionit të publikut, shndërrohen në objekte artificiale të zhveshura nga lidhja reale me zanafillën e tyre. Njerëzit i stërhollojnë me kaq mjeshtri sa bëhen të rrezikshme. Me kalimin e kohës zbulojnë se mund t’i përdorin si armë. Nuk mendohen më dy herë. Dhe qëllojnë.

 

– E fortë kjo – thoshte Shetsi.

– Pak si e gjatë, më ka dalë pak si e gjatë, duhet ta përpunoj edhe pak – mendonte prof. Mondrian Kilroi.

– Sipas mendimit tim mund të qëndrojë edhe vetëm kaq: Idetë: ishin ëndrra, tani janë armë.

 

Përktheu: Mimoza Hysa


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.