
Foto ilustruese
Sokol Zekaj
UDHËTIM
Kemi kohë që ecim
nëpër një tokë të zhveshur
kopre dhe gjembaçësh,
nuk flasim, mendojmë më vete
sekush për udhë të vet,
pasi kemi kohë që ecim
nëpër një tokë të zhveshur
kopre dhe gjembaçësh,
sikur udhëtojmë për te një shenjt.
CONVULSION
Ah, këto re zhurmëtare
këto re zjarrmëtare,
zunë gjysmën e qiellit
lart udhës sime të drejtë e të largët,
dhe po marrin në shenjë
zemrën e zbehur të diellit
sipër ujërash të thella
kësaj vere të vonë,
po dridhem si t’ish vetë zemra ime
pas kaq verash kaluar
para harqeve të erës
me shigjetat që vetojnë.
VIJA BLU
Sa më shumë hapet qielli
Bëhet më blu.
E pamundura afrohet,
E mundura largohet.
Dikur e përfytyroja veten
N’udhëtime me kuaj,
Me priftin dhe filozofin
Me baulet plot libra.
Kur qiellin shohim gjatë
Nis erë e ftohtë,
Kështu sodis, një shkop
Ngulur në tokën e zhveshur.
CANTO
Ndërsa lirohesha pak
nga errësira e natës
me të cilën qeshë kopsitur deri n’sy
poshtë drurëve të lartë,
dera u hap përgjysmë
dhe drita ra mbi një trëndafil
që e tundte një erë
ardhur nga yje të rinj.
Po, ai qe buzë murit
dhe unë qeshë pranë tij,
ndërsa aroma
çelte një tjetër trëndafil.
E falënderova derën
që nuk desha të hapej më shumë,
as nuk desha me hy
as nuk desha me ikë
SHTËPIA
Ti hap furrën
nën një ndriçim të bukur feste,
dhe një trëndafil avulli
të mbështjell, plot aroma.
DRITARE
Tryezë. Vizore. Lapsa.
Shkollari heq vija mbi letër.
Jashtë bie shi
Dhe, në të rrallë veton.
Nga dritarja shkollari sheh shiun
Përkulur lëndinës
Si ai vetë mbi projektin,
Një ngjyrë për një tjetër.
Lapsi mbi letër
Dhe shiu mbi bar e pemë,
Një tingull kanë, dhe
Një arsye.
KOHË E BUTË
Pas kaq shtrëngatash, retë e mbetura
janë stoli për qiellin
e kaltër. Edhe kapelja e bardhë
mund të fluturojë si pëllumb.
Eh, por, përse hëna na jep kënaqësi
më shumë se dielli?
Lidhim qenin. Lëmë portën hapur.
Dhe dalim.
Marsi që shkoi ka qenë borë dhe akull
dhe ti pate rrëshqitur keq.
Desha të them, jeta
është më shumë se një keqardhje e ëmbël.
Vijat e bardha në rrugë
ngjajnë si prej bore
që ka zënë të shkrijë,
mbi të cilën këndojnë zogj.
Makinat shtyjnë njëra-tjetrën në lojë
si lopët. Njerëzit
mbajnë shkëlqimin ndër dhëmbë
dhe flakin shishat kamionçinave.
Diell i verdhë. Fishkëllima
e vinçit të lartë
bie mbi ditën
si maja e thikës mbi një portokall.
Pa shih, banderola enden qiellit, thonë:
“Na falni!”, “Ju lutemi!”
Ulemi te një bar, dhe kërkojmë
diçka të athët, a ndoshta të idhët.
NJË VIZATIM
Në një libër timin të kahershëm
që ua jepja miqve për ta lexuar,
kam gjetur një vizatim. E shoh dhe më duket
një punë e pakryer,
ose mbase e çuar përtej të kryerës, ku ta dish!
Mund të jetë një këpucë
apo një varkë
apo një shpend,
apo asnjë prej këtyre,
pasi secilit prej tyre i mungon ndonjë gjë
ndër ato vija të holla që shuhen papritur aty ku duhej të vendosnin.
Por për të kuptuar gjithçka në këtë botë
ato që janë dhe ato që nuk janë,
dhe ato që duhej të ishin pa qenë të domosdoshme,
do duhej mendja Universale
ndërsa unë jam një plak që me varkën time
veçse ndjek rrjedhën e një lumi.
Më kujtohet një stinë në fshat,
çdo buzëmbrëmje
një njeri, ndoshta një druvar, ndërsa zbriste drejt luginës,
ia merrte një kënge
që përplasej nga një mal te tjetri
nëpër hijet e natës që vinin duke u dendësuar.
Unë tendosesha
si dikush që e kanë zënë nga hunda,
për të kuptuar zërin e parë
i cili gjithmonë përzihej me jehonat
ndërsa edhe jehonat përziheshin mes tyre.
Dhe, atëherë kur njeriu zbriste poshtë rrëpirave
në luginë,
ku jehonat hapeshin në ajër
ndërsa zëri vinte më i afërt
si gështenjat që bien përtokë nga boçat e çara, bash atëherë,
këngëtari e ndërpriste këngën!
KUJTIMI
Ka qenë një natë pa dritë
plot lule të errëta
rrugës kah duhej të çanim bashkë
nëpër dredhëzat e erës
– të padukshme por aq të vështira! –
më afër se siç thuhet
krah për krah, po them
si krahu me zemrën.
Por ti ike me njërën
nga fantazmat që përshkonin natën
me vështrimin nën qepalla
nëpër shiun e pjerrët,
dhe me fishkëllimat e ujit
që i binin në akord
daulles së errësirës,
dhe me gjethet e verdha
tashmë gjithë plagë
që binin duke u ngritur,
dhe ujërat i degdisnin drejt detit.
Në të vërtet gjithçka më bëhej
se ikte drejt detit
-fara të zeza që dalin
nga boça që ra
bashkë me petalet e thara-
dhe mbeta vetëm për vetëm
me mesnatën time
dhe me furtunën e huaj,
si guri i ftohtë, i lagur
i një ylli të shuar,
nën zhurmën monotone të reve
sikur shkarkohej zhavorr
nga një vagon i gjatë
për trasenë e askundit,
ndërsa vrundullonte era
zbrazëtisë ku ti pate qenë,
por ndoshta ti as që ishe me mua
o ndoshta qemë ndeshur
te një rrugë ku unë nuk isha
pa e ditur kush qe
delja e zezë e tufës së bardhë,
sidoqoftë unë askend nuk ftova,
gjëmonin nata dhe bota!
NO COMMENT