Nikoll Loka*
Ta çova një hark ylberi
Ta çova
një hark ylberi
e një gjysmë hëne.
Shtatë ngjyrat
i trazova
në shtatë telajo vjeshte,
dhe e mbajta shiun pezull
duke e shtyrë drejt teje,
e shiu u bë fllad,
parfum
i ëndërrës sime.
Ta çova
një hark ylberi
e një gjysmë dielli.
Shtatë ngjyrat i trazova
në shtatë telajo dimri,
dhe e mbajta borën pezull,
pa të rënë te balli,
dhe e pashë
shikimin tënd
të rënë
në pellgje shiu.
Ta çova
një hark ylberi,
me gjysmën time.
Me një magnet të nxehtë
po ta tërheq hijen.
Ti humb në errësirën
e kësaj nate,
ku shpresa rrëzohet,
në një humnerë po digjet.
Deri tek ëndrra jote
Deri tek ëndrra jote,
ngjitem
me fluturimin e zogut
në shtatë bjeshkë hirëplote.
Çlodhem
në shtatë lëndina shprese,
dhe vij
te hija jote
e të ulem mbi vetull,
pa të prekur,
qerpikhënë e bjeshkës.
Ndalem
ta prek ëndrrën,
dhe pi etje me ëndje.
E ndiej
se më tradhton loti,
kur ma përcjell
fryma jote
akullin që shpirti
ka brenda.
Përtej kohës …
Përtej kësaj kohe
që rrjedh e fshihet,
përtej të sotmes
… që bëhet e djeshme,
përtej të nesërmes
që plaket para syve,
përtej kësaj ore
që lëshon
pjalm ndjenjash,
përtej këtij minuti
që luan
valse ëndrrash,
përtej sekondave
të kaltra të zemrave,
përtej kësaj tërheqje,
që zbret
në arterie e shkrihet,
është koha
që ndal në pikën zero.
Një ëndërr
që na përsëritet
ditë pas dite.
Përmbytur nga një ndjenjë
Qiellin tim vesh
një re që sjell shi.
Shpirtin
ma tret era që fryn.
Me vështrimin tënd,
ringjallem,
ndoshta rizgjohem
ndoshta fle….
A ndihem më mirë unë
apo ti!
Je horizont,
që lëviz
në pak hapësirë.
Një hënë e plotë,
që del ditën për diell.
Më djeg me një shikim
e më rrëmben me një brengë,
por shpirtin ma fsheh,
nën një qiell të ngrirë.
Në një mëngjes përtac,
dhe shpirti im
s’mundet të flasë,
përmbytur nga një ndjenjë.
Edhe bukuria vdes
Në fillim ndaj saj
ndjen thjesht tërheqje,
pastaj meditim
mbi tërheqjen që ndjen.
Të vjen një dëshirë
e të ngjall etje,
kur sheh
një lulezonjë që të gënjen.
Të deh me aromë,
para se ta prekësh,
me një prekje
asgjë
nuk mbledh prej saj.
Bukuria
humbka brenda shpirtit
në një dhomë
pa dyer dhe dritare.
E ti i dehur
në ato mure pret,
të hapet një derë
vetvetiu,
pa e ditur
se dhe bukuria vdes,
kur ikën
dhe fshihet nga njeriu.
Sikur të isha…
Sikur
të isha vetëm fjalë,
do të pikoja nën strehë,
në ditënetët pa shi,
deri sa ta largoja
një brengë…
Sikur
të isha brengë,
litarit të lotit tënd
deri te qielli im,
vetëm dashurinë
do të kisha në mend.
Sikur
të isha dashuri,
lule mbi murriz,
gjembat e jetës
do t’i shkulja
pa më dhemb.
Sikur
të isha për ty,
e fundit dëshirë,
do të rropatesha
gjithë jetën
për t’i mbyllë sytë
me dhimbjen time,
e do të kisha thënë:
tani prehu e qetë
në botën tënde,
në këtë botë jetime…
Ndjenja ime
Ndjenja ime,
një vërshim
i ajrtë,
që mbytet
në kohën tënde.
Një vegim mëngjesi
endacak,
trëndafil i zhveshur
nga mëkati.
Ndjenja ime
ngujuar
në kështjella fjalësh,
del prej pasqyrës tënde
dhe ikën…
E në hijetina të largëta
të qiejve të zbrazët,
një muzë
e plagos në shpirt.
Të shoh në sy
Të shoh në sy,
je një pasqyrë me mjegull.
Nga sytë te zemra,
nëpër shkallë,
hutimin zbres
e në thellësi
të shpirtit tënd të virgjër,
për ty,
një qiri po e ndez.
Ai qiri
mbi një altar
po shuhet,
e nën altar po pres,
i rënë në gjunjë.
Sa herë të shoh,
zemra më bëhet akull,
kur do të shkrijë,
më thuaj!
Një ëndërr vjeshte
Jetova
me një ëndërr vjeshte
që ikte pa mua.
Dhe unë si i çmendur
e ndoqa pas,
deri sa u zhveshën
nga e gjelbra
drurët dhe ndjenjat,
pastaj të ikte e lashë.
Mbi drurë
retë gri kacavareshin
në heshtje
dhe ndjenjat pa faj
u ndryshkën nëpër shi.
Brenda qenies sime
binte shi ose breshër,
ndryshk i përzier me hi.
Një ëndërr e verbër
M’u shua
padashur në dorë,
ditë të panumërta
m’u tretën.
Mbeti
një pikë vesë
në sytë e mi.
Një pikë vesë e ylbertë
në shtatë ngjyra,
në shtatë shkallë,
në shtatë diej.
Në shtatë humnera
të rrathëve të ferrit,
rrëzohen ëngjëjt
dhe yjet pikojnë.
Ngurtësohet shikimi
si breshër,
prej qiellit tim
tejpërtej…
Në shtatë ferre
e në shtatë diej,
përnjëherësh.
Në qepallat e tua
Një galaktikë shuhet
në qiellin pakufi
të syrit tënd.
Pafundësia të çon larg…
Në rrugën e qumështit
tash je.
Kjo ëndërr që po sheh,
të lidh me mua
e unë ta lexoj
sipër qepallave,
e mbështillem me të
në një rrjetë merimange.
Ti shndërrohesh para meje,
në një kometë
që po vjen.
E zjarrtë
po djeg
ftohtësinë.
E pastaj,
në baticat dhe zbaticat
e ndjenjave,
ylli im
përpiqet të zërë vend,
në gjumin tënd.
Ti qetësisht
largohesh nga kjo botë,
me shpejtësinë e kometës.
Endesh
në hapësirën ndëryjore,
me një dritë të re
mbush sytë.
E unë e ndjej
ngadalësimin e kohës,
harrimin e kësaj bote
te qepalla jote.
Po e humba pritjen
Po munda ta qëndis kohën,
labirinteve
do të vendos gurë,
për të shënuar frymën time.
Po të më ngatërrohen këmbët,
etjen për ujë
do ta lë nën një krua.
Do të më mjaftonte
hija jote,
një shtrojë e butë shprese,
teksa yjet po shuhen
me zjarrmi dhe ethe.
Po e humba pritjen,
as ecjen,
kurrë s’do ta kuptoj,
se, kur shkel mbi gjemba,
të gjitha rrugët
më plagosin njësoj.
Nikoll Loka është studiues, historian dhe poet. Ai vazhdon studimet doktorale në fushën e pedagogjisë pranë Fakultetit të Shkencave Sociale. Ai është autor i disa vëllimeve poezi dhe fitues i çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Poezia e tij rrokin dilemat e qenies në tranzicion, e cila ndodhet ndërmjet ideologjive utopike dhe realiteteve asgjësuese të identitetit të individit. Vargu i tij vjen si eksplorim dhe kërkim i metaforës. Ky cikël është nxjerrë nga vëllimi “Një hark ylberi” .
NO COMMENT