READING

CIKËL POETIK – Albert Gjoka

CIKËL POETIK – Albert Gjoka

Ne foto: Hejte e akullit

Albert GJOKA

BARESHA

Terri merr arratinë larg malesh

Çobanesha dhent i nxerr në prag

Me torbën plot të mbushur krahësh

Dy molla t’kuqe pjekun n’ag

 

Para niset tufa, ajo pas saj

Mes malesh humbet ai fshat

Pas fijesh bari qumësht, vjedhtas

Vij si më i pandershmi frat.

 

E ndjek ndër shtigje, sukë më sukë

Nga larg diku bie një fyell

Mrizojnë bagtitë të fshehur n’hije

Shullehet vajza për nan diell.

 

Më sheh me synin tand tinzar

Pastaj larg meje turresh vrap

Ti si drenushë e shkathët mali

I zoti unë, gjahtar pa hark.

 

E hyj me turr halishtës vogël

Pas borës madhe ra pafund

Unë degë me epsh ngarkuar randshëm

Mbi supe hovshëm borën shkund.

 

 

MIT

Nan hijen e hanës

Mes klithmës së bulkthit

Andrrimtar i çartun

plot dëshira

Të prita ty.

 

Nga larg dëgjove krisma spate

Vërtik u ngrite si corkë e trembur

Këmisha e bardhë zbardhulloi natën

 

Erdhe drejt pemës

Erdhe drejt meje

 

Mua më hëngri luani.

Ti vrave veten.

 

 

TRI MOLLËT

Trupi jot, e dashun

Tri mollë

 

Të parën…

Asht e djallzueme

E krimbun nga brenda

Labirinth stërmundimesh

 

Të dytën…

Asht mollë e ngranun me daltë

Rrangull e përsosun

E ashpër nga kafshimet

 

Të tretën…

Ah të tretën..

Molla e tretë.

 

Mëkat.

E fshehur mes gjethesh.

 

Trupi jot e dashur,

Tri molla.

 

 

 

PUSHTIMI

Jam nisur drejt teje

Zemërak.

Me armën drejtuar

Pushtak.

Po kurmi jot i hedhur

Mburojtari.

Kala është drejt meje

Qëndrimtari.

Dy frënxhitë e tua

Gremisur.

Shtathedhura në ardhje

Arratisur.

E brishta ëmbëlgrua

Robita.

Me heshtën majëmprehtë

Godita.

Të pafajshmen vashë

Shestova.

Duart nisën lundrimin

Velëzova.

Diçka ziente brenda

Grafullova.

Gufla ranë kokrrat

Shkoklova.

 

 

KOMPEKSI I ODISESË

Në udhëtime të gjata,

Jo në luftra.

Në shtretër gëzimi,

Jo në gjak.

I mbytur në ëndrra

plot tradhti.

Kam frikë edhe unë

mos shega është prerë.

Kam frikë Itakë.

Zgjuar s’mund të vij,

veç në gjumë.

Unë mendaku – budalla.

 

 

DËSHIRAT

Rrem fieri i thatë

Nën prozhëm

Që shkërmoqen

Si skelete

Mes gishtërinjësh

POETI

I lindur nën pikët e çatisë

Mëngjesesh të acartë dimri

Hej i hollë akulli

Nën rrezet e diellit

Pikëipikë

Pikëzoj

Tretje

Në tokën e shkretë

Lë gjurmët imazhi pa trup

Për të mos vdekur kurrë.

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.