Christian Sinicco
dy tekste nga ” Alter” (Vydia 2019) dhe një tekst nga “Ballate di Lagosta” (CFR)
(Emri: fillesë alfabet dalje)….
Alter e kam emrin,
nuk ideojnë më automatime
bollëk makinash që dëshironin qiellin,
bollëk makinash kaba e fluturake
unë mund të shkoj në këmbë e pashë një luleshtrydhe:
në parcelat e prodhimit
ka vragat e një plage,
një alfabet i lajthitur mund jetë
aq sa të prekë fjalët e para të veta,
ka shijen e gojës
kur më vihet kundër,
ia prekim purpurën
ne, të lulëzuarit mbi sy
bie kaq fort shi,
ti rri në një trëndafil magjik
e piqet ideja
aq sa të prekë manjolën
që nuk e di
pse hijedritë largohet
Transmetimet përfundimtare: shqiptimet e depozitave.
Përgjigja është e bardhë,
ka kyç sekret, të ndaluar,
të shpronësuar, mbështjellë me lule dredhka
përtej galerive
të gjata si toka
e të përthyera;
nuk i ruan lidhjet,
gurra e të gjithave është brenda një zogu
që cicëron sërish, që përvidhet
e dhunisht lëshon një thirrje
që m’i çel sytë e gjumit
para se të bjerë nën ujra
e të bëhet tjetër
pa marrë dot frymë
vetëm në rrjedha – të kthesave
shqiptova dy sy të ngashëryer,
shqiptova “hyrje”
dëshmim i kulluar
thërrmijash, të një prej uraganëve
që më lëviz në bark,
në shtyllë kurrizore e më pas drejt brinjës
kujtova se m’erdhi ora, ndërsa
goja më plaste;
mësoj që fillimi
është një përçim
dhe përgjigja është e bardhë
si muri që jehon
pas supesh.
Dega e bardhë
-“oh sa i qetë deti, sa dallgë të buta” i Vittoria Colonna, poete
nuk di sa kohë drita do më gozhdojë në gëzim
është devijim që ka të bëjë me ujin, një ëndërr që zotëron
mrekullinë: ndoshta ke frikë të hysh, e pështjellimi mund ta kthejë përmbys
fiksimin e qëndrimin tënd – siç do e kesh nuhatur unë nuk jam
e nuk e di kur do të bjerë shi, diçka që mungon
që ndryshon të përhershmet, tek lan sikur vetëm një pëllëmbë prej detit,
dega e bardhë, mbuluar me kripë, mbi ndonjë gur e algat
që kanë ngecur në cektinë; është batica e kjo e bën përpjekjen
më delikate, peshën e brishtë: aty ku je duhet të të lë,
aty, e dielli ndërkaq mbi dallgë të sjell tek unë.
Shqipëroi: Gentiana Minga
Christian Sinicco, lindur më 1975 në Trieste, ka botuar: Passando per New York (LietoColle, 2005); Ballate di Lagosta Mare del Poema (CFR, 2014; Alter (Vydia), 2019; ka drejtuar si kryeredaktor periodikun “Fucine mute”, nëpërmjet të cilit nis projektin e katalogimit të poezisë së brezit të ri. Poezitë e tij janë përkthyer në gjuhën bjelloruse, kroate, letoneze, hollandeze, slovene, spanjolle, gjermane e turke. Aktualisht drejton “Poesia del nostro tempo” dhe është redaktor i “Midnight Magazine” e “Argo”.
Poezia e tij e viteve të para nis me elemente të qarta hermetizmi e surrealizmi, por dalëngadalë, në botime të fundit merr forma te reja, eksperimenton me fjalën, huazon nga metrika tradicionale, duke krijuar një metrikë të re, të tijën. Shquhet si një autor i gjallë, aktiv dhe prurës i vazhdueshëm i projekteve të reja poetike e pluri-kulturale.
NO COMMENT