Alastair Sooke*
Çfarë do të blinit nëse do të kishit 1 milionë dollarë? Ndoshta, një pallat në Venecia, një avion, ose një nëndetëse personale!
A do t’i investonit të gjitha këto para në një pikturë të vetme? Disa nga njerëzit më të pasur në botë kanë bërë pikërisht këtë. Çfarë i bën njerëzit më ta pasur në botë që të “hedhin” kaq shumë para në një vepër të vetme arti?
Dashuria? Rivaliteti? Apo, thjesht një çështje shumë e mirë biznesi?
Në këtë dokumentar, dua të zbuloj më shumë mbi këtë botë sekrete ku shtrihet bota e artit, si edhe për multimilionerët që e kanë bërë atë kaq të famshme artin. Për këtë qëllim kam përgatitur një listë me dhjetë pikturat më të shtrenjta në botë (referuar kohës së publikimit të dokumentarit, 2015) për të zbuluar historitë që fshihen përtej çmimeve të tyre rekord të shitjeve.
Cila është lidhja ndërmjet artit dhe parave?
Kërkimi im fillon në Nju Jork, aty ku piktori i famshëm amerikan, Mark Rothko ka dominuar botën e artit në mes të viteve 1950-të dhe 1960-të. Për ata që e kanë të vështirë të kuptojnë artin abstrakt, do të çuditen kur të zbulojnë që një nga veprat më të njohura të Rothko-s zë vendin e 10-të në listën time të pikturave më të shtrenjta në botë.
Kam ardhur në një nga qiejgërvishtësit e një prej miliarderëve të Nju Jorkut. Vlera nuk është e lidhur vetëm me cilësinë e veprës. Çfarë e bën çmimin e një pikture që të kapë qiellin, është ajo që në botën e artit njihet si ‘prejardhja’, apo kush e ka zotëruar atë në të shkuarën?
Në rastin e kësaj vepre të Rothko-s, piktura ka qenë në zotërim të dinastisë më të fuqishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – familja Rockefeller – të cilët e kanë vënë pasurinë e tyre nga biznesi i naftës dhe sistemit bankar, duke i dhënë formë qiellit të Nju Jorkut me kullën e tyre Rockefeller.
Në katin e 56-të të ndërtesës, David Rockefeller ndërtoi një koleksion impresionues arti që përfshin vepra të Picasso-s, Gauguin-it, dhe nga Mark Rothko.
Në vitin 1960-të, ai pagoi një vlerë më pak sesa 10,000 dollarë për këtë pikturë të Rothko (‘White Centre’, 1950).
Gjysmë shekulli më vonë vlera e saj do të arrinte shifrën 72 milionë dollarë. Sot, piktura njihet në mënyrë informale si‘Rockefeller Rothko’ dhe kjo i thotë të gjitha – emrin e pronarit, që në këtë rast është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë emri i piktorit.
Për të zbuluar nëse kjo vepër e Rothko e meriton vendin e 10-të në listën time, kam ardhur në “Pace Gallery”, në Nju Jork për të takuar një nga tregtarët më të mëdhenj të artit në botë, Arne Glimcher. Glimcher ka qenë mik me Rothko-n dhe ka blerë dhe ka shitur veprat e tij për 50 vjet.
A ia vlen kjo pikturë e Rothko-s për një vlerë kaq të madhe? – Po! Në të vërtetë, ajo është një pikturë e madhe. Rothko ka qenë veçanërisht i interesuar në përdorimin e ngjyrave në modele pa formë për të transmetuar kështu emocione të pastra njerëzore; pra, të hedhësh tutje të gjitha paragjykimet që ke dhe duke parë një pikturë të Rothko-s të lejosh që ajo të “rrjedhë” mbi ty ashtu siç ndodh me muzikën.
Shumë pak artistë në historinë e artit kanë krijuar diçka të cilën nuk e kemi parë kurrë më parë dhe Rothko është një prej tyre. Por, për ta bërë një pikturë të tillë kaq të vlefshme konvergojnë shumë gjëra njëherësh; si përshembull, prejardhja e saj. Kjo pikturë e veçantë e Rothko-s ka qenë në pronësi të Rockefeller, e cila më mahnit. Përse të mahnit?
Sepse, për mua, e gjithë kjo marrëdhënia e artit me paranë është qesharake. Vlera e një pikture në ankand nuk përfaqëson domosdoshmërisht vetë vlerën e pikturës si vepër arti që shitet në ankand, por ka të bëjë me vlerën monetare të dy njerëzve që luftojmë me njëri-tjetrin pasi ata e duan më të vërtetë atë pikturë.
Dhe, ofruesit që në fakt kanë luftuar për blerjen e kësaj vepre të Rothko-s, mendohet të jenë miliarderë nafte, ashtu si vetë Rockefeller.
Megjithatë, që pas daljes në ankand, kjo pikturë e Rothko-s nuk është parë më në qarkullim. Madje, unë nuk jam në gjendje as t’ju tregoj një imazh fotografik më cilësi të lartë të vetë pikturës. Por, edhe piktura ime e dytë nuk është shumë ndryshe nga kjo e para.
Piktura që zë vendin e nëntë në listën time të pikturave më të shtrenjta në botë, është ‘Masakra e të Pafajshmëve’, një nga kryeveprat e piktorit flamand, Peter Paul Rubens që parqet masakrën biblike të të pafajshmëve të Betlehemit, siç rrëfehet në Ungjillin e Mateut.
Deri përpara momentit të zbulimit se kishim të bënim me një vepër të Rubens-it, piktura qëndronte varur në një manastir të Austrisë. Ajo u shit në vitin 2002 në një ankand të Sotheby, në Londër, për një vlerë prej 76.7 milionë dollarë, çmimi i tretë më i lartë i ofruar ndonjëherë për një pikturë në ankand të hapur për një nga mjeshtrit e vjetër.
Piktori flamand Peter Paul Rubens konsiderohet si një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Kështu që nuk besoj se përbën ndonjë surprizë fakti që ky mjeshtër i vjetër të jetë pjesë e listës sime prej 10 pikturave më të shtrenjta në botë. Në fakt, një pikturë me një cilësi të tillë rrallë arrin të dalë në ankand pasi në ditët e sotme thuajse të gjithë mjeshtrit e mëdhenj janë në muze dhe gjasat që ato të dalin sërish në treg për shitje, janë shumë të rralla. Është e vështirë që të mos trishtohesh kur shikon këtë pikturë. Ajo paraqet masakrën e foshnjave djem, të sapolindur të Betlehemit dhe është tmerruese. Aty ka ushtarë me muskuj, të cilët i marrin foshnjat e vegjël nga duart e nënave të tyre dhe i përplasin në dysheme.
Gratë janë duke vajtuar, gërvishtur dhe duke u përgjëruar. Ndërsa, trupat e pajetë të foshnjave në dyshemetë hedhura mënjanë si kukulla të padëshiruara dhe të harruara mënjanë. Dhe, në fytyrën e tyre vërehet një ngjyrë e akullt blu. Është shumë e dhimbshme edhe sikur vetëm ta shikosh, e mbushur me dhimbje dhe dëshpërim dhe me emocione të përgjakura. Për të arritur një gjë të tillë, për të transformuar diçka kaq të tmerrshme dhe kaq komplekse në një vepër kaq të bukur është thjesht e mahnitshme.
Dhe, përpara se të vija këtu po mendoja para së gjithash nëse ia vlen të paguash kaq shumë para për një pikturë, por kur vjen këtu dhe e shikon pikturën me sytë e tu ajo është një sukses total.
“Masakra e të pafajshmëve” është edhe më e mahnitshme duke menduar që deri vonë nuk dihej që ajo të ishte një vepër e Rubens-it.
Në momentin që u zbulua që ajo ishte një vepër e Rubens-it, vlera e saj u rrit jashtëzakonisht shumë në krahasim me çmimin fillestar. Për të identifikuar atë si një vepër të Rubens-it, kuratori David Jaffee në Galerinë Kombëtare të Londrës, Angli, ka përdorur një vepër tjetër të Rubens atë të “Samson and Daliah” pikturuar ndërmjet viteve 1609-të dhe 1610-të.
Të dyja pikturat kanë të njëjtat nuanca. Jeffee thotë se, ‘kur krahason pikturat je duke kërkuar për firmën e piktorit që gjendet në mënyrën e tij të pikturimit, në stilin e tij unik ashtu siç kërkohet në mënyrën se si një shkrimtar kryqëzon germat, si në rastin e germës ‘t’, apo se si vendoset pika mbi germën ‘i’. Çfarë ndodh me vlerën e pikturës në momentin që ajo i atribuohet Rubens-it?
Mendoj se, të gjithë duan të blejnë gjënë e vërtetë. Dhe, nuk ka shumë vepra të vërteta të Rubens-it të cilat mund të blihen në treg sot dhe kur del një e tillë atëherë ndodh rritja. Deri në momentin e daljes në shitje piktura nuk ka ndonjë vlerë dhe në të vërtetë është e vështirë të parashikosh se si do të shkojë “gjuetia” për të dhe vlerat që do të ofrojnë ata që kërkojnë ta kenë në zotërim. Lepurin mund ta ndjekin vetëm miliarderët. Kenneth Thomson është një nga njerëzit më të pasur të Kanadasë. Ai ndërtoi një kompani mediatike e cila renditej në një nivel me “The Times” dhe “The Sunday Times”. Ai derdhi miliona në Galerinë e Ontarios, në Kanada për të ndarë me botën lavdinë e artit dhe të krijimit. Thomson janë shumë diskret, por djali i Kenneth ra dakord të fliste me mua lidhur me pikturën “Masakra e të pafajshmëve” të Rubens-it. Im atë, – thotë ai, – e ka filluar koleksionin e tij të veprave të artit në vitet 1950-të. Dhe, për çdo vepër të blerë ai ka pasur një magjepsje të veçantë, secila me historinë e vet qoftë ngjyra, historia, etj. Kjo vepër e Rubens-it e blerë nga Thomson është vlera më e lartë e paguar ndonjëherë për një nga mjeshtrit e vjetër. Për babanë tim, ajo ishte vula përfundimtare për koleksionin e tij. Ajo pikturë simbolizon udhëtimin tonë si at e bir, dhe ajo ka shkëlqyer për ne ashtu siç ka bërë për shumë njerëz të tjerë.
Çfarë mësova nga piktura Nr. 9-të në listën time është se brenda një nate një pikturë mund të shikohet në një mënyrë tërësisht të ndryshme. Një ditë piktura “Masakra e të pafajshmëve” ishte e nënvlerësuar dhe një ditë më pas ishte piktura më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë nga mjeshtrit e vjetër. Kanavaca ishte totalisht e njëjta, por mënyra se si ishte perceptuar ajo u transformua thuajse me magji nga atributi i saj ndaj një artisti super yll siç është Rubens.
*Autori i materialit është kritik arti
Përktheu: Enkeleda Suti
Dokumentar i BBC One, i transmetuar në vitin 2015
https://www.youtube.com/watch?v=XuMAhEOggac
NO COMMENT