Prof.as. Dr. Vjollca OSJA
Kur flasim për një vepër letrare, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo gjykojmë se kemi përcaktuar edhe tipologjinë e zhanrit të cilit ajo i përket. Në fakt, ky konkludim na vlen për vepra që i brendashkruhen, konvencionalisht, paradigmës post-aristoteliane të zhanrit, ndërkohë që diskutohet gjithnjë e më gjatë, kur bie fjala për tekste që i ikin këtij modeli. Kujtojmë se, përballë këtyre teksteve jonormative, teoritë tradicionale të zhanrit janë gjendur, në vijimësi, duarbosh. Për pasojë, ardhja e një teksti që nuk i përmbush kriteret e gjinive të përcaktuara, e ka çuar shpesh në krizë mendimin teorik dhe kritik[1], duke i tronditur jo pak kufijtë e zhanreve e duke i bërë të diskutueshëm kriteret e përkufizimit të tyre. Gjykojmë se rasti i poemave në prozë mund të shihet si ardhje e tillë.
Në një situatë amullie postzhanrore, poemat në prozë (si ajo që po marrim në shqyrtim) janë shfaqur si një zhanër relativisht i ri, një zhanër teknikisht i vështirë për t’u përcaktuar dhe përkufizuar, për shkak të abstraksionit formal dhe, si rrjedhojë, një ambiguiteti strategjik tekstor.
E pamë të udhës të bëjmë këtë hyrje, për të pohuar se me madrigalet e Camajt kemi të bëjmë me një tekst klasifikueshmërisht jo të lehtë. Kjo përforcohet nëse i referohemi përcaktimit që vetë autori bën për tekstin “Dranja ka dalë si vepër mjaft e diskutueshme, sidomos për formë e gjuhë.”[2]. Ndaj nisur nga çfarë thamë më sipër gjykojmë se kjo vepër vlen të diskutohet në suazën e tipologjisë së zhanreve të ndërmjetme –
Së pari, sepse vepra na vjen si:
- Një tekst letrar që shtrihet mbi kuptimin muzikor të zhanrit (ndonëse nuk është në vargje si madrigali, në përmbajtje i përket kësaj gjinie[3])
- një tekst shkrimor prozaik, por me imanencë të fortë poetike (gjuhë dhe ritëm)
- një tekst poetik, por me zë modelues narratori.
Kapërcimi i zhanreve artistike dhe inspirimi për të shkruar një tekst që ka primar tëhollimin e gjuhës nëpër derdhjet e frymëzimeve, përjetimeve e dijes më tepër sesa montimin e një lande (sado e madhe) brenda një forme të pranueshme, na e bën të qartë se vepra, si e tillë, i kundërvihet trajtave të tjera letrare, të përdorura deri më sot në gjuhën shqipe[4]. Në rastin tonë flitet për tekst dhe intertekst dhe jo për lloje të njohura e kufij. E vetmja gjë që e lidh tekstin e Camajt me të shkuarën e llojit të madrigalit është ritmi, një ritëm madhështisht muzikor, por edhe ky i ardhur jo në masat e veta klasike (organizimi strukturor), por si organizim i përsosur gjuhësor: aftësia për të kombinuar kontekstin e tekstit poetik me sfondin e përshtatshëm muzikal të fjalëve. (Duket se mjeshtërinë stilistike teksti e ka në organizimin muzikor të sintagmave dhe jo në shfrytëzimin paradigmatik të fjalës. Afërmendsh, ndërtime të tilla si: U përhi veshlepuri mes hepeve të gurëve; Dranja fle fshe ndër gjeth; ngjitë për tule tufa ushujzash si flokë meduze; plasi dielli nga reja, vetim në rrashten e Dranjes mes librash, e shumë të tjera, dëshmojnë preokupimin stilistik serioz të një mjeshtri që ka pasur fatin ta ushtrojë dhuntinë e krijimit mbi një gjuhë e cila në formën më të thellë të saj është poetike[5]).
Së dyti, sepse Dranja, në mes luhatjes për përcaktimin e tekstit si prozë poetike apo poezi në prozë, duke u nisur kryesisht nga dominanca e instrumenteve stilistike që kemi përcaktuar, i ofrohet më së shumti poezisë në prozë, pasi ajo i ka të gjithë elementet e lirikës, përveç aspektit tipografik. Secili prej madrigaleve ka gjatësinë e një poezie lirike, duke ruajtur kështu integritetin e një teksti poetik. Gjuha e tyre është më e ngjeshur në densitet imagjinate dhe figure sesa do ta kërkonte proza poetike[6].
Dy citimet e mëposhtme, mendojmë se mund të ishin një linjë e mirë ilustrimi për këtë ide:
Ecte me sy ndër rreze, lanë mbrapa nga dielli që kapej përmbi lisa. U fik mendimi i ditës punëtore në mua[7].
Tisi, breu e pisha janë druj virgjën dhe e lypin vetminë. Por zogjtë nuk i lanë të qetë. Këta e dinë mirëfilli si ua merr dielli lulen e vajznisë ndër grykëza, si turpnohen degët kur u shkon e u vjen mushti nën lëvore e si ato i mjekojnë plagët e veta me ërrëshinë, Në vetmi asht shumë ma lehtë me njehë në rrashtën e Dranjes, si në varzat e brinit të sqapit, motet[8].
Tekstet shpesh kanë rimë të brendshme dhe lëvizje të lehta metrike (U përhi veshlepuri mes hepeve të gurëve; Ecte e shkëlqente nëpër bar të shkitshëm mbas shiut në mëngjes; ngjitë për tule tufa ushujzash si flokë meduze; etj). Secili prej madrigaleve karakterizohet nga dominanca metaforike (jo metonimike) dhe ritmi. Shumë shpesh theksi ritmik ka përputhje me theksin logjik, duke përftuar sintagma poetike e kadenca të ndjeshme muzikale (kalbej fara e kuptimit të fjalëve në gjumë para se me u zgjue. Andaj nuk kishin as tinguj[9]. Ecte e shkëlqente nëpër bar të shkitshëm mbas shiut në mëngjes).
Po kështu prania e sintaksës eliptike, si psh, te: Hija e randë e femën, rrezja e parë ndër flokë, kur ndalemi midis blerimit përmbi livadhe në luginën e gjunjëve malorë. Trajta e dheut na grishë: larg zotave të rrejshëm që u vjen era djersë pegazash smirëzes e magrorë[10] dhe format gramatikore me inversione jo të zakonshme e bëjnë veprën t’i qaset poezisë.
Për ilustrim mund të zgjidhnim cilindo prej madrigaleve të librit, por jo rastësisht zgjodhëm madrigalet “Vjeshta po kalon” dhe “Si një hajmali”, të cilëve po t’u lëviznim diçka nga mekanizmi i strukturimit, do të përftonim një poezi të mirëfilltë.
Nga madrigali, “Vjeshta po kalon”:
Vjeshta po kalonte, por grethi me za të burrnueshëm si kurrë kërkoi ndër lisa e gjeti çka lypte:pemë të çame përgjysmë me erën e athët në lang. Një lloj bretkose, thithlopa e ngime, i merr amë në hapësi qumështit që shkumbon në vedër mes gjujve të mjeltores, gërmuq në shkam, ende të pashtitëruem mirë për këtë zeje.
Edhe pse tepër ngjyra në këtë vend, koha përputhet për kohë përkueshëm, pa u vra aspak sendi për send.[11]
Nga madrigali, “Si një hajmali”:
Prapë ktheva atje ku isha.
Tash janë ide, jo ndjesi, xhixhillojat që ulen degësh si fryte e derdhen mbi trollin e pastër, mbas derës së moteve. Sosi koha e ravgimeve mbas Dranjes, koha e pritjeve e e mallëngjimeve! ……………….
Nuk pres t’i dalin goje shkëndija që të më bien mbi krye[12].
Në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për një “shkallë të matshme të dekoracionit stilistik dhe imagjinativ”, por edhe për një organizim të frazës drejt sintaksit poetik.
Së treti, duke iu referuar konceptit bahktinian për zhanret “dialoguese” dhe “monologuese”, mund të pohojmë se madrigalet e Camajt shfaqin karakter dialogues me tri zhanre të mëparshme:
- me vetë madrigalin si zhanër muzikoro- letrar, dhe ky “dialogim” duket në ritëm;
- me prozën si zhanër letrar, dialogim që duket në formën shkrimore të tekstit;
- me poezinë (ky i fundit është edhe dialogimi më i rëndësishëm dhe më i fortë).
Argumentet e këtij dialogimi mendojmë se u dhanë më lart.
Siç kanë pranuar kritikët, shfaqja e poemës në prozë në një çast të caktuar historik si krijim që ka një karakter dialogjik, një fund të hapur dhe një liri të brendshme të formës e bën atë të qëndrojë si zhanër më vete.[13] Për të konkluduar, mund të themi se me veprën “Dranja” Camaj shkatërron mitin e llojit letrar, përcaktueshmërinë e kufijve midis gjinive letrare, duke e konsideruar veprën më tepër tekst e intertekst sesa zhanër të ngulitur letrar, variacion gjuhe më tepër se sa zhvillime tradicionale të lëndës.
Në letërsinë shqipe tradita e lëvrimit të këtij zhanri s’ka qenë edhe aq e vonë, po të kemi parasysh vonesat sistematike dhe të forta që kanë shoqëruar zhanret e tjera apo edhe lëvizjet letrare: emrat e Lumo Skëndos e të Faik Konicës kanë projektuar lehtazi e me sentimentalizëm sinoret e këtij zhanri, ndërsa me Koliqin (“Pasqyrat e Narçizit”) e Migjenin (“Bukuria që vret” e ndonjë tjetër) kemi një rafinim të formës, por me Camajn mendojmë se kemi arritjen e një kuote të lartë, duke çuar te formimi i një paradigme të këtij zhanri në letërsinë shqipe.
[1] Pa dashur ta rëndojmë temën me historinë e këtij lloji, po kujtojmë vetëm atmosferën jo miqësore me të cilën kritika, përveç të tjerash edhe për shkak të papërcaktueshmërisë së llojit, priti Spleen i Parisit të Baudelaire-it apo poemat në prozë të Oscar Wilde-it.
[2]Martin Camaj, Individualiteti ynë shprehet në letërsinë e artit tonë, rev. Nëntori, nr. 4, Tiranë 1991, fq. 116
[3] M. Camaj, vepra letrare 3, te Shënimi i autorit, Apollonia, Tiranë 1996, fq. 7
[4] po aty
[5] V. Osja, Konceptime postmoderne të mitit në madrigalet “Dranja”, Aktet e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Prishtinë 2007
[6] Kjo shenjohet që në titujt e madrigaleve. Tituj të tillë, si: Pa sythin e ditës së qartë; Atje ku edhe hana asht pjellore;Me shijen e sisoreve në gjuhë; Vetmia nuk e len me marrë frymë kohën, etj.
[7] M. Camaj, Vepra letrare 3, Apollonia, Tiranë, 996, fq. 17
[8]Po aty, fq. 88
[9] M. Camaj, vepra letrare 3, Apollonia, Tiranë 1996, fq. 92
[10] po aty, fq 87
[11] po aty, fq. 23
[12] po aty, fq. 86
[13] Në mungesë të një përkufizimi transhistorik të poemës në prozë, studiuesit e sotëm sugjerojnë se mund të pranohet arsyetimi i Tzvetan Todorov-it se nuk ka zhanre të pastra dhe madje një zhanër i ri bëhet automatikisht i pranuar nga referenca me një apo disa zhanre të mëparshme.
NO COMMENT