IN MEMORIAM
Dr. Gazmend KRASNIQI
Diku nga viti 1993, në një takim kulturor me shqiptarët e Maqedonisë, profesori Thoma Kaçorri më pat thënë se Martin Camaj i kishte nisur në Sofje kompletin e veprës së vet, por ai nuk i kishte kthyer përgjigje, nga frika… prej Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Vite më vonë, profesori i historisë së teatrit, Kudret Velça, që kishte marrë të njëjtën pako, më thoshte se duhej të shkruante dikush që e ka njohur nga afër.
Në fakt, gjatë këtyre viteve nuk është shkruar pak për Camajn, por si krijues jashtë rrjedhave, vazhdon të mbetet në valën e diskutimeve. Po kush ishte më afër Martin Camajt sesa Martin Camaj vetë, kur ai ka lënë intervista, letra apo shënime të ndryshme? Aty do të mësojmë që ka qenë i hershëm shqetësimi i tij se “në botën shqiptare nuk asht gjetë ende drejtpeshimi mes shkrimtar – lexues” (Sinishta, Ndue. Tetë letra të Martin Camaj. ABA Grafik One. Tiranë 2000, fq.5), sepse në një nga shënimet, e përshkruan kështu epokën letrare ku jetoi: ajo karakterizohej nga njëkohësia e dy rrymave letrare të papajtueshme: trimëria/ ligështia. E para këndonte mrekullitë dhe trimëritë e heronjve bashkëkohorë, tjetra mbronte gacat (thëngjijtë) e një zjarri të pashuar. Gjasa, – thotë ai, – është të fitojë e dyta, ku, si Sofokliu, secili do të flasë për fatin e vet tragjik. (Këtë mënyrë krijimi e ka përcaktuar me fjalët: Ngjan se çdo vjershë fsheh njëfarë ndjenje të dhimbshme të autorit, që kthehet në gëzim pikërisht në çastin kur autori ia përcjell atë të tjerëve. Vepra.) Sipas tij, do të flitet edhe për centaurët, njerëzit – kafshë, por në mënyrën e grekëve të vjetër: me drejtpeshim e masë. Sepse lirika e vërtetë ashtë edhe drejtpeshim gjuhe, tingujsh dhe përmbajtje. Edhe ato mendime që mund të quhen hermetike apo të errëta, i kanë ligjet e veta, ta thomi, edhe logjike. (Sinishta, Ndue. Tetë letra të Martin Camaj. ABA Grafik One. Tiranë 2000, fq. 12)
Siç ishte në natyrën e tij, me elegancë, Camaj na tregon raportin mes poezisë së shkruar në liri dhe asaj të dirixhuar – realizmit socialist, e cila qëndron mbi një infrastrukturë të mirë-organizuar, sepse qe ngritur nga politika e ditës, që, në momentin e këtij artikulimi, kishte rënë, por nuk qe shkulur.
Është rasti të ngremë pyetjen e parë: Si vinte në këtë përballje të pabarabartë dhe si u bë i rëndësishëm për letërsinë shqipe?
Këtë diskutim duhet ta nisim me pyetjet: Çfarë e bën kumtin vepër artistike? Si vepron fjala nën presionin e fjalëve që e rrethojnë? Një poetikë dhe stil të ri i kishte kërkuar që te Lirika mes dy moteve. Njeriu me vete e të tjerë, ai e mban si librin e vet të përsosur (rev. Nëntori, 4/91, fq. 117) thënë me fjalët tona “librin ku kishte gjetur veten”.
Me fjalë të tjera, Njeriu me vete e të tjerë zë vend qendror mes fazës së parë të krijimtarisë dhe asaj që pason (siç e thekson edhe A. Marashi, A. seria, fq, 7). Kjo tregon koherencën, apo organicitetin, e tij dhe se, për të, dominantja qe largimi nga forma klasike.
Në kohët tona, revolucioni i gjuhës poetike dhe i formës letrare çon te standardet estetike të epokës moderne, duke respektuar krijuesin dhe marrësin.
Camaj është i ndërgjegjshëm se nga pikëpamja formale çlirimi i vërtetë i ka ardhur nga kalimi i vargut klasik te vargu i lirë: konkretisht te vëllimi “Njeriu me vete e të tjerë” (pasi e ka ushtruar te poezitë e romanit “Djella” apo cikli “Legjenda”), i lumturuar se këtu ka gjetur edhe ritmin e poezisë popullore, duke e parë tonin e fillimit të kompozimeve të veta te ritualet (formulat e mëngjisë).
Cili është rezultati? Siç thotë vetë, është kujdesur që të mos dalë në pah një varg i veçantë, por organizimi tingullor i tërësisë; pra, leximi gjithmonë kërkon tërësinë. Me këtë kuptojmë se leximi, shumë shpesh, pra në pjesën dominuese të poezive të tij, përmblidhet në disa marrje fryme. Ky përcaktim i bërë nga vetë Camaj, kur i drejtohet përkthyesit të vet në gjuhën italiane, do të na jepte dorë për një diskutim të ngritur herë pa here: raporti i këtij poeti me pedagogun e vet, poetin Ungaretti.
Camaj kërkon t’i ikë klishesë: nxënës i Ungaretti-t – automatikisht, hermetist ungarettian. Me një fjalë, nuk e ka pranuar këtë ndikim, edhe pse Arshi Pipa e ka kërkuar këtë raport me të famshmen “M’illumino d’dimmenso”, që në fakt është pjesë e vëllimit të parë të Ungaretti-t (Alegria…), pra jo e të dytit (Sentimente del tempo), që është parë si model i hermetizmit.
Është e vërtetë se te Njeriu me vete e të tjerë ndodh asgjësimi i kalimeve logjike, mësim që e përcjell Ungaretti, megjithëse jo si shpikje vetjake, por si poetikë që e respekton esencialen e këtij arti, por, në fund të fundit, fitohet një varg me ritme të lira, të cilin poezia shqipe e ka njohur, të lëvruar në mënyra individuale nga poetë si Migjeni, Gaspër Pali, Zorba, arbëreshët, poetët e Kosovës, Kadare, Arapi, Rreshpja, por Camaj, si poet serioz, kërkon teksturën që i përshtatet materies dhe konstruktit të tij shpirtëror.
Ndërsa, kur pranojmë afritë e procedeve (ide e H.J.Laksch), kjo na jep dorë për t’i kërkuar ato në format e lartpërmendura, pra, me disa frymëmarrje, ku mund të ndjejmë jehonën e reflekseve historike të poezisë italiane ndaj poezisë shqipe, edhe pa qenë nxënës konkret i dikujt nga ata poetë të rëndësisë evropiane:
…
Majes përpjetë ngjitet vetëm
kah bjeshka nji kalë i bardhë.
Prej detit të largë erdh reja
e u ngjit npër qiell mbi kalë
kadalë si plaf i blertë.
Verë, por ndoshta bjen shi pasdite.
Verë, kali i bardhë,
cirkat e shiut mbi krip
e bar në livadhet e bjeshkës.
S’besoj në bimë të helmuese
as në gjarpinj.
(Camaj – VERË E LUMTUN)
…
Rrushi – kuqur, lëruar – fusha
Ndahet mali prej reve
Mbi pasqyrat e pluhurta të verës
është rrëzuar hija
Midis gishtave të dridhshëm
dritë e tyre është e pastër
dhe e largët
Me dallëndyshe ikën
dhimbja e mbrame
(Ungaretti – PREHJE)
Pagëzuesi i hermetizmit italian, kritiku F. Flora, e kërkoi poetikën e lirikëve të rinj italianë te e errëta, mbyllja dhe analogjia e vështirë – çka përkonte me dekadentët francezë, Malarme, Verlen, Rembo – por edhe Rilke, Eliot etj – kjo e fundit, një poezi e quajtur elitare. Ia vlen të përmendet kjo, sepse përcaktimi hermetizëm mbeti vetëm brenda Italisë: pra, kulturat e tjera nuk e përqafuan. Kush i përket shkollës italiane, ankohet Camaj në intervistë, e afron me hermetikët (Ungaretti-n), megjithëse, për të, lirikët e rinj shqiptarë janë të lidhur me simbolikën e vendit, gjë që e arriti me shumë mund, duke mohuar edhe dy librat e vet të parë, sigurisht duke menduar se nuk e përmbushnin.
Në fakt, qe një arsye e fortë për t’i shpëtuar këto vepra, mendon kritiku Pipa: ndikimi i tyre te poetët e Kosovës, ku më i rëndësishmi qe Azem Shkreli, i cili më vonë do të vazhdonte rrugën vetjake si njëri nga poetët e rëndësishëm të letërsisë shqipe. Në rastin e refuzimit të dy librave të parë, edhe pa e artikuluar konkretisht, Camaj ka mbrojtur pikërisht poetikën me karakteristikat e lartpërmendura – e errëta, mbyllja dhe analogjia e vështirë. Madje, kuptohet se i ka parë si prirje të vetën.
Në fakt, mohimi nuk është aq i thjeshtë, sepse ndërkohë ai ka marrë më se pesëmbëdhjetë poezi nga libri i dytë, duke i kaluar mot a mot të vëllimi “Lirika midis dy moteve”, prej nga kërkon ta fillojë krijimtarinë e tij. Pra, kemi të bëjmë me një vetëdije të pjekur: poezia si art, apo poezia si e tillë.
Po, a është Camaj një don Kishot, meqë mendimi letrar zyrtar, apo ai tradicionalist, impononte prej disa dekadash idenë e interpretimit të “qartë”? Është e njohur se aftësinë për t’i rezistuar interpretimeve të vjetruara e kanë edhe disa poetë të traditës – Mjeda, Poradeci, Migjeni – apo bashkëkohorë – Zorba, arbëreshët, poetët e Kosovës, Rreshpja. Këto krijime poetike kanë ikur nga poezia me tezë. Të mos harrojmë se deri atëherë shumë krijime ngriheshin mbi bazën e një teze, një mendimi të vënë në vargje, të cilit i nënshtrohej zgjedhja – për të mos thënë, moszgjedhja – dhe vendosja e fjalës. Këtu duhej të kishim një diskutim të gjatë për konceptin bartian të ligjërimit klasik dhe ligjërimit modern. Përmendim, me këtë rast, si më tipikja, poezinë e Pashko Vasës “Mori Shqipni”, e cila duhej t’u thoshte shqiptarëve, me ca vargje të renditura mirë, por pa kërkuar shumë natyrën e veçantë të fjalëve, tingëlluese apo evokuese: “nuk ju mungon e kaluara, prandaj ngrihuni, si të gjithë popujt e tjerë përreth”.
Tipik për këtë lloj poezie me tezë, nga bashkëkohësit, është parë Dritëro Agolli. Poezi e “afishuar”, do ta quajë Sabri Hamiti atë poezi, kur citon vargje të tilla:
Një copëz predhë ende kam në kokë
Dhe shpesh si thikë mbrëmjeve më pret,
Ka zënë vend në mishin tim, në kokë,
Si deputet ballist në parlament.
Është rasti për pyetje të tjera: Cila është pozita e Camajt në këtë dualitet, i cili duhet ta përcaktojë poezinë shqipe? A i përket ai grupit që kërkon të heqë nga poezia atë që nuk është poezi?
Dihet se shërbimi më i madh i është bërë poezisë si poezi pikërisht nga kjo prirje. Camaj, si piktori Sezan nuk kërkon vetëm të jetë refuzues, siç do të ndodhte në poezinë e viteve ’90, por edhe të bëjë art të ekspozueshëm, pra të antologjive, duke kontribuar për atë që është e ardhmja e poezisë së vërtetë shqipe. Ai është bashkëkohës me strukturalistët evropianë. E ka pohuar vetë se strukturalizmi në gjuhësi e ka ndikuar edhe në krijimtarinë artistike. (Nga strukturalizmi, nga imazhi që merr jetë, lind dhe zhvillohet edhe ideja e madrigaleve “Dranja”, siç tregon në një letër për një vizitë turistike në Greqi, ku shikon qethjen e deshve dhe një breshkë aty pranë)
Problemi është se strukturalizmi – ahistorik – më tepër na jep dorë për analizë, sesa për vlerësim. Thënë ndryshe, ky i fundit do të vijë pas analizës, diçka me të cilën mendimi letrar shqiptar ende nuk është familjarizuar si duhet. Kjo na çon te ideja paradoksale se figura e poetit Camaj do të ndriçohet më shumë nga poetët pasardhës, sesa ata paraardhës. Ky është një moment shumë i mirë për një letërsi, sepse rrëzohen shumë ide konservatore, duke na e treguar kështu Camajn si poet me vetëdije të lartë për veten dhe fatin e dinamikës së letërsisë shqipe.
NO COMMENT