
Granit Zela
Për lexuesin
Këto janë tregime të ironisë, satirës dhe groteskut. Në sfondin e një mikrobote ku personazhet tjetërsohen deri në marrëzi dhe absurd, shteti është kthyer në karikaturë dhe demokracia në tragjikomedi, shqetësimi autorial është se si mund ta paraqesë tregimi këtë dramë të njeriut shqiptar gjatë periudhës së pafund të tranzicionit.
Një shkrimtar i famshëm nga kryeqyteti mban një seminar për t’u mësuar shkrimtarëve të provincës sekretet e fitimit të çmimeve letrare; një profesor doktor këmbëngul që kamerieri i lokalit ku ai pi kafenë e përditshme të mbrojë doktoraturën në degën e folklorit; një pacient përjeton një odiseadë arratisjeje nga spitali, sepse duan ta operojnë me zor; presidenti vdes nga një kokërr fasuleje dhe kjo trondit organet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, akademikët përfshihen në një përleshje fizike dhe në fund të gjithë marrin çmimin “Nderi i Kombit”; pas ndalimit të gegnishtes shkrimtari Pjetër Mëshkalla humbet aftësinë e të folurit dhe në fund digjet në një turrë drush, një emigrant shqiptar martohet nxitimthi me një vajzë të bukur por mbetet pa nuse për një arsye të pamenduar, disa ish të burgosur politik i kalojnë ditët e fundit të ejtës duke dokumentuar kohën e tyre të humbur dhe marirn pjesë në varrimin madhështor të xhelatit të tyre, Gregor Samsa e sheh veten të shndërruar në shkrimtar shqiptar dhe një ditë të bukur shtetasit e shohin veten si banorë të Republikës së Gomarëve, kjo është më së shumti tematika e këtij libri.
Tregimet ironike paraqesin një botë jologjike – ajo që thuhet nënkupton tjetër gjë dhe konteksti i jep fabulës tjetër domethënie. Kjo ironi shkon në nivelin e satirës dhe groteskut në tregimet që zhvillohen në institucionet shtetërore, ku shformimet në tiparet shtetërore pasqyrojnë shformimet shoqërore. Në këtë botë groteske të gjithë janë të rrethuar. Edhe pse kryetari i Qeverisë dhe Opozitës takohen dhe i japin fund tranzicionit shqiptar, ky fund është sarkastik, Shqipëria mendohet të kthehet në mesjetën e gijotinave ku do të rrethohet dhe ekzekutohet shtatorja e heroit kombëtar. Në disa tregime ky realitet letrar i humorit të zi është kaq i trishtë dhe i padurueshëm, sa vetë ironia i plagos ose i vret personazhet.
Si mund ta japë tregimi dhe çfarë duhet të bëjë shkrimtari në këtë botë të kthyer përmbys mu në zemër të tragjikomedisë? Mbytja e vlerave letrare nga konsumizmi, vramendja autoriale për gjuhën dhe librat që shkruhen për këtë realitet janë filli i padukshëm që lidh rrëfimin e parë dhe të fundit të kësaj përmbledhjeje me tregimeve. Ndryshimi mes asaj që thuhet dhe asaj që nënkuptohet çon te rrëfimtarë me emra dhe rrëfime të çuditshme, shumë herë qëllimisht të pabesueshëm, ngase duan ta grishin lexuesin, ndoshta edhe ta sfidojnë me një lexim inteligjent, në kontekstin e tranzicionit shqiptar të pas viteve ’90.
Autori e di se kërkimi në laboratorin letrar nuk mund të reshtë asnjëherë, por ky kërkim mund të jetë shpërblyes nëse ka lexues, sepse letërsia ekziston vetëm për lexuesin, ai i jep kuptim aktit krijues.
NO COMMENT