READING

Borgesi dhe unë – Jorge Luis Borges

Borgesi dhe unë – Jorge Luis Borges

JORGE LUIS BORGES

INFERNO, I, 32

Që prej mugut të agimit deri në mugun e mbrëmjes, një leopard, në fundvitet e shekullit XII, shihte vetëm disa dërrasa druri, disa shufra vertikale prej hekuri, burra e gra të ndryshueshëm, një mur dhe ndoshta një kanal prej guri të mbushur me gjethe të thata. Nuk e dinte, nuk mund ta dinte, se dëshironte ethshëm, dashuri dhe egërsi, kënaqësinë e nxehtë të shqyerjes dhe erën me aromë dreri, por diçka brenda tij po mbytej dhe po rebelohej, atëherë Zoti i foli në ëndërr: “Ti jeton dhe do të vdesësh në këtë kafaz, me qëllim që një njeri që di unë, të të këqyrë një numër të caktuar herësh për mos të të harruar më dhe ta vendosë figurën dhe simbolin tënd në një poemë, e cila ka vendin e saj të përpiktë në ndërthurjen e universit. Po vuan robëri, por do t’i kesh falur një fjalë poemës.” Zoti, në ëndërr, e ndriçoi ashpërsinë e kafshës dhe kafsha i kuptoi arsyet dhe e pranoi fatin e vet, por, kur u zgjua, brenda saj thjesht pati një nënshtrim të errët, një padije të guximshme, sepse mekanizmi i botës është tepër i ndërlikuar për thjeshtësinë e një bishe.

Vite më vonë, Dantja vdiste në Ravena, aq i papërligjur dhe aq i vetmuar sa edhe çdo njeri tjetër. Në ëndërr, Zoti i rrëfeu qëllimin e fshehtë të jetës dhe veprës së tij; Dantja, i magjepsur, më në fund e mësoi kush ishte dhe çfarë ishte, dhe i bekoi hidhërimet e tij. Gojëdhëna tregon se, kur u zgjua, ndjeu se i kishin dhënë dhe kishte humbur diçka të pakufi, diçka që s’mund ta rigjente, madje as ta përshquante më, sepse mekanizmi i botës është tepër i ndërlikuar për thjeshtësinë e njerëzve.

 

BORHESI DHE UNË

Tjetrit, Borhesit, atij i lindin idetë. Unë eci nëpër Buenos Aires dhe vonohem, ndoshta mekanikisht, për të këqyrur harkun e një oborri dhe portën me kangjella; për Borhesin marr lajme me postë dhe e shoh emrin e tij në një treshe profesorësh apo në një fjalor biografik. Më pëlqejnë orët e rërës, hartat, tipografia e shekullit XVII, etimologjitë, shija e kafesë dhe proza e Stevensonit; edhe tjetri ndan të njëjtat shije, por në një mënyrë sqimatare që i shndërron ato në cilësi të një aktori. Do të ishte e tepruar të thuhet se marrëdhënia jonë është armiqësore; unë jetoj, unë e lejoj veten të jetoj që Borhesi të mundë të trillojë letërsinë e tij dhe kjo letërsi më përligj. Nuk më kushton asgjë ta pranoj se ka arritur të shkruajë disa faqe me vlerë, por ato faqe nuk mund të më shpëtojnë dot, ndoshta pasi e mira nuk i përket askujt, as atij tjetrit, por gjuhës dhe traditës. Sa për të tjerat, unë jam i destinuar të humbas përfundimisht dhe vetëm ndonjë çast imi mund të mbijetojë tek ai tjetri. Pak nga pak po i dorëzoj gjithçka, edhe pse e di zakonin e tij të mbrapshtë për të trilluar dhe madhëruar. Spinoza kuptoi se gjithë gjërat duan të qëndrojnë me ngulm në qenien e tyre; guri përjetësisht do që të jetë gur dhe tigri tigër. Unë kam për të ngelur tek Borhesi, jo tek unë (nëse jam dikush), por më pak e gjej veten tek librat e tij se sa në shumë të tjerë apo se sa në rënkimin e mundimshëm të një kitare. Para disa vitesh u mundova të çlirohesha prej tij dhe kalova nga mitologjia e rrethinave tek lojërat me kohën dhe me të pafundmen, por tani këto lojëra janë të Borhesit dhe do të më duhet të shpik të tjera gjëra. Kësisoj jeta ime është një arratisje dhe gjithçka e humbas dhe gjithçka i përket harresës, ose atij tjetrit.

Nuk e di cili nga të dy e shkruan këtë faqe.

 

ARGUMENTUM ORNITHOLOGICUM

Mbyll sytë dhe shikoj një tufë zogjsh. Pamja zgjat një sekondë apo më pak; nuk di sa zogj pashë. Ish i përcaktuar apo i papërcaktuar numri i tyre? Çështja ndërlikon punën e ekzistencës së Zotit. Nëse Zoti ekziston, numri është i përcaktuar, sepse Zoti e di sa zogj pashë. Nëse Zoti nuk ekziston, numri është i papërcaktuar, sepse askush nuk mund ta bëjë dot llogarinë. Në këtë rast kam parë (po themi) më pak se dhjetë zogj dhe më shumë se një, por nuk kam parë nëntë, tetë, shtatë, gjashtë, pesë, katër, tre apo dy zogj. Kam parë një numër zogjsh midis dhjetë dhe një, që nuk është nëntë, tetë, shtatë, gjashtë, pesë etj. Ky numër i tërë është i paimagjinueshëm; ergo (pra), Zoti ekziston.

Përktheu nga origjinali Erion Karabolli


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.