READING

Bisedë me piktorin Danish Jukniu (vetëm Danishi e ...

Bisedë me piktorin Danish Jukniu (vetëm Danishi e dinte se nuk pikturohet kështu siç po pikturohet në Shqipëri – Edi Hila)

 

Pyetja e parë gjithmonë është për fillimet.

Kam lindur më 19/6/1934 në Shkodër. Mësimet e para për artin i kam marrë në kursin e Shtëpisë së Kulturës, kurs që drejtohej nga rusja e bardhë Vitoria Puzanova, specialiste për ikonografinë. Në shkollë lëndën e vizatimit ma jepte piktori i njohur Zef Kolombi. Në Liceun Artistik në Tiranë pata për pedagogë A. Buzën dhe S. Kacelin. Kur fitova të drejtën për të vazhduar studimet e larta në Poloni, ndesha në një problem: si gjithë të tjerët, kisha dëshirë të shkoja në B. S., sepse dija shumë pak gjëra për Poloninë. Profesori im, O. Paskali, që ishte njeri me kulturë, më shpjegoi se Polonia ishte një vend shumë i përparuar. Kur shkova atje u binda: Akademia e Arteve në Krakov, ku shkova unë, qe themeluar më 1818. M´u desh punë e madhe të korrigjoja shumë gjëra nga ato që kisha mësuar në Liceun e Tiranës: shkolla ku kisha mbërritur ishte shumë liberale. Të gjithë profesorët kishin mbaruar studimet në Francë. Çdo gjë që ndodhte në Francë mbërrinte në Krakov brenda një jave. Pa kaluar as pesë ditë nga ekspozimi në Paris, mbërriti aty, i riprodhuar në revistë, një portret i Picasso-s. Van Gog shihej si histori, si formë artistike e kaluar. Shkolla nuk kishte kufizime: lulëzonin të gjitha rrymat e artit. Tek unë nisi lufta e brendshme: çfarë mësoja dhe çfarë më priste në Shqipëri?! Një emision radiofonik u tall me fjalët e sekretarit të arteve figurative të Shqipërisë, i cili kishte thënë se në Shqipëri arti i realizmit socialist nuk kishte asnjë shkarje. Kur ky person erdhi për një konferencë ndërkombëtare në Poloni, i jam fshehur dhe, shumë vjet më vonë, tashti në Shqipëri ia kam mohuar faktin se dikur qeshë fshehur prej tij.

 

Cila qe paraqitja e parë si piktor kur u kthyet nga Polonia?

Kur mbërrita në Shkodër, shokët e mi piktorë më folën për një ekspozitë kombëtare. Punova mbi dy punë: një portret i mbesës dhe një kostum popullor. Kur panë këtë të dytën, shokët e mi piktorë reaguan menjëherë, duke thënë se diçka e tillë nuk mund të paraqitej kurrsesi. Portretin e vajzës e çova në ekspozitë dhe kjo pikturë fitoi çmimin e parë në gjininë e portretit. Për fat, komisioni përbëhej nga piktorë që kishin studiuar në perëndim.

 

   Një pikturë me të kuqe, me dritë impresioniste? E kam parë në fondin e Galerisë Kombëtare.

Megjithëse, si rregull, punët që fitonin çmim bliheshin nga Galeria, komisioni përkatës i Galerisë e gjykoi se kjo vepër nuk duhej të hynte në fondin e saj. Ajo hyri atje dy-tri vjet më vonë, pasi u kthye nga Bienalja e Aleksandrisë, ku qenë thënë fjalë vlerësuese për të.

   Po më pas?

Kur fillova punë në kombinatin e tekstileve në Tiranë, nuk pata shumë kohë të lirë, sepse qeshë shumë i angazhuar me punën aty. Për më tepër, bocetet e mia të tekstilit nuk ecnin para komisioneve të ngritura, përgjithësisht, me shitës të dalluar e shefa tregtie. Nëse ndonjëri nga bocetet e mori provimin, si tekstil i realizuar përfundoi në ndonjë rreth të vogël larg Tiranës. Një herë, kur e pashë fustan në trupin e Edi Luarasit, aktores, e cila e kishte blerë në një qytet të vogël, provova emocione të veçanta.

 

   Në këtë kohë keni bërë edhe ilustrime.

Kam bërë ilustrime në “Drita” dhe “Nëntori”, derisa më erdhën në vesh fjalët e kryeministrit të asaj kohe, i cili kishte thënë me tone të ashpra: “Ç`është ky djalë që na bën këto paçavure!?”

 

Jeni themelues i Ateliesë së tekstilit në I.L.A. Unë dua të di diçka më shumë për punën tuaj si pedagog, për problemet që hasët atje.

Kur shkova unë I.L.A ishte në vitin e tretë të krijimit të tij. Në orën e vizatimit, ashtu si në shkollën ruse e akademitë e ndryshme, mbylleshin dritaret me perde dhe krijohej një dritë artificiale, duke kërkuar tonin (flokët ose një rrobë të errët duke i bërë të zeza) dhe jo volumin. Megjithëse nuk ishte diçka që ma kishin mësuar në shkollë, për studentët e mi kërkova mbështetje nga mjeshtër të tillë të vizatimit si

Da Vinci, Michelangelo. Dyrer, Ingres. Rezultati qe pozitiv dhe unë fitova simpatinë e studentëve. Kjo thyerje mentaliteti nuk qe e lehtë, por u shfrytëzua justifikimi se ne po krijonim shkollën tonë kombëtare.

 

   Kur e punuat tablonë me punëtorët e H/c?

Më 1969. Kur shkova me studentët në praktikë, kantieri më bëri shumë përshtypje. Shumë. Vetë njeriu ishte shumë i vockël, por realizmi socialist e donte atë të madh. Qe viti i dytë i shkuarjes në hidrocentral kur e punova atë tablo.

 

   Si u prit ajo?

Shumë keq. Ndërmjet shumë diskutuesve që kërkonin mosekspozimin e saj, qëlloi edhe dikush që tha fjalë të mira. Ky ishte… një shofer. Më vonë tha fjalë të mira për të Muslim Mulliqi, piktori kosovar, gjë që mund të më kushtonte shtrenjtë, sepse ai jetonte në një vend revizionist. Pikturat që morën çmim në atë ekspozitë tashmë nuk njihen më. Vetëm kjo i ka rezistuar kohës. Kur u kërkuan vlerat e realizmit socialist, kjo vepër filloi të ekspozohej dhe të publikohej.

 

Po tabloja Barinjtë si u prit?

Ajo është pritur mirë. Është diskutuar për të marrë çmimin e parë, por, në fund, i është dhënë çmimi i dytë. Më vonë ajo njohu publikime të ndryshme.

 

   Si e keni përjetuar liberalizmin e vv. `70?

Shumë dyshues.

 

   Po largimin nga Tirana për në Shkodër?

Me frikën se ky qe hapi i parë drejt burgut. Kështu ndodhte zakonisht.

 

   Çfarë veçoni nga puna juaj në periudhën e Shkodrës?

Them: portretin e Gjon Buzukut dhe tablonë Dita e poezisë. Për këtë të dytën më erdhën fjalë se do të merrte çmim të parë, po kur mbërrita në Tiranë, mora vesh se qe hequr fare nga ekspozita.

 

Procedimi në punën tuaj.

Gjithmonë ka qenë një kërkim i gjatë në vizatim, në raporte ngjyrash, duke bërë bocete të shumta, ku, pas përfytyrimeve të para, vinte tërheqja.

 

Për keq?

Pikërisht. Nuk guxoja të paraqisja atë që ishte përfytyrimi im i vërtetë.

 

Të kthehemi te Barinjtë. Shyqri Nimani, piktori kosovar, kur ka shkruar për të, e ka quajtur” muzikë për sytë”.

Një koleg e shok më tha se më kanë dhënë dorë gunat. Por gunat pikërisht për atë arsye i kisha zgjedhur, për të më dhënë dorë.

 

Një regjisor francez ka thënë se ai mund të bënte filma të mirë edhe në realizëm socialist.

Arti i ikonografisë, megjithëse brenda kanonesh, ka vlera të mëdha.

 

Kisha dhe piktorët e saj ia dolën, kur morën një  mënyrë pikturimi nga Egjipti dhe bënë zgjidhje të përsosura formale, ndërsa ideatorët e socializmit dhe piktorët e tij nuk ia dolën përfundimisht, nuk e bënë realizmin socialist jetëgjatë. Gjithmonë e kam fjalën në aspektin estetik. Në këtë qerthull kanonesh të pakonsoliduara, cilët kanë qenë mjeshtrit që ju kanë ushqyer në punën tuaj ?

Në atë dokumentarin televiziv që ju e njihni, Sali Shijaku thotë diçka mbi atë që kam bërë unë për futjen e disonancës në pikturën tonë.

 

Piktori Edi Hila më ka thënë: “Vetëm Danishi e dinte se nuk pikturohet kështu siç po pikturohet në Shqipëri”.

Nuk e di nëse mund të thuhet kështu. Edhe të tjerët e dinin.

 

Sidoqoftë, duket se Edi Hila e ka dëgjuar vetëm prej jush. Keni punuar nëpër panaire, muze, në skenën e festivalit folklorik të Gjirokastrës. Meqë jemi te skena, juve a ju takoi ndonjëherë të dilni në “skenë”?

Kur më kërkuan të bëja një sixhade për zyrën e kryeministrit, me zor i binda se duhej të shikoja më parë dhomën, pozicionin e derës, orendimin etj. Pa bërë ende zbërthimin teknik të projektit, ai u nis në Kinë, sepse vetëm atje mund të bëhej një sixhade 12 metër e gjatë. Sixhadeja u kthye nga Kina, u shtrua në zyrën e kryeministrit, por kurrë nuk m´u krijua mundësia ta shoh veprën time. Kam punuar edhe disa sixhade për ambientet nga hynte udhëheqja në Teatrin e Operës. Kur hyri kryeministri, pyeti se ku qenë marrë ato gjëra dhe, kur i thanë se qenë bërë prej shqiptarësh, shfaqi pëlqimin për to. Por vetëm një fjalë e sekretarit të parë të Tiranës i zhduku ato njëherë e përgjithmonë prej aty. Njëherë tjetër kam bërë një sixhade të porositur nga vetë Enver Hoxha, por s´e kam parë kurrë me sy, sepse nuk e di se ku ka përfunduar. Ndërsa, në rastin e skenës së festivalit të Gjirokastrës, kur mbaruam punë ne, grupi i piktorëve, përfunduam menjëherë në periferitë e festivalit. Kjo ishte më e pakta, sepse sa e sa herë kemi dëgjuar fjalët: “Do të përfundoni në burg me këto që na bëni”. Te një sixhade e bërë për Kuvendin Popullor, sekretarit të Presidiumit iu duk se gjeti ca kryqe të vegjël dhe, përmes tjerash, ma përmendi faktin se unë kisha studiuar në Poloni, në një vend katolik. Për fat, Kryetari tha se nuk i dukeshin si kryqe.

   Ç`rol ka luajtur në jetën tuaj bashkëshortja, polakja Danuta?

Shumë të rëndësishëm. Ajo ka qenë syri i parë që shikonte pikturat e mia dhe, meqë njihte preokupimet e lexonte të njëjtat libra si unë, gjithmonë më thoshte diçka. Edukata, kultura dhe kërkesat e saj të larta si mjeke, më krijonin një atmosferë të tillë ku unë e ndjeja veten si jashtë shteti. Mandej i kishim të njëjta edhe pëlqimet: lulet, kafshët, malet, detin. Qysh më 1994, kur ajo u nda nga jeta, nuk kam pikturuar më.

 

Çfarë do t´thoshit për vitet ´90?

Vitet ´90 nuk qenë diçka e papritur për mua: prej kohësh mendoja se si do të vinin ndryshimet, nga brenda apo nga jashtë. Në vitet´90 fillova të rilidhesha me ato gjëra që i kisha bindje, që i kisha brenda vetes, pa pasur nevojë t´i kërkoj gjërat larg. Nuk e ndjeja nevojën të bëhesha medoemos abstrakt. Në pikturat që punova në këtë kohë ndjehen motive të trajtuara prej kohësh, si natyra të qeta, Gjirokastra, por të trajtuara ndryshe, zhveshur nga çdo censurë e autocensurë. Nuk është e lehtë për një gjashtëdhjetëvjeçar që kishte kaluar tridhjetë vite si ato për të cilat fola, megjithatë gjatë kësaj kohe jam marrë me disa piktura. Disa prej tyre edhe janë ekspozuar, si në ekspozitën e parë kolektive në Galerinë private Te&Gi (ku janë blerë nga një i huaj dhe unë s´kam as fotot e tyre), si në paraqitjen artistiko-kulturore të Shqipërisë në Di të Francës. Ritmi i punës sime u pre, siç ju thashë, me vdekjen e gruas.

 

   Edhe gjatë kësaj kohe keni vazhduar me bocete të shumta?

Jo, kësaj here bocetet kanë qenë më të pakëta, pasi më jepte dorë liria e abstragimit.

 

   Kur mund të filloni të pikturoni përsëri?

Dua që kjo të ndodhë sa më shpejt, por jam i kushtëzuar nga rehabilitimi im shëndetësor.

 

Shpreh urimin tim dhe të gjithë simpatizantëve tuaj, që kjo të ndodhë sa më shpejt. Falemnderit për bisedën.

 

 

   Bisedoi: G. Krasniqi

 

 

 

Gazmend KRASNIQI

SI U BË NJË INTERVISTË

(OSE HOMAZH DANISH JUKNIUT)

 

 

1.

Pesë vitet e fundit të jetës së tij Danishi kaloi një sëmundje të rëndë, ku edhe në gjendjen më optimale, pati regjim shtrati, porse pa ia prekur mendjen asnjë hije turbullimi, gjë tepër munduese për një njeri që ka kërkuar gjithmonë të marrë më të mirën nga jeta, prandaj e ka pritur me ngulm rehabilitimin e shëndetit. Ai përmendte një foto të Renuarit, në të cilën piktori impresionist e ka lidhur penelin për dorën e paralizuar dhe vazhdon të pikturojë, çka tregon se është arti ai që e mban një artist të lidhur me jetën. E kujtova këtë histori për të treguar se pas rehabilitimit shëndetësor Danishi mendonte të punonte dhe jo të jepte intervista, të punonte dhe të mos fliste për punën, ashtu siç ishte bërë gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë artistike. Me sa di, intervistat nuk kanë qenë në natyrën e tij: njëherë një shkrimtar-gazetar ma pat shfaqur ankimin e vet për këtë natyrë të Danishit, gjë që për mua, sigurisht, s’përbënte asnjë habi.

A fliste Danishi? Piktori shkodran Franc Ashiku, njeri me kulturë dhe i shijes, më pat treguar se kur njëherë u përmend Van Ejk, Danishi nuk foli por bëri një poezi. (Çka të kujton shprehjen e Bodlerit se, të flasësh për pikturën moderne, është të bësh një poezi). Piktori i mësipërm më ka treguar një tjetër histori, se si pas një dite pune në Tiranë, Sali Shijaku, piktori më i famshëm i asaj kohe, i thoshte para hotelit: ia kishte lakmi që kishte fatin të rrinte me Danishin. Qysh herët, kam njohur njerëz që thoshin se duhen mbajtur shënim ato që thotë një pedagog si Danishi, kaq admirim zgjonte ai në  rrethe të caktuara, por ai vetë, si të gjithë njerëzit e ditur, kishte plot dyshime për konceptet, edhe të aprovuara, të dijes. Një ilustrim për këtë, bie fjala, është çasti kur thoshte gjëra si këto: s’kam parë as Egjiptin, as Greqinë.

Danishi i takonte asaj plejade intelektualësh e artistësh cilësorë, të cilët mbeteshin jashtë politikave kulturore të regjimit komunist, sepse ndërkohë ky regjim po i përgatiste kallëpet që i duheshin, por në rastin e këtij artisti kemi luftën e gjatë për të mos rënë pre e dëshpërimit, apo e heshtjes së plotë, siç ndodhi me shumë artistë e intelektualë të çmuar të kohës, përkundrazi në mendjen e tij kërkohej ndërgjegjësimi i pritjes së çastit ku thuhet fjala e fundit. Duket se një ide e tillë e ka shoqëruar deri në ditët e fundit, pasi kjo kohë përkoi me atë erë lirie që sollën proceset  demokratike ku u përfshi vendi ynë, megjithatë ai iku pa e thënë atë. Nuk e tha atë as atëherë kur i kërkova të komentonte fjalët e piktorit Edi Hila që “vetëm Danishi e dinte se nuk pikturohet kështu si pikturohet në Shqipëri”: jeta e çuar përmes censurës dhe autocensurës, nxori krye sërish, duke e shmangur edhe më tej shprehjen e drejtpërdrejtë të qëndrimit estetik në një vend dhe në një fushë ku mungojnë kritika dhe studimi i rangut të parë. Ilustrim i kësaj është edhe pyetja që më bëri kur kjo intervistë u botua në një gazetë të përditshme: hë, tha, ç’thonë për të?

I ndërgjegjshëm për ato që duhej dhe mund të thoshte, pas kësaj interviste, i thashë se do t’i sillja ca pyetje, për të cilat do të gjenim kohë për të biseduar më vonë: ngurroi si për të thënë po, si jo. Kjo ide nuk u realizua kurrë, sepse qeshë unë ai që nuk nguli këmbë si duhet: edhe bisedat e zakonshme, por me orë të gjata, ndikonin për keq në gjendjen e tij shëndetësore, sepse imagjinata e vënë në punë pas asaj jete inaktive shumëvjeçare, e linte pa gjumë gjithë natën vijuese, kur kishte nevojë të lehtësohej sadopak nga dhimbat. Kjo ishte kryesore për mua, pastaj vinte frika se do të vazhdonte të mos zbërthehej, si atëherë kur rrëfente në një mënyrë të fshehtë provokuese për atë piktorin rumun që kishte qëndruar gjatë para tablosë me punëtorët e h/c dhe në fund kishte thënë se ajo punë ishte gjithë kontradikta.

Mos kishte kontradikta midis temës së zgjedhur dhe mjeteve që përdoreshin për të mishëruar atë? Apo ishte diçka tjetër për të cilën ai s’donte të shprehej lehtësisht? Apo gjithë bukuria e një vepre arti qëndron tek ngritja e pyetjeve dhe jo tek nevoja e dhënies së një përkufizimi  të vetëm?

Rasti i Danishit është rasti i artistit që iku pa e thënë fjalën e fundit, megjithëse shumë gjëra të bindin se fara e saj pjellore rrinte brenda tij.

 

 

2.

Kam pasur rast ta vizitoj qytetin e Krakovit, por kjo ka ndodhur atëherë kur Danishi nuk jetonte më dhe nuk e patëm fatin të flisnim për atë kujtim që e kishte shënjuar thellë formimin e tij, çka, besoj, do të kishte zbuluar shumë gjëra për këtë artist.

Çfarë përfaqëson ky qytet? Në planin historiko-kulturor, qyteti i Krakovit ka një trashëgimi madhështore për gjithë atë pellg të Evropës Qendrore. Zona historike e Krakovit (kështjella Vavel), i cili qe për rreth 700 vjet kryeqyteti i mbretërve polakë, hyn në dhjetë sitet e para të mbrojtura nga UNESCO. Vetëm në vitin 1700 kaloi kryeqyteti në Varshavë, atëherë një fshat i panjohur.

Universiteti i Krakovit ka si datë krijimi vitin 1364, ndërsa vetë emri i qytetit lidhet me atë të Kopernikut dhe papa Vojtilës, si dhe me emrat e disa nobelistëve të shkencës dhe letërsisë.

E veçantë është edhe trashëgimia në fushën e arteve figurative: muzeu “Chartoriskij” zotëron njërën nga pak veprat që ka nxjerrë dora e mjeshtrit Leonardo da Vinci. Është fjala për të famshmen “Zonja me hermelin”. Ky muze zotëron edhe dy Rembrandë, por edhe disa emra të tjerë të njohur të artit europian. Koleksionet e artit egjiptian, etrusk, grek e romak, janë tjetër pasuri e tij. Jo larg këtij muzeu, ndodhet katedralja e “Shën Mërisë” me altarin e saj të rrallë, punuar në shekullin XV nga mjeshtri gjerman Vos, të cilën e analizon Gombrixh në veprën e tij fondamentale “Histori arti”.

Atë që ka ndodhur më pas, e përmbledh Galeria e Artit Polak të shek. XX, në Muzeun Kombëtar, Krakov. Ajo përmbledh vepra të viteve 1890-2005. Njëra nga sallat titullohet “Fundi i shekullit” dhe tregon klimën e krijimit të Polonisë së re, nën ndikimin e filozofisë së Niçes, Shopenhauerit dhe filozofit polak Prylyszewski. Një sallë tjetët titullohet “Drejt Francës”. Lavdia e Parisit, i njohur gjerësisht si kryeqytet botëror i artit, gjen shprehje në veprat e disa artistëve krakovitë. Në sallën pasuese, “Avangarda”, përmblidhen vepra që lidhin avangardën e para Luftës II Botërore me artistët modernë të pas Luftës. Disa nga avangardistët, të mbledhur te Grupi i Krakovit, i dhanë tonin artit të pasluftës në Poloni.

Duhet përmendur se Polonia ka njohur realizëm socialist vetëm gjatë vitit 1956, ndërsa gjatë gjithë periudhës tjetër, referencat me artin perëndimor kanë qenë të vazhdueshme.

Formimi në një qytet si ky, sigurisht, i vuri vulën edukimit artistik të një piktori me natyrë analizuese, që kërkonte përgjigje të kthjellët për atë që bënte.

 

Danishi e dinte se si në çdo fushë të jetës, edhe në art, një ditë “kërkohen vlerat”. Historia e artit na tregon se vlerat e gjejnë rrugën e vet në mënyrë organike. Në vitin 1905, kur hapej ekspozita retrospektive e veprës së Pol Sezanit, bota e mori vesh se ai piktor i mënjanuar e kryeneç, i vetëlarguar nga metropoli i artit, mund të përcaktonte drejtimin që duhej të merrte arti i shekullit XX.

Me këtë arsyetim, dua të them se Danish Jukniu është një piktor që meriton t’i ngrihet në këmbë krijimtaria, me tri etapat e saj të mëdha:

  • periudha që lidhet me shkollimin
  • periudha e përfshirë në realizmin socialist, ku ai qe pjesëmarrës i vazhdueshëm i ekspozitave kombëtare
  • periudha pas rënies së Murit të Berlinit, me largimin e censurës dhe autocensurës

Nëse do të arrihej kjo (këto vepra ndodhen në koleksionet e të afërmve të artistit, në koleksione të tjera private, në Galerinë Kombëtare dhe atë të Shkodrës), unë mendoj që do të arrinim në disa përfundime të rëndësishme për artin modern shqiptar të pikturës.

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.