STEFAN CVAJG
“Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”
Vepër autobiografike
Fragment nga kapitulli për Bernard Shoun
Në Londër pata kënaqësinë e veçantë e me të vërtetë të paharrueshme të takoja një ditë dy mendjet më të mprehta, Bernard Shoun dhe H. Xh. Uellsin, angazhuar në një diskutim të elektrizuar, por në pamje të jashtme kalorësiak e vezullues. Kjo ndodhi te Shou gjatë një dreke në rreth shumë të ngushtë, ku unë isha në gjendjen pjesërisht joshëse e pjesërisht mjaft të vështirë të një njeriu që s’dinte qysh më përpara se nga vinte në fakt ai tension i fshehtë midis dy patriarkëve, çka u vu re edhe në mënyrën si e përshëndetën njëri-tjetrin, me një familjaritet të fshikur nga një ironi e lehtë – midis tyre duhej të kishte pasur ndonjë mosmarrëveshje parimore që ishte sheshuar pak më parë ose që mendohej ta sheshonte ajo drekë.
Këto dy figura të mëdha, secila më vete lavdi e Anglisë, patën luftuar krah për krah gjysmë shekulli më parë në rrethin e “Fabianëve” për socializmin, që ishte asokohe ende i ri si dhe ata. Qysh nga ajo kohë, në përputhje me personalitetet e tyre tepër të veçanta, kishin marrë pak nga pak rrugë nga më të skajshmet: Uellsi, këmbëngulës në idealizmin e vet aktiv, duke punuar pa u lodhur për ëndrrën e tij lidhur me të ardhmen e njerëzimit, ndërsa Shou duke e parë gjithnjë e më shumë të ardhmen e të tashmen me atë skepticizmin e vet ironik, për të ushtruar në këtë mënyrë lojën e tij indiferente e zbavitëse të mendimit. Madje, me kalimin e viteve, edhe në pamjen fizike qe bërë gjithnjë e më i theksuar kontrasti midis tyre: Shou, tetëdhjetëvjeçari me një freski të pabesueshme, shtatlartë, i dobët, përherë i tendosur, i cili nëpër dreka e darka hante vetëm arra dhe fruta, gjithmonë me një nënqeshje therëse rreth atyre buzëve të gatshme për të folur, dhe i dashuruar më fort se kurrë pas fishekzjarrëve të paradokseve të veta, ndërsa Uellsi, shtatëdhjetëvjeçari i dashuruar pas jetës, më qejfli, më i këndshëm se kurrë, trupvogël, faqekuq dhe me një seriozitet të paepur në raste ngazëllimi. Shou, mësymës shkëlqimtar, i ndryshonte me shkathtësi e shpejtësi krahët e sulmit, ndërsa tjetri qëndronte në pozicionet e veta të forta të mbrojtjes taktike, i patundur siç është gjithmonë njeriu me besim e bindje.
Qysh në fillim pata përshtypjen se s’kishte ardhur vetëm për muhabet miqësor në atë drekë, por edhe për një lloj diskutimi parimor. Dhe pikërisht ngaqë s’i dija shkaqet e polemikës, isha më i ndjeshëm ndaj atmosferës së krijuar prej saj. Në çdo gjest, në çdo vështrim e në çdo fjalë të njërit e të tjetrit flakëronte një qejf për sherr, shpesh plot hare e megjithatë mjaft serioz. Ngjante sikur dy mjeshtër skerme, para se të sulen me furi kundër shoqi-shoqit, provojnë shkathtësinë e tyre me goditje të lehta. Më i shpejtë në mendim qe Shou. Nën vetullat kaleshe i vetëtinin sytë sa herë kthente përgjigje ose i shmangej ndonjë goditjeje; qejfi i tij për humor e për lojë fjalësh, ku qe bërë virtuoz i pashoq duke u ushtruar gjashtëdhjetë vjet me radhë, shtohej dhe shndërrohej në një lloj ekstaze. Mjekra e bardhë dhe e dendur i fërgëllonte herë pas here nga një e qeshur e lehtë therëse, dhe, duke anuar paksa kokën, dukej sikur ndiqte me sy pareshtur shigjetën që lëshonte, për të parë nëse kishte goditur në shenjë. Uellsi, me ato faqe të vogla kuqaloshe dhe me ata sy të qetë e të mbuluar, kishte më shumë mprehtësi dhe jepte goditje më të drejtpërdrejta; edhe ai zotëronte një shpejtësi mendimi të jashtëzakonshme, por s’jepte goditje aq rrëzëlluese, i pëlqente të godiste drejt, lirshëm, thua se gjithçka që nxirrte nga goja ishte e natyrshme. Replikat shkëmbeheshin me një shpejtësi aq të shkëlqyer, hidh e prit dhe prit e hidh, në dukje gjithmonë me ton shakaje, saqë spektatori i thjeshtë s’ngopej dot së admiruari atë ndeshje skerme, atë lojë xixëllimash, atë breshëri goditjesh e kundërgoditjesh.
Por prapa këtij dialogu të shpejtë e të zhvilluar gjithmonë në nivelin më të lartë, ndihej njëfarë mllefi intelektual, i cili, sipas mënyrës angleze, u përmbahej me fisnikëri normave të një dialogu që karakterizohet nga një mirësjellje e përsosur. Ajo që e bënte aq tërheqës diskutimin qe se aty kishte seriozitet në lojë dhe lojë në seriozitet, një kundërvënie e mprehtë midis dy karakteresh krejt të ndryshme njëri nga tjetri, një kundërvënie që merrte flakë vetëm në dukje lidhur me temën e debatit, por në realitet ishte e lidhur fort me shkaqe e stërshkaqe që unë s’i dija. Sidoqoftë, kisha parë dy kokat më të mëdha të Anglisë në një prej çasteve të tyre më të këndshme, por vazhdimi i kësaj polemike, që u botua në “Dhë nejshën” gjatë javëve të mëvonshme, s’më dha as një të qindtën e kënaqësisë që ndjeva gjatë atij dialogu plot temperament, sepse njeriu i gjallë dhe realiteti konkret nuk dukeshin më aq qartë prapa argumenteve abstrakte. Rrallëherë e kam shijuar aq shumë shkëlqimin fosforik të përftuar nga fërkimi i dy mendjeve, s’kam parë kurrë në ndonjë komedi – as më parë e as më pas – që arti i dialogut të ushtrohet me aq virtuozitet sa në atë rast, ku arrinte përsosurinë në mënyrë spontane, pa asgjë teatrale dhe në format më fisnike.
përktheu: Aristidh RISTANI
(Stefan Zweig: “Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”,
titulli i origjinalit: “Die Welt von Gestern – Erinnerungen
eines Europäers”, Botimet “SANTORI”, Tiranë 2012, 440 faqe.)
NO COMMENT