(fragmente nga një punim më i gjatë)
Rreth një “shkolle letrare”
Më 1937 Martin Camaj ishte seminarist dymbëdhjetë vjeçar. I përzgjedhur midis fëmijëve të shumtë, i fundit nga shtatë vëllezërit, tepër i brishtë për punët e rënda, misionarit i ra në sy kapaciteti i tij intelektual dhe e kërkoi të vazhdonte shkollën, përzgjedhje kjo që ka ndodhur edhe me Mjedën.[1] Dihet që Camaj fillimisht ka marrë edukim tek etërit jezuitë. Disa figura të shquara, që morën edukimin jezuit ishin: Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Anton Xanonin, Ndre Mjedja, Lazër Shantoja etj. Etërit jezuitë[2] meritojnë mirënjohje për lëvrimin dhe zgjimin që i bënë gjuhës dhe kulturës shqiptare. Sipas studiueses Edlira Macaj (Tonuzi)[3], “de jure” jezuitët nuk formuan një shkollë letrare, por “de facto” ka disa tregues që bëjnë të mendosh për një poetikë të jezuitëve, dhe kjo e parë në poetikat e poetëve të Shkodrës Mjedjes, Koliqit, Camajt dhe Zorbës, për të cilët mendohet se kanë krijuar një zinxhir poetikash të përafërta.
Do të shohim që këta autorë edhe pse kanë krijuar poetika të veçanta në llojin e tyre, kanë disa aspekte të përbashkëta që ndoshta buron prej edukimit në kolegjin jezuit:
- Ashtu si jezuitët, ata shkruanin për një elitë, për një numër të vogël e të zgjedhur lexuesish;
- Sollën në letërsinë shqipe kultin e trajtës;
- Rievokuan fjalët e rralla/ vjetra në veprat e tyre;
- Krijimet e tyre dallohen për koncentrim të mendimit, në kërkim të esenciales;
- Prej diktaturës përjashtohen nga sistemi letrar për 45 vjet;
- Krijuan të ashtuquajturën “poetikë të imazhit”;
- E zotërojnë në nivel të përsosur retorikën;
- I lidhë poetika e ngashërimit, mallëngjimit.
Në historinë e çdo letërsie është i zakonshëm afirmimi i shkrimtarëve të rinj nëpërmjet të vjetërve, siç është i njohur edhe procedimi i kundërt, afirmimi nëpërmjet mohimit të paraardhësve.[4] Harold Bloom-i në shkrimin e tij “Origjina e poetikës dhe fazat finale”[5], e sheh influencën poetike jo si një përngjasmim mes poetëve që vijnë njëri pas tjetrit; më së shumti i referohet faktit që pasardhësi është kryekreje borxhli ndaj paraardhësit, madje në njëfarë mënyre ai është i poseduar nga ai. Pra, pasaardhësit janë thjesht xhuxha që rrinë mbi supet e viganit. Ai shprehet se, poetët nuk duhet të shëmbëllejnë me etërit e tyre, dhe ankthi ndaj influencës nuk është fort i ndryshëm nga ankthi ndaj stilit. Gjersa influence poetike është medoemos keqkuptim, rimarrje e gabuar e lajtmotivit të dikujt, duhet pritur që një proces i tillë keqformimi dhe keqinterpretimi të prodhojë, fundja, shmangie në stil midis poetëve të fuqishëm.Vetëm një poet sfidon poetin si poet, dhe kësisoj vetëm një poet mund të bijojë një poet tjetër. Tek poeti-në-një-poet, poezia është gjithnjë tjetri, paraardhësi, prandaj një poezi kurdoherë është një njeri, ajo është kurdoherë Babai i Lindjes së Dytë të dikujt. Që të mund të gjallojë, doemos, poeti duhet të keqinterpretojë babanë, nëpërmjet aktit vendimtar të keqvlerësimit, që nënkupton rishikimin e atit zanafillor.
Sipas studiuesit Altimari, Martin Camaj është përfaqësuesi i fundit i kësaj tradite (jezuite – shën. ynë A.L.) kulturore të vjetër dhe të lavdishme shkodrane që nga shekulli i XVI e tutje ka shprehur gjithmonë gjatë shekujve një angazhim intelektual të prirë vazhdimisht ndaj mbrojtjes së identitetit historik dhe kulturor të kombit shqiptar, por në përputhje të plotë me drejtimet e mendimit, me lëvizjet dhe prirjet kulturore që vinin aty nga qendrat kulturore më të rëndësishme të Evropës.[6]
Etiketimet
“…kur jemi në lemë të letërsisë shqipe ku as rrymat a shkollat letrare “klasike” nuk janë në gjendje të pastër, e as një autor s’mund të përkufizohet lehtë në një “llogore” të vetme.[7]
Pa u stepur mund të pohojmë se Martin Camaj është një nga ata poetët e rrallë, fuqia e të cilit nuk buron prej përqasjes me të tjerë, por prej të qenit i vetëm në llojin e vet. Dikënd të ngjashëm si Camaj nuk e gjejmë në letërsinë shqipe, por mund të themi se Camaj ka qenë etalon matës për shumë të tjerë poetë pasardhës, tek të cilët ndihet dukshëm ndikimi i tij. Prej pothuajse të gjithë studiuesve që janë marrë me veprën e Camajt, vihet në pah heterogjeniteti formal edhe estetik i krijimtarisë së këtij autorit. Por edhe pse kështu, jo pak etiketime i janë mbiveshur atij, të cilat në një mënyrë apo në një tjetër, prej etiketuesve janë quajtur të duhura, madje të përligjura.
Por etiketimet gjithnjë kanë treguar se kanë karakter tranzitor dhe sinekdotik. Që kur themi “vepra e Balzakut është realiste”, kemi kryer aktin e parë rrafshues që sinekdoka kryen: pjesa për të tërën. Nuk mund të mohojmë faktin se, pavarësisht përpjekjeve të pafundme për të sjellë ato që quhen gjykime “të plota”, “tërësore”, “integrale” lidhur me një autor ose veprën e tij, në fund të fundit këto gjykime, në një vështrim nuk janë veçse sinekdotike, pra kur merret pjesa për të tërën.[8] Dukshëm Camaj nuk i preferon krahasimet, madje edhe kur e merr parasysh këshillën e T.S.Eliot kur thotë se:“Asnjë poet, asnjë artist i arteve, nuk ka domethënie të plotë vetëm për vete. Rëndësia e tij, vlerësimi i tij, është vlerësimi i raportit të tij me poetët e ndjerë. S’ke si ta vlerësosh vetëm; je i detyruar ta vendosësh, midis të ndjerëve, për hir të kontrastit dhe të krahasimit. Dua të them se ky është një parim i estetikës dhe jo vetëm i kritikës historike.”[9]
Vetë autori ka pohuar se: Për sa i përket gjuhës dhe formës më duket e drejtë me i shfrytzue shkrimtarët e kaluem, pse pa traditë nuk mund të krijohen vepra të mëdha. N’anë tjetër vetë landa shpesh herë ia çel rrugën formës. Si do t’a shifni në këto poezina në disa venda përdori vargun e lirë. Prej të kaluemes nuk mund të ndahemi me mur, siç thotë dhe Gjilas! Mandej më duket se origjinaliteti qëndron në të shiquemit e jetës nën nji prizëm të ri, në shfaqjen e mendimeve me krahazime dhe metafora të reja e jo të përdorueme me qindra herësh.[10]
E quajnë hermetik, por Camaj vetë e refuzon këtë cilësim më indinjatë dhe pranon vetëm se ka pasur një ndikim prej strukturaizmit klasik në gjuhësi. E quajnë modernist, por ai prapë i zmbraps kornizat dhe “klishenat” dhe madhështon kultin e Fjalës, pikërisht të Fjalës që modernistët vendosën ta destrukturojnë.[11] Etiketa “hermetik” mban polivalencën më të madhe, në një kohë që hermetizmi[12] është më tepër shprehje e ndikimit të jashtëm në letërsinë shqipe sesa një vlerë e saj.
Të definosh diçka thotë Borgesi do të thotë të mos dish asgjë për të. Definimet nuk bindin askënd. Vetë “shtimja në kallëpe” e trishtonte Camajn, i cili nuk pranonte se ishte hermetik, por më tepër simbolist. Në sajë të njohjes së kontekstit jetësor e të kontekstit intelektual e artistik të autorit, në sajë të pikëtakimeve të atykëtushme të kodit të tij ligjërimor me shenja të komunikimit universal e konvencional, arrijmë të kemi një komunikim me veprën e tij, qoftë edhe nëpërmjet dekodimit të nivelit të ulët të domethënies. Sigurisht që fama e hermetikëve italianë mbërriti edhe tek Camaj, por ky ndoshta qe një ndikim prej shkrimtarëve më të lexuar të kohës, që nuk u shtri më tej për t’u bërë qëllim në vetvete.
Do të donim ta shihnim Camajn përtej çdo shkolle dhe etiketimi, përtej kufizimeve që këto paraqesin, duke e trajtuar atë “të lirë” në vetvete sepse çdo përcaktim terminologjik për karakterin e letërsisë së tij do të ishte një kufizim.”[13] Njësohemi me mendimin e S. Fetiut, kur thotë se krijuesin e mirë nuk mund ta bëjë zap asnjë metodë dhe asnjë drejtim. [14] Ai u largohet traditave, shkollave dhe estetikave më të realizuara shqipe dhe të huaja, duke u modeluar si një rast i veçantë dhe krejt i vetëm. Për autorin tonë, e rëndësishme është me shkrue.
Me shkrue
“Kam me të dashtë përjetë edhe mbas vdekjes
Sepse unë nuk due të vdes por kam me vdekë…”
(Paskajore, S. Hamiti)
Në mars të vjetit 1992, nji ditë Camaj i tha bashkëshortes “Tash ia arrita. Me gjuhën time mund të shpreh krejt se ç’due me shprehë.”[15]
Raportin e Camajt me gjuhën shqipe e shpreh më së miri poezia e Sabri Hamitit “Paskajore” e cila mban si nëntitull “Dashunia paskajore me shqipen”. Camaj ishte “larg atyne që flasin si unë”, por gjuha e mëmës i rridhte:
“Fshehtë, nën kapët e syve
në labirint
një rrymëz uji pa valë, e qetë,
gjuhë e vetmueme.”[16]
Sipas H.J. Lanksch[17], Camaj ishte gjuhëtar me pasion dhe shkrimtar me obsesion. Ai do të punojë fort me gjuhën shqipe, dhe sidomos me dialektet. Duke e vëzhguar më nga afër gjuhën e veprave të Camajt, mund të dallohen tri tipare themelore: pasuria e madhe leksikore, që shprehet në fjalorin e gjerë e të larmishëm të veprës së tij; novatorizmi gjuhësor, që shfaqet në krijimet e shumta të fjalëve e shprehjeve të reja dhe përpjekjet kodifikuese në fushën drejtshkrimore e gramatikore. Në drejtim të pasurisë gjuhësore, vepra e Martin Camajt është dëshmi e gjallë e njohjes së thellë të thesarit popullor dhe punës së tij të pareshtur në lëmin e gjuhës.[18] Gjuha e tij është gegërishtja letrare, e lëvruar nga shumë shkrimtarë e poetë të tjerë para tij. Por, megjithëse ishte një bir i anëve të Malësisë së Veriut, që gjuhësisht shkon me gegërishten veriperëndimore, me një traditë të fuqishme letrare, ai nuk u prir drejt trajtave nëndialektore, që do ta vështirësonin leximin e veprës. I ndërgjegjshëm për dimensionet mbarëkombëtare të veprës së tij, ai u përpoq me sa është e mundur, të kuptohej nga një masë sa më e madhe lexuesish, nga Veriu e nga Jugu. Për këtë qëllim, në shumë raste iu shmang trajtave nëndialektore. Ja përse gjuha e Camajt, për nga drejtshkrimi e trajtat gramatikore, është një gegërishte letrare e kodifikuar me prirje afrimi ndërdialektor.[19] Ai i njihte fort mirë të githa varietetet e gjuhës shqipe. Nuk do të kishte pasë telashe me shkrue tosknisht apo unjisuemisht. As nuk shkruente gegnisht për shkak të njifarë komoditeti ose të të kenët i mësuem me gegnishten. Camaj e përdori gegnishten në bazë të nji vendimi dhe vullneti të kjartë e të vetdijshëm – me luftue për gegnishten[20].Camaj nuk la pasdore as dialektin tosk, vihen re fjalë të tilla si, mejtohem, mejtim, gëlltit, vetëdijës, një cikëz, pakëz, llafos etj. Me këtë gjë ai kërkon të dëshmojë se vetëm kështu mund të krijohet njësia gjuhësore kombëtare, dhe vetëm kështu mund t’i afrohet edhe lexuesit jo gegë. Në shkrimin “Mërgimi i gjuhës”, Camaj njëjtësohet me shkrimtarin francez Georges Arthur Goldsmith kur thotë se: “Gjuha amtare âsht në fund të fundit kumbimi i formave qi fëmija zbulon për heër të parë. Gjuha amtare âsht frymëmarrja e veçantë e trupit njerëzor, âsht pragu për te elementat e hapsinës.”[21]
- NËPËR POETIKË
[…] gjatë çdo periudhe, një apo dy njerëz gjenialë zbulojnë diçka dhe e shprehin atë. Kjo mund të shprehet vetëm me një varg të vetëm apo me dy vargje, apo me një cilësi të posaçme të kadencës; mandej një dyzinë apo dyqind , apo dy mijë a më shumë pasues e përsërisin, e zbusin a e modifikojnë të njëjtën.[22] Çfarë zbuloi Camaj që krijoi një vepër kaq esenciale?! A themeloi ai një “teori/praktikë” shkrimi që i përkiste vetëm atij dhe me të cilën identifikohej/et?! Si e gatoi Camaj gjithë brumin letrar, çfarë “recete” përdori? Në këtë kapitull, do të jemi në kërkim të kësaj “recete” letrare, të atyre përbërësve të fshehtë që mbajnë në këmbë gjithë veprën (camjane).
Mbi historinë e një “recete”
Vetë termi “recetë”[23] përmban brenda vetes edhe dy nënterma të tjerë: mënyrë edhe udhëzim. Të cilat në aspektin tonë konvertohen në: mënyra sesi një autor e ndërton lëndën letrare, se si e krijon një vepër, teknika që përdor; dhe udhëzimet apo “shkeljet e syrit” që teksti i bën lexuesit, që ky i fundit t’ia zbulojë edhe skutat më të errta. Rastis që termi “recetë” në skutat e tij më të thella mund të shihet edhe si “poetikë”. Për ta parë “poetikën” si “recetë” dhe “recetën” si “poetikë”, duhet që fillimisht të dimë ç’është njëra dhe ç’është tjetra. Meqë kuptimi i recetës (i parë si poetikë) u dha, mbetet ai i poetikës, që pa silogjizma është i mëposhtmi.
Për të hetuar njësinë dhe ndryshueshmërinë që pësojnë veprat letrare zakonisht i referohemi poetikës, e cila si objekt studimi ka ligjëratën letrare, parë si një parim prodhimi të një numri të pambaruar tekstesh[24]. Ajo elaboron instrumente që bëjnë të mundur analizën e këtyre veprave. Nëse për gjuhësinë objekt do të jetë vetë gjuha, për poetikën do të jetë ligjërata. Aristoteli[25] la tekstin e parë sistematik dhe asnjë tekst tjetër nuk mund të krahasohet për nga rëndësia historike me Poetikën e tij: në njëfarë mënyre e gjithë historia e poetikës është vetëm riinterpretim i tekstit të Aristotelit. Që prej shekullit XX poetika po tenton të bëhet një disiplinë teorike autonome. Për termin “poetikë” nga tradita trashëgojmë këto kuptime[26]:
- shënon në radhë të parë çdo teori interne të letërsisë;
- është zgjedhja e bërë prej një autor në çështje të tematikës, kompozicionit dhe stilit;
- u referohet kodeve normative të ndërtuara nga një shkollë letrare, bashkësi rregullash praktike, përdorimi i të cilave bëhet i obligueshëm.
Por poetika nuk kërkon që ne të dimë kuptimin e një vepre; detyra e saj është të interpretojë çdo lloj pasoje që vërtetohet, për shembull, që një mbarim është më i suksesshëm se një tjetër, që kjo ndërthurje pamjesh në një poemë ka kuptim ndërsa një tjetër jo. Për më tepër, një pjesë thelbësore e poetikës është një shpjegim se si ia bëjnë lexuesit për të interpretuar veprat letrare, cilat janë marrëveshjet që i aftësojnë ata t’i kuptojnë veprat ashtu siç e bëjnë.[27] Poetika do të përcaktohet kështu si përpjekja për të shpjeguar pasojat letrare duke përshkruar marrëveshjet e veprimet lexuese që i bëjnë të mundura. Ajo është e lidhur ngushtë me retorikën, e cila që nga kohët klasike ka qenë studimi i burimeve bindëse dhe shprehëse: teknikat e gjuhës dhe mendimi që mund të përdoren në ndërtimin e ligjërimeve të dobishme. Poezia është e lidhur me retorikën: ajo është gjuha që përdor pa masë figurat letrare dhe gjuhë që synon të jetë fuqimisht bindëse.
Studimin e poetikës dhe në veçanti të stilit të autorit do ta shohim si ndihmë për të zbërthyer e kuptuar veprën letrare. Në të gjitha nivelet e saj, vepra e Camajt paraqitet si një strukturë e hapur, tek e cila mund të hysh vetëm falë (ri)leximeve.
Rrëmime mbi poezinë
“Është qesharake që përmes modestisë, dyshimit apo kujdesit të pretendosh ta anashkalosh aktin e instituimit që themelon çdo shkrim: kemi të bëjmë me shenja të koduara, si të tjerat: ato nuk mund të garantojnë gjë. Shkrimi shpall dhe pikërisht për këtë ai është shkrim.”[28]
Ligjërimi i Camajt është natyrshëm i kuptueshëm dhe i identifikueshëm si i tij, sepse ky ligjërim artistik “individual” është kthyer në diskursivitet. Ai nuk ngatërrohet kollaj me të të tjerë autorë sepse ka krijuar aurën e tij ligjërimore. Eco këtë ligjërim të personalizuar do ta quajë ndryshe idiolekt[29], të cilin e sheh si kodin e veprës, prej nga lindin imitimet, shprehjet stilistike dhe normat e reja. Kjo do të jetë ligjshmëria strukturore e një vepre. Këtu na kujtohet edhe koncepti i dominantes, i përdorur prej formalistëve rusë (R. Jakobson), e cila shihej si elementi më i rëndësishëm i një vepre arti, element që përcakton, drejton dhe shndërron elementet e tjera. E kemi konceptuar veprën e Camajt si një strukturë funksionale, e cila herë pas herë pëson ndryshime të brendshme; domethënë, forcën e saj e ka në lëvizjen e strukturës dhe në aftësinë e pjesëve për t’u lidhur vetvetiu.
Qëllimisht po i theksojmë këto fjalë-kyçe, sepse po flasim për ndërtimin e veprës letrare, e cila dëshmon diçka unike, të papërsëritshme: stilin. Për termin stil dihet që prej fillimeve në botën latine dhe deri tek stilistika dhe estetika e sotme nuk ka patur një histori homogjene. Por diçka është e përbashkët në këto mendime të ndryshme, se termi vinë nga vegla stilus, dhe bëhet sinonim i shkrimit, i mënyrës së të shprehurit në letërsi.[30] Camaj do të gjejë një mënyrë për t’i dhënë formë veprës letrare, të pangjashme me paraardhësit. Më lart përmendëm se prej margjinave të sistemit letrar Camaj do të zhvendosej në qendër të tij, dhe kjo për disa arsye. Mbi të gjitha, sepse, vepra e tij dëshmon diçka të pa parë më parë në këtë sistem letrar. Që e meritoi këtë vend/pozicion çfarë rruge krijuese ndoqi Camaj? Do të donim t’i jepnim përgjigje kësaj pyetje të rëndësishme, duke ndjekur hap pas hapi krijimtarinë, të parë si një fakt dëshmues për arritjen e vlerave të merituara. Kjo vepër dëshmon të jetë e bukur dhe me vlerë, sepse duke nxjerrë “lakuriq makinacionet e epërme të stilit” [31] do të shohim që nga njëri vit (botimi) në tjetrin ajo do të marrë dhe do të lërë modele dhe norma të shpërndara në “detin e intertekstualitetit”[32], për t’i dhënë jetë diçkaje origjinale.[33] Zakonisht, folësit e një gjuhe e kanë aftësinë e të përdorurit të gjuhës në mënyrë krijuese, duke krijuar fraza që nuk i kishin dëgjuar më parë[34]; por shkrimtarët e kanë shumë herë më të lartë këtë aftësi sepse ata i afrohen gjuhës si (ri)krijues të saj. Dhe prandaj, sido që secila prej veprave të ndryshme të një shkrimtari synon një origjinalitet të papërsëritshëm, është e mundur të shohësh stilin vetjak të këtij artisti në secilën prej veprave të tij.[35]
Çdo vepër e parë më vete shpërfaq një stil të sajin, ndryshe do të flisnim për “Kanga e vërrinit” dhe ndryshe për “Palimpsest” apo “Njeriu më vete e me të tjerë”. Nga njëri vëllim në tjetrin Camaj ka ribërë gjithnjë e vazhdimisht vetveten. Ky kapërcim i vazhdueshëm i vetvetes për të mbetur përsëri i njëjtë (dhe i vetëm në llojin e vet!), padyshim përbën vlerë.
Nga faza e parë në të tretën, shohim një evoluim të ligjërimit/ shprehjes poetike që njëkohësisht është edhe një evoluim i mendimit mbi ligjërimin, përderisa vetë autori ka zgjedhur t’i modifikojë poezitë e fazës së parë, për të cilat do të kishte dashur më mirë të mos i shkruante. Me ligjërim[36] në këtë pikë do të kuptojmë mënyrën e mbarështimit të materies gjuhësore në një tekst letrar, apo komunikim gjuhësor[37]. Poezia mbetet të jetë një marrëveshje ligjërimore: një marrëveshje e cila thërret në “lojë” dhe organizon struktura gjuhësore sipas një ligjësie që ka në thelb shkeljen e normës. Dhe kjo normë s’është gjë tjetër veçse një strukturim i dykuptimtë në raport me kodin.[38]
I vetëdijshëm për çfarë ka shkruar, Camaj shprehet: Forma ka ndërrue prej Poezive (1953-67) vazhdimisht. Ka ndërrue edhe gjuha, sepse e kam ndjekë zhvillimin e saj edhe pse gjuhën e kam si zanat. Këtu mundet me u thanë se unë jam përpjekë të ndjek këtë zhvillim edhe në shkrimet e mia. Pjesë kryesore e formës sidomos në poezi ashtë gjuha vetë; ajo është jo vetëm ngjyra e veprës letrare, por edhe përmbajtje.[39] “Vepra ime e parë quhet Nji fyell ndër male që çmohet fort në Kosovë: këtë libër e mbaj si ekseperiment të parë dhe kam dashtë ta shpallë si jo timin, të hjek dorë prej tij. Mirëpo kur ia shfaqa këtë Arshi Pipës, më tha: “Martin, kur një fëmijë asht i yti, s’duhet ta shpallësh kurrsesi “kopil”! Dhe kështu hoqa dorë nga ky mendim.”[40]
Duke dashur të japë evolucionin historik të lirikës shqiptare, Koliqi mendon se ajo buron prej poezisë popullore, por pagëzimin e saj të vërtetë e ka me poemthin “Gjella e Shën Mëris së virgjër” të Lekë Matrëngës. Ai ndalet edhe në prirjet që kanë karakterizuar së fundmi lirikën shqiptare, të cilat shkojnë drejt futurizmit dhe hermetizmit. Këta poetë, mes të cilëve klasifikohet edhe Martin Camaj, krijojnë një lirikë që synon esencialen, dhe shmang çdo mveshje retorike. Lirika e Camajt do të mbetet në kufinin delikat midis thirrjeve të traditës patriarkale e truallit përrallor e legjendar të maleve t’vendlindjes, dhe mirazhir të miteve moderne që e tërheqin, tue e mundue, shpirtin e t’rijve.[41]
Nji fyell ndër male (1953) dhe Kanga e vërrinit (1954), dy veprat e para të Camajt të botuara në Prishtinë do të mbeten “bërthamë e përjetshme e poezisë së tij të mëvonshme”.[42] Teksa bën analizën e titujve të dy vëllimeve, Hamiti pohon se, si Fyelli dhe Kanga lidhen me figurën e Malit, prej së cilës nuk u nda as Fishta me Lahuta e Malcis dhe as Koliqi me Hija e Maleve. Por nëse Lahuta e Fishtës të çon tek epika, Fyelli dhe Kanga e Camajt të çojnë tek lirika. Libri i parë i Camajt, Nji fyell ndër male, ka trajtën e një poeme lirike me temë themelore dashurinë, e me personazhet Lulin e Zanën.
Libri “Kanga e vërrinit” ku gërshetohet vjersha me varg të rregullt strofik me atë me varg të lirë dëshmohet për kërkim dhe origjinalitet. Libri merr ç’ka më të mirë nga libri i mëparshëm dhe përcjell atë shumëllojshmëri vargu e ritmesh që do të zotërojë në vëllimet e ardhshme. Libri reflekton esencialen e modernitetit të poezisë paraardhëse dhe bëhet pikënisje për kërkime të reja, eksperimentime të ndërthurjes së prozës me poezi.[43] Tek libri Kanga e vërrinit, vjersha nis të ndryshojë strukturalisht, duke anuar edhe kah temat sociale. Mirëpo, në të dy librat, që në tituj të vjershave, zotëron një dëftim karakterizues i formës: Tingujt e parë, Tingujt e muzgut, Kanga në mesditë, Balada mbi rrasë, Kanga e korrtares. Edhe më insistues është gjakimi për të treguar një ndodhi, që shpallet si prosede edhe në titujt e vjershave, në trajtën: Tregimi i vajzës, Kallximi i blegës së vjetër.[44] Sipas Hamitit, edhe në variantet e mëvonshme të këtyre vjershave të fillimit, nuk duket ndonjë ndryshim thelbësor i substancës poetike. Provohet shndërrimi i tregimit përshkrues e retorik kah abstragimi i figurës: i vargut tradicional kah vargu i lirë. Malli për transformime poetike Camajt nuk do t’i shuhet asnjëherë, për të njohur modele të hershme e për të gjetur modele të reja, mirëpo substancë poetike duket që ka mbetur kjo e fillimit në librat e parë. Prej këndej duken kaq të rëndësishëm për gjithë veprën e tij poetike. Kjo do të vërehet edhe më vonë kur Camaj bëhet stilist më i kultivuar. Figurat elementare, do të mbeten zbulime e të paprekshme edhe në modelimet formale të mëvonshme. Pra, karakteristikë e pandryshueshme dhe identifikuese e poezisë së Camajt nuk do të jetë vetëm fakti që përsoset nga njëri vëllim në tjetrin, apo nga njëri variant në tjetrin, por edhe ajo substancë imanente, që mbetet aty, dhe që shumë studiues e kanë parë si një mosshkëputje prej truallit të lindjes apo disa të tjerë (studiues të huaj) si një përmasë idilike. Poeti është në proces ndryshimi, e kjo nuk kërkon medoemos shkëputje nga e shkuara. Camaj, sikurse jezuitët, synon përsosjen formale të poezisë.
[1] Koçi Petriti. Në poetikën e Martin Camajt, Dita, Tiranë, 1997, f.12.
[2]Punuan fort për të dhënë me argumente shkencore të vërtetën e origjinës ilire dhe duke zhdukur sakaq legjendat joshkencore, të pabazuara në dëshmi konkrete; edukuan breza të tërë duke i njohur me thesaret më të çmuara të letrave klasike dhe perëndimore; studiuan gjuhën shqipe (por jo frazeologjinë[2]), kërkuan fjalë të rralla në popull dhe fjalorë të ndryshëm; patën si kodifikues kryesor të rregullave të tyre Anton Xanonin, i cili në veprën “Prîsi në lamë të letratyrës”, përcaktoi normat kryesore që duhen ndjekur për të shkruar hijshëm, ndër të cilat ishin: purizmi në stil do të shtyhej deri në fanatizëm; fjalët duheshin zgjedhur me një kujdes të madh. Sa më e vjetër fjala, aq më e çmuar ishte; shtrembërimi i panevojshëm i gjymtyrëve të fjalisë dhe prishja e rendit të fjalive në periudhë. Kjo bëhej për t’i dhënë poezisë tonalitet klasik; varg të preferuar kishin 11-rrokëshi, falë të cilit poezia përftonte një muzikalitet të ri dhe një fuqi shprehjeje më të madhe; i kushtuan rëndësi sinonimeve të gjuhës; punonin për një kohë të gjatë me “krijesat” e tyre, për të mos i lëshuar kollaj nga duart – mbi të gjitha kishte rëndësi trajta. Kjo ishte një karakteristikë e të gjithë jezuitëve. I dhanë kulturës shqiptare një poet të kalibrit të lartë – Ndre Mjedjën. Ernest Koliqi, Vepra 5, Dy shkollat letrare shkodrane, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f.34.
[3] Edlira Macaj (Tonuzi). Poetika e Mjedjes dhe shkolla jezuite, Tezë doktorature, Tiranë, 2015, f. 210.
[4] Dhurata Shehri. Koliqi mes malit dhe detit, Onufri, Tiranë, 2006, f. 115.
[5] Harlod Bloom. Origjina e poetikës dhe fazat finale, në Poezi anglo-saksone e shek.XX, përthyen: G. Krasniqi, A. Qazimi, Albin, Tiranë, 2003,f.15.
[6] Francesco Altimari. Profili bio-bibliografik i M. Camajt, në Jeta e Re, numër kushtuar Martin Camajt, Prishtinë, 1996, f. 45.
[7] Dhurata Shehri. Koliqi mes malit dhe detit, Onufri, Tiranë, 2006, f. 115.
[8] Eljon Doçe. Studim monografik për veprën e Migjenit, Tezë doktorature, Tiranë, 2014, f. 15.
[9] T. S. Eliot. Tradita dhe talenti individual, Vatra, Shkup, 2003, f.19.
[10] Martin Camaj. Tri letra të Martin Camajt dërguar Krist Malokit, Phoenix, nr.3-6, Shkodër, 2000, f.21.
[11] Shaban Sinani. Camaj i paskajuar, Qendra e studimeve albanologjike, Tiranë, 2011, f.27.
[12] “Hermetizmi është një lëvizje poetike e lindur në Itali në fillim të shek.XX duke pasuar lëvizjen e famshme futuriste ku u shprish qëndrimi klasik ndaj formës së vargëzimit. Më 1919 Giuseppe Ungaretti u bë udhëheqësi i kësaj rryme për t’u pasuar nga Salvadore Quasimondo dhe Eugenio Montale në një treshe poetike që dominoi shekullin për nga novatorizmi i vargëzimit, strofimi, koncentrimi I mendimit në pak fjalë, shmangia e rimave dhe receptimi i “efektit shok”, nga fjala e zhveshur nga paradigmat, duke u aktualizuar në një ferment tepër personal, duke u bërë poezia vetë një akt besimi, një përcjellje me funksion tërësisht artistik dhe njëherësh jetësor ku autori është argument dhe subjekt i mbyllur dhe njëkohësisht i hapur ndaj kuptimeve, ndaj domethënieve nga më paradokset në historinë e artit.” Leka Ndoja. Hermetizmi në letërsinë shqipe , Pakti , Tiranë , 2012, f. 4. “Shkrimi i parë kritik përsa i përket poezisë hermetike është bërë më 1936 nga Francesco Flora i titulluar “La poesia ermetica”, ku përcaktoheshin karakteristikat e poezisë hermetike e cila ishte e mbyllur, e paarritshme dhe e pakuptueshme. Kishte një lloj paaftësie të lexuesit për ta kuptuar dhe për të depërtuar në këtë poezi, duke qenë se atij i mungonte çelësi i interpretimit për të zbuluar domethëniet e fshehura qëllimisht.” Dumontet, Livia. L’ermetismo, Contesto storico, I temi, il linguaggio, gli autori.(http.//ëëë.l’ermetismo.com)
[13] Shaban Sinani. Miti i “idesë” në vend të kultit të heroit, (S.F. 1998, 3-4, F.29). Cituar sipas Eljon Doçe. Studim monografik për veprën e Migjenit, Tezë doktorature, Tiranë, 2014, f. 11.
[14] Sefedin Fetiu. Cit. sipas: Vjollca Osja. Aspekte të ligjërimit në poezinë e Mjedjes, Poradecit, Nolit dhe Migjenit, Elve, Tiranë, 2014, f. 5.
[15] H.J.Lanksch. Kujtime për Martin Camajn, Mehr Licht, Nr, 29, nëntor 2006, f. f.248.
[16] Martin Camaj. Vepra poetike, Onufri, Tiranë, 2017, f.371.
[17] H.J.Lanksch. Kujtime për Martin Camajn, Mehr Licht, Nr, 29, nëntor 2006, f. f.248.
[18] “Këtë e provon fjalori i tij, që është nga më të pasurit, fjalët e shprehjet e rralla, që ai i kishte qëmtuar në vendlindje , nga të cilat vëmë në dukje emrat: çakël, gorraç, gulf, gjamatar, hep, kularëz, lerth, lëpeth, lëpizë, lëpushtër, mëngji, mis, ngatërr, qezë, rovë, rëmore, rogë, spetull, strugë, shqetkë, shqimth, tebanë, tutel, thrap, zhaurimë;mbiemrat: i cokatun, krekcar, i lëbyrët, e lëkuqme, i plajtë, i thukët, i vishkullt; foljet:grafulloj, hurp, kaploj, lavar, mballoj, përdij, përspjet, syzoj, zbruj; ndajfoljet: atëbotë, gjithnduersh, nergut, plym, prishakandas, strukshëm etj. Këtyre vijnë e u shtohen shprehjet e shumta popullore… “ Kolec Topalli. Vepra e Martin Camajt në aspektin gjuhësor, në Martin Camaj, Tradita dhe bashkëkohësia, Universiteti i Shkodrës, Shkodër, 1994, f.85.
[19] “Shkrimi i rregullt i zanores ë ka pasur si rezultat përdorimin mjaft të rrallë të apostrofit, duke u larguar ndjeshëm në këtë pikë nga paraardhësit e tij, që kanë shkruar në të njëjtin dialekt. Ai nuk përdor as theksin hundor, që siç dihet, është karakteristik për shkrimet gege. Madje, në veprën e tij janë shumë të rralla edhe theksat e tjerë, që i gjejmë te paraardhësit e tij, sidomos për të shënuar në raste të veçanta kuantitetin e zanoreve. Me këtë veçori ,ai dha një shembull të qartë sesi mund të shkruhet gegërishtja pa theksa e shenja të tjera, duke kapërcyer kështu një vështirësi të ndjeshme të drejtshkimimit të saj.” Kolec Topalli. Vepra e Martin Camajt në aspektin gjuhësor, në Martin Camaj, Tradita dhe bashkëkohësia, Universiteti i Shkodrës, Shkodër, 1994, f.88.
[20] H.J.Lanksch. Kujtime për Martin Camajn, Mehr Licht, Nr, 29, nëntor 2006, f. f.248.
[21] Martin Camaj. Mërgimi i gjuhës, Phoenix, nr.4-6, Shkodër, 2002, f.201.
[22] Ezra Paund. Si të lexohet, ese angloamerikane, zgjodhi dhe përktheu: Sazana Çapriqi, Art Club, Ulqin, 1996, f. 13.
[23] “Recetë f.sh. 1. Fletë e vogl, ku mjeku shënon llojet e barnave, mënyrën si të përgatiten në farmaci dhe si të përdoren nga i sëmuri për t’u mjekuar. Receta e mjekut. Recetë ilaçesh. Pranimi i recetave. Lëshoj (i bëj) një recetë. Marr me (pa) recetë. 2. Udhëzim për mënyrën se si përgatitet a gatuhet diçka. Recetë gjellësh. Recetë për përgatitjen e një shurupi. 3. Fig. mënyrë ose udhëzim se si duhet zgjidhur diçka a si duhet vepruar në një rast; zgjidhje e gatshme për një çështje. Recetë e gatshme. Nuk mund të jepet një recetë. Nuk duron receta.” Fjalori elektronik shpjegues i gjuhës shqipe.
[24] Osvald Dykro. Cvetan Todorov. Fjalor enciklopedik i shkencave të ligjërimit, përkth. Rexhep Ismajli, Rilindja, Prishtinë, 1984, f.118.
[25] “Aristoteli e ndau retorikën nga poetika duke trajtuar retorikën si artin e bindjes e poetikën si artin e imitimit a përfaqësimit. Traditat e mesjetës e Rilindjes gjithsesi i përvetësuan të dyja: retorika u bë arti i gojëtarisë dhe poezia (ngaqë përpiqet të mësojë, të japë kënaqësi e të lëvizë) ishte një shembull i epërm i këtij arti. Në shek. XIX retorika filloi të shihej si mjeshtëri e ndarë nga veprimtaritë e mirëfillta të mendimit apo të parafytyrimit poetik e filloi të nënçmohej. Në tevonën e shek.XX retorika është kqyrë si studim i pushteteve ndërtuese të ligjërimit.” Xhonatan Kaller. Teori letrare, Një hyrje shumë e shkurtër, Era, Prishtinë, 2001, f.77.
[26] Osvald Dykro. Cvetan Todorov. Fjalor enciklopedik i shkencave të ligjërimit, përkth. Rexhep Ismajli, Rilindja, Prishtinë, 1984, f.117.
[27] Xhonatan Kaller. Teori letrare, Një hyrje shumë e shkurtër, Era, Prishtinë, 2001, f.70.
[28] Roland Barthes. Aventura semiologjike, përkth. R. Ismajli, Rilindja, Prishtinë, 2008, f. 207.
[29] Umberto Eco. Struktura e papranishme, Fryma, f.78.
[30] Umberto Eco. Për letërsinë, Dituria, Tiranë, 2010, f. 156.
[31] Po aty, f.158.
[32] Po aty.
[33] “A writer may be said to use language creatively [a] if makes orginal use of the established possibilities of the language; and [b] if he actually goes beyond those possibilities, that is, if he creates new communicative possibilities which are not already in the language.” Geoffrey N. Leech. A linguistic guide to english poetry, Longman, London and Neë York, 1969, pg. 24.
[34] “…as a speakers of English, have the capability of using language “creatively” in the purely linguistic sense of making up the sentences which we have never heard uttered before.” Geoffrey N. Leech. A linguistic guide to english poetry, Longman, London and Neë York, 1969, pg. 25.
[35] Umberto Eco. Për letërsinë, Dituria, Tiranë, 2010, f. 156.
[36] “Diskursi nëpër kohë ka evoluar, duke marrë dimensione të reja. Në teorinë e tij, Michel Foucault, fokusohet në dy mendime: së pari, ligjërimi është fenomen historik, dhe më tej, konsiston në një rregullshmëri modelesh, të cilat pastaj e përcaktojnë një objekt, duke theksuar konceptin e së vërtetës, sepse letërsia është përdorim ekspresiv i gjuhës par excelance dhe si e tillë duhet të trajtohet brenda letërsisë. Pra, përgjithësisht koncepti i ligjërimit (diskursit) mbështetet në përdorimin e gjuhës dhe funksionimin e saj, mbarështimin dhe mënyrën se si realizohet. Pra, në fusha të veçanta të dijes letrare dhe veçanërisht të letërsisë teoria për diskurset apo ligjërimin, po mbulon përmasa semantike të ndryshme teorike-letrare, stilistike, gjuhësore, përmasa polisemantike të cilat shfaqen sikundër në ndërtimin e tekstit letrar si krijesë gjuhësore, me shenja të veçanta funksionimi në një vepër të veçantë letrare apo në nivel të korpusit më të gjerë letrar, të një letërsie nacionale, ose letërsisë së përgjithshme, ashtu edhe në kontekstin e empirisë letrare.” Ndue Ukaj. Retorika – evoluim i mendimit mbi ligjërimin, aksesuar në https://ndueukaj.ëordpress.com/retorika-evoluimi-i-mendimit-mbi-ligjerimin/
[37] Ndue Ukaj. Retorika – evoluim i mendimit mbi ligjërimin, aksesuar në https://ndueukaj.wordpress.com/retorika-evoluimi-i-mendimit-mbi-ligjerimin/
[38] Vjollca Osja. Vep.cit. f.51.
[39] Martin Camaj. Jam e kundërta e realizmit socialist, Gazeta shqiptare, e diel, 15 maj 2011.
[40] Martin Camaj. Në: 50 pyetje Prof. Dr. Martin Camajt, nga Fatmir Alimani, Mehr Licht, nr.29, nëntor 2006, f. 267.
[41] Ernest Koliqi, Vepra 5, Evolucioni historik i lirikës shqiptare, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f.161.
[42] Sabri Hamiti. Utopia letrare, Akademia e shkencave dhe e arteve e Kosovës, Prishtinë, 2013, f.270.
[43] Koçi Petriti. Në poetikën e Martin Camajt, Dita, Tiranë, 1997, f.19.
[44] Sabri Hamiti. Utopia letrare, Akademia e shkencave dhe e arteve e Kosovës, Prishtinë, 2013, f.271.
NO COMMENT