Anton Pashku – një kanon letrar

 

Dr. Gazmend Krasniqi

Meqë ndryshimet në shijet letrare mund të vijnë nga rivlerësimi i zhanreve që paraqesin veprat kanonike[i] – sepse në një epokë multikulturaliste, kush lexon, duhet të zgjedhë dhe zgjedhja drejtohet nga kanonet – pra rizgjimi i vëmendjes ndaj prozave të Koliqit, Kutelit, të njohura si “jorealiste”, apo përkthimi i një letërsie të tillë (Borges, Rulfo, Markes, Kortasar, Barthelme etj), të përthithur nga sistemi letrar shqip, jep shpresë të ristabilizohet si dominante proza e Pashkut.

Si autor i shkrimit të hershëm “Botimi i një romani”, në suplementin letrar të një të përditshmeje, ribotuar disa herë në disa suplemente të tjera letrare, lidhur me publikimin e “Oh” në Shqipëri (më saktë, në Shkodër), si dhe duke pasur parasysh se hapja, sidomos për shqiptarët të Shqipërisë, ka pasur përmasa të papërballueshme – se secila epokë kryen zhvendosjet e saj nga repertori, apo sistemi qendror letrar, për t’i bërë vend gjithmonë zgjedhjes estetike – unë i jap vetes të drejtën të pyes: sa lexohet sot Pashku?

Meqë filluam me pyetje, ja edhe një e drejtpërdrejtë: kush është Pashku (gjithmonë sipas konceptit vikoian, letërsia e tij), që, si pasojë e fragmentarizimit të letërsisë shqipe, nuk i është përcaktuar ende rëndësia, sepse, megjithëse flasim për letërsi kombëtare që në periudhën historike të Rilindjes Kombëtare, nuk mund të themi se ia kemi dalë, për shumë arsye, historike apo johistorike, letrare apo joletrare, ta bëjmë fakt këtë pretendim? Nuk do shumë mundim të biem dakord që është fatkeqësi të kemi një letërsi kombëtare, por jo të njëjtat kanone letrare për të gjitha qarqet kulturore-letrare. Nuk do shumë mundim të biem dakord që duhet ritheksuar se remineshencat e të kaluarës për ta përdorur letërsinë me qëllime përtej vetvetes nuk kanë shteruar, duke sjellë dëme: pra, nuk mund të klasifikohet lehtë letërsia e disa shkrimtarëve të veçantë, ku hyn edhe Pashku.

Ky shqetësim shtron nevojën për ta thënë qartë: nuk shtrohet çështja, siç kuptohet rëndom, për të hequr apo për të shtuar emra në lista, por duhet shkundur gjithë koncepti i letërsisë në studimet shqiptare për t’u bërë vend atyre shkrimtarëve që mund të mbartin vlerat e një kanoni letrar të fjalës artistike shqipe.

Mbetet ta vazhdojmë diskutimin me pyetje: çfarë ka bërë Qarku Kulturor i Prishtinës, pra kritika në Kosovë, ku mund të përcillej më mirë ai proces letrar ku rritej e zhvillohej Pashku? Do të shohim se atje Pashku është duartrokitur, por edhe goditur, prandaj për të dyja anët e kritikës (Shqipëri – Kosovë) nuk mund të themi se flasim ndershmërisht për këtë problem:

– nëse nuk pajtohemi me mendimin se Anton Pashku i përket letërsisë shqipe dhe jo një qarku kulturor;

– nëse nuk pajtohemi me mendimin se rasti i Anton Pashkut, heshtja dhe ishullimi i të cilit shpjegohen vetëm me anë të vetëdijes së lartë artistike, si rasti i shkrimtarit tipik që vjen në ndihmë të shpjegimit se e ashtuquajtura “famë” është një shumë keqkuptimesh, gjithmonë jashtëletrare;

– nëse nuk pajtohemi me mendimin se kultura modeste shqiptare, gjithsesi e përmbushur nga shpirtra të mëdhenj, kërkon fytyrën e vërtetë në kushtet e një lirie politike dhe ideologjike, duke përvijuar më së fundi kriteret e sakta që e shohin letërsinë vetëm si letërsi, se gjithë kjo zhvendosje që kërkohet te mendësitë e ngulitura thellë, nuk është e lehtë, por kërkon strukturat e duhura, me mungesën e të cilave shumë herë spekulohet.

Nëse pranojmë se, për fat, në një epokë lirie, studimet tona letrare shkojnë krahas me ato të botës perëndimore, kemi thënë se:

Së pari, duhet shmangur, madje, duhet kapërcyer një herë e mirë, debati joletrar.

A mund të shkohet atje duke përdorur një gjuhë që na kujton “luftën e ftohtë” – “njeriu i tij është i pushtuar vetëm prej ndjenjave negative” – çka mund të dukej normale nëse do të vinte nga Shqipëria e izoluar, ku kritika dhe studimi shqiptar, të sfilitur prej sociologjisë të letërsisë, në këtë libër përballen me strukturën e paparë dhe mundësitë e mëdha shprehëse të shqipes artistike, por jo nga Kosova, ku tashmë ishte bërë letërsia e Pashkut?[ii]

Së dyti, debati letrar duhet orientuar drejt vetvetes.

A mund të shkohet atje, duke i quajtur horizontet e shkrimtarit, në mënyrën më të vjetruar të estetikës marksiste, “të ngushta e kabinetike”, ndërsa tregimet “konstruksione artificiale”?[iii] prandaj “nuk ka shkruar më shumë se 300-400 faqe”[iv] apo, për fat, proza e Pashkut, si e pak shkrimtarëve tanë, na jep dorë të shkojmë nga mendimi kritik modern, gjë që e bën fatlume një letërsi si e jona?

Së treti, tashmë që e dimë se, nëse ngatërrohemi në gjetjen e kodeve të duhura të leximit, do të jemi të humbur përgjithmonë, të mos i kërkojmë Pashkun në kode që as i ka çuar ndërmend.

A mund t’i shmangemi përcaktimit të tij se: “…një injorim i tërë asaj që ndodhet midis shenjave, jo vetëm e vështirëson, por krykreje pengon që teksti poetik të kuptohet”,[v] “Shenjat e gjuhës së tij (shkrimtarit) janë shenja të gjuhës poetike”,[vi] pra, funksione në strukturën e domethënies së supershenjës?

Si shkruante Pashku?

Siç thonë njerëz pranë tij, më parë skiconte strukturën, pastaj shkruante, më saktë, krijonte.[vii] Kjo e fundit na kujton tipologjinë se, nga pikëpamja e tregimit, në studimet e reja flitet për ndarjen:

– tregimi çehovian (heminguejan)

– tregimi borhesian (kafkian).[viii]

Ndarja e parë është e ngopur ose e uritur me realitet; ndarja e dytë është e joshur nga fantazmagonia.

Pra, ose është lexuar ndryshe Aristoteli, ose nuk e ka më qoshen e vendit.

Kur flet për poetikën e vet – ndarja e dytë – Borgesi thotë se kur e kap prenë e vet, njeh dy pika: pikënisjen dhe pikëmbërritjen.[ix] Bashkëkohësi i tij i shquar, Huan Rulfo, thotë: krijon personazhin, krijon ambientin dhe krijon mundësinë e shprehjes së personazhit.[x]

Mes dallimeve të tyre, të dy shkrimtarët kanë një të përbashkët: akuzën për daljen nga historia dhe reportazhi.[xi] siç e akuzojnë Rulfon bashkëfshatarët e vet. Lexo: Pashkun. (Edhe Kadareja, megjithëse një shkrimtar prej të cilit pritej përshkrimi i realitetit të kohës, thotë se: “Një harmoni sipërane bën që jo vepra e krijuesit të burojë prej jetës së tij, por, përkundrazi…”[xii])

Kemi të bëjmë me një konsekuencë të plotë në një art antiaristotelian (rikujtojmë këtu: letërsisë shqipe i duhet të rizbulojë shkrimtarët e vet), pasi, siç shënon Pashku, që në ag të kohërave njeriu “bën përpjekjen për të depërtuar matanë pseudokonkretes që e rrethonte”.[xiii] Anton Pashku lëviz në ujërat e kësaj poetike, sepse “situatat nuk i përshkruan dhe pasqyron, por i krijon dhe i fantazon”, thotë një studiues.[xiv]

Është fat që, nëpër vite, kritika më e emancipuar letrare në Kosovë, pas kontaktit me mendimin letrar perëndimor dhe lirisë relative, e ka përpunuar, duke e orientuar drejt, aparatin e vet klasifikues dhe studimor, shumë përpara se kjo të ndodhte në Tiranë. Ky fakt e bën atë të arrijë në përfundime si: traditën letrare të Koliqit Pashku “e ribëri të matshme me modelet (korrente) të literaturës bashkëkohore”[xv], apo ai “është për ata që kanë durim dhe e kuptojnë”.[xvi]

Çfarë na ofron Anton Pashku si status kanonik?

Sigurisht, tejkalimin një herë e përgjithmonë të mendimit të vjetruar letrar:

– S’ka më “kontesha doli në orën 5”, siç do të thoshte Paul Valery, por kohë të subjektivizuar, që bëhet dinamike;

– Tregimet për luftën mund të jenë disa çaste krejt eterne, ku nuk jepet ideologjia, e cila mund të jetë shumë jetëshkurtër, që fitoi;

– Personazhet Ai dhe Ajo tregojnë se, kur ka rëndësi arketipi, i bie vlera personit X apo Y;

– Arti i shkrimit letrar dallon nga ajo që quhet Shkalla Zero e Shkrimit, pra, forma është ajo që kërkon të ketë vëmendje;

– Strukturat kërkohen në vazhdimësi, me ikje të vazhdueshme nga përsëritja;

– Tekstet dhe paratekstet duhet vetëm t’u nënshtrohen notave të reja që merr krijimi;

– Titujt mund të jenë kafkianë (Kulla, Floçka, Ora), por edhe poetikë (Nën qarr po rrinte vasha, Dikush trokiti ngadalë, Lëkura e verdhë e limonit);

– Krijimi mund ngrihet mbi një imazh: një çift i shqetësuar, por me anë të qasjes strukturaliste, ku tekstura synon më të lartën e vet, fitohet thellësia e një romani.

Në bazën e kësaj poetike do të shohim që nuk gjen vend më ideja se duhen shkruar shumë faqe, sepse shembujt që pak faqe bëjnë historinë e një letërsie nuk janë pak (Koliqi, Kuteli, Mjeda, Poradeci janë vetëm disa prej tyre).

Përndryshe, çfarë do të thoshim për vetë Borges e Rulfo, që nuk e kanë kaluar numrin e faqeve të prozës së Anton Pashkut, si dhe për ndikimin e tyre të jashtëzakonshëm në letërsinë hispanike dhe botërore? Ata janë parë si kanone letrare dhe në këtë mënyrë e kanë pasuruar shumë botën e letërsisë në tërësi.

Dimë se kanoni i një kulture të caktuar është konsensusi i kanoneve individuale: për çfarë do të na shërbente një kanon i tillë letrar si Anton Pashku?

– Meqë përcaktimi i kanonit priret nga rëndësia dhe cilësia, meqë shkrimtarët kanonikë ndryshojnë mediumin, gjuhën me të cilën po punonin, kjo vepër pikante moderniteti shqiptar i ka mundësitë të zgjojë reflektime në të gjitha kahet e atmosferës letrare, sepse nëse letërsia shqiptare ka mjaft autorë që shërbejnë për të rritur numrin e lexuesve, ajo ka edhe autorët e vet cilësorë, nga të cilët pret vlera reale dhe shtysa për zgjerimin e hapësirave të saj krijuese, duke hyrë në raporte serioze me letërsinë më të mirë bashkëkohore.

– Rasti i një prozatori të plotësuar si Anton Pashku i jep letërsisë shqiptare mundësinë të fitojë lexues më cilësorë, çka do të hiqte mundësinë e vazhdimësisë së spekulimeve akademike e mediatike shqiptare, sepse rasti i tij është ai i një fenomeni të buruar natyrshëm, jashtë çdo fabrikimi a klisheje të paracaktuar diku, jashtë çdo inferioriteti a superioriteti joserioz.

Dhe pyetja e fundit: pse kjo trajtesë?

Ndoshta kujtesë se duhet të jetë e qartë për të gjithë që Anton Pashku nuk ka nevojë për ne, se veprën e tij e ka mbyllur vdekja fizike, por jemi ne, aspiruesit e të vërtetës artistike, që kemi nevojë për të: për të vënë në dukje mundësitë e pashtershme të shqipes artistike, sepse ai i përket atij grupi të vogël artistësh konsekuentë (raste fatlume për çdo letërsi), te të cilët s’ka vlerë numri i faqeve, por shkuarja drejt fuqisë më të epërme të artit të tyre, art që, ashtu si vera e mirë, do t’i rishfaqë cilësitë në kohë.

REFERENCAT

[i] Fowler, Alastair. Kinds of literature. Cit. sipas Bloom, Harold. The Western Canon. Riverhead Books, New York 1995, fq. 20

[ii] Qosja, Rexhep… Cit. nga: Në mbretërinë poetike. Shpresa. Prishtinë 2002, fq. 100

[iii] Po aty

[iv] Po aty

[v] Ars. Tiranë 2003, fq. 6-7

[vi] Po aty

[vii] Ars (Ars plus), Tiranë 2003, fq. II

[viii] Bloom, Harold. The Western Canon. Riverhead Books, New York 1995, fq. 64-65

[ix] Borges, J.L. Biseda. Tirana times. Tiranë 2009, fq. 58

[x] Sfida e krijimit. Ilar. Tiranë 2013, fq. 129

[xi] Po aty

[xii] Biseda me Alen Boskenë. Onufri. Tiranë 2002, fq. 198

[xiii] Ars. Tiranë 2003, fq. 6-7

[xiv] Hamiti, Sabri… Cit. nga: Pashku, Anton. Tregime fantastike. Rilindja, Prishtinë 1989, fq. 7

[xv] Shala, Kujtim M. Elipsa. Buzuku. Prishtinë 2007, fq. 52

[xvi] Po aty, fq. 56


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.