- Cila ishte ngjarja më e rëndësishme në letrat shqipe të shekullit XX?
- Po më e papërfillshmja?
Ag Apolloni
- Ngjarja më e rëndësishme në letrat shqipe të shekullit XX ka qenë nominimi i Ismail Kadaresë për çmimin Nobel. Me këtë nominim, letërsia shqipe përgjithmonë ka dalë nga izolimi nacional dhe ka nisur të konkurrojë me vlerat e letërsive të mëdha botërore.
- Zakonisht për ngjarjet e papërfillshme nuk ia vlen të flasim. Ndërsa më ka habitur injorimi (shpërfillja) që i është bërë dhe i bëhet fenomenit Arshi Pipa, vepra e të cilit është heshtur për gjysmë shekulli dhe ende nuk i është caktuar vendi që meriton. Edhe pse shkroi edhe poezi dhe bëri përkthime, Pipa është, në radhë të parë, filozofi, kritiku dhe eruditi më i madh shqiptar i shekullit XX. Arshi Pipa është filozof i thellë, studiues i jashtëzakonshëm dhe intelektual enciklopedik me fat tragjik. Në trojet shqiptare do të duhej t’i kishte disa përmendore, çmimi më i madh për studime letrare do të duhej të mbante emrin e tij, ndonjë universitet do të duhej të kishte emrin e tij dhe, gjithashtu, do të duhej të studiohej sa më shumë që t’i prezantohej lexuesit sa më i plotë ky thesar kombëtar. Por, çuditërisht, ai ende vazhdon të shpërfillet, ose të studiohet përciptazi.
Agron Tufa
- Ngjarja më e rëndësishme në krejt sistemin letrar të kulturës shqipe ka qenë shfaqja, pas luftës së Dytë Botërore, e mandej, konsolidimi dhe ekzigjenca e vazhdueshme e Letërsisë shqipe të Kosovës (në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi). Kjo e ridemensionoi dhe e përplotësoi krejt “puzzle-n”e letërsisë shqipe të shkruar në Shqipëri, midis arbëreshëve të Italisë dhe diasporës. Letërsia shqipe e Kosovës dhe viseve të tjera i dha sistemit letrar kombëtar një pasuri e dinamikë tematike, stilistike e zhanrore, duke i dhënë asaj një frymëmarrje më të gjerë në larmi, sasi e cilësi. Ajo plotësoi një mungesë të madhe të atdheut të përbashkët gjeografik dhe shpirtëror, sikundërse përcaktoi një relief të ri brenda peizazhit letrar shqiptar me profile shumë të rëndësishme autoriale.
- Ngjarja më e papërfillshme, madje e dëmshme në njëfarë shkalle të njohur, sipas meje, është shfaqja dhe dominimi absolut (me pak përjashtime) e paradigmës letraro-ideologjike të Realizmit Socialist – në të njëjtën kohë, pra, fill pas Luftës së Dytë botërore. Ishte një letërsi rrënuese, që u fut në mes të një procesi letrar kombëtar, në pikën më interesante të zhvillimit dhe konsolidimit, duke shënuar një çarje e përçarje të pariparueshme në letërsinë shqipe me kultin e propagandës së orientuar politike e ideologjike. Realizmi socialist hyri si “mish i huaj”në organizmin e letërsisë sonë kombëtare dhe shënoi, përpos banalizimit, dhe një përfytyrim molepsës e të përçudshëm mbi rolin dhe misionin e shkrimtarit në shoqëri. Efekti i dëmshëm i kësaj paradigme kinse letrare, është, për mua, i krahasueshëm me pasojat e bombës nukleare në Hiroshima e Nagasaki të hedhura në Japoninë e vitit 1945. Pasojat radioaktive e toksike të saj do të vazhdojnë gjatë në ADN-në e sistemit tonë letrar
Ardian Vehbiu
- Momenti kur u fillua të flitet për “letra shqipe”.
- Sikurse e nënkupton edhe pyetja, e kam harruar.
Kujtim Rrahmani
- Letërsia shqipe e shek. XX mbetet peng i ngjarjeve të këtij shekulli; i ngjarjeve në kuptimin e rrëfimeve të mëdha ideologjike: nacionalizmi, antifashizmi/komunizmi, demokracia. Autorët, doemos, mbeten peng i këtyre rrëfimeve. Autori nuk ngjanjashtë këtyre rrethanave; nuk ka autor që ia del të bëhet ngjarje, si autoritet mbi autoritetet doktrinare, sociale e politike. (Poezia e Frederik Rreshpjes apo rrëfimi i Anton Pashkut mund të vizatojnë shpërthime drejt këtij të ngjari). Tërë efektet e mira letrare ngjajnë brenda këtyre horizonteve kulturore e ideologjike, si derivate, si pasojaapo projeksione anti, të hapura apo nën rrogoz. Prandaj dhe letrat shqipe, kryesisht mbeten të përfaqësuara nga karakterizimi i tyre i brendshëm si anti; ato rrjedhin më shumë se ngjajnë. Mbase drama bërthamë e ngjarjes së këtyre letrave mbetet fara anti… si ndjeshmëri e si temë.
- No comment.
Mehmet Kraja
- Është vetë shekulli XX, sepse letërsia shqipe, e tillë siç është, pothuajse në tërsinë e saj, i takon këtij shekulli. Në shekullin XX u arrit pjekuria e asaj që u nis në shekullin XIX dhe po në shekullin XX u bënë përgatitjet e qëndrueshme për shekullin vijues, shekullin XXI. Por mendoj se arritjet më të mëdha letërsia shqipe do t’i ketë në këtë shekull, në shekullin XXI, sepse do të arrijë të lirohet nga dy konfuzionet dhe çmenduritë e saj më të mëdha: nga realizmi socialist dhe nga ikja e tërbuar prej tij, shpesh duke mos ditur ku të gjejë shpëtim.
- Nuk është një ngjarje, janë më shumë, është një përmbledhje ngjarjesh letrare mediokre, zhvillimesh letrare mediokre dhe veprash letrare mediokre. Por ngjarjet që meritojnë të harrohen, të gjitha, nga e para deri në të fundit, janë promovimet mburrëse dhe vetëmburrëse nga autorët, kritikët dhe studiuesit e letërsisë. Ju ndodh të lexoni një shkrim për një vepër letrare, çfarëdo që të jetë, bëjani vetes një nder, harrojeni sa më shpejt!
Primo Shllaku
- Ardhja e Camajt në letrat shqipe dhe njohja e tij me publikun shqiptar mbrenda Shqipnisë.
- Ngjatja ma e papërfillshme asht skartimi që i bani Kadareja romanit të tij DASMA.
Ridvan Dibra
- Vepra letrare e Ismail Kadaresë. Ndër të paktit që e bëri Letërsinë Shqipe fakt evropian e botëror.
- Ndoshta librat e mi.
Romeo Çollaku
- Rënia e diktaturës, sepse iu dha edhe një rast i dytë letërsisë shqipe.
- Duhet të jenë të shumta ngjarjet e papërfillshme, por nuk kam si t’i di.
Zef Schiro di Maggio
- Në të gdhirë të shekullit XX, vepra letrare e Zef Skiroit (1865-1927, Piana degli Albanesi – Palermo – Sicili) me të cilën ai fitoi të drejtën të bëhej i pari profesor në katedrën (e para në Itali) e gjuhës dhe të letërsisë shqipe (1900/1901) pranë Universitetit “L’Orientale” të Napolit, për themelimin e së cilës katedrë kishte luftuar kolosi tjetër Jeronim De Rada, i cili nuk pati fatin t’ishte profesor në të, sepse u pengua nga mosha tepër e shtyrë (1814-1903, Macchia Albanese – Kosenca – Kalabri).
- Gjithë poezia kushtuar Partisë së Punës gjatë “monizmit” në Shqipëri (1944-1985).
Zija Çela
- Kthimi i letërsisë, në vitet ’90-të, në kushtet e lirisë së krijimit që kishte ekzistuar në vitet ’30-të, si dhe zhvillimin e vrullshëm të gjuhës shqipe.
- Gjithë sa, pavarësisht nga dukja e madhe, ka rezultuar pupla në erë.
Përgatiti: Gazmend Krasniqi
NO COMMENT