Anasjelltas

Foto ilustruese

Mario BENEDETTI

Nuk e dija se do të mendoja përsëri për Rosarion, por mua më dukej se pesë vjetët që rrodhën qysh nga takimi ynë i fundit (a po qe mospajtim?) nuk paskëshin kaluar kot. Gjatë kësaj kohe e kisha parë në televizion, të intervistuar nga një gazetare ca mendjelehtë, dhe më qe dukur më e bukur, më e re, më inteligjente. Pastaj, mora guximin të vihem edhe unë para pasqyrës, ku vetja m’u duk i ri e i bukur, vura re gjithashtu se sytë e mi vazhdonin të ishin plot gjallëri dhe transmetonin një maturi tejet të pranueshme.

Kjo diagnozë e dyfishtë më bëri të marr vendimin për t’iu kthyer përsëri çështjes. M’u duk se kishte shkuar dëm gjithë ajo kohë, pa komunikuar fare me të. Nuk e di se ç’do të mendonte ajo për këtë gjë, por shpresoja se do të buzëqeshte. Dhe jam i bindur se buzëqeshjet e saj, përherë janë pëlqime.

Për ta filluar nga zeroja: a thua do t’i kujtohet kur u njohëm dhe si u njohëm?

Ndodhi në avulloren e rrugës Montevideo – Buenos Aires (akoma nuk kishte filluar trageti). Ajo po kalonte përmes një korridori, kur befas anija u lëkund fort dhe bëri që ajo rrëshqiste, sa, e mjera, qe gati të rrëzohej përtokë. Nëse nuk ra, qe pikërisht se unë, tepër i vëmendshëm, e prita në krahët e mi. Pasi i kaluan fërgëllimat e tmerrit, e shoqërova deri te vendi i saj dhe, duke përfituar se vendi pranë qe i lirë, ndenja me të, për t’u kujdesur që ta merrte plotësisht veten. Dhe e mori veten. Pak nga pak, sikur po na mbështillte një brerore e ndërsjellë simpatie; kësisoj, para se të zbrisnim, shkëmbyem emrat e hoteleve ku do të bujtnim në Buenos Aires. Dy ditë më pas shkova e takova dhe kështu filloi historia. Si hoteli i saj ashtu edhe imi ishin tejet të përshtatshëm për dashuri, kështu që bëmë dashuri me maturi, sinqeritet dhe me pak zhurmë.

A e kujton ajo tani me aq hollësi, siç e kujtoj unë, atë hare matanë kufirit? Pastaj, në Montevideo, nuk ishte fare nevoja për hotel. Apartamenti im ishte plotësisht i rehatshëm dhe pothuaj jashtë çdo rreziku. Kishim përparësinë e dyfishtë të të qenit beqarë dhe relativisht të rinj. Unë punoja në një studio avokatie me miqtë e mi, ndërsa ajo rifilloi aktivitetin e saj si kritike letrare.

Katër vjet bashkëjetesë seksuale, profesionale, ideologjike dhe kulturore na i bëri jetën të gëzueshme.

Por ja, mbërriti çasti kur marrëdhënia jonë nisi të zbehej.

Një natë u zgjova dhe vura re se trupi i saj fërgëllonte i gjithi. I vura dorën te supi për ta tërhequr but dhe pashë që po qante. Më shikoi përmes lotëve dhe pastaj, duke psherëtirë, tha: “Është e tmerrshme, por nuk të dua më. Dhe më e keqja është se dua një tjetër. Ti që më ke ndihmuar aq shumë, nuk e meriton këtë braktisje, por nuk kam ç’të bëj”.

Të them të vërtetën, ky fund nuk më çuditi kushedi sa. Unë e kisha nuhatur se diçka e kishte cenuar lidhjen tonë. Disa orë më vonë, kur qelqnajën e dritares së madhe tashmë e kishte pllakosur një dritë agu, pak e turbullt, ajo, ngadalë, mori plaçkat e saj dhe, pasi më dha një përqafim të ftohtë falënderimi, iku.

Përsëri i vetëmuar dhe beqar, u përpoqa t’i kushtohem punës sime. Redaktimi dhe korrektimi i dosjeve gjyqësore nuk është dhe aq dëfryes, por mungesa e dashurisë më shtyu në një teprim të domosdoshëm pune, çka bëri që në studio të ishin më se të kënaqur me shërbimin tim profesional.

Disa muaj më vonë mësova se ai që më zëvendësoi mua në zemrën dhe shtratin e Rosarios na qenkësh një fotograf shumë elegant dhe një donzhuan me famë. Nga sa mora vesh më pas (thashethemet qarkullonin me dritë të gjelbër) bashkimi i tyre kishte përfunduar keq. Fotografi paskësh siguruar një vend pune në Majami, me sa duket i paguar mirë, dhe ia kishte mbathur për atje, pa e njoftuar fare Rosarion, e cila s’kishte ç’bënte veç të ndërdhëmbte zemërimin e saj.

Kur e takova përsëri, kishin kaluar pesë vitët që përmenda në fillim të këtij tregimi kaq pak heroik. Më përqafoi gjithë dashuri, gati ra në gjunjë për të më kërkuar falje dhe, siç ishte e thënë, filluam menjëherë kapitullin e dytë. Ngeli e kënaqur me disa ndryshime që u kisha bërë mobilieve në apartamentin tim të përhershëm.

Kështu kaluan edhe dy vjet bashkëjetesë seksuale, profesionale, ideologjike dhe kulturore që na i mbushën jetën me gëzim. Megjithatë, erdhi përsëri çasti kur lidhja jonë filloi të ftohej prapë. Një natë ajo u zgjua dhe vuri re se trupi im po fërgëllonte. Veç unë nuk po qaja, thjesht, më kishte kapur një krizë gogësimash, psherëtimash dhe teshtimash. Më në fund, munda ta shikoj në sy, me të njëjtin trishtim të saj dikur, dhe t’i belbëzoj: “Është e tmerrshme, por nuk të dua më. Dhe më e keqja është se dua një tjetër. E di që nuk e meriton këtë braktisje, por s’kam ç’të bëj”.

Mario Benedetti (1920 – “2009)shkrimtar dhe poet i madh uruguian. Prodhimtaria e tij letrare përfshin mbi 80 libra, vëllime me tregime, romane, drama, po kryesisht vëllime me poezi. Është përkthyer në më shumë se 20 gjuhë. Pas grushtit të shtetit në Uruguai (1973) emigroi dhe jetoi në vende të ndryshme: Argjentinë, Peru, Kubë e Spanjë, ku, të thuash të drejtën, kurrë nuk i shpëtoi dot diktaturës as në këto vende. Vetëm në 1983 u kthye përsëri në atdhe. Veprimtaria e tij letrare është nderuar me disa çmime ndërkombëtare dhe kombëtare.

Përktheu nga spanjishtja Bajram Karabolli


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.