Gazmend KRASNIQI
Disa dekada më parë, Ibrahim Rugova, një nga kontribuesit më të mëdhenj të kritikës letrare shqiptare në përgjithësi, fuste në Qarkun Kulturor të Kosovës një metodë konkrete për vlerësimin e poezisë shqipe në një sistem letrar që ai e njihte mirë. Është e qartë se kjo metodë mund të aplikohet aty ku mund të përfytyrojmë një sistem letrar.
Për ata që nuk e njohin këtë fakt, ia vlen të kujtohet nga fillimi kjo metodë të cilën Rugova e ilustroi praktikisht:
Libër i dobët – është nën nivelin e asaj që është shkruar dhe shkruhet;
Libër i zakonshëm – nuk bie në sy, nuk sjell ndonjë element për t’u theksuar, që nxit diçka të re, por përfshihet në situatën e momentit;
Libër interesant – përmban elemente që tërheqin vëmendjen e kritikës, por si tërësi nuk është i realizuar;
Libër i mirë – ka mëvetësi artistike, por nuk ndihet shumë në procesin poetik;
Libër i mirë e me ndikim – me mëvetësinë artistike dhe elementet novatore ndikon në procesin e situatës poetike.
Çfarë ndodhte ndërkohë në Shqipëri? Kriteret vlerësuese qenë krejt të tjera. Një tablo të viteve ’80 mund të na e japë një çift francez që ka punuar e jetuar në këtë kohë në Shqipëri: (Kadarenë) Universiteti e do, por e konsideron si të vështirë. Të shumtë janë studentët që pranojnë se e kuptojnë pjesërisht, kurse më të dobëtit pranojnë se nuk u pëlqen, për shkak të aspekteve “të errëta”. Këta të fundit pëlqejnë Agollin me personazhet e tij stereotipe dhe situatat shabllone. Ata shprehen se një shkrimtar “duhet të kuptohet nga i gjithë populli”.
Çfarë bënte vetë Kadareja, si autoritet letrar i kohës? Dikur, kur sistemi letrar dukej më i ngritur, Kadareja ka qenë aktiv me mendimin e tij në zhvillimin letrar shqiptar. Për shembull, pas botimit akademiko – universitar “Historia e letërsisë shqiptare”, 1983, ndërhyri për faqet e pakta që u qenë lënë autorëve të letërsisë së vjetër. Për shembull, ndërhyri kur tekstet shkollore po mbusheshin me autorë të parëndësishëm, vlera e vetme e të cilëve qe se shkruanin për moshat e vogla. Po pse nuk ka bërë ndërhyrje të tilla pas viteve ’90: është ndjerë larg asaj që po ndodhte këtu dhe nuk ndjente asnjë interes – gjë që nuk ka shumë gjasa, përderisa qe pjesë e kësaj letërsie – apo sistemi letrar qe shpartalluar në atë masë sa nuk linte asnjë hapësirë ndërhyrjeje?
Është e vërtetë që, së voni, ka përshëndetur disa prej autorëve që qenë pjesë e “periferive” për shumë kohë, si Martin Camaj, Anton Pashku, Zef Zorba apo Frederik Rreshpja. Nuk mund të anashkalohet edhe prononcimi për një brez krijuesish, më tepër një fenomeni në përgjithësi, që vinte pas, kur pat shkruar në parathënien e librit të një poeti, atëherë adoleshent: e shihte poezinë, e quajtur socialiste, në tri valë 45-60, 60 -75, 75-90.
- Grupi I përmblidhte shkrimtarët që vinin nga lufta, apo ata që kishin shkruar edhe më parë, fatkeqësisht jo më të mirët:
- Grupi II kishte një valë të re shkrimtarësh, që hyri vrullshëm në letërsi, por edhe nga ata autorë që lidheshin me grupin e parë
- Grupi III kishte që më shumë lidheshin me grupin e parë, sesa me paraardhësin – me kufizime e mungesa të ngjashme me ato të fillimeve.
Këtë ide ai e zgjeron te libri “Dialog me Alain Bosquet”, kur i thotë: Nëse vini re tek unë një nervozizëm kur flas për poezinë, duhet të kuptoni se kjo shkaktohet, me sa duket, nga një mbingopje, që ne atje, në botën komuniste, kemi pësuar prej saj. Vite me radhë vendet e Lindjes janë krenuar për mbajtjen gjallë të poezisë, për vendin e madh që ajo zinte në botime, për tirazhet tepër të larta të saj e, sidomos, për numrin e madh të poetëve. Që ka pasur diçka të mirë në këtë vëmendje, kjo është jashtë diskutimit. Ashtu siç është e keqe, në botën tuaj perëndimore, mosvëmendja ndaj poezisë. Mirëpo, nëse e pranojmë të mirën, duhet të pranojmë po aq të keqen që ka sjellë e gjithë kjo bujë. Në këto vende poezia ka shërbyer shpesh për të mbuluar gropat dhe djerrinat e letërsisë. Titujt e shumtë të librave, tirazhet, festivalet, çmimet, recitimet publike etj., bënin pjesë më shumë se proza në festën e zhurmshme të diktaturës. Ju e dini se me poezinë mund të bëhen spekulimet më të mëdha. Në poezi mungesa e talentit mund të fshihet më lehtë sesa në prozë ose në dramë. Çdo tyryfyl mund të mbrojë sajesën e tij poetike, domethënë kotninë e vet me “individualitetin poetik”.
Apo në një intervistë: Poezia në të kundërt me atë që thonë shkrimtarët e ish-bllokut të Lindjes, që e prezantojnë si avangardë të letërsisë, ishte turpi i letërsisë. Pjesa më e turpshme, më deklarativja, më entuziastja, më socialistja, më komunistja, më idiotja. Të gjitha vendet komuniste mundohen të mbrojnë poezinë, të tërheqin antologji poemash nga qindra-mijëra ekzemplarë dhe… por nuk dua të flas, kjo ma pështiros të gjithën. Në fakt, mendoj se poezia është më fajtorja mes zhanreve letrare në bllokun e vjetër komunist. Ishte më agresivja, më pozitivja për sistemin.
Shqetësohesh kur këtë koncept e sheh të ngulitur dhe dominues edhe te vitet ’90, sepse, megjithëse kohë lirie, koncepti i letrares iu nënshtrua politikave të kohës. Universitarët e djeshëm i dhanë status kësaj letërsie stereotipe dhe shabllone, duke ia nënshtruar interesave politike të momentit, me anë të vlerësimeve nga Ministria e Kulturës dhe shpërndarjes nga Ministria e Arsimit, institucione thellësisht të kapura nga politika, nga njerëzit e politikës, duke penguar në vazhdimësi konsolidimin e gjykimit profesional, gjë që ka bërë të parespektueshëm çdo gjykim që jepet sot për të. Çmimet letrare që u ngritën gjithandej, sidomos nga analistët politikë, njerëz me pushtet mediatiko-politik, për të reaguar ndaj kësaj, tregojnë, siç do të thoshte poeti Azem Shkreli, te “Ese mbi mediokër”, se shfaqja e mediokërve bëhet shpejt, vërshuese, pushtuese dhe pastaj sunduese. Ajo nxjerr krye në tregun e lëkundur të vlerave dhe merr misionin përmbysës të këtij tregu. Interesi i mediokërve është pikërisht lëkundja, zhvendosja, dhe përmbysja. S’themi gjë të re, vazhdon ai, po thamë që strukturat e burokracive administrative dhe politike asnjë herë s’kanë dëshmuar vullnet e interesim të konfrontohen me regjime mediokrish dhe ky fakt nuk është i pashpjegim, pasi paaftësinë, mosprirjen, mosdijen dhe moskompetencën e tyre mediokrit përherë e kompensojnë me dëgjueshmëri shembullore.
Mirëpo, kur ra atmosfera e pakuptueshme e “festës”, si shembja e firmave piramidale, brenda disa vitesh librat poetikë u zhdukën dalëngadalë nga libraritë: publiku, tashmë i hutuar, nuk i donte më. Hutimi vazhdoni, derisa u kuptua se spektaklin mund ta siguronte proza – me të gjitha mjetet tipike të socrealizmit, tashmë i parë si mass culture, por duke tërhequr me vete edhe atë pjesë të kritikës apo studimeve akademike që ndjenin nevojën e të qenit trendy.
Cilat qenë të quajturat kufizime e mungesa të ngjashme me ato të fillimeve, që përmendte Kadareja? Për vetë natyrën e vet, krahasuar me poezinë, proza binte më shpejt te ajo që quhet Shkalla zero e shkrimit, pra, një letërsi që ishte mësuar të kishte në plan të parë angazhimin, duke anashkaluar traditën e mirëfilltë letrare shqipe apo atë botërore. Për të mos u treguar tendenciozë, le të marrim një autor që e ka kaluar edhe Kadarenë për numrin e librave të listuar në leximet shkollore, sepse ka katër tituj në raport me tre të tjetrit. Sigurisht, këtë zgjidhje nuk e kanë bërë mësuesit e “gënjyer” nga juritë kombëtare, por profesionistët e letërsisë. Të shkon mendja te pyetja: biznes apo vlerë e vërtetë, sepse suksesi i tij, thotë një studiues, “i detyrohet përmbajtjes, sepse, shikuar nga pikëpamja kompozicionale, gjuhësore dhe stilistike… lë për të dëshiruar” – pikërisht çfarë ndodhte mot a mot vetëm në studimet e socrealizmit.
NO COMMENT