A I ERDHI FUNDI ROMANIT

A I ERDHI FUNDI ROMANIT

Gazmend Krasniqi

Nga paraqitja e përplasjes së tipareve të përgjithshme na rezulton se drejtimi letrar që shfaqet në skenë, ka kritikat e tij për atë që synon ta zëvendësojë.

Duhet thënë: Modernizmi nuk është një thyerje e parë dhe e pakrahasueshme: në tërbimin e tij për të shkatërruar e sjellë risi rrënjësore, modernizmi ndjek në rendin kuturor, me një shekull distancë, veprën e shoqërive moderne që synojnë të ngrihen në mënyrë demokratike. (…) Ashtu si revolucioni demokratik e çliron shoqërinë nga forca e së padukshmes dhe të korrespondencës së saj, bashkimit hierarkik, po ashtu, modernizmi artistik i çliron artin dhe letërsinë nga kulti i traditës, nga respekti për mjeshtrit, nga kodi i imitimit.[1]

Këto kritika mund t’i përmbledhim pak a shumë si vijon:

  • Kritika që afirmon modernizmin
  • Realiteti i artit “realist” nuk ështërealishtreal.
  • Paraqitja e botës nga realizmi si racionale/ e njohshme/ e harmonishme/ e përshkrueshme me gjuhë objektive është iluzion, përderisa realiteti i veprës përbëhet prej krijimeve të imagjinatës
  • “Realiteti” që sugjeron realizmi është subjektiv (në varësi të perspektivës relative të shikuesit në hapësirë dhe në kohë).[2]
  • Gjuha nuk është objektive. Ajo nuk e pasqyron botën qartë siç i duket realizmit. Shpesh, gjuha dështon (fjalët nuk japin kuptimin e menduar; fjalët mund të jenë të painterpretueshme, të pabesueshme ose çorientuese; gjuha përdoret me vështirësi).
  • Romanet realiste realisht nuk janë aq neutrale, sepse në të vërtetë po promovojnë vlerat/ moralin e shtresës së mesme të kohës kur shkruajnë
  • Modernizmi kërkon mënyra të reja, eksperimentale, të përshkrimit të botës,[3] për të thënë se arti modernist është i vështirë, pasi “realiteti” i botës është i vështirë për t’u kapur.
  • Bota është irracionale, subjektive, komplekse, e pakuptim dhe e dyshimtë, kështu që edhe arti është i fragmentuar, irracional, subjektiv, kompleks, pakuptim dhe i dyshimtë.
  • Arti i romanit është retorik, po aq sa dhe paraqitës

            Shohim se, nga disa anë, idetë postmoderniste mbi artin dhe filozofinë janë të ngjashme me ato të modernizmit:

  • Qenia njerëzore është komplekse
  • Gjuha është problematike
  • “E vërteta”, “njohja” dhe “kuptimi” janë nocione relative
  • Kritika që afirmon postmodernizmin
  • Në modernizëm, “e vërteta” është e vështirë të zotërohet nga gjuha
  • Në postmodernizëm, “e vërteta” e plotë e “realitetit” është se ai është një produkt i gjuhës

Pamë se shumë përcaktimeve të bëra prej nesh, postmodernizmi iu përgjigj me “nuk”, duke treguar një shkallë të madhe largësie nga realizmi, por edhe nga modernizmi.

Pamë se të gjitha idetë postmoderne varen nga pikëpamja e veçantë për gjuhën. Gjuha krijon një hendek midis njerëzve dhe botës: Ne nuk mund ta përjetojmë botën, përveçse përmes gjuhës, kështu që gjuha siguron koordinatat për vetë kuptimin tonë të “realitetit”.[4]                 Sigurisht, ai vendos rregullat e veta. Liotard-i e artikulon idenë kështu:

Artisti ose shkrimtari i postmodernës është në pozitën e filozofit: teksti që shkruan, vepra që krijon, nuk udhëhiqen vetëm nga rregullat tashmë të vendosura, prandaj për to nuk mund të gjykohet në mbështetje të një kriteri të përcaktuar, në të vërtetë, për këtë vepër, për këtë tekst nuk mund të përdoren kategoritë e njohura. Këto rregulla dhe këto kategori janë ato për të cilat gjurmon vepra.[5]

Dominimi i dukshëm i mënyrës ironike të mendimit dhe shprehjes shihet si ndryshimi kryesor midis modernizmit dhe postmodernizmit. Është më shumë sesa thjesht një ndryshim në stilin letrar, apo në mënyrën se si veshja hyn dhe del nga moda. Ironia e postmodernizmit sinjalizon një ndërprerje me modernizmin për aq sa modernizmi barazohet me një lloj të veçantë të elitizmit dhe seriozitetit në art, ndërsa postmodernizmi kërkon mbylljen e hendekut midis kulturës “së lartë” dhe asaj popullore.

Një kritik shkruan:

Ajo që mund të quhet kohë pas kohe eksperiment, në të vërtetë nuk është asgjë më shumë se një përpjekje komplekse, progresive, për të mënjanuar pashkathtësinë teknike. Më shumë se eksperiment kjo është përmirësim.[6]

            Ndërsa në punimin “A i erdhi fundi romanit”, Shkllovski thotë:

Arti nuk ka pushuar kurrë së ekzistuari, por gjithmonë mohon vetveten, duke ndërruar mënyrat e shprehjes, jo me qëllimin për të ndryshuar formën, por për të gjetur shprehjen e saktë në njëmendësinë e re[7]

            Kështu vihen në dyshim ose hidhen poshtë elementet e strukturave të vjetra, prandaj në mund të flasim për drejtimet letrare modernizmit apo postmodernizmit dhe të tendojmë ngritjen e paradigmës së tyre.


[1] Lipovecki, Zhil. Sipas Ferri, Lyk. Homo aestheticus. Elena Gjika & Shtëpia e Librit dhe komunikimit. Tiranë 2012, fq. 218

[2] Për të provuar të vërtetën, shkrimtarët modernistë shpesh e panë atë nga perspektiva të ndryshme. Një tipar kryesor i epistemologjisë së romanit modernist është kuptimi i tij se e vërteta dhe kuptimi ndryshojnë nga pika e shikimit. Gjërat shfaqen ndryshe nga njerëz të ndryshëm, dhe romani modernist ka tendencë të ndryshojë perspektivat e tij. William Faulkner, për shembull, vuri në dukje se asnjë pikëpamje e vetme nuk mund të ishte e mjaftueshme për të thënë historinë e plotë të familjes Compson te The Sound and the Fury (1929): “Kam shkruar pjesa e parë të Benxhit. Nuk mjaftont, kështu që unë shkrova pjesën e Quentinit. As kjo nuk mjaftonte. E lashë Jason ta provojë. Nuk ishte e mjaftueshme. E lashë Faulkner-in ta provojë dhe as kjo nuk ishte e mjaftueshme”. Përfaqësimi i mjaftueshëm kërkon shumë rrëfime, dhe historia e plotë del vetëm pasi versionet alternative paraqesin anët e saj të ndryshme. Lidhur me këtë interes në perspektiva të shumta është besimi në relativitetin e të vërtetës. Romanet moderniste nuk trajtojnë asgjë absolute – morale, perceptuese ose kulturore. Përkundrazi, ata e konsiderojnë të vërtetën si një gjë relative, të varur nga rrethanat, duke ndryshuar kohën dhe vendin me njëra-tjetrën. E vërteta u bë “subjektive”: perspektivat relative përjashtuan stilet objektive të të parit dhe dëshmisë, duke zhbërë besimin se dija ose gjykimi mund të ishin të lira prej paragjykimit, motivimit ose gabimit. Ky kalim nga objektiviteti në subjektivitet ndodhi në mënyrë më të dukshme në refuzimin e narratorit të gjithëdijshëm të vetës së tretë. Rrëfimi tradicional, i bërë me impersonalitet objektiv, si një zhvendosje komode dhe autoritare nga objektet e rrëfimit, ishte dukur joreal, ose të paktën joefektiv, në përcjelljen e realitetit të përvojës dhe njohurive të kufizuara njerëzore. Në të kundërt, rrëfyesi subjektiv – duke folur ose dëgjuar në veprën e duke jetuar, i përfshirë drejtpërdrejt me njerëzit, objektet dhe shqetësimet e rrëfimit të tij ose të asaj bote, ose në përputhje me këndvështrimin e ndonjë personazhi të veçantë – u bë e vetmja mënyra për të arritur vërtetësinë narrative. (Shih A Companion to Modernist Literature and Culture, Edited by David Bradshaw and Kevin J. H. Dettmar. Blackwell Publishing Ltd. London 2006,  fq. 219)

[3] Ky impuls për të modernizuar romanin daton të paktën nga Flaubert-i dhe te tri mënyrat se si ai modernizoi Madame Bovary-në e tij (1852). Flaubert zgjodhi të mos i hidhte syri nga kompleksiteti i korrupsionit moral, por përkundrazi ta portretizonte atë me detaje plotësisht realiste. Detajet nënkuptonin detaje psikologjike, kështu Flaubert-i ishte një nga shkrimtarët e parë që u kushtoi një pjesë të madhe shënimeve fiksionale në jetën e brendshme të vetëdijes, duke krijuar një formë fiksionale që mund të ndërthurte ligjërimin romanësor me mendjen njerëzore. Kombinimi i realizmit therës dhe formës fine e bëri Flaubert-in ndoshta themeluesin e roman modern, sepse inkurajoi shkrimtarët të mendojnë mbi mënyra të reja për rolin kulturor të romanit. Ajo që kishte qenë një formë relativisht e ulët e të shkruarit (gjerësisht tërheqës, me standarde të lira, vendosur rrallë në të njëjtin nivel me poezinë, muzikën ose pikturën) filloi ngjitjen në shkallën estetike, duke u mundësuar shkrimtarëve të mëvonshëm ta bëjnë romanin një forum për eksperimente të guximshme kulturore. (A Companion to Modernist Literature and Culture, Edited by David Bradshaw and Kevin J. H. Dettmar. Blackwell Publishing Ltd. London 2006,  fq. 216)

[4] Hap pas hapi, postmodernizmi rrëzon çdo pengesë, saqë në një nga librat e fundit studiuesja Floresha Dado e quan: poetikë e “antirregullit”. Shih Dado, Floresha. Postmodernizmi, estetike e “antirregulli”. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë 2020

[5] Sipas Hutcheon, Linda. Poetika e postmodernizmit. OM. Prishtinë 2013, fq. 32

[6] Çështje të romanit. Rilindja. Prishtinë 1980, fq. 356

[7] Po aty, fq. 323


Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.