READING

7 poezi – Tua Forsström (1947)

7 poezi – Tua Forsström (1947)

 

Tua Forsström (1947)

(Një nga poetet më të rëndësishme të Finlandës suedishtfolëse)

 

VAJZË ME ÇIZME TË VERDHA

 

Bora e parë ra
më gjashtëmbëdhjetë dhjetor në Brunakärr,
fjolla bore të mëdha e të buta u shkrinë në vend.
Vajza me çizme të verdha vrapoi përgjatë anës së rrugës
dhe u mbështet butësisht në gjurmët e saj të lagëta.
Ndoshta ka vende brenda nesh ku ne nuk kemi qenë?
Ajo mërmëriti me vete, ajo dukej shumë e lumtur
dhe e përqendruar. Ne tërhiqemi para çdo gjëje
që zotëron një sekret, unë do të tregoj ty
kur të takohemi. Bie ndriçimi i butë.

Kur bie alarmi ne nxitojmë jashtë,
qëndrojmë në grupe emocionuese
me pallto mbi këmishë nate dhe llomotisim. “Diçka
ndodh dhe ne drejtpeshojmë në një dërrasë të thyer
në det të hapur. Ne s’e dimë nga kemi ardhur ose kah
po shkojmë ” – shkroi Albert Einstein
në moshën gjashtëdhjetëvjeçare.
Tymi ajroset jashtë, zjarrfikësit shkojnë.
Ne duhet të kthehemi në dhomat tona.
Unë e mbylli dritaren: freskët, hëna e plotë mbi dëborë.
Nata e kthjellët. Një dritë e gjelbër vezulluese mbi
Stockholm, sikur të ishim brenda akullit.

 

UNË GJITHASHTU NJOHA NJË BURRË TJETËR

 

Unë gjithashtu njoha një burrë tjetër.
Ai ishte oqeanograf, por unë kurrë s’e pashë atë
të shkonte poshtë në plazh. Ai m’tha se unë isha
e ëmbël dhe se sytë e peshqve në det të thellë errësohen kur
janë gati për dashuri. Në këtë mënyrë ai fitoi zemrën time.
Ai fluturoi përmes ajrit në toka dhe popuj të huaj.
Unë u ula në një karrige të thurur që krikëllon.
Ai m’tha se askush nuk do t’më ketë mua.
Unë i thashë se askush s’do të mëshirohej në të, përveç meje.
Kur ai erdhi në shtëpi, ai tregoi dhe ne u argëtuam. Në ëndrrat e mia ai i ngjante
një lejleku. Oh ai burrë. Ai u përkiste
Tregimtarëve të mëdhenj, ai tregonte aq mirë
saqë besonte në çdo fjalë.

 

….
Unë po të shkruaj ty sepse
unë nuk besoj se është akoma
e rrezikshme të qëndroj këtu pas
pushtimit të errësirës. Portat hapen e
mbyllen. Njerëzit nxitojnë nga
fenerët me ngjyra, është në
natyrën e pritjes që njerëzit të nxitojnë.
Unë zbatoj zgjidhje këtu në ditët e mia boshe.
Edhe në qytetet e huaja
bëjmë diçka të ngjashme që ngjan me shtëpi:
një rrugë, një bllok të parëndësishëm, disa shtëpi
të shëmtuara. Një pamje. Një pemë. Një pemë
të gjelbër ne e kalojmë në shi dhe na tërheq
pa ia ditur emrin. Unë s’dua
që ti t’jesh i deformuar.

 

Lundrova jashtë në liqenin gri, era frynte fort
dhe errësira ra në valë të ngadalshme,
çfarë të thuhet për tërbimin e kohës?
Shtëpia në pyje u zhvillua me dritare të ndritshme, sikurse
introverte, sikur unë më t’mos kisha qasje.
Ne duam aq shumë të themi diçka reale dhe
atëherë imitojmë një lëvizje. Një ton.
Unë lundrova që të mbytja ata peshq, ti e di:
nga lakmia i kisha kërkuar në treg.
Ne besojmë se do të qetësohemi, por kaosi rritet.
Mos kini frikë. Mos kini frikë panevojshëm.
Ne duhet të nënshkruajmë një dokument të veçantë
nën tekstin e palexueshëm duhet të shkruajmë emrat tanë
S’lë asgjë tjetër për të dëshiruar.
Duke lënë gjithçka tjetër për të dëshiruar.
Shtrirë në fushën e hapur e të hollë dhe
tenda e fryrë nga era, derisa një ujk na merr
me dashuri në krahët e tij dhe na shtrin jashtë
në ajrin e natës, kukulla të vogla symbyllura.
Na kanë mësuar ta fshijmë çdo fjalë të panevojshme,
por s’ është gjithmonë e lehtë ta dimë çfarë
është e nevojshme. Dhe dita e shtatorit
rri qetë dhe shkëlqen përballë dritares, sytë
lotojnë lehtë.

 

 

GJITHMONË MBETET NJË PJESË E TEPËRT

 

Gjithmonë mbetet një pjesë e tepërt.

Në pamjen këtu me hijen e gjelbër të ujit, kallami

i hijesuar nga pemët, balta, bulkthi…

Duhet të kemi një Imazh që ta mbajmë.

Një karriq me peshq të pashëm, një libër

të harruar në bar që shfletohet

nga era. Një ari që vallëzon.

Duhet të mbajmë lart Imazhin

kundër ulërimës nëntokësore.

Duhet të rrëfejmë një Dobësi:

sytë e përflakur, dashurinë e tij.

Udhëtimet e shkurtra mund të jenë shumë të gjata.

Në gazeta kanë filluar bashkëmoshataret të vdesin,

edhe dimrat janë bërë çuditërisht të padukshëm.

Ah, çfarë mashtrimi, zoti Livingstone !

Ju shkruani në murin tuaj: “Ata duhet të tregojnë se

ishin të marrë dhe të trishtuar si ne”

Po, është një gjumë që do të fle,

por së pari duhet të mbillen patatet

dhe të lajmërohesh për një shëtitje.

Merr kohë të mësohet-

besomë mua Zotëri- kjo merr kohë.

Tani fryn nga perëndimi

Duhet të jemi në gjendje të rindërtojmë gjithçka,

ato që kurrë s’ ndodhin.

O plagë fërkim shpirti! Djegie

zemre! Duart mbi krah, miqtë

e veshur bardhë, ngërdheshje në mbrëmjet e vona

në zhavorr nën gështenja

Duhet kohë të mësohet diçka.

Në një avullim ere të liqenit, bimëve të ujit

Çfarë keni parë sot askush s’e ka parë

dhe ti mban mend, ose harron.

Por shpallja mbetet akoma.

 

 

(CARMEN KËNDON NJË KËNGË DASHURIE: A S’MË DASHURON
MË)

Ne arritëm pak pas orës pesë
Pastaj u orientuam një grimë.
Malli i fëmijëve dhe nipërve u bë më i lehtë.
Ne bëmë një shëtitje të gjatë dhe freskuese.

Mantegna shkroi në pikturën e  tij të fundit:
“Asgjë tjetër përveç Zoti s’qëndron, çdo gjë tjetër është tym…”
Ne do të kalojmë fundjavën me disa miq;
Mezi e pres këtë.

U zgjuam në një peizazh të qetë dhe të mrekullueshëm
me ujë dhe bredh paerë!
Ndryshe ishte gati ashtu si e imagjinoja
E  falënderoj të dashurin tim te mrekullueshëm

Ushqimi është i shijshëm dhe i shëndetshëm
Pra dashuria juaj ka përfunduar? këndon
Carmen me fustanin e kuq si gjaku.
Sigurisht ju mendoni për mua.

Dhe pyesni veten: si jam unë?
Ditët shkojnë shumë lehtë
Më mirë do t’i dërgoj pyetjet e mia me shkrim
Megjithatë shpresoj, do të kthehem.

 

Në fotografi janë sytë e tu

pak asimetrikë,

që s’kanë formulë për njerëzit.

Ujë dhe dritë çuditërisht të ndarë,

Shpërthime, parafytyrime.

Lakuriqësi. Pafajshmëri dhe krim.

Refreni kumbon nga njëra prej

dhomave të brendshme: diçka e realizueshme

dhe e pashmangshme

“Që të mund të jetojmë në botë

duhet ta themelojmë atë ”

Unë çela një kuvertë

me një thikë, bari i kositur

avullon përmes dritareve

Është papritshmëria

Në proceset e ngadalshme!

Unë them, pendohem për gjithçka

Unë pendohem pothuaj për çdo gjë,

Kjo s’ka rëndësi

Unë të kam njohur ty që kur isha

fëmijë dhe mendoja si fëmijë

Po, ujë dhe dritë

Të çara në prizë

Inflamacione.

 

Përktheu nga suedishtja: Edita Kuçi Ukaj


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.