5 POEZI – A.R. AMMONS (1926-2001)

PRAGJET E LUMENJVE

 

Gjethet në vjeshtë janë më të kuqëluara se

lulet e pranverës, nuk kanë pjalm,

edhe ndonjëherë po aq fluturojnë, ndërsa era

i shëtit lart e poshtë në cektina

apo mullarë: kurse unë

nuk kam shumë që rri këtu, unë mund

të shoh nga qielli edhe di ta gjej

si ka të ngjarë të shkojnë gjërat

për njëqind milion vitet e ardhshëm:

universi ka të ngjarë të mos e gjejë

mënyrën si të zhduket e as unë

në gjithë këtë kohë të rishfaqem.

 

UJËVARAT E CASCADILLA-S

 

Dola andej nga Cascadilla

ujëvarat

sonte, rryma

përfund ujëvarave,

edhe mora

një gur sa dora

në trajtë veshke, testikulare dhe

 

mendova gjithë lëvizjet aty për aty,

800 milje në orë rrotullohet toka,

190 milion milje vite

 

zhvendosje rrotull diellit,

tërheqja e

madhe

shtypëse

 

në galaktikë me 30 000

milje në orë ku

shkon dielli:

mendova gjithë ndërthurjet

e lëvizjeve

brenda meje: hodha

 

gurin e ndali i vdekur:
rryma prej lëvizjeve të tjera

kërceu

e ia hipi sipër:

i pastrehë

u ktheva

 

nga qielli e qëndrova shul:

unë nuk

e di se ku po shkoj

se mund ta çoj jetën krejt

veç ndanë këtij gjiu.

 

DRITA E SYVE

 

U bë maj para se unë

të vërej se u bë

pranvera dhe

 

fjalët thashë

për rrëpirat e jugut

unë e

 

humba, erdhi

e shkoi përpara se

të më vinte radha ta shoh:

 

mos u mërzit më tha mali

provoje më vonë nga rrëpirat e veriut

ose po qe se

 

ngjitesh dot, ngjitu

shko te pranvera: veç

tha mali

 

nuk është kështu

me gjithë gjërat, disa

 

që të ikin nuk kthejnë më

 

POEZI

 

Mos era dhe dallgët latuan krahët e albatrosit,

të mprehur në maja: apo është pafytyrësi

të thuash se krahët latuan erën e fortë

 

dhe detet: atëherë këtu jemi ne miq, me gjithë

mirënjohjen dhe hapin e lehtë si shkel miku:

ne përmbushësit dhe qëndrestarët, shtretërve të lumenjve,

 

shpatullave të maleve, lëkundjeve të erës mes poplash

tulipanësh, barit dhe kokrrave të ngrira të rrushit të egër:

a jemi ne që vijmë deri këtu e prapë i lemë ata

 

siç ishin: a mos janë brenda nesh lumenjtë dhe rrëpirat,

ato që imiton bota, apo jemi ne

thjesht pasqyrim i një ndërtuesi të lartë

 

mikpritës i madh për ne: çfarë

do kish ndodhur me ne po ta rrëzonim poshtë atë

dhe stivë të ngrinim për nivel ato që dimë: na i merr

 

lumi shtëpitë dhe erën ia mvesh

velave e shpatave: ç’i mbetet

mirënjohjes kur mbetet e vetmuar, si

 

një ditë e zakonshme pushimi: albatrosi, ah, ai

gjuan dallgët me vullnet përtej

vullnetit të dallgëve dhe ne, me ato që bëjmë, ulim

 

poshtë detet që ngrihen lart, apo rrëpirat e maleve: ama

në përfundim nuk e lëshojmë përdhe: prapë, deri kur

shfaqet mikpritësi, zotë të shtëpisë këtu siç na ra jemi ne.

 

 

POETIKAT

 

Shoh për mënyrën

si do kthehen gjërat

prej spërdredhjes mu në qendër

trajtën

që do marrin që sot e tutje

kështu që ajo pemë mështekne e bardhë

cikluar me të zezë në degë

do shquajë

xixëllimin e erës

krejtësisht jashtë vetes:

 

shoh për format

me të cilat gjërat kanë qejfin të vijnë si

 

prej puseve të zinj të mundësive

si një gjë që do të

shtjellohet:
jo trajtën në letër – megjithëse

edhe atë gjithashtu – por

mjetet që nuk ndërhyjnë mbi letër:
pa kërkuar aq fort për trajtën

siç ndodh të jetë

si çdo trajtë që ndoshta

thërret vetveten

përmes meje

jo prej vetes time por prej vetes tuaj.

 

 

Përktheu : Rudi Erebara

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.