4 poezi – Kristina Peri Rossi

KRISTINA PERI ROSSI
(Uruguai, 1941)

NUK DOJA TË BINTE SHI…

Nuk dua të bjerë shi
të betohem
se të bjerë shi në këtë qytet
pa ty
dhe të dëgjosh zhaurimën e pikave
që bien
dhe të mendosh se aty ku ti jeton
pa mua
e bie shi mbi të njëjtin qytet…
Ndoshta flokët të janë lagur
dhe me telefonin në dorë
që nuk e përdor
për të më thirrur
për të më thënë
këtë natë të dua
po më mbytin kujtimet për ty
të kërkoj falje,
letërsia më ka vrarë
sepse të ngjan aq shumë.

FJALËT JANË GOGOLË…

Fjalët janë gogolë
gurë abrakadabra
që venë vulat
e kujtesës së shkuar
Dhe poetët kremtojnë harenë
e gjuhës
nën peshën e lutjes
Poetët ndezin vatrat
që ndriçojnë fytyrat e përjetshme
të idhujve të vjetër
Kur vulat venë
njeriu zbulon
gjurmët e paraardhësve të tij
E ardhmja është hija e së kaluarës
në prushin e një zjarri
të ardhur nga larg,
nuk dihet se nga.

PASIONI

Dolëm prej dashurisë
si nga një katastrofë ajrore
Kishim humbur rrobat
letrat
mua më mungonte një dhëmb
ty kuptimi i kohës
A thua qenkësh një vit i gjatë sa një shekull
apo një shekull i shkurtër sa një ditë?
Prej mobileve
prej shtëpisë
vetëm gjëra të bëra copë:
gota foto libra të shfletuara…
Ishim të mbijetuarit
e një vithisjeje
e një vullkani
e ujërave të tërbuara
dhe ndahemi me ndjenjën e mugët
të të mbijetuarit
megjithëse nuk e dimë pse.

DISTANCË E ARSYESHME

Në dashuri dhe në boks
gjithçka është punë distance.
Nëse afrohesh shumë më eksiton
më tremb
shastisem them marrëzira
filloj të dridhem.
Por nëse rri larg
vuaj e trishtohem
s’më zë gjumi
dhe nis e shkruaj poezi.

Në shqip: Bajram Karabolli


RELATED POST

COMMENTS ARE OFF THIS POST