DURIM ÇAÇA
PESOA
jan’ më të bukur detet e largët
se detet e afërt
më të bukur, ah, zjarret e largët
se zjarret e afërt
buzët e largëta më të bukura
se buzët e afërta
më të bukur herojt’ e largët
se herojt’ e afërt
se lotët e afërt
më të bukur lotët e largët
o Zot, më të bukur
zjarret tan’ të largët
nëpër atë mall të largët
jan’ më të bukur se malet e largët
malet e afërt…
KIRKEGARD
ësht’ e vuajtshme të jesh
i një dashurie të madhe
bashkëkohës
seç mbetet po gjithëherë
e njëjta botë
ah, se bota mbetet
po ajo, ngaherë
të jesh bashkëkohës
i një poezie të madhe
ësht’ e tmerrshme
bashkëkohës të jesh
i një ëndrre të madhe
ësht’ e dhembshme
e njëjtë, e njëjtë, e njëjtë
bota mbetet…
GANG
të diturit e mëdhenj lindin buz’ lumejve
merre dritë, lumin tim
e përndaje perëndi për perëndi
pikë-pikë
buz’ lumejve lindin të dashururit e mëdhenj
lumin tim, merre zjarr
e përndaje njeri për njeri
puthje-puthje
poetët e mëdhenj lindin buz’ lumejve
merre muzë, lumin tim
e përndaje jetë për jetë
këngë-këngë…
MAHABARATA
përbërë prej një lënde
miku dhe armiku
bujku e brazda
ajri dhe zogu
qielli e ëndrra
paj, se prej një lënde
dashuria dhe urrejtja
buzët dhe drita
duart e pema
loti dhe e qeshura
prej një lënde të njëjtë
ah, deti dhe flaka
malli e kometa…
NO COMMENT