CHARLES BAUDELAIRE
(1821-1867)
LEXUESIT
Gabimi, koprracia, mëkati, marrëzia,
Na pushtojnë në shpirt e na mundojnë në trup,
Ne ushqejmë pendimet tona më në fund
Siç ushqejnë lypësat morrat me mijëra.
Kokëfortë i kem’ mëkatet, pendohemi me frikë,
Pendimet i paguajmë me çmim të lartë,
Dhe kthehemi gëzueshëm në rrugën me baltë
Tek besojmë se njollat na’i heq loti hipokrit.
Mbi jastëkun e së keqes Satani Trimegjist
Përkund shpirtin tonë të magjepsur në djep;
Dhe metal i çmuar i vullnetit krejt
Avullohet nga ky dijetar kimist.
Është djalli aj që na lëviz gjithë qenien tonë,
Me sendet e neveritshme joshja na kap.
Çdo ditë drejt Ferrit zbresim nga një hap
Pa tmerr, mes Ferrit që kutërbon.
Si një i shthurur varfanjak që puth i dehur
Gjirin e munduar të një kurve plakë,
Ne vjedhim ndonj’knaqësi kalimthi si tinzakë
Për ta rrokë fort si një portokall të fshehur.
Në trurin tonë dëfrejnë djajt-mizëri,
Si një milion krimba gjallojnë pa u ndalë;
Tek marrim frymë, vetë Vdekja, lumë i pafjalë
Me rënkime të shurdhëta na zbret në mushkëri.
Në qoftë se Përdhunimi a Helmi, Thikë a Zjarr
Ende nuk kanë qëndis me vizatime plot vlerë
Kanavacen banale të fateve tona të mjerë,
Kjo ndodh sepse-Medet!-shpirtin s’e kemi guximtar!
Por midis çakejve, panterave e ujkonja
Majmunë, akrepë, zhgaba e gjarpërinj,
Përbindësha që kuisin, hungërojnë, zvarriten, ulërijnë
Në vathën e fëlliqur të veseve tona,
Është një më e ligë, më e ndyrë e gjithë shëmtim,
Ndonëse nuk lëshon gjeste e as klithma të mëdha,
Botën do ta bënte copë e th’rrime, hatá
Me qejf do ta përpinte me një gogësimë.
Është Mërzia! Lot’i pavullnetshëm në sy i regëtin,
Tek pi duhan, karamanjollën ëndërron ngjat.
Ti e njeh, o lexues, kët’ përbindësh delikat,
Ti, lexues hipokrit, i përngjashmi im, vëllai im.
Përktheu dhe pajisi me shënime: Rudolf Marku
Charles Baudelaire – Sharl Bodler – është i njohur së pari si autori i librit të famshëm poetic Les Fleurs du Mal, “Lulet e së Keqes“, por dhe për esetë dhe shkrimet e tjera. Është i pari poet që përshëndet përmes një shkrimi të mrekullueshëm poezinë e Edgar Allan Poe-së, një poet amerikan i anatemuar po aq sa dhe vetë Baudelaire-i, duke e përkthyer dhe botuar në Francë. Poezia e Baudelaire, me barokun dhe dekoracionin e vet stilistik, me imazhet e veta shokuese, konsiderohet sot e kësaj dite si themeli i poezisë moderne. Poema “Varrimi i të Vdekurve” i T. S. Eliot-it, ndoshta poema më e shquar e shekullit XX, përfundon me një varg nga poezia “Lexuesit” (Ti, lexues hipokrit, i përngjashmi im, vëllai im). Përkthyer nga frëngjishtja.
NO COMMENT