Gazmend Krasniqi
KONCERTI
Është një vendim i marrë prej meje: kushdo që m’i prek trëndafilat, duhet ta paguajë. E meritojnë: rri me orë e me ditë, derisa t’i zë “me presh në dorë”. Nga dënimet që i presin, të gjithë, ashtu si edhe prisja, bëhen kureshtarë të zgjedhin “të dëgjojnë historinë time”.
Në fakt, e tregoj unë, por kjo është historia e një çifti diku poshtë ballkonit tim. E prisja këtë zgjedhje edhe nga ju. Në romanet që kam lexuar, të them të drejtën, gjithçka është më interesante, por meqë ma kërkoni… Meqenëse lexoj në frëngjisht, italisht e anglisht, imagjinoni se sa kam lexuar. Nuk lexoj rusisht, por edhe autorët e tyre më pëlqejnë. Mos harroni, sot jam 85 vjeç.
Vetëm unë e si se sa e kam përjetuar atë koncert! Do t’jua tregoj si dramë, ose se ashtu e pashë unë, ose se ashtu më vjen më për mbarë. Unë gjithmonë i rri perceptimit të parë. E kuptoni? Ma kanë përsëritur shpesh këtë ata që më njohin. Nuk e di pse këmbëngulin, kur unë nuk e vë në dyshim, po ja që kështu ka ndodhur. Kështu pra, po jua tregoj si qe perceptimi im i parë. Nëse paska ndonjë të vërtetë tjetër, gjejeni vetë. Unë nuk kam moshë të ndërroj zakone.
Fillojmë?
Ajo ka qëndruar një copë herë në këmbë, duke e ndjekur të shoqin po luan në violinë, i cili ndalon për një çast.
– Mezi të dallova: kaq shumë kam punuar.
– Koncerti, i dashur, koncerti! Pjesa tjetër është bota monotone materiale: erë gjelle… fustane… pluhura mbi tryezë… diell mbi kokë… çanta blerjesh… fruta të prishura… sidomos, fustane… me të gjitha ngjyrat… Shiko, a nuk i ngjajnë paletës së pasur të një piktori, sidoqoftë?… Ose një pasurie tingujsh që prodhojnë notat muzikore?
– Vazhdon të dëgjosh muzikë me dëshirë?
– Deri në përjetësi…Yt kushëri, që punon në ministri, tha se mund të vijnë disa VIP-a në koncert. Nga ata të lartit fare. Gazetat flasin shumë mirë… Ndërsa djalin e rregullova te nëna.
– Gati harrova: nëna të ka bërë një dhuratë. Nëna që qe aq fort kundër martesës sonë, tashti të do më fort ty se sa mua… Nesër të dua në rreshtin e parë. Me këtë fustan.
– Në rreshtin e parë: në qendër. Ndoshta jo me këtë fustan. Po përpiqem të gjej figurën time… Ik tashti… Ose shiko pak… E kuqe… E verdhë?… Blu?… E zezë?… E verdhë indiane?… E kuqe angleze?… Hajt, tregoje veten, artist.
– Të dua përditë e më shumë. A s’është shqetësuese?
– Të lutem, mos e ngarko veten kështu para koncertit: ke sakrifikuar kaq shumë për këtë ditë. Të lutem! Bëhu i dëgjueshëm.
– Të dua me frikën e atij që do të të humbasë.
– Mbase duhet të flesh pak. Të zgjoj unë kur të duash.
– Më duhet të merrem edhe pak me momentet e pasigurisë: nuk ka kohë.
– Ku e dija unë se mund të dashuronte një minuk me syze si ti!
– Sadiste!
– Sadiste?
– E ke ditur, por ke pasur kënaqësinë të më mundosh.
– Ishim kalamaj, mos ma lër mua përgjegjësinë.
– Më tepër kam qarë kur braktise violinën, sesa kur u lidhe me atë tipin. Ato ditë kam pirë cigare e alkool sa nuk kam pirë gjatë gjithë jetës sime. Ti s’e di: një natë kam ardhur dhe kam bërë serenatë përballë dritares tënde. M’u pre oreksi dhe humba gjithë ato orë studimi. Po vargjet e dashurisë a i mban mend? Një fletore e mbushur me to. Atëherë u betova se nuk do të martohesha kurrë, se do të të doja ty gjithë jetën.
– Ke qenë fëmijë. Madje as adoleshent jo, veçse fëmijë.
– Tashti të dukem i rritur?
– Di se më thonë “zonja jote”.
– Atëherë, unë jam një “zotëri”, dhe ti kot mërzitesh kur të thonë “zonjë”.
– Kur jam pa ty më thonë zonjushë.
– Do të ndëshkohesh.
– Nuk guxoj të të them më plak: dje pashë thinjat në pasqyrë.
– Ky mund të ishte koncerti i të dyve!
– Nuk të duket se është edhe koncerti im?
– Shko e luaj pak në violinë.
– Jo, se do të më përtërihet kjo shenja që lë violina në qafë.
– Dhe…?
– Ai, që ti e quan “tipi”, prandaj u marros dikur pas meje: kujtonte se këtë shenjë ma linte kafshimi i një mashkulli.
– Besoj se Frojdi i ka klasifikuar edhe këta perversë… Të lutem, luaj për mua sonte në violinë!
– Më duhet të gjej fustanin. Ti as më ndihmove! Pastaj duhet të gatuaj. Ndërkohë, do të kem bërë një banjë dhe…
– Do të luash edhe në violinë?
– Mikja jonë, zonja e moshuar, ka dalë në ballkon dhe pret që ti t’i vazhdosh përgatitjet për koncertin.
– Sa kohë që i bie violinës, në ballkon do ta shikosh.
– Padyshim që duhet të ketë qenë shumë e bukur.
– Vazhdon të jetë.
– Ti thua se është e vërtetë historia e atij djalit që vrau veten për të?
– Kanë shkruar plot gazeta. Është histori që ka marrë dheun në kohën e saj. Nganjëherë, shkruajnë edhe sot. Disa që e admirojnë, disa që e shohin si një person që ka qenë gjithmonë jashtë kohe.
– Po ku mund ta gjente armën një adoleshent?
– Nganjëherë, mjafton të të shkojë mendja.
– E mban gjallë ëndrra për ta njohur si violiniste.
– Unë them se më tepër e mban ëndrra për të jetuar si violiniste. Sa u gëzua kur ia dhamë ftesë!… Përpiqet të kapë teknikën, sepse nuk ka vazhduar kurrë një shkollë të mirëfilltë arti. Kur ka qenë fëmijë, ka marrë pak mësime në një shkollë murgeshash.
– Besoj se ftesën e ka parë si një dhuratë të çmuar.
– Padyshim.
– Tashti shko te violina. Meqë nuk më ndihmove, unë po përpiqem të gjej fustanin që do të vesh nesër.
Ndërsa ai u largua për te vendi i studimit, ajo filloi të merrej me rrobat, ngjyrat dhe prerjet e tyre. Pas pak çastesh, atje pas raftit të rrobave, dukej duke folur në celular. Kur u shfaq, pasi kishte mbyllur telefonin, gjithë qenia e saj tregonte shenjat e një tronditjeje të thellë. Vazhdimisht shikonte nga telefoni që mbante në dorë dhe nuk e ndjente afrimin e tjetrit.
– Po më dëgjoje?
– Po. Je shumë mirë.
– Vërtet?… Mos ishte ndonjë që pyet për koncertin?
– Mos u bëj merak: i kam lajmëruar të gjithë. Mbase i kanë rënë gabim. Ndodh shumë herë.
– Mbase. Edhe mua më ndodhin shpesh kësi telefonatash misterioze. Ku të gjetën ty që je lodhur gjithë ditën? Shko pusho pak.
– Jo, do të të dëgjoj ty. Kështu çlodhem.
– Atëherë, mbylle telefonin që të rrish rehat. S’ke frikë se të shqetësojnë prapë?
– S’ka rëndësi: rëndësi ka të të ecë ty. Shko, vazhdo punën. Sidoqoftë puna, ti mos e mbaj mendjen këtu: merrem unë me telefonat.
– Më është tharë goja: s’mund të vazhdoj pa futur diçka në gojë… S’ka asgjë në frigorifer… Po ti ç’ke? Je zverdhur e tëra.
– Më duket se ka qenë një ditë tepër e lodhshme.
– Të lajmëroj ndonjë mjek?
– Jo, jo, se do të më kalojë. Mbase ky fustan që vesha, më tregon më të zbehtë. Do të provoj ndonjë ngjyrë më të fortë. Ndonjë që më shkon me flokët.
– Gatuaj unë: ik pusho ti.
– Afrohu… Më shtrëngo fort… Unë s’të meritoj.
– Kur të kthehesh nga Parisi, duhet fillosh të mendosh më shumë për veten. Do të kujdesem unë për gjithçka.
– Për veten?
– Ti ke talent.
– Sa shumë talente në një shtëpi kaq të vogël!
– Ti ke talent në gjithçka që bën.
– A mendon se do ta përballoja edhe një dështim të dytë?
– S’po të kuptoj.
– Po ja… amatore në violinë… amatore në…
– Është hera e parë që thua gjëra të tilla.
– Kur më thua të luaj në violinë për ty, më duket sikur ngulmon të ma kujtosh… dështimin… Tashti mos m’u ngatërro nëpër këmbë, se do të gatuaj. Sonte duhet punë, që të kemi nesër festë.
Ai u largua dhe luajti një copë herë në violinë. Befas ajo u duk duke folur përsëri në telefon. Me një tjetër veshje, por shumë më e hutuar se herën e parë.
Ndërkohë ai, që e kishte lënë violinën, iu afrua i shkujdesur.
– Akoma s’e more veten? E dashur, për çfarë ke nevojë? Tregoji mikut tënd. Jepi!
– Nuk kam gjë, jo.
– Nuk ke gatuar gjë? Po unë doja të haja për shtatë vetë! Më dëgjon?
– Sigurisht!
– Nuk je mirë?
– Më qëllo… Më rrih… Më qëllo… Më rrih… Unë nuk jam një grua e mirë për ty.
– Sonte nuk është natë për të bërë këtë lloj humori. Para syve kam vetëm nota muzike… Kur të kam goditur ty ndonjëherë? Kur e kam çuar këtë ndërmend, thuaj!… Jam tepër i uritur për ta përtypur këtë humor. Do të ha për shtatë ditë, të thashë. Po, sonte do të ha për gjithë këtë javë.
– Shiko…
– Na bëj ndonjë gjë të çastit. Sado e thjeshtë të jetë, vetëm të fus diçka në gojë. Hajde, vëri në punë këto duart e tua të vockla.
– Prit…
– Pse ke vendosur të na prishësh humorin sonte?
– Të kërkoj ndjesë!
– Kështu po! Ja sa e lehtë është të jesh një grua e mirë!
– Unë…
– E dashur, përse të ka hipur për kaq shumë fjalë! Mandej, përse nuk e heq nga dora atë telefon?… Do ta hedhësh, apo jo?… Po bie… Pse nuk e hap?… Kush është?… Pa ma jep pak mua.
– Është… dikush… që sapo telefonoi.
– Kush?
– Dikush.
– Nëse s`paska identitet, pse i kushton vëmendje?
– Atë po bëj.
– Mos vallë po të duhet të sforcohesh pak?… Më fal, desha të bëja shaka! Bëra shaka.
– Më qëllo.
– Ç`dreqin ke kështu! Më sqaro pak, dreqi e mori.
– Më qëllo.
– O Zot, ç’është kjo? Një mënyrë eksitimi?
– Të lutem, më shtrëngo! Të lutem! Më ndihmo, se do të çmendem!
– Po nuk më sqarove, do të çmendem unë para teje.
– M`u kujtua një histori e shkuar.
– Ndoshta të janë lodhur nervat. Nuk ke pushuar fare këto ditë.
– Ndoshta!
– Atëherë fillo të pushosh qysh tashti.
– Po përpiqem.
– Tashti, menjëherë.
– Shumë kohë më parë, kur isha në Danimarkë, jam njohur me një burrë.
– A ka emër?
– Është i huaj… është francez.
– Edhe…?
– Është ai që më mori dhe vazhdon të më marrë në telefon.
– Mos vallë e ke prej tij ftesën e konferencës në Paris?
– Sapo ma tha.
– Çfarë kërkon prej teje?
– Të martohet me mua.
– Po ti je e martuar! Jam yt shoq, apo jo? Atëherë çfarë ka për t’u shqetësuar? Mandej, unë e di se të gjithë burrat duan të martohen me ty. Gjithmonë e kam ditur.
– Më fal! Do të më falësh?
– Vetëm kur të ha gjërat e shijshme që gatuan kjo dorë. Po më gërryen uria: të lutem, gatuaj diçka. Unë kam edhe pak minuta punë dhe po e mbyll për sonte. Dua të rri këtu pranë teje. Mirë?
– Shko tashti.
– Me sa shihet, ai s’e ka ndërmend t’i ndahet telefonit.
– Lëre të mërzitet. Do të mërzitet dikur.
– S’e ka ndërmend të mërzitet ai maniak.
– Do të mërzitet dikur. Shko te violina.
– Pamja jote po më tremb. Dëgjon? Pamja jote po më tremb… Pamja jote s’po më pëlqen.
– Mos fol marrëzira. S’ta kam ngenë tashti.
– Ti je zbardhur e tëra.
– Jam e lodhur. Do të më kalojë… Ose e ka fajin fustani që kam veshur.
– Ma jep mua atë telefon.
– Në asnjë mënyrë.
– Në asnjë mënyrë?
– Çfarë do t’i thuash?
– Diçka. Ku di unë se çfarë!
– Je xheloz?
– Përgjigja jote do të më ndihmonte ta marr vesh. Hape telefonin dhe foli. Tregoje që je ndërgjegjja ime, siç kam dashur gjithmonë.
– Ti po më kontrollon? Ky është presion?
– Ndoshta.
– Ndoshta?
– A ke provuar ndonjëherë të kesh probleme me ndërgjegjen tënde?
– S’po të kuptoj.
– S’ta kam thënë ndonjëherë, por ja ku e solli rasti: unë të kam dëgjuar njëherë tek flisje me këtë francezin tënd.
– Po ti s’di frëngjisht! Çfarë paske dëgjuar?!
– S’ishte edhe aq e nevojshme: ishte e mjaftueshme sa për të lindur një krimb sikletosës brenda meje.
– Ti më ke përgjuar? Më thuaj: ti më ke përgjuar?
– Kurrë. Ka ndodhur rastësisht. Të betohem se kurrë nuk kam menduar për përgjim.
– Je bërë xheloz? Më thuaj, je bërë xheloz, apo jo?
– Të fola për një krimb sikletosës. Të them të drejtën, nuk ishte e lehtë të jetoje me të: çdo lëvizje e dyshimtë e jotja ma nxinte ditën. Mendoje se deri ku shkon fantazia e një njeriu të ndjeshëm! E ke provuar ti ndonjëherë këtë gjendje?
– Pse s’ma ke thënë? Pse i bluan këto gjëra vetëm për vete?
– Edhe unë kam miqësitë e mia, por kam ditur t’i kontrolloj ato. Prej teje prisja të njëjtën gjë. Normale, apo jo?
– Po mori, do ta fik.
– Kjo s’është përgjigje.
– Ti më premtove ndihmë.
– Po.
– Atëherë afrohu. Shtrëngomë dhe thuamë ndonjë fjalë të mirë.
– Je shpirt!
– Ti je shpirt.
– Më premto se do t’i kthesh përgjigje.
– Të premtoj!
– Je shpirt!
– Shko te violina. Po përpiqem të gatuaj diçka.
– Do të rri këtu me ty.
– Shko. Ndjehem më mirë.
– Je e sigurt?
– Po.
– Zilja s’po bie më, por ai të pret në Paris… Sikur të mos shkosh fare këtë herë?
– Nuk do të ishte gjë e mirë për karrierën time. Më ke thënë se i do të gjitha gjërat e mia, apo jo?
– Ai maniaku do të të shqetësojë.
– Unë jam e përgjegjshme për jetën time, apo jo? Të lutem, shko te violina: ky koncert është i rëndësishëm për të dy ne.
– Më gëzon kur thua kështu.
– Shko.
– Je shpirt!
– Shko.
– Fjala jote është urdhër për mua.
– Atëherë, të urdhëroj.
– Por më parë duhet t’i përgjigjesh atij dreq telefoni: nuk mund të punohet kështu… A s’e dëgjon zilen?
– Zilen e telefonit? Cilit telefon?
– Ti nuk je mirë. O Zot, ti po më ha të gjallë sonte!
– Më merret pak fryma: hapi dritaret… Dritaret, të lutem!
– Hapur janë dritaret.
– Kam vështirësi në frymëmarrje.
– Të thërras një mjek? Ke ankth.
– Jo. Do të më kalojë.
– Çfarë të bëj për ty?
– Shko, luaj në violinë.
– Nuk të lë vetëm. Çfarë po bëje? Mos po mbaje pesha të rënda?
– S’po bëja gjë. Po dëgjoja muzikën.
– Mos janë probleme shtatzënie?
– Jo, jo. Thjesht po dëgjoja muzikën, kur m’u bllokua frymëmarrja.
– Nuk të lë më vetëm. Do të rri këtu pranë teje.
– Nesër ke koncertin. Janë lajmëruar gjithë ato njerëz.
– As vetë karriera ime nuk ka kuptim pa ty, jo më një koncert. Ky është kyçi i karrierës tënde. Sonte nuk po i bie më violinës: në djall ato pasiguritë e vogla. Do të rri këtu pranë teje.
– Mos u bëj i marrë: bëje për mua. Shko te violina!
– Mos ma kërko këtë. Do të rri këtu pranë teje.
– Duhet ta bësh për mua.
– Ndryshon puna: nëse thua ti, bëj edhe më tepër se kaq.
– Je shumë i mirë.
– E mirë je ti.
– Shko.
– Është urdhër?
– Pothuajse.
– Kështu, po. Je shpirt!
– Shko.
– Çfarë do të isha unë pa ty?
– Shko. E dua këtë koncert. Ti duhet ta bësh atë edhe për mua: i kam emocionet sikur do të dal vetë në skenë.
– Po më detyron shumë: s’di në do t’ia dal kësaj që më kërkon.
– Je shumë mirë: veçse mbylli edhe këto problemet e fundit.
– Ti mendon se jam mirë? Më intereson shumë mendimi yt: ti mendon se jam mirë?
– Padyshim. Mund të të gënjeja ty, por nuk dua të gënjej veten.
– Tepër e madhe për mua kjo që po ma beson. A do ta mbaj, thua?
– Unë pres që të ndryshojë edhe jeta ime, jo vetëm e jotja, pas këtij koncerti.
– Mos më kërko kaq shumë, të lutem! Unë një copë violinist jam!
– Unë di çfarë kërkoj. Gjithmonë e kam ditur çfarë kërkoj.
– Nuk të kuptoj. Fol më shkoqur, të lutem!
– Një takim me Presidentin e Republikës mund të ndikojë për të ardhmen e karrierës sime.
– Për çfarë e ke fjalën? Hapu para mikut tënd.
– Do ta tregojë koha. Durim, i dashur, durim!
– Nuk të është hequr nga mendja ideja për të shkuar në ndonjë ambasadë?
– Rekomandimi i Presidentit do të na hapte rrugë për punë në një organizëm ndërkombëtar. Sidomos, po u prit mirë tema që do të mbaj në Paris.
– Mendoja se këto ide kanë mbetur në një kohë të shkuar: s’më ke folur më për to. E dashur, pse më mban kaq larg?
– S’ka rënë biseda. Ja ku ra.
– Më vjen mirë që s’të kanë lëshuar dëshirat për jetën. E unë ta qaja hallin!
– S’jam plakur akoma. Pse ti je plakur?
– Nganjëherë më duket vetja njëqind vjeç.
– Si do ta shtyj unë me një njëqindvjeçar?
– Mosha ime është në dorën tënde.
– Ç’është kështu me ty sonte: ik, more, luaj në violinë.
– S’bëre mirë që më tregove për ato dy thinjat.
– E di mirë. Të dhashë një mundësi që të më kundërvihesh kur të të them “xhaxhi”, siç të tha ai djali i vogël atë natë.
– Dua të them se të gjitha këto të miat kanë emrin tënd.
– S’është e vërtetë.
– Eh! E vërtetë, the!
Fjalët e fundit i tha në ecje e sipër, sepse qe nisur drejt violinës. Kur mbërriti te vendi i takimit, më tepër u mor me partiturat, sesa me instrumentin. Pas raftit të rrobave, ajo përsëriti të njëjtën pamje: duke folur në telefon, po ai i kaloi anash dhe u zhduk për disa çaste. Pas pak, ai u shfaq me një tufë të madhe trëndafilash, të cilën e vendosi në tavolinë dhe priti derisa ajo u afrua dhe e vështroi atë dhe tufën e luleve. Ky është çasti kur vendosa t’i dënoj të gjithë ata që do të më preknin lulet.
– I dhe përgjigje atij maniakut?
– I thashë… diçka.
– Ta festojmë me një gotë verë, atëherë. Na mbush nga një gotë. Do të jepja mbretërinë për një gotë verë. Hape shishen.
– Jo.
– Pse?
– Duhet të bisedojmë.
– Jo. Tashti duhet të pimë verë.
– Duhet. Pikërisht tashti duhet.
– As mos e ço nëpër mend. Ti duhet të bëhesh zot i jetës tënde: kaq. Harroi vogëlsirat e papërfillshme të jetës. Mbyti me verë.
– Muzika qëparë më çoi në qiell.
– Muzika këtë synon.
– Veçse me disa shpirtra ia arrin e me disa jo.
– Ta thyej violinën, thua ti?
– E kotë: tashti muzika është në ajër. Unë jam e mbushur me të.
– Tashti duhet të pimë verë. Nesër e mbledhim mendjen dhe flasim për këto gjëra.
– Ti si artist e di se arsyeja dhe logjika nuk i japin zgjidhje kësaj bote.
– Ti mendon se e njeh veten në këto çaste?
– Po përpiqem ta njoh.
– Lëri vendimet për nesër: do të pendohesh për këto që po thua.
– Jam esëll. Dhe, them, më esëll se kurrë më parë.
– Do më çmendë ky telefon! Jepi përgjigje dhe të shohim se sa esëll je. Jepi përgjigje! A dëgjon nga veshët: jepi përgjigje!
– Ti po bëhesh i dhunshëm?
– Do të bëhem edhe i dhunshëm në qoftë nevoja.
– Si guxon?
– Si guxoj? Ti më thua mua si guxoj?
– Sigurisht.
– Jepi përgjigje!
– Jo.
– Atëherë unë gjej shumë arsye për të guxuar.
– Lëre këtë bisedë.
– Jepi përgjigje!
– Jo.
– Jo? Atëherë ti më ke mashtruar gjithë këtë kohë… Mjaft e gënjeva veten se ai na qenka një maniak. Shikomë në sy!… O Zot, s’desha ta besoja: ti më paske tradhtuar me të vërtetë. Ti më paske tradhtuar! Ti më paske tradhtuar! Ti më paske tradhtuar! Si nuk të kam kuptuar! Si nuk të kam kuptuar! Kaq i trashë paskam qenë! Si ke guxuar të ma bësh këtë? Si ke guxuar? Si? Jepi përgjigje!
– Të thashë se nuk i jap.
– Ti do t’i japësh përgjigje tani, këtu në praninë time: nuk mund të më mashtrosh më.
– Jo.
– Po.
– Ti nuk mund të shikosh asnjë arsye për të më goditur, sepse të janë errur sytë.
– Ti e sajove këtë dramë, hajt na nxirr prej saj.
– Për personazhet nuk vendos dramaturgu: ata kanë jetën e vet.
– Dhe…?
– Ata kanë jetën e vet.
– Unë duhet ta di cili është roli yt, që ta kuptoj se cili është roli im… Ti ke shkuar me atë burrë?… Ke shkuar me atë burrë dhe nuk ke pasur fare probleme me ndërgjegjen tënde?… Unë qenkam një leckë për ty?… Pse ma ke fshehur?… Më ke thënë kaq kohë se më doje!…
– Të doja.
– Nuk di ta kuptoj këtë që thua. Nuk di ta kuptoj nëse kjo të justifikon.
– Ti ishe dhe je burri im.
– Pranoj që jam i trashë: të lutem më sqaro!
– Ti je aq i trashë aq sa mund të pajtohem unë me dështimet e mia.
– Kush ta ka kërkuar këtë?
– Jeta… Jeta që bëjmë bashkë.
– Unë jam një njeri që e di se ç’është dialogu.
– Ne po e bëjmë këtë dialog.
– Po e bëjmë dialogun?… Tashti!?
– Pse jo?!… A nuk më trajton si një njeri të dështuar? A s’je ti që e ke harruar fare personalitetin tim?
– Ti mendon se mund të shtyhet jeta me mashtrime?
– Ke të drejtë: unë nuk dua ta mashtroj më veten. Por ti përgjigju pyetjes sime.
– Porse mua më ke mashtruar pa pikën e brerjes së ndërgjegjes… Si ma bëre këtë?… Vazhdoj të mos e besoj se është e vërtetë…Thuamë se sajove një shkak që unë të të lë të shkëputesh prej meje.
– Nuk dua ta shtyj më jetën mbi gënjeshtra. Mjaft më! S’është mirë as për ty, as për mua. S’është mirë për të ardhmen tonë, pra.
– Qenka e vërtetë, pra… Ku e merr kurajën të ma thuash me kaq lehtësi? Ku?… Zoti të ka dërguar në këtë botë që të më kujtosh mua dështimin… Por ti e di mirë që nuk është në natyrën e njeriut që ta pranojë dështimin…
– Ti nuk je i dështuari. Ëndrra e jetës tënde ka qenë një koncert si i nesërmi. Njëzet e katër orë të ndajnë prej saj… E dështuara jam unë.
– Prandaj e kërkon dështimin e këtij koncerti.
– Mosmirënjohës.
– Mendon se nuk e ke shkatërruar këtë koncert?
– Puno edhe pak minuta dhe ia ke dalë.
– Ti po më ha të gjallë mua!
Ai fillon të vinte rrotull nëpër apartament. Befas ndaloi te bufeja, nxori një shishe dhe filloi të pijë. Gjestet e tij qenë prej pijaneci. Ajo nuk e duroi këtë pamje. U kthye nga zonja e moshuar – unë, pra – e cila nuk e kishte humbur pamjen kureshtare, mandej mbylli pak grilën e dritares.
– Mos pi.
– Pse nuk më shikon si xhentëlmen?… Lute Zotin që pate një burrë… artist…
– Mbaje veten. Ti s’je nga ata që pi… mund të të bëjë keq.
– Po pi për fitoret e gruas sime… A nuk jam një xhentëlmen?
– Mos pi.
– Thuamë se nuk është e vërtetë… se sajove një shkak… budalla… për të më provokuar… Thuamë se nuk ia arrite qëllimit… Thuamë diçka… nëse…
– Mos pi.
– Vetëm këtë fjalë di të më thuash? Çfarë më ka mbetur nga sedra e burrit?
– Jeta jonë nuk duhet të shtyhet më mbi gënjeshtra… Jeta është e gjatë.
– Frazë dramash mediokre.
– Deri këtu shkove? Mos duhet të ta kujtoj se talenti isha unë? Mos duhet të ta kujtoj se ti ia ke dalë vetëm në sajë të punës sistematike që ke bërë?
– Atëherë mos duhet parë më mirë përcaktimi i talentit?
– Ashtu!
– Kush di për këtë histori? Këtë historinë… e francezit?
– Ti je rob i opinionit.
– Pse e bëre?
– Ka veprime që nuk ua mendojmë dot pasojat.
– Ky arsyetim nuk është justifikim.
Ajo u largua pak, pastaj tërhoqi një çantë, të cilën e hapi me durim dhe hodhi te këmbët e tij një tufë me zarfe.
Atje në ballkonin e saj, zonja e moshuar – unë, pra – kishte marrë pozën e plotë të kureshtjes.
– Po, janë të pahapura: qysh se e mora vesh se kërkonte martesë prej meje, nuk hapa më asnjërin nga zarfet. I shikon?
– E çfarë të shikoj: ti ke bërë çfarë ke dashur. Ke luajtur me mua, ke luajtur edhe me atë. Ti paske qenë një përbindësh! Si ka mundësi që kam jetuar nën një çati me ty?! Si ka mundësi?!
– E kam respektuar martesën tonë.
– Kjo është pak e pakuptueshme për mua.
– Jo më pak, edhe për mua. Mos pi.
– Po unë jam një njeri që nuk i mungon dashuria, apo jo.
– Ti s’e ke parë kurrë veten të pirë: mbase të bën qesharak.
– Qesharak!?… Pse u dashka të pi që të bëhem qesharak: ti ia dole të më bësh qesharak edhe pa pirë.
– Ku shkon?… Ku shkon?
– Përse do që të dish për mua?… Më ke nxjerrë nga skena e jetës tënde, apo jo?…
– Ku shkon?
– Bëra gjithçka për ta ngritur dhe për ta mbajtur këtë familje, por ti vendose vetë për gjithçka.
– Ku shkon?
– Ku shkon?!…
– Ti tërhiqesh me qëllim që t`i fyesh veprimet dhe vendimet e mia. T`i injorosh.
– Ti s`ke lënë asnjë grimë vend të them edhe unë diçka, apo jo?
– Ti je burri im dhe ne duhet të diskutojmë bashkë.
– Burri yt?!
– Ti nuk më konsideron më si gruan tënde?… Jo?
– Ti… ti…
– Mbase ke të drejtë të më dënosh. Mbase… unë…
– Përse… përse nuk… e anulon këtë udhëtim? Të lutem, anuloje! Bëje për vete dhe për të gjithë ne.
– Ti e di se kam për të mbajtur temën time shkencore. Ti e di se nuk duhet t’i bie me shqelm këtij shansi.
– Edhe kjo është punë e tij, apo jo?
– Është njeri me pushtet dhe influencë të madhe.
– Më ke kthyer në një njeri qesharak.
– Ku shkon?… Ku shkon?… Duhet të bisedojmë… Ku shkon?… Për ty gjithçka është muzika, apo jo?
– Kujtova se gjithçka është te muzika. Kur luajta, qeshë i fortë, por kur ndalova, heshtja qe më e fortë.
– Ku shkon?… Ku shkon? … Ku shkon? O Zot, qenkam e dënuar me çmimin e tmerrshëm të lirisë sime!… Për këtë kam ëndërruar?… Për këtë kam luftuar?… Kur do ta gjej origjinën e çdo ndjenje?… A do ta sistemoj ndonjëherë jetën time?
Ajo dëgjoi zilen dhe hapi telefonin. Dëgjoi një copë herë, duke bërë hapa nëpër apartament. Më në fund e hodhi telefonin nga dora. Megjithëse me shpinë nga ajo, ai kishte ndaluar që të dëgjonte. Çfarë shikoi pastaj, qe një femër që e kishte humbur toruan.
– E ka me të vërtetë… Avioni do ta sjellë këtu për tri-katër orë… E ka me të vërtetë… Si mund ta bëjë ai këtë? Si?… Fol! Pse nuk flet? Pse?
– Ne nuk duam ashtu si lulet, që çelin vetëm një herë në vit.
Kur dashurojmë, në krah e në gjak na vërshojnë
Rrëke lëngjesh jetëdhënëse.
O vajzë, ja cila është e fshehta:
Ç’dashurojmë,
Nuk është vetëm një gjë,
Diçka që pritet të vijë në të ardhmen,
Por gjithçka që gëlon e valon nga brenda e pa numërim.
Jo vetëm një fëmijë,
Por të gjithë etërit, që si rrënjë vargmalesh
Janë ngulitur brenda nesh,
Porsi shtrati i nënave të dikurshme:
Porsi të gjitha peizazhet pa zhurmë,
Nën qiellin e një fati me re apo të kthjellët.
Moj vajzë, ja e fshehta.
Dhe kjo e fshehtë ka qenë para teje.
– Kjo është e gjitha ajo që ke për të më thënë?
– Ti e di se unë di shumë vargje. Ky më duket se ishte Rilke. T’i kam recituar kaq herë, sa më duket se jam unë autori. Mos i do më gazmore?
– A do të jem ndonjë ditë ballë për ballë me një burrë të vërtetë!
– Hë, i do gazmore?
Ai uli violinën nga dora dhe kthye përsëri me shpinë nga ajo. Duket sikur shikonte zonjën e moshuar – mua, pra. Kishte ardhur muzgu i një fundvjeshte dhe ndjehej ardhja e errësirës. Meqë qe bindur për kokëfortësinë e tij, ajo vërtitej nëpër apartament, derisa i mbeti shikimi te violina. E kapi instrumentin dhe filloi të luajë në të. Kur u kthye nga ajo, tashti qe ai që vërtitej i hutuar.
– Ti po i bie violinës?… Ti po i bie violinës?… Nuk i re për mua, por po i bie për atë… Ti kërkon të përtërish shenjën në qafë dhe të tundosh atë perversin, francezin tënd. Ashtu siç tundove atëherë atë tipin… Kur të la ai tipi, ti s’e vuajte fare, sepse e dije se të prisja unë, i ndjeshmi, i dashuruari dhe, për më tepër, i virgjëri… Ti prapë kështu mendon: sa të mërzitet ky francezi, do të kthehesh te unë. Tek unë i ndjeshmi, i dashuruari… Kështu është, apo jo!… Veçse unë nuk do të jem që çmendet pas dy bishtalecash. Veçse tashti unë nuk do të jem më një i virgjër. Veçse tashti unë nuk do të jem një deklamues qesharak vargjesh dashurie. Veçse tashti unë do të jem një burrë i vërtetë. Ti nuk do të ikësh te perversi yt pa… pa… Tashti do ta marrësh vesh se ç’është një burrë i vërtetë. Tashti… do të kuptosh… Gjithmonë vjen çasti i një burri…
– Po, e kam pritur gjithë jetën këtë çast… Çastin e burrit… Me një fjalë: dua djalin.
– Siç e sheh: më shkrive së qeshuri. Dashke djalin!
– Dua djalin.
– Si mund ta mendosh këtë?
– Ai ka nevojë për…
– Ai ka nevojë për një baba si unë e jo për një nënë si ti.
– Le të mos grindemi kot për këtë: djali ka nevojë për përkujdesjet e nënës.
– Ta dhashë njëherë përgjigjen.
– Nuk ke të drejtë.
– Ti flet për të drejta? Ti ke gojë e flet për të drejta? A di çfarë i mbetet një burri kur i humbet të gjitha?
– Po ja, thuhet se hyjnia që vdes e fundit, është shpresa.
– Gabim, e dashur! Kush ka qenë ai budalla që e ka thënë këtë?… Hyji që vdes i fundit, është nderi.
– E ke gabim: hyjnia që vdes e fundit, është shpresa.
– Jo, e dashur, gabim e ke ti. Hyji që vdes i fundit është nderi. Unë e di shumë mirë këtë.
– Jo…
– Jo?! Ti je një fatalitet, e dashur, ti një fatalitet! Ti nuk duhet ta marrësh më botën në qafë. Dëgjomë mua: hyji i fundit është nderi. Unë e humba edhe atë. Ka vdekur nderi, kupton, apo jo?… Unë i përkas asaj race, ku kjo është gjëja më e shenjtë: e kupton apo jo?
– Ti i ke të gjitha.
– Të gjitha?!
– Djali ka nevojë për përkujdesjet e nënës.
– Jo të një nëne si ti.
– Mblidhe mendjen.
– Kishe të drejtë: nuk durohet dështimi. Këtu të kërkoj falje: nuk e kam ditur se çfarë do të thotë të dështosh. Tashti e kuptoj: edhe shikimi të erret. Ja unë tashti nuk shikoj asgjë… Ti mos je gjë këtu?
– Nuk ke dështuar: nesër ke koncertin.
– Nesër?! Nesër kam koncertin? Të dështuarin e lë edhe kujtesa.
– Duhet të merremi vesh për diçka.
– S’na ka mbetur ndonjë gjë për t’u marrë vesh.
– Nesër vjen… Dua ta marr djalin me vete. I rregullon ai dokumentet e djalit.
– E thashë unë: ti je një fatalitet, e dashur, ti je një fatalitet. Si mund ta mendosh?
– Do të humbasësh çdo gjyq: mos u lodh kot. Mjaft. Bëre çfarë kishe për të bërë, tashti mjaft.
– S’i kam bërë të gjitha. E di, nuk është faji yt. Ti je gatuar kështu. Nuk është as faji im. Unë jam gatuar kështu… Nuk duhet të marrësh më askënd në qafë… Është shkruar drama jonë: nuk të mbetet të bësh asgjë…
– Gjithmonë mbetet diçka për të bërë.
– Më jep edhe një shans të vetëm! Po të kemi vullnetin e mirë, do t’ia dalim. Kthehu!
– Nuk ka mbetur më shans për ne. Ky është çast ndriçimi të vërtetë.
– Ky është çast ndriçimi të vërtetë.
– Me keqardhje… Më duket se i thamë të gjitha… I ndjej shpatullat shumë të lehta: sikur sapo hoqa një barrë.
– Kurrë nuk mund të thuhen të gjitha. Të gjitha… i mbyll vetëm vdekja.
– Mendoj ndryshe.
– Se ku i kam dëgjuar këto fjalë!… Ndoshta në një film… apo dramë… Ndoshta kemi parë shumë shpesh drama… Më shpesh se sa duhet… A nuk mund ta themi dot një fjalë nga vetja? Si thua?
– Fundi i fundit, arti i prin jetës, siç thotë Oskar Uajlldi…
– Mundet të jetë ashtu. Po a nuk të duket se një ditë duhet të lexojmë të palexuarën, atë që është vetja jonë e pastër, që nuk mund të përsëritet te të tjerët?
– Ndoshta filluam t’u ngjajmë engjëjve. Thuhet se engjëlli që rri mbi gjithë të tjerët, thotë një fjalë të vetme… Një… Cila të jetë kjo vallë?
– Ndoshta, fjala “Zot”.
– Po humbasim kohë me gjëra pa vlerë.
– Dua një shans të vetëm!
– Është shumë vonë. Duhet të jetë nisur dhe avioni e sjell këtu brenda pak orësh. Tashti duhet të flasim për djalin.
– Ç’më mbetet mua nëse ti merr edhe djalin! Ti i rrënove të gjitha.
– Tashti unë e di se kur bëja dashuri me ty, kisha parasysh atë. Fytyrën, zërin, erën e trupit të tij.
– Edhe këtë po e thua!
– Është e vështirë të mos e lëndosh atë që dashurohet.
– Gratë e ngjajnë fëmijëve: jetojnë me ëndrrat e tyre.
– Aforizma, aforizma!
– Kjo tregon se nuk na ka mbetur gjë tjetër.
– Unë nuk kam folur kaq gjatë për dështimet e mia: jam përpjekur të jetoj. Dhe kam vendosur t’i shkoj kësaj deri në fund: një jetë ka njeriu.
– Po ti s’ke ndjenja.
– Oh, jo. Unë i kam ato me tepri… Padyshim që edhe ti s’ke pak.
– Mjaft. Shumë-shumë mund të them ndonjë aforizëm të thukët për dashurinë, martesën. Sigurisht nga pikëpamja e të dështuarit… Si ndodhi që më tradhtove?
– Një ditë ai u afrua dhe më tha se goja ime buzagaze kishte nxjerrë në pah dhëmbët e bukur, të rregullt, dhe ai më kishte ëndërruar gjithë ditën.
– Unë pyeta: si më tradhtove?
– Kjo gjë, komike apo tragjike, ndodhi në një rast kur ne s’i përkisnim më vetes. Ishte një ujdi qiellore, që iu nënshtrua të njëjtit rregull mirësjelljeje misterioze: instinktit të pakapërcyeshëm seksual. Gjithçka ishte prej një fuqie të verbër.
– Mirësjellja e stërholluar e mashkullit francez gjeti humusin e ambicies tënde.
– Ndoshta ishte humusi i dështimit tim.
– Pse më bën mua fajtor?
– Unë nuk të bëja ty fajtor.
– Ke fjalor të varfër, e dashura ime, por të mjaftueshëm për të… për të… Mos të duket vetja militante?
– Jo.
– Jo?
– Unë përditë kërkoj mënyrën time të shfaqjes së personalitetit… që të… shkatërroj hipokrizinë e burrave… Mënyrë që buron së brendshmi… natyrshëm, pa e ditur as vetë… Mënyrë që do të rrezikojë sjelljen tradicionale të burrave… që do t`i bëjë të mos dinë të vendosen para meje… para një gruaje që do të jem unë…
– Sikur të dalim pak nga librat… Ti më doje mua, apo jo?
– Dashuria është si feja: nuk arrihet me forcë.
– Vetëm kjo na ka mbetur: aforizmat. Tu, deorum hominimque tyranne, Amor! Ti, Dashuri, tiran i perëndive dhe i njerëzve! Po si do t’ia bësh zhgënjimit, që vjen si rrjedhojë e plotësimit të dëshirës? Si? As që ke menduar për këtë?
– Sikur kemi dalë nga tema. Mund t’ia behë nga çasti në çast dhe ne duhet të vendosim për djalin.
– Djalin, qaje!
– Nuk ke të drejtë!
– Ti më flet për të drejta? Djalin qaje, të thashë!
– Vendos ligji për këto gjëra. Ti s’mund të dalësh mbi ligjin. Përveç të tjerash, ky është ligj i natyrës: ti s’mund të dalësh mbi natyrën. Mbi krijimin.
– Mbi natyrën? Mbi krijimin? E çfarë di ti mbi natyrën e krijimin? Çfarë? Oh, ato kanë gracka të tmerrshme, e dashur. Ti gjithmonë e ke mbajtur veten për të zgjuar, po ja ku po ta them unë të vërtetën, të hidhur apo jo të hidhur: kanë gracka të tmerrshme. Ja, ku po të kërkoj falje që nuk ta kam dhënë këtë kënaqësi më parë. Si ka mundësi që ia kam hequr vetes këtë emocion! Më thuaj: a do të mund ta përballosh zhgënjimin e plotësimit të dëshirës? Do të mundesh? Do të jetë një vuajtje e tmerrshme. E tmerrshme. Ferri vetë. Vetëm unë mund të të shpëtoj prej saj. Vetëm unë. Kupton? Vetëm unë. Dhe ti do të ma dish për nder gjatë gjithë kohës atje në përjetësi. Vetëm unë. Edhe unë kujtoja se kjo dorë është vetëm për violinën. Ajo e përdor armën më mirë se ç’mund ta përfytyroja. Shumë më mirë! Shumë! Shumë! Të gjitha artet, ka thënë një i ditur, të gjitha priren drejt gjendjes së muzikës, që është formë e kulluar. Madje, edhe krismat vetë. Veçse atje ku do të shkojmë tashti, do të kemi pak probleme me kujtesën.
Megjithëse kishte filluar të mbretëronte errësira, ata nuk qenë kujtuar të ndiznin dritat.
Krisma? Oh, jo! E la të ikte, ku deshi ajo… Të dielën e parë të çdo muaji, ora 10:00, francezi i saj, ai që kishte premtuar ta ndihmonte për karrierën e saj si violiniste, e priste në të njëjtën tavolinë të Bar “Parajsës”. Në Paris. Më saktë: Caffe “Paradise”… Një fund që nuk e kam lexuar ndokund. Ti e ke lexuar?
Unë dëgjova krisma, por ato erdhën nga ana tjetër. Besoj, nga kjo anë. Sepse unë nuk dëgjoj mirë me veshin e djathtë.
Nëse ngulni këmbë, atëherë verifikojeni. Unë gjithmonë rri me perceptimin e parë të gjërave. Kuptoni? Kjo më ka ndodhur gjithë jetën time. Jua thashë: ma kanë përsëritur shpesh këtë ata që më njohin. Nuk e di pse këmbëngulin, kur unë nuk e vë në dyshim, po ja që kështu ka ndodhur. Kështu pra, po jua tregoj si qe perceptimi im i parë. Nëse paska ndonjë të vërtetë tjetër, gjejeni vetë. Unë nuk kam moshë të ndërroj zakone.
Që ta ndajmë dramën nga drama: nuk i kam folur kurrë atij djalit që vrau veten për mua. Më dilte përpara në rrugë, por nuk kam folur kurrë me të. Ishte pak i çuditshëm, thoshin. E dinte edhe familja e vet se si ishte. Nuk duhet të ma ngarkojnë mia vdekjen e tij. Ajo histori që shkruajnë gazetat duket si një libër i shkruar keq. Ky qe perceptimi im i parë. Nëse paska ndonjë të vërtetë tjetër, gjejeni vetë. Unë nuk kam moshë të ndërroj zakone.
Mirupafshim! Në këtë kohë, mund të dëgjoja violinën. Më mungojnë tingujt e saj. Më ka munguar shumë ai koncert.
Mund të lexoj ndonjë roman, por nuk më ka mbetur gjë pa lexuar. Do të shkruhet kjo që tregova? Oh, do të doja shumë ta lexoja.
Dhe mos ma shani perceptimin e parë. Nuk e di se çfarë do të ishte bota pa të.
NO COMMENT