READING

E çfarë lidhjeje kemi ne me Aleksandër Moisiun? &#...

E çfarë lidhjeje kemi ne me Aleksandër Moisiun? – Dritan Boriçi

Dritan BORIÇI

Aktor i Teatrit Kombëtar

 

 

E ÇFARË LIDHJEJE KEMI NE ME ALEKSANDËR MOISIUN?

(12 reflektime nga ditëvdekja në ditëlindje, 22 mars deri 2 prill)

 

 

22 Mars

 

“Teatri gjerman jeton në një krizë të rëndë. Pas lulëzimit të shkëlqyer… ka rënë tani në një art pa ide, joserioz dhe në të janë ngatërruar të gjitha kuptimet artistike.”

“Kriza e teatrit gjerman” Aleksandër Moisiu

 

Liria i bën mirë teatrit. Teatri i ka mjetet ta shijojë lirinë.

Kujto “Ç’murosja” dhe “Quo Vadis” të Serafin Fankos. Etyde madhështore të një teatri epik… mbushur me estetikë teatrore dhe simbolikë kombëtare larg patetizmit.

Kujto “6 mendje në ankand” të Armando Borës tragjikomikja në funksionimin e saj më brilant… dhe teatri në çdo milimetër.

Kujto “Shkallët” dhe “Fernando Krafi më ka shkruar një letër” të Gëzim Kames. Realizmi dhe poetika… gjithçka e sinkronizuar në një perfeksion ku aktori dhe dekori krijojnë imazhin teatror… aq bashkëkohor.

Kujto “Në pritje të Godos” dhe “Viktimat e detyrës” të Arben Kumbaros. Tekste sfiduese që të dhurojnë kënaqësi sipërore… një masë e përpiktë teatrore.

Kujto “Rikardin e III” të Agim Qirjaqit. Tragjikja sjellë në gjithçka.

Edhe më parë… kur liria ka ngacmuar dhe rebeluar shpirtin artistik… ne kishim…

Kujto… të paharrueshmin… të jashtëzakonshmin… “Arturo Ui”. Etyde pafund… distancim dhe përjetim… kompozim regjisorial mjeshtëror.

Kujto “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë” të Spiro Dunit. Komikja në zenith… mendimi teatror dhe imagjinata e shfrenuar.

Kujto “Natë me hënë” të Edmond Budinës. Tejkalim i Kadaresë nëpërmjet mjeteve të duhura teatrore…

Ide që komunikojnë… shfaqje që mund t’i shohësh me dhjetëra herë… me etje. Larg prej të sotmes ato vite… ai profesionalizëm… ajo sfidë në kërkim të risive teatrore. Krijimtaria origjinale, interpretimi i veçantë i pjesës ia ka lënë vendin plagjiaturës, vënies së rëndomtë skenike, vulgaritetit. Injoranca në veprim.

 

23 Mars

 

“Në të gjitha teatrot kanë filluar të predominojnë instinktet shtazarake…Sa më e egër dhe sa më e shëmtuar të jetë pjesa teatrale, aq më shpejt e siguron suksesin e saj. Nga skena shqiptohen fjalët më të pahijshme dhe këto pikërisht shpesh duartrokiten.”

“Kriza e teatrit gjerman” Aleksandër Moisiu

 

Shtesa të aktorëve në pjesën e një dramaturgu të huaj që u pranuan nga regjisori: “trap”, “I ke çarë bythën”, “Ku ke bythë ti?”, “Apo ta ka ngrehur ndonjë piçkëllonjë?”, “T’i këpus, t’i vë në ballë.”

Kujto kur thonë: “Mbaje se ka efekt”

Kujto kur thonë: “Hiqe këtë faqe, se nuk do ta lodhim spektatorin.”

Vulgarizimi i hapësirës teatrore i ka hapur portat e teatrove “bërllokut” dhe ka larguar njerëzit me shije të kultivuara, ata që e krijuan në fillesë teatrin si një kulturë që mbi të gjitha u përket atyre, dhe si një pikëmbërritje për nivelet e tjera shoqërore.

Idetë e dramaturgëve transformohen ose humbasin në komunikimin e tyre me publikun falë “kirurgjisë” populiste të nepsqarëve për jargët e turmave.

“Arti ka lindur nga masat dhe u përket atyre!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!”

Injoranca në veprim.

 

24 Mars

 

“Karakteristikë është se dramaturgët më të talentuar, të cilët kanë ndjenja të larta artistike, shpesh nuk preferohen dhe veprat e tyre nuk priten me sukses.”

“Kriza e teatrit gjerman” Aleksandër Moisiu

 

Kujto edicionin e parë te “Netët e leximit të dramës shqipe”. Fituan dy dramaturgë të rinj (për teatrin shqiptar). Sajmir Gondo (Shqipëri), Arta Arifaj (Kosovë). Pjesët lexoheshin në skenë… konkurronin në skenë… fituesi dilte nga skena.

Dikush ngjiti në skenë një tavolinë… në edicionet e tjera… pjesët lexoheshin në tavolinë… konkurrohej në tavolinë… fituesi dilte nga tavolina. Nga kunati i shokut Xhemal kaluam tek drejtori i gruas.

Dramaturgjia e re shqiptare zhvillohet denjësisht jashtë teatrove. Çapaliku, Krasniqi, Çollaku, Zheji etj. (Shqipëri) Neziraj, Mulliqi, Abazi, Kraja, Dervishi, Pashku, Hamiti, etj. (jashtë Shqipërisë zyrtare). Prijëtarë të mendësisë kulturore shqiptare të padëshirueshëm për skenat e teatrove të Shqipërisë. Ata dhe dhjetëra të tjerë janë aty… ndër letra… ndër libra… për të vërtetuar qëndresën dhe rrugëtimin intelektual drejt bashkëkohësisë së vlerave të reja teatrore. Ata janë propozimi shqiptar për një teatër bashkëkohor konkurrues me europianët e tjerë.

Në edicionin e fundit të “Netët e leximit të dramës shqipe” konkurroi edhe një nga dy pjesët dramatike të Martin Camajt në vitin e shpallur nga Ministria e Kulturës etj. si viti i Martin Camajt. Turpërisht… nuk fitoi Martini.

Injoranca në veprim.

 

25 Mars

 

“Kriza ekonomike pruri shkatërrimin edhe të teatrit në kuptimin artistik. Grupe teatrale nuk ekzistojnë më…Artistët merren me çdo punë, interpretojnë në filma, kënaqin spektatorët në kabare…Vetëm me punë serioze të përcaktuara nuk merren.

Fundi i kësaj rënieje nuk shihet.”

“Kriza e teatrit gjerman” Aleksandër Moisiu

 

Kujto kontratat që iu bënë aktorëve… u motivuan si mjet për të rritur konkurrencën… për të prishur “sigurinë” e aktorëve të përhershëm të teatrit.

Kujto heqjen e shpërblimit artistik dhe premtimin për vendosjen e një shpërblimi shumë më të lartë për aktorët me rolet më të mira në fund të sezonit. Kush është aq i verbër sa të thotë sot se konkurrenca e kontratave nxori në dritë më të mirët. Mediokrit koleksionojnë në CV-të e tyre kryerolet e përdhunuara. Sot mediokri dhe aktori janë barazuar. Ky barazitizëm financiar i vlerave, së bashku me smirën dhe zilinë e të paaftit ndaj të aftit ka sjellë deformimin e cilësisë artistike, mosstimulimin dhe mosvlerësimin e atij që është aktor. Aktorët bëjnë punë të tjera për të plotësuar rrogën e tyre… të paaftët sfidojnë me kryerole të aftët në një paranojë inferioriteti.

Shpërblimi në fund të sezonit… vetëm ti mund ta kujtosh atë.

Injoranca në veprim.

 

26 Mars

 

“Por që të arrish që masa të ndjejë bashkë me ty kur Hamleti u çjerr maskën mbretërve, kur Poza mbron lirinë para një tirani, kur Fedja bën fli jetën e tij dhe Dubedati vdes për bukurinë për këtë duhet ca më tepër: duhet art, e ky vjen nga dituria.”

“A gënjen aktori?” Aleksandër Moisiu

 

Sa larg qëndron dituria nga njerëzit e teatrit në vendin tënd dhe vendin tim. Të kuptosh një pjesë teatrale si një kompozicion idesh, zbulimi, shijimi dhe përcjellja te spektatori, kërkon punën kërkimore të një intelektuali.

Sa larg nga libri njerëzit e teatrit… dhe sa pranë kulturës së “fast food”.

Aktorët janë në ballë të paditurisë. Më lehtë mund të prostituosh me aktrimin, sesa të perfeksionohesh në një profesion që sipas Lorenc Olivier ndryshon çdo 15 vjet. Ajo valë e madhe e dramaturgjisë bashkëkohore shqiptare është shumë më lart në nivelin e saj kulturor, sesa realizuesit e teatrit në Shqipëri. Shpresat janë të pakta për shumë kohë kur edhe prodhimet e Akademisë së Arteve në pjesën më dërrmuese janë në nivele të ulëta kulturore.

Injoranca është në veprim.

 

27 Mars

 

“Qysh prej 25 vjetësh me këtë hov vrapon nga Praga në Berlin, nga Berlini në Vjenë, nga Vjena në Moskë, nga Moska në Londër dhe prej këtej në New – York dhe në shumë qytete të tjera të Europës…”

“Arti skenik – Moisiu” (artikull i botuar në revistën “Shkëndija”, rreth viteve ‘30-të, nga Dr. Vasfi Samimi.)

 

Kujto daljen nga Unioni Europian i Teatrit. Teatri Kombëtar kurseu 5000 Euro në vit si kuotë pjesëmarrjeje. Ishte Unioni që bëri të mundur pjesëmarrjen në “Globe to Globe” në Londër, në manifestimin më të madh Shekspirian të teatrove nga gjithë bota. (Në “Globe Theatre” Moisiu në Maj të 1930-ës interpretoi Hamletin dhe Fedjan. Shfaqjet e Teatrit Kombëtar në atë Teatër janë deri më sot i vetmi vendtakim yni me një skenë ku ka interpretuar Moisiu.)

Kujto se ky Union realizoi në sallën e Teatrit Kombëtar Shqiptar kongresin e tij të përvitshëm ku morën pjesë drejtorët artistikë të gjithë teatrove kombëtare të Europës.

Unioni në synimet e veta krijonte mundësinë e shkëmbimit të regjisorëve dhe aktorëve.

Unioni të krijonte mundësinë e pjesëmarrjes në dhjetëra festivale të organizuara prej tij në Europë.

Unioni të krijonte mundësinë e bashkëproduksioneve.

Po kujt t’ia thuash… kursyem 5000 euro në vit… nuk është pak… dhe sot jemi të izoluar… “Kala e pamposhtur buzë Adriatikut”…

Kemi ngecur në këtë pellgaçen tonë provinciale dhe zhgërryhemi në delirin e pamend.

Shfaqjet nuk arrijnë të lëvizin as nëpër Shqipëri… në qytete dhe zona të tëra ka njerëz që nuk kanë parë një shfaqje të vetme teatri…nuk dinë çfarë është teatri…

Injoranca në veprim.

28 Mars

 

“I kujtoj se kohët e fundit, në një qytet polak, ai po lexonte Danten, para një publiku ku pothuaj askush nuk e dinte italishten dhe një pjesëmarrës më pati thënë: “Nuk kishim nevojë të dinim. E kuptonim.”

Ishte mrekullia e të folurit të Moisiut. E pyes:

  • Si keni arritur në këtë përsosmëri të lartë të të folurit që sjell secilën fjalë tuajën, madje dhe të pëshpëritur… Teknikë e pakrahasueshme!
  • Nuk ka të bëjë fare me teknikën. Fjala transmetohet nëpërmjet intensitetit me të cilën mendohet, nga tërësia e përqendrimit në kuptimin që përmban.”

(Intervistë e vitit 1927 në revistën “Comoedia”)

 

Gjëja që përbaltet më shumë se gjithçka në teatrin shqiptar është fjala si pasqyrë e mendimit. Rëndom nuk konceptohet se fjalët e shkruara mbi tekst janë domosdoshmëri kuptimore.  Shumë mendojnë si ta “shabllonizojnë” të folurin… shumë ta kalojnë në zhargon. Zërat për teatër, diksionet e plota, shqiptimi i saktë dhe theksi logjik (Çdo shkronjë ka të drejtën e ekzistencës. – Prokop Mima)… të merr malli t’i gjesh në skenat tona.

Për Danten….?! Shumica nuk dinë të recitojnë. Recitimi është një dhunti në zhdukje. Ata dinë të thonë “llafet”…” llafet” si shpërdorim i fjalëve… thjesht “llafet”… pa nëntekst dhe adresim sepse… injoranca është në veprim.

 

29 Mars

“Burgtheater…është Teatri Kombëtar Austriak në Vjenë, teatri më i rëndësishëm i gjuhës gjermane. Burgtheater është krijuar më 1741…

Më 12 mars 1945 Burgtheater u dëmtua jashtëzakonisht shumë prej një sulmi bombardues, dhe një muaj më pas, më 12 prill 1945, ai u dëmtua më tej prej një zjarri me origjinë të panjohur. Pas luftës, teatri u restaurua midis viteve 1953 dhe 1955”

Në këtë teatër debutoi Moisiu, këtu u takua në skenë me mjeshtrin e aktrimit Jozef Kaincin.

“Në atë çast Kainci ngre sytë, shikimet tona kryqëzohen, ai thotë edhe tri fjalë dhe i mbahet goja!…”

“Debutimi im në Burgtheater”, Aleksandër Moisi

 

Vras mendjen dhe përpiqem të imagjinoj se çfarë ndodhte me austriakët ato 8 vjet (1945 – 1953) pas lufte teksa kalonin pranë rrënojave të teatrit të tyre kombëtar… ata vendosën ta restaurojnë.

 

30 Mars

 

“Ne rrinim së bashku, Rajnhardi dhe unë. Dhe mendonim: çfarë duhet të bëjmë sivjet: çfarë pjese do të vëmë? Kjo na jepte kënaqësi dhe mandej ia fillonim punës me të vërtetë. Bëjmë prova sa të jetë nevoja: deri në fund. Nganjëherë unë e bind atë dhe nganjëherë më bind ai mua. Ai nuk është eprori im dhe unë nuk jam vartësi i tij.”

A është teatri i sotëm shqiptar një vend lirie profesionale? A është teatri shqiptar vend komunikimi?

Kush i pyet sot aktorët – ata që janë vërtet aktorë – mbi repertorin e një teatri? Askush nuk beson sot se realizimi profesional i një roli do të sjellë një rol tjetër edhe më të vështirë. Askush nuk mendon sot se më i rëndësishëm se regjisori i radhës është konsolidimi dhe zhvillimi i kapaciteteve profesionale të trupës.

Fuqia e një teatri është mbi të gjitha trupa e tij, vlerat e konfirmuara profesionale që ajo ka në përbërjen e vet. Qokat “njëpërdorimshe” të drejtorëve ndaj regjisorëve, dhe më pas qokat e këtyre të fundit ndaj fundshpinëlëpirësve të regjisorëve janë, siç thotë Moisiu – mediokritet i organizuar.

Injoranca është në veprim.

 

31 Mars

 

“Duhen udhëheqës që ta nxjerrin artin teatral në rrugë të re. Udhëheqës të tillë në mes të regjisorëve…të kohës sonë nuk shikoj. Të gjithë që fituan popullaritet gjatë viteve të fundit, për sa unë i di, nuk kanë ndonjë gjë për t’u dalluar.”

“Kriza e teatrit Gjerman” Aleksandër Moisiu

 

Sot drejtuesit e të gjithë teatrove në Shqipëri janë militantë partie. Vendosja e tyre në drejtim mban firmën dhe pëlqimin e kryetarit të partisë në rrethe, dhe kryeministrit në Tiranë.

 

Fragment nga diktatura

(Studioja e provave në tavolinë në një teatër në provincë. Mbledhje.)

Sekretari i Partisë – Teatri është një institucion shumë i rëndësishëm.

Aktori – Po, shoku sekretar. Sa herë bëhen grushte shteti në Amerikën Latine, Teatrin pushtojnë të parin.

 

Gjoja – platformat drejtuese të këtyre “qehallarëve” të politikës nuk janë një kontratë me trupat e teatrove që u kanë rënë për hise por disa fletë të bezdisshme që duhen mbushur për të përmbushur formalitetin e vendimit të marrë. Dramaturgjia e re (jo si bashkëkohësi por si mentalitet) duhet të marrë drejtimin e teatrove. Mediokriteti militant duhet shporrur. Politika nuk duhet të ekzistojë më si udhë për të dhunuar artistët. Duhet ndalur injoranca në veprim.

 

1 Prill

“…muzikalitet të pastër të zërit të një Aleksandër Moisiu”

“Një ëndërr pasioni”- Lee Strasberg

 

Librin e Lee Strasberg e kam përkthyer për dëshirën time me entuziazëm në vitet e largëta të shkollës së lartë. Dhe unë u mrekullova kur lexova këtë rresht në një nga librat bazikë të aktrimit. Një libër që botohet dhe ribotohet pafund në botë. E solla këtu këtë rresht se kam pritur shumë që dikush ta përmendte më parë. Nuk e solla që t’i hidhni një vështrim të buzëqeshur portretit të Aleksandër Moisiut që e keni varur në një cep të kuzhinës suaj të tymosur, ku kaurdisni ndjenjën e inferioritetit teksa përgatisni pjatën e racës superiore. Aleksandër Moisiu nuk është një ikonë, por një destinacion.

 

2 Prill

 

Aleksandër Moisiu nuk ishte një aktor i karakterit. Ai ishte eksplorues i madh i vetvetes nëpërmjet teksteve dramatike. Ai nuk ishte si Laurence Olivier që kënaqej me 2-3 minutat e para të daljes në skenë me mërmërimat e publikut “Kush është ky aktor?!”, përpara se të shpaloste madhështinë e tij. Ai ishte universi i roleve të tij. Spektatori që në fillim e dinte se atë mbrëmje nën kostumin e Fedjas, Hamletit, Mefistos ishte ai, aktori i tyre i adhuruar. Atë personazh nuk e bënte parukja, dialekti, veshja. Ai ishte të gjithë personazhet e luajtura prej tij. Ai ishte teatri.

Vepra e aktorit në teatër nuk është një punë që mund të dokumentohet. Nëse duam ta gjejmë Moisiun duhet të nxjerrim nga bibliotekat tekstet klasike të teatrit të cilat i punoi ai. Duhet të shfaqim në dritat e skenës dashurinë e tij. Zemra e Moisiut – siç shkruan ai – rreh për to, kraharori i tij frymon në to, gëzimi i tij, vuajtja e tij, botëkuptimi i tij, marrëzia e tij, aty gjendet thelbi i qenies së tij. Duhet gjetur njeriu në të cilin do të ishte Moisiu i vërtetë dhe jo vetëm dukja.

 

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.