Mentor Haliti
(Nga koleksioni “Mërgim”, 2016)
NGA ÇFARË LËNDE PËRBËHEN ËNDRRAT
Bari, i cili dikur, ka qenë një trung halor e shtatlartë,
guraleci, i cili dikur, ka qenë një shkëmb bjeshke,
pikë bryme, e cila dikur, ka qenë valë e fisshme deti,
reflektimi i mugët, i cili dikur, ka qenë një diell i zjarrtë.
Pëlhurë e pluhurosur fluture është, çka mbetet nga krahët viganë të një dragoi…
Atë që dikur e quanim amshim, e tani e quajmë shpresë,
ai, i cili dikur, ishte një mendim i kristaltë, e tani është një dëshirë,
aty, ku gjithkund, s’je më, aty je një ëndërr.
HEGJEMONI
Ta ndalësh kohën të kalojë
T’u vësh akrepave një pykë
T’i vjelësh yjet me kanistër
Ta vësh diellin mbi një liqen
Një pasdite të freskët pranvere
T’u vësh pemëve petale
Flokëve të saj kurorë dafine
T’i shohësh flirtet e peshqve
Gjuhët e delfinëve dhe drerëve
Ta shkallmosh ariun në shtatore
Dhe kujtimet në një hi ere
Një çast nga shumë jetë përjetësish
Një afsh rinor që përtërihet pafund
TOTEM
Shembi kumbimet,
që i takojnë kalendarit,
thelloi rrënjët e peshimit,
ngrije një besim tëndin,
nëse s’është dashuri.
Vizatoje,
latoje,
skulpturoje,
daltoje,
gdhende,
vijëzoje,
rikrijoje,
që ta lidhësh hijen
për totemi.
Mentor Haliti u lind më 15 maj 1975, në Tërnoc të Bujanocit. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, përkatësisht në Bujanoc. Pas vitit 1999, në Prishtinë, ndoqi studimet e dramaturgjisë, në Fakultetin e Artit Dramatik. Nga viti 1999, punoi si gazetar në të përditshmet ”Zëri” dhe “Lajm”. Mes viteve 2001 dhe 2006 si redaktor i kulturës në “Koha ditore” dhe “Express”. Krijimtaria: “Të thella janë rrënjët”, (poezi, 1996), “Uluni, ju lutem”, (komedi, 2001), “Një udhëtim në Unmikistan” (bashkautor, 2002), “Caffe” (komedi, 2008), “Fabrika e kukullave” (komedi, 2009). Tani merret me teatër.
NO COMMENT