NICANOR PARRA (5 shtator 1914 – 23 janar 2018)
Poet, matematicien dhe fizikan kilian, vepra poetike e të cilit ka pasur një ndikim të thellë në letërsinë hispanoamerikane. Nikanor Parra, ashtu si edhe Gabriela Mistral, Pablo Neruda dhe Visente Uidobro[1], është konsideruar si një nga poetët e mëdhenj të vendit të tij. Nga shumë kritikë të shquar konsiderohet si krijuesi i artit poetik të quajtur antipoezi, po ashtu si më i miri ose një nga poetët më të mirë të Oksidentit. Shkrimtari i shquar Roberto Bolanjo pati shpallur se poeti më i madh kilian ishte Nikanor Parra dhe jo nobelisti Pablo Neruda.
Pasi mbaroi maturën në qytetin e lindjes San Fabián de Alico, u shpërngul në kryeqytet (Santiago) ku vazhdoi universitetin dhe u diplomua si profesor i matematikës dhe i mekanikës teorike. Në vitin 1943 udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara, ku kreu studime pasuniversitare në Universitetin Brown për mekanikën e avancuar. Në vitin 1946 u kthye në Kili si fizikan i specializuar në indeterminacion dhe relativitet dhe punoi si profesor titullar i Mekanikës Racionale në Universitetin e Kilit. Më 1949, fal një burse nga Këshilli Britanik, shkon në Angli ku studion kozmologji për dy vjet në Oksford. Në vitin 1951 u kthye në atdhe për të vazhduar punën si docent në Universitet, derisa Fondacioni Gugenheim e dërgoi sërish në Shtetet e Bashkuara ku vazhdoi studimet në fushën e fizikës dhe ku pati një veprimtari intensive hulumtuese, e cila e pengoi të ushtronte talentin e vet poetik.
Më 1935-n kishte botuar te Revista e Re tregimin Maçoku në rrugë, ndërsa vëllimin e parë poetik Këngëtar pa emër e botoi në vitin 1937, për të cilin mori lëvdata nga poetja e njohur kiliane (Nobeliste 1945) Gabriela Mistral. Në vitin 1954 boton veprën e vet poetike më të rëndësishme Poema dhe antipoema, e përbërë nga tri pjesë: Këngë për njerëzoren, Poema dhe Antipoema. Në këtë vepër poeti e braktiste poezinë e vet të deriatëhershme simbolike dhe të dëshpëruar për një tjetër poezi më folklorike dhe më ironike, me theks skandaloz dhe tejet të lidhur me realitetin. Ky libër u prit si një vepër revolucionare në mjediset poezisë hispanoamerikan të atyre viteve. Stili i ri i këtij autori shënoi një ndryshim të thellë dhe futi një model alternativ, të hapur ndaj ironisë dhe humorizmit. Antipoezia e tij ishte si një rebelim kundër funksionit metafizik të poezisë dhe shugurimit të tij. Nikanor Parra u afirmua si antipoet por excelencia me vëllimin Kueka[2] e gjatë (1958).
Vitet ´60 qenë vitet më produktive dhe më të suksesshme për N. Parran si poet, me këto vepra poetike: Vargje salloni (1962), ku subjektin pasiv të antipoemave e ndryshon në një subjekt aktiv, mjaft agresiv energjik deri në dalldi; Diskurse (1962); Manifest (1963); Dy poema (1963), e botuar edhe në frëngjisht (Deux Poémes); Këngë ruse (1967), është vepra poetike më e përpunuar që alternon antipoezinë me rikuperimin e lirizmit dhe me një neosimbolizëm intimist; Obra gruesa (1969), një përmblidhjet në një vëllim të vetëm, me nëntë tekste, gjithë “antipoezia” e autorit. Po atë vit, Parra mori Çmimin Kombëtar të Letërsisë.
Artefactos (1972), përuron një etapë të re të krijimtarisë së poetit: është një libër në formë kutie që përmban 230 kartolina, pika e përbashkët e të cilave është acarimi i sarkazmës me një efekt të fuqishëm, falë stilit epigramatik. Kjo vepër shkaktoi edhe reagime kritike, për shkak të ironisë së egër në të, që nganjëherë kalonte deri në cinizëm. Faza e fundit e poezisë së tij përfaqësohet me Propagandimet dhe predikimet e Krishtit të Elkit (1977), që pasohet me Propagandimet dhe predikimet të reja të Krishtit të Elkit (1979). I frymëzuar nga një personazh ekstravagant i aktualitetit kilian, Domingo Zárate Vega (1898-1971), më shumë i njohur si Krishti i Elkit, një predikues endacak që u bë shumë i njohur në Kili gjatë viteve 1930 dhe që vetë Parra e kishte parë në rininë e tij. Poeti, nëpërmjet këtij personazhi, krijon njëherazi efekte habie e admirimi. Në të njëjtën kohë, këto vepra dëshmojnë lidhjen e vazhdueshme të poetit me botën popullore.
Botimet më të fundit të poetit janë: Flet nga Parra (1996), një përmbledhje ku përfshihen krijimet e tij poetike prej vitit 1983 deri në vitin 1996 dhe Poezi për të luftuar shogëtinë (1996).
I nominuar shumë herë për çmimin Nobel, Nikanor Parra është nderuar me mbi njëzet çmime kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilëve Çmimi Kombëtar i Letërsisë (1969), Çmimi i Letërsisë Latinoamerikane dhe Juan Rulfo (1991), Çmimi Mbretëresha Sofia i Poezisë Iberoamerikane (2001), Çmimi Miguel de Cervantes (2011) etj.
AGNUS DEI
Horizont dheu
Yje dheu
Lot dhe ngashërime të ndrydhura
Buzë që pështyjnë dhé
Dhëmbë të lirshëm
Trup që s´është veçse një trastë me dhé
Dhé me dhé – dhé me krimba.
Shpirt i pavdekshëm – frymë prej dheu.
Qengj i perëndisë që lan mëkatet e botës
Më thuaj sa mollë ka në parajsën mbi dhé.
Qengj i perëndisë që lan mëkatet e botës
Të lutem më thuaj orën.
Qengj i perëndisë që lan mëkatet e botës
Ma jep leshin tënd që të bëj një triko.
Qengj i perëndisë që lan mëkatet e botës
Na lër të bëjmë seks të qetë:
Mos i fut hundët në këtë çast të shenjtë.
EPITAF
Shtatmesëm,
Me një zë as të hollë e as të trashë,
Biri i madh i një mësuesi filloreje
Dhe i një rrobaqepëseje të ngratë;
I flashkët qysh në lindje
Ndonëse i devotshëm ndaj tryezës me majë;
Me faqe thatime
Dhe veshë të bollshëm mjaft;
Me një fytyrë katrore
Ku sytë mezi hap
Ku mbi buzët prej idhulli aztek
Zbret një hundë boksieri mulat
– Të gjitha këto larë
Nga një shkëlqim midis ironisë dhe tradhtisë –
As shumë i zgjuar e as pa një fije mend
Isha ai që isha: një llaç
Uthulle dhe vaji ushqimor
Një mbushje me engjëll dhe djall!
E TËRHEQ GJITHÇKA KAM THËNË
Para se të ndahem
Për një dëshirë të fundit kam të drejtë:
Lexues bujar
digje këtë libër
Nuk përfaqëson atë çka doja të thosha
Ndonëse është shkruar me gjak
Nuk përfaqëson atë çka doja të thosha.
Më keq se kaq gjendja ime s´ka si të jetë
U munda nga hija ime vetë:
Fjalët u hakmorën ndaj meje.
Më ndje lexues
I dashur lexues
Që s´mund të ndahem me ty
Me një përqafim miqsh:
Por ndahem me ty
me një buzëqeshje të zorshme të trishtë.
Mbase unë s´jam më shumë sesa kaq
por ma dëgjo fjalën e fundit:
E tërheq gjithçka kam thënë.
Me tërë hidhërimin e botës
E tërheq gjithçka kam thënë.
QË TA SHOHËSH SE NUK TË MBAJ MËRI
Të dhuroj hënën
seriozisht – mos kujto se po tallem me ty:
ta dhuroj me gjithë zemër,
nuk ka asnjë thikë pas shpine!
mund të vish ta marrësh vetë
ungji yt që të do aq shumë
flutura jote shumëngjyrëshe
direkt që nga Varri i Shenjtë.
MENDIME
Çfarë është njeriu
pyet veten Paskali:
Një fuqi me eksponent zero.
Asgjë
nëse e krahason me gjithçkanë.
Gjithçka
nëse e krahason me asgjënë:
Lindje plus vdekje:
Zhurmë e shumëzuar me heshtje:
Një qendër aritmetike midis gjithçkasë dhe asgjësë.
PYETJE NË ORËN E ÇAJIT
Ky zotëri i zbehtë duket
Si statujë e ndonjë muzeu dylli;
Këqyr përmes tylit të grisur:
Çfarë vlen më shumë, bukuria apo floriri?
Vlen më shumë rrëkeja që rrjedh
Apo bari i palëvizshëm në breg?
Së largu ndihet një kambanë
Që një plagë më shumë hap, ose e mbyll:
Është më real uji i gurrës
Apo është vasha që këqyret në të?
Nuk dihet, njerëzit e shkojnë jetën
Duke ngritur kështjella mbi rërë.
Gota e tejdukshme ka më shumë vlerë
Sesa dora e njeriut që e krijon?
Ndihet një atmosferë e rënduar
Prej hiri, prej tymi, prej trishtimi:
Çka u pa njëherë nuk shihet më
Njësoj, thonë gjethet e thara.
Ora e çajit, bukë e thekur, gjalpë.
Gjithçka e mbuluar me një lloj mjegulle.
PYETJE DHE PËRGJIGJE
Si thua a do ia vlente
ta vrisnim zotin
e të shihnim nëse do ndreqej bota?
– patjetër që ia vlen
– a ia vlen të rrezikojmë
jetën për një ide
që mund të jetë e pavërtetë?
– patjetër që ia vlen
– unë pyes a ia vlen
të hamë gaforre
a ia vlen
të rrisim fëmijë
që do iu kundërvihen
prindërve të tyre?
– pa dyshim që po
që jo
që ia vlen
– Unë pyes a ia vlen
të vendosim një disk
të lexojmë një pemë
të mbjellim një libër
kur gjithçka tretet
kur asgjë s´mbetet
– ndoshta nuk ia vlen
– mos qaj
– po qesh
– mos lind
– po vdes
ZOTI NA SHPËTOFTË
Zoti na shpëtoftë nga tregtarët
pasi kërkojnë vetëm përfitimin personal
na shpëtoftë nga Romeoja dhe Zhuljeta
pasi kërkojnë vetëm lumturinë personale
na shpëtoftë nga poetët dhe shkrimtarët
që kërkojnë vetëm famën personale
na shpëtoftë nga Heronjtë e Ikikes
na shpëtoftë nga Baballarët e Atdheut
nuk duam statuja personale
nëse Zoti ende ka fuqi
na shpëtoftë nga gjithë këta demonë
dhe na shpëtoftë gjithashtu nga ne vetë
në çdonjërin prej nesh
ka një shushunjë që na thith palcën
një tregtar të babëzitur për pasuri
një Romeo të lajthitur që vetëm ëndërron të hedhë në dorë Xhulietën
një hero teatror
që bashkëjeton me statujën e tij
Zoti na shpëtoftë nga gjithë këta demonë
nëse ende vazhdon të jetë Zot.
MIRËSIA E FUNDIT
Na pëlqeftë apo jo
Kemi vetëm tri mundësi:
E djeshmja, e tashmja dhe e nesërmja.
Madje-madje as tri
Pasi siç thotë filozofi
E djeshmja është e djeshme
Na përket vetëm në kujtime:
Trëndafilit që i kanë rënë petalet
Tjetër petal më s´mund t´i hiqet.
Pra kartat që na ngelen
Janë vetëm dy:
E tashmja dhe dita e nesërme.
Madje-madje as dy
Pasi është një fakt mirë i ditur
Se e tashmja ekziston
Vetëm në çastin që bëhet e shkuar
Dhe shkoi…,
ashtu si rinia.
Pra me pak fjalë
Na mbetet vetëm e nesërmja:
Unë ngre një mirësi
Për atë ditë që kurrë nuk vjen
Por që është e vetmja
Të cilën kemi vërtet.
NUK BESOJ NË RRUGËN E PAQES
unë nuk besoj në rrugën e dhunës
do të doja të besoja
në diçka – por nuk besoj
të besosh do të thotë të besosh në Zot
unë bëj vetëm një gjë
mbledh supet
më falni që po tregohem i sinqertë
por unë s´besoj as në Rrugën e Qumështit.
UNË JEHOVAI SHPALL DEKRET
Unë Jehovai shpall dekret
që gjithçka të marrë fund njëherë e mirë
sistemit diellor i vë kryq
në mitrën e nënës duhet kthyer prapë
e quaj të mbyllur gjithçka
të mos shpëtojë asnjë
menjëherë të marrë fund çdo gjë
për çfarë ta zgjasim hiq e mos e këput
shumë mirë Lufta në Vietnam
shumë mirë Operacioni në prostatë
Unë Jehovai pleqërinë shpall dekret
ju më bëni për të qeshur
ju qimet e kokës m´i ngrini përpjetë
vetëm një budalla kryekëput
përgjunjet dhe adhuron një statujë
sinqerisht nuk di ç´t´ju them
jemi në prag të Luftës Botërore të Tretë
dhe mesa duket askush nuk e vë re
ju mendoni se po e bëtë botën hi
unë do ta krijoj sërish?
MONOLOGU I INDIVIDIT
Unë jam Individi.
Në fillim jetova në një shpellë
(Atje gdhenda disa figura).
Pastaj kërkova një vend më të përshtatshëm.
Unë jam Individi.
Në fillim m´u desh të gjeja ushqim,
Të kërkoja peshq, zogj, të kërkoja dru,
(Kisha kohë për t´u shqetësuar në çështjet e tjera).
Të ndizja një zjarr,
Dru, dru, ku të gjeja pak dru,
Ca dru për të ndezur një zjarr,
Unë jam Individi.
Asohere pyeta veten,
Shkova buzë një gremine plot boshllëk;
M´u përgjigj një zë:
Unë jam Individi.
Më vonë u zhvendosa në një tjetër shpellë,
Edhe atje gdhenda figura,
Gdhenda një lumë, buaj,
Gdhenda një gjarpër,
Unë jam Individi.
Por jo. U mërzita me gjërat që po bëja,
Zjarri më bezdiste,
Doja të dija më shumë,
Unë jam Individi.
Zbrita në një luginë që regjej nga një lumë,
Atje gjeta çka më duhej,
Gjeta një popull të egër,
Një fis,
Unë jam Individi.
Vura re se ata bënin disa gjëra,
Gdhendnin figura në shkëmbinj,
Ndiznin zjarr, gjithashtu ndiznin edhe zjarr!
Unë jam Individi.
Më pyetën se nga vija.
U përgjigja se po, se nuk kisha ndonjë plan të caktuar.
U përgjigja se jo, se që aty e tutje.
Kështu pra.
Atëherë mora një copë guri që e gjeta në një lumë
Dhe nisa të punoja me të,
Nisa ta lëmoja,
Shkova një pjesë të mirë të jetës sime me të.
Por kjo është një histori e gjatë.
Preva disa pemë për të lundruar,
Kërkoja peshq,
Kërkoja gjëra të ndryshme.
(Unë jam Individi).
Deri sa nisa të mërzitem sërish.
Stuhitë janë të mërzitshme,
Gjëmimet, vetëtimat,
Unë jam Individi.
Pra kështu. Nisa të mendoj nga pak,
Pyetje të trasha më vinin ndërmend.
Probleme të paqena.
Atëherë fillova të endesha nëpër një pyll.
Arrita deri tek një pemë dhe pastaj tek një tjetër,
Arrita deri tek një burim,
Deri tek një zgavër ku dukeshin ca minj:
Atëherë thash, ja ku erdha unë,
Mos e keni parë një fis këtu gjëkund,
Një popull të egër që di të ndez zjarr?
Kështu u zhvendosa drejt perëndimit
I shoqëruar nga qenie të tjera,
Ose në të vërtetë i vetëm.
Që të shohësh duhet të besosh, më thoshin,
Unë jam Individi.
Shihja trajta në errësirë,
Re ndoshta,
Ndoshta shihja re, shihja rrufe,
Gjatë gjithë kësaj kohe kishin kaluar disa ditë,
Unë ndieja se po vdisja;
Shpika disa makina,
Ndërtova orë,
Armë, mjete transporti,
Unë jam Individi.
Mezi kisha kohë për të varrosur të vdekurit e mi,
Mezi kisha kohë për të mbjellë,
Unë jam Individi.
Vite më vonë kuptova disa gjëra,
Disa forma,
Kapërceva kufijtë
Dhe qëndrova pa lëvizur në një lloj kamareje,
Në një varkë që lundroi për dyzet ditë,
Për dyzet net,
Unë jam Individi.
Më pas erdhën thatësirat,
Erdhën disa luftëra,
Tipa me ngjyrë hynë në luginë,
Por unë duhej të vazhdoja përpara,
Duhej të prodhoja.
Prodhova shkencë, të vërteta të pakundërshtueshme,
Prodhova statuja,
Krijova libra prej mijëra faqesh,
M´u ënjt fytyra,
Ndërtova një fonograf,
Makinën qepëse,
Nisën të shfaqeshin automobilat e parë.
Unë jam Individi.
Dikush ndante planetë,
Pemë ndante!
Por unë ndaja vegla,
Orendi, pajisje skrivanie,
Unë jam Individi.
U ndërtuan edhe qytete,
Rrugë,
Institucione fetare dolën nga moda,
Kërkonin fatmirësi, kërkonin lumturi,
Unë jam Individi.
Pastaj iu përkushtova më mirë udhëtimit,
Të mësoja, të mësoja gjuhë,
Gjuhë,
Unë jam Individi.
Pash përmes një vrime çelësi,
Po, pash, ç´them kështu, pash,
Për të hequr dyshimet pash,
Prapa perdeve,
Unë jam Individi.
Ja kështu.
Ndoshta është më mirë të kthehem në atë luginë,
Tek ajo shpella që kisha shtëpi,
Dhe t´ia nis të gdhend sërish,
Që nga fundi drejt fillimit ta gdhend
Botën së prapthi.
Por jo: jeta nuk ka kuptim.
SHAKATË MËNJANË
Si i bëhet në rast si ky
Unë Doktor Honoris Causa?
Unë gur i rënd në vendin tim?
Më lejoni të qesh…
Nuk ka tallje më të madhe
Në fjalor s´gjenden fjalë
Viset zakonisht të ashpra
Grumbullohen si mizat tek antipoezia
Do të jetë më mirë të mos e hap gojën
Do ngushëllohem me mendimin
Se prej poetit
doktorit
& të marrit
Të gjithë kemi nga pak
Siç thotë lirika popullore.
NUK DO BËJ GABIMIN
T´i refuzoj lavdërimet e pamerituara
Kaq shumë s´ma mban takati
Jam njeri dhe e them
I pranoj me gjithë zemër
Por i konsideroj të ekzagjeruara.
NJË PYETJE TË VETME
Kur e kini ndërmend të më ngrini një bust
Tani do ishte mirë
Pasi edhe durimi e ka një kufi
Ndihem mjeran pa statujë
Ama të jetë prej balte do ju lutem
Që të rrojë sa më pak që të jetë e mundur
Unë jam një njeri që shumë ka vuajtur
Më tepër se ç´tregojnë rrudhat
Vetëm të krijoj botë është ngushëllim për mua
Bllokime mendore?
Mos u shqetëso
Futi një udhëtim nga Argjentina
Dhe do t´jua ndreqin menjëherë.
KËSHILLA TEORIKE & PRAKTIKE
1
Shkruani sa më pak
Është më mirë të ndjesh sesa të thuash
& vetëm në Gjuhën Mëmë
2
Shurroni në këmbë
me shpinë nga malet
3
Vendbanimi
Në një lartësi minimale prej 50 metrash
Mbi nivelin e marksit
4
Mbidozë acidi askorbik
Natyral
Artificiali është kancerogjen
5
Kujdes në rast tërmeti
Kërko ndihmë në Rajonin Më të Afërt të Policisë
Përveçse në ndonjë udhëzim të kundërt
6
Krishterim patjetër
Por ama si lojë
Në kundërshti miqësore me krishterimin autoritar të së djathtës
dhe antikrishterimin militant të së majtës
Zero Probleme
Ekonomia për të Djathtën
Politika për K. H.
Të lexohet Komedi Hyjnore
& Kurtura për Klasën Punëtore
7
Arti Poetik
1% frymëzim
2 mundim
& pjesa tjetër fat
Uni është Unë
Uni është Tjetër
Uni është Askush
Uni është një kukull
Uni është Internet Society
Adresa e të cilës në cyberhapësirë është W.W.W.ISOC.Org.
Përktheu: Erion KARABOLLI
TAOIZËM[3], POEZI DHE ÇORBË MENDIMESH
Intervistë me poetin Nikanor Parra
Nikanor Parra sapo kishte mbushur 65 vjeç, kur në nëntor 1978 u intervistua prej shkrimtarit Kristian Uneus. Ishin miq të vjetër dhe kishin punuar bashkë në Departamentin e Studimeve Humanistike të Shkollës së Inxhinierisë, në Universitetin e Kilit, departament ku K. Uneus drejtoi në vitet 1972 – 1977, dhe ku ata zakonisht diskutonin me njëri-tjetrin mbi poezinë, artin dhe çështje të tjera.
Kristian Uneus vdiq në dhjetor të vitit 1985, kur ishte vetëm 48 vjeç dhe ishte tërhequr nga jeta akademike.
Në këtë intervistë, të botuar më 12 nëntor 2014, kur Nikanor Parra kishte mbushur plot një shekull, Uneus diskuton me të, domethënë me antipoetin, mbi modernizmin, antipoezinë dhe lidhjet e tij me shqetësimet e shoqërisë moderne dhe praktikën revolucionare.
- Uneus: Ti beson në mundësinë e një lëvizjeje të veçantë poetike tonën si latinoamerikanë, diçka si një modernizëm i ri?
Nikanor Parra: Unë nuk besoj që modernizmi të jetë një lëvizje jona. Nuk është një lëvizje latinoamerikane. Është një lëvizje europiane.
- Uneus: Si kështu?
Nikanor Parra: Qartë, është një lëvizje evropiane. Mësuesi i Ruben Daríos[4], mjeshtri më i madh i modernizmit, është Pol Verleni (Paul Verlaine). Verleni është dinakëria e modernizmit.
- Uneus: Çdo origjinalitet ka një zanafillë dhe çdo krijues ka një mësues. Modernizmi erdhi prej diku, por u ngul këtu, shkaktoi ndryshime në retorikat e përdorura dhe vendosi linja zhvillimi…
Nikanor Parra: Shiko, unë kam qenë me kohë i interesuar për të studiuar modernizmin dhe sigurisht që kam kaluar përmes asaj qasjeje që po më përmend ti. Në të vërtetë, modernizmi nuk është aq i lehtë për t´u përcaktuar. Për një kohë të gjatë nuk e kam marrë vesh se ç´djall ishte. Lëfevër, me Hyrje në modernitet, më ka ndihmuar të dal nga situata. E gjeta një ditë, si me magji, dhe e lexova. Për Lëfevrin krijuesit e modernitetit ishin Marksi dhe Bodëleri, qysh në mes të shekullit XIX. Atëherë, problemi nuk ishte vetëm një çështje letrare, por ishte një çështje jashtëzakonisht themelore: sipas Lëfevrit, në mes të shekullit XIX, njeriu evropian përjetonte një shqetësim të ri, një zhgënjim personal e njëherazi shoqëror. Si do ta kapërcente? Për Bodëlerin, vetëm me anë të një dredhie të llojit letrar, që quhej alkimia verbale. Gjatë disa sekondave, aq sa zgjat leximi i poezisë, subjekti rifiton identitetin e humbur. Kësisoj, detyra e poetit do të qëndronte në ato trajta fjalësh që janë më të aftat për rikthimin e identitetit të humbur. Siç e shikon, Bodëleri ofron një zgjidhje të llojit individualist, e fokuson problemin nga pikëpamja personale. Përkundrazi, Marksi, që niset gjithashtu nga e njëjta hipotezë, – nga ndjenja e tjetërsimit, e rreshtimit, siç e quan ai – propozon tjetër rrugëdalje. Faji është i shoqërisë, dhe, për aq kohë sa kjo nuk do të ndryshojë, njeriu jo vetëm që nuk do ta rifitojë identitetin e tij të humbur por do të vazhdojë të jetë një i rreshtuar. Metoda që propozon ai është aksioni revolucionar. Aty pra, kemi dy projektet e mëdha të shekullit XIX, siç i quan Lëfevri. Kur flasim për modernizmin, unë mendoj se duhet t´i referohemi njëherazi dy gjërave.
Pikëpamja revolucionare është e ilustruar mrekullisht mirë prej kubanit Martí[5], i cili pati një prirje, të paktën deri në fund të jetës së tij, për ta përçmuar letërsinë. Martí parapëlqente më shumë aksionin revolucionar sesa aksionin letrar. Nga ana tjetër, kemi Daríon, i cili ndoqi rrymën bodleriane. Unë mendoj se pa këtë qasje në linjën e Lëfevrit, realisht nuk mund të kuptohet asgjë nga çështja e modernizmit.
- Uneus: Mirë, po a nuk të duket se nocioni evropian i modernitetit mbart në vetvete një vetëdijshmëri për metodat e prodhimit industrial dhe se si ato metoda e kthejnë njeriun në një mall, gjë që nuk ndodh në Amerikë, sepse Amerika nuk është një shoqëri industriale? A ia vlen të thuhet se modernizmi amerikan nuk është dhe as mund të jetë një kopje e modernitetit evropian?
Nikanor Parra: Pa dyshim që këtu ka një problem të madh. Edhe pse aq i shtjelluar si nga Bodëleri dhe nga Marksi, ky problem vjen duke u zvarritur qysh kur është krijuar bota. Në këto çaste mua më shkon mendja te Bibla, apo te Lao Ce. Jetojmë në një botë ku ka të mira dhe të këqija, ku disa gjëra janë të bukura dhe disa të shëmtuara, ku bën ftohtë dhe të nxehtë, ku ka dritë dhe hije. Sipas Lao Ce, thjesht kjo ndarje e botës është ferri vetë dhe njeriu, i aftë të dallojë të mirën nga e keqja, tashmë është një njeri i bërë dysh, i rreshtuar, i tjetërsuar. Është një njeri i përzënë nga parajsa tokësore, nga i vetmi vend ku nuk ka konflikte. Kësisoj, ndjesia e zhgënjimit nuk është karakteristikë e shekullit XIX dhe as veçori e Europës. Të dy projektet e mëdha të shekullit XIX, le ta themi kalimthi, edhe sipas vetë Lëfevrit, kanë dështuar plotësisht.
- Uneus: Ç´është e vërteta unë doja të flisnim për diçka tjetër, Nikanor. Unë doja të theksoja specifikën historike të njërës situatë dhe të tjetrës… Por, ç´rëndësi ka. Vazhdojmë.
Nikanor Parra: Mirë, Kristian, vazhdojmë dhe të jemi në një mendje për këtë: se zhgënjimi për të cilin jemi duke folur, pa dyshim, ka të bëjë me çështjen industriale, por, nga ana tjetër, ky zhgënjim është duke u hequr bran qysh prej kohësh që s´mbahen mend dhe ende vazhdon ashtu.
- Uneus: Atëherë, ta pranojmë se i përket kushteve të ekzistencës?
Nikanor Parra: Epo, prej andej vjen ekzistencializmi.
- Uneus: Nikanor, duke iu kthyer modernizmit që, sidoqoftë, është një fakt i pakundërshtueshëm, sipas mendimit tënd, ku e ka çuar poezinë hispanoamerikane?
Nikanor Parra: Kam një ide që më vjen vërdallë në kokë dhe që më duket themelore para se të hyj në një bisedë më konkrete. Formula letrare specifike e modernizmit është shkruar prej Verlenit: «De la musique avant toute chose»[6]. Pra, ideja se de la musique avant toute chose është qendrore. Parashtrimi është tejet i rëndësishëm. Lë pasoja shumë të lehta për t´i shtjelluar sakaq: muzika, sipas postulatit të alkimisë verbale, duhet të ketë një rol poetikisht hipnotik. Bëhet fjalë për anestetizimin e njeriut, për ta nxjerrë atë nga konflikti për aq kohë sa zgjat leximi i poezisë, në mënyrë që, në fund të fundit, kjo poezi bëhet një lloj narkotiku, një lloj droge.
- Uneus: Dëgjomë: ndërkohë që, në njërën formë apo tjetrën, poezia e Romanticizmit vepron sikur konfliktet e menjëhershme, që vuan shoqëria dhe individi, të ishin iluzione, alkimia verbale e shqit njeriun nga konfliktet filozofikisht joreale për t´ia nënshtruar vizionit të ideve, që do të ishte e vetmja botë reale…
Nikanor Parra: Mua më duket se ajo çka luhet është diçka shumë më primare, se është thjesht rifitimi i njësimit shpirtëror. Ajo për të cilën flitet është që të shërohet dhimbja. Ky është funksioni i drogës, i narkotikëve. Zhduket dhimbja dhe mbetet vetëm një shpirt në konsonancë me kozmosin. Nuk ka përplasje, nuk ka kundërshti, nuk ka të kundërta, ky është qëllimi. Veç kësaj, në kuzhinën e modernizmit, mendo se për vetë Daríon, droga dhe alkooli qenë vërtet në vend të parë… Domethënë, nuk bëhet fjalë për të mbërritur në botën joreale, por për t’ia mbathur drejt realitetit metafizik përfundimtar. Unë nuk e di nëse kjo mund të quhet një vizion i ideve…
- Uneus: Si zhvillohet kjo linjë në Amerikë, duke filluar nga modernizmi?
Nikanor Parra: Në fund të çon te nerudizmi. Nga ana tjetër, me shumë madhështi, çdo ideal modernist kulmon në poezinë e Nerudës, sidomos te vëllimi i tij poetik Qëndrim në tokë. Por ka mbetur pezull çështja shoqërore, çështje që kurrsesi nuk mund të preket me mjetet e modernizmit letrar. Përkundrazi, ajo preket përsëri nën formulën e hipive. Hipitë janë tipa që nuk kënaqen me zgjidhjen e çështjes shoqërore.
- Uneus: Në gjithë këtë, ku hyn shfaqja e Uidobros (Vicente Huidobro)?
Nikanor Parra: Ajo çka ndodhi në Europë pas dështimit të la musique avant toute chose qe kërkimi i një tjetër haluçinogjeni. Surrealizmi dhe gjithë “izmat” e tjerë nuk janë veçse derivate të modernizmit. Nga pikëpamja filozofike në to nuk ka asgjë të re: gjithmonë bëhet fjalë për të rikuperuar identitetin e humbur përmes njësimit shpirtëror dhe surrealistët përpiqen ta rikuperojnë atë në ëndrra ose në imazhin orinik.
- Uneus: Shfaqja e Frojdit i ndryshoi mjaft gjërat…
Nikanor Parra: Sigurisht, por çështja vazhdon të jetë njësoj; puna është se praktika e surrealizmit të çon në botën e ëndrrave dhe jo në botën e të dëgjuarit.
- Uneus: Bota e imazhit vizual. Prandaj surrealizmi ka arritur sukseset e tij më të mëdha në pikturë dhe jo dhe në poezi. Por surrealizmi mbështetet gjithashtu edhe tek Marksi. Gjithë surrealistët janë marksistë. Pothuaj, të gjithë.
Nikanor Parra: Marksist për sa i përket çështjes shoqërore, por surrealistë në çështjen personale, dhe pa arritur një sintezë. Unë mendoj se duhet nënvizuar ndarja e këtyre dy çështjeve. Është çudi të gjesh sintezën. Por e gjen një lloj sinteze te shkrimtarët rusë, te Dostojevski, te shkrimtarët e protestës shoqërore.
- Uneus: Çfarë është një shkrimtar i protestës shoqërore?
Nikanor Parra: Konkretisht në Kili, Pesoa Velis[7]. Është një njeri që beson te fjala, një njeri që nuk sugjeron aksionin revolucionar si zgjidhje. Ai zgjedh fjalën, jo fjalën narkotike, por fjalën çliruese.
- Uneus: Mund të jesh më i saktë?
Nikanor Parra: Në fillimet e shekullit nis e ravijëzohet një drejtim i ri i letërsisë së kompromentuar. Kjo do të ishte përfshirja e të dy qasjeve që po përmendim në këtë bisedë. Fjala, jo në shërbim të një bote johistorike, por në shërbim të një bote historike. Jo në shërbim të një konflikti personal, por në shërbim të kolektivit. Shkrimtari rifiton identitetin e vet personal nëpërmjet një veprimtarie që u shërben të gjithëve.
- Uneus: Shpjegohu.
Nikanor Parra: E thamë se problemi social, është problemi i padrejtësisë. Këtu ka pronarë dhe skllevër ose, duke përdorur një gjuhë më ortodokse, ka shfrytëzues dhe të shfrytëzuar; aty është krisja. Atëherë, bëhet fjalë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit.
- Uneus: Në ç´mënyrë?
Nikanor Parra: Duke i ndërgjegjësuar njerëzit për problemin. Modernizmi nuk shërben për këtë rrugë ndërgjegjësimi, nuk shërben për shkak të karakterit të vet haluçinogjen, fjala moderniste është një fjalë hipnotike. Vepron mbi subjektin, me anën e artit të magjisë. Përkundrazi, ajo që pretendon letërsia e kompromentuar, ajo që pretendon Pesoa Velis (Pezoa Véliz)[8], është pikërisht e kundërta, të ndërgjegjësojë në vend që të hipnotizojë. Për fatin e tij të keq, Pesoa nuk arriti të bëjë asgjë: vdiq i ri dhe nuk mundi t´i realizonte projektet e tij. Gjithsesi, ajo pak çka la, është vërtet për t´u marr shembull.
- Uneus: Rreth Pesoas pati të tjerë njerëz…
Nikanor Parra: Po, Mangajanes, Urrutia, vetë Borkes Solar[9].
- Uneus: Ndonjëri nga këta ka jetuar gjatë. Ç´ndodhi me ta që, me të ardhur Uidobro dhe Neruda, u zhdukën nga harta?
Nikanor Parra: Shiko, nga pikëpamja letrare, pa dyshim, në krye të tyre qëndronte Pesoa. Aty nga viti 1900 thuhej se Pesoa ishte poeti më i madh që kishte prodhuar vendi ynë. Por ama, le ta bëjmë të qartë çështjen deri në fund: nuk mund të themi se Pesoa e mori të fshehtën në varr dhe as se qe i vetmi zotërues i saj. Le të shohim se ç´ndodhi diku tjetër, në një vend të quajtur Argjentinë. Aty problemi u zgjidh qind për qind, madje pa e përfshirë modernizmin. Në Argjentinë, në vitin 1871 u publikua Martin Fierro[10]. Martin Fierro qe një zgjidhje. Është një letërsi e kompromentuar dhe në të njëjtën kohë është një letërsi e rëndësishme. Aty personazhi këndon, është i lumtur dhe, në të njëjtën kohë, aty thuhen edhe gjërat që i kërkon koha.
- Uneus: Ajo që më habit te Hernandesi dhe te Pesoa, pavarësisht largësisë kohore midis tyre, është aftësia për t´u ndjerë pranë të varfrit, pranë atij që nuk ka, një dimension i krishterë tejet i fuqishëm dhe jashtëzakonisht i vërtetë te Martin Fierro, diçka që nuk e gjen te poetët më të hollë, më të kultivuar, më të stilit evropianë, si Uidobro apo si Neruda, madje as në çastet kur bëjnë poezi shoqërore.
Nikanor Parra: Sigurisht, sepse të dy këta poetë, si Pesoa ashtu edhe Hernandes, janë poetë popullorë, të dalë nga një mjedis shoqëror ku doktrina e krishterë është ende e gjallë dhe e shëndoshë. Do të ishte për t´u habitur nëse gjërat do të paraqiteshin në ato përmasa në mjediset borgjeze, duke qenë se kultura borgjeze ka prirje për t´iu larguar krishterimit.
- Uneus: Neruda nuk ishte një poet me origjinë borgjeze, ndërsa Hernandesi, përkundrazi, qe i tillë, apo jo?
Nikanor Parra: E rëndësishme nuk është origjina, por shpirti.
- Uneus: Kur u shfaq antipoezia a ishit i vetëdijshëm në njëfarë mënyre për afërsinë me Pesoan dhe me Hernandesin?
Nikanor Parra: Në asnjë mënyrë.
- Uneus: Ndoshta është diçka për të cilën bëhesh i vetëdijshëm më vonë…
Nikanor Parra: Tani për tani mund të përligj, a posteriori, vetëm themelet e gjera të antipoezisë dhe besoj të jem i arsyeshëm nëse them se, po të jetonte Pesoa, patjetër do ta sugjeronte antipoezinë.
- Uneus: Por koha e solli që ta sugjeroje ti…
Nikanor Parra: Do të doja të flisja pak më shumë për antipoezinë; më duhet të them se kjo përligjje a posteriori nuk vjen për shkak të analizës që sapo bëmë, domethënë duke u nisur nga modernizmi. Mendimi i Lao Ce-së e ndriçon shumë më mirë rrugën e antipozisë në këtë drejtim: antipoezia nuk është gjë tjetër veçse poezia e të kundërtave, në antipoezi ka vend, njëkohësisht, edhe për të bukurën edhe për të shëmtuarën, edhe për të poshtëruarin edhe për të lavdëruarin, edhe për dritën edhe për hijen; njeriu nuk bëhet a priori palë me asnjë anë, ajo që ka rëndësi është të bashkohen të kundërtat. Më fal për sugjerimin, por kjo do të thotë se ajo çfarë ka në antipoezi, në fund të fundit, është bashkimi i yin-it me yang-un[11]. Lindja dialektike e antipoezisë do të qëndronte te njohja dialektike e natyrës. Unë besoj se pikërisht aty qëndron shpirti dhe forca e antipoezisë.
- Uneus: Sipas kriterit tënd, çfarë ndikimi ka pasur antipoezia te poetët që erdhën pas teje?
Nikanor Parra: Unë mendoj se Lihn[12] është një poet që niset nga postulatet antipoetike dhe që e zhvillon teorinë sipas mënyrës së tij. E rëndësishme për një teori është që të përhapet dhe jo të mbetet në vend. Unë jam shumë i kënaqur me punën e Enrike Lihnit, jo vetëm se në njëfarë mënyre vepron në një hapësirë antipoetike, por edhe se ai e përhap dhe shtrin atë sipas mënyrës së tij.
- Uneus: Dhe i shton gjëra nga anë të tjera, apo jo?
Nikanor Parra: Pa dyshim, ashtu rriten gjërat. Unë them se duhet të heqim dorë nga të parit të problemit letrar si një problem origjinaliteti dhe influence.
- Uneus: Nikanor, ç´po ndodh tani me poetët e rinj?
Nikanor Parra: Unë mendoj se një poet që nuk e vendos veten në këtë pikë takimi, të cilën jemi duke përmendur, pra midis çështjes personale dhe asaj kolektive, është një poet që bën veçse prapa, dhe sërish mbetet një poet modernist. Jemi mbushur plot me poetë të rinj modernistë dhe për pasojë më të vegjël dhe jashtë fokusit. Problemet e njerëzimit dhe kulturës aktuale janë të tjera.
- Uneus: Veç të rinjve modernistë, nuk ka të tjerë në peizazhin aktual?
Nikanor Parra: Sigurisht, unë kam një respekt të veçantë për qasjen dhe realizimin e «eksteriorizmit»[13]. Po mendoj për Kardenalin[14], Kardenali është një Pesoa Velis modern, është një njeri çështja e të cilit është shoqëria, konflikti shoqëror, dhe ai konfliktin individual e konsideron dhe e zgjidh pikërisht si konflikt shoqëror: domethënë në Hispanoamerikë, në këtë çast, ka diçka të rëndësishme në lëvizje, nga pikëpamja e poezisë ideale, që do të ishte poezia e Pesoa Velisit, dhe më duket se mjeshtri në krye të saj është Kardenali.
- Uneus: Mirë, por Kardenalin unë nuk do ta quaja një «poet të ri».
Nikanor Parra: Në këto çaste, unë nuk shoh ndonjë zgjidhje të re për problemin e poezisë në Hispanoamerikë dhe do të më pëlqente ta shikoja. Ato çfarë shikoj është vetëm qasja antipoetike dhe qasja eksterioriste e Kardenalit. Ka të përbashkëta dhe ndryshime. Antipoezia është një poezi që nuk e kërkon zgjidhjen në njërën nga dy fytyrat e monedhës, por e kërkon atë në bashkimin e të kundërtave dhe kjo i mjafton. Përkundrazi, Kardenali vazhdon të besojë te një gjë që tashmë është e vjetruar, te shpresa shoqërore, te shëlbimi i të shtypurit. Kardenali beson tek utopia. Mua më mjafton përpjekja, unë besoj se zgjidhja qëndron te vetë përpjekja, utopinë kurrë nuk kemi për ta arritur.
- Uneus: Për shkak të një qëndrimi të tillë, kohët e fundit, ke pasur kritika të forta zyrtare nga e majta?
Nikanor Parra: Shiko, unë e kuptoj që një kritikë politike ta kundërshtojë këtë qëndrim taoist apo bashkëpërfshirës. Nuk mund të flitet për revolucion brenda antipoezisë, do të ishte një revolucion gjithëpërfshirës, i cili do t´u përkiste të gjithëve. Në antipoezi nuk propozohet eliminimi i një klase nga një tjetër: propozohet një bashkëpërfshirje e të kundërtave. Kritika e së majtës, ashtu si edhe e së djathtës, janë kritika tejet anësore, të cilave thjesht u intereson veshja e uniformës.
- Uneus: Problemi i mendimit utopik është se nuk e kupton dot mendimin jo-utopik apo anti-utopik, dhe, nëse nuk e kupton, s´i ngelet tjetër veçse ta ndëshkojë.
Nikanor Parra: Këto terma janë disi paradoksale, sepse, nga ana tjetër, antipoezia gjithashtu sugjeron një utopi: nëse gjithë pjesëtarët e një kolektivi do të ishin antipoetë, nuk do të kishte problem.
- Uneus: Përtej shakasë, duam apo s´duam, çdo mendim është utopik. Thjesht nga fakti i të qenit mendim, është utopik. Me sa duket, utopia duhet pranuar së bashku me pamundësinë e saj absolute.
Nikanor Parra: Në atë kafaz jemi mbyllur të gjithë. Por problemi te kritika e së majtës është se politikanëve u intereson letërsia thjesht në mënyrë tangjente dhe vetëm për të çuar ujë në mullirin e tyre. Çështja politike është thelbësisht një çështje pushteti, përkundrazi, për një poet çështja politike është një çështje filozofike. Nuk është e lehtë që një poet të kuptohet me një politikan.
- Uneus: Duket e vështirë. Ka çaste të lumtura takimi, ka gosti të mëdha, ku të gjithë e duan njëri-tjetrin. Por është dashuri pijanecësh, që davaritet bashkë me daljen e pijes.
Nikanor Parra: Besoj se nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse t´i kundërvihen punës sime, edhe nëse do të bënin gjë tjetër, do të rrezikonin një tërheqje të fortë veshësh nga Komiteti Qendror. Do të ishte e palogjikshme nga ana ime, nëse do të prisja pëlqimin e Partisë Komuniste. Nga ana tjetër, mospërfillja ime ndaj këtij problemi është aq e madhe sa ato kritika nuk e prekin aspak simpatinë time të thjeshtë për ato lëvizje, të cilat, në njëfarë mënyre, përpiqen për çlirimin e qenies njerëzore, qoftë edhe çlirimin ekonomik. Përballë dritave unë nuk them jo dhe simpatia ime për socializmin nuk është pakësuar fare. Përkundrazi, është më e madhe, ama, nga ana tjetër, nuk duhet harruar se, gjithashtu, ka probleme të mëdha që cenojnë jo vetëm proletarët por edhe borgjezët, vetë qenien njerëzore si të tillë, dhe se këto probleme gjithashtu meritojnë të shprehen.
Unë veproj pothuaj vetëm në plan të përgjithshëm, bëj thellimet e mia te realiteti i atypëratyshëm, por pa lënë mënjanë karakterin e përgjithshëm, domethënë, pa harruar koordinatat e përgjithshme. Ekzistojnë si problemet e ashtuquajtura ekzistenciale ashtu edhe të tjerat. Unë mendoj se të dy llojet e problemeve kanë të drejtë të jenë dhe, sigurisht, kryevepra ideale do të ishte ajo ku të dy problemet të bashkoheshin sipas mendimit taoist. Ka shembuj, modele. Po përmend përsëri Martin Fierron. Martin Fierro më duket se është zgjidhja e plotë. Madje, do të shtoja se e gjitha çka kemi bërë deri tani është një çorbë mendimesh. Po qëndroj te një mendim konkret, te taoizmi. Dhe prej aty po flas tani. Në taoizëm çdo analizë është e tepërt, çdo analizë rrëshqet mbi gjërat dhe nuk depërton kurrë në palcën e konfliktit. Ne deri tani kemi bërë analizë, domethënë kemi bërë çorbë mendimesh; nga ana tjetër, që nga pikëpamja taoiste mund të thuhet se, ashtu siç është shkenca një ftohtësi, edhe letërsia është një ftohtësi. Unë nuk guxoj të jem aq kategorik, ama nuk mund të mos kem simpati për këtë qasje, domethënë, ajo çka do të ngelej, do të ishte thjesht një përafrim me nuhatje, që, në të vërtetë, është përgjegjës i punës përfundimtare. Sado t´i mësojë gjithë teoritë e mundshme, shkrimtari e ka të kotë, nëse nuk e ka një shtysë fillestare dhe një nuhatje të fuqishme.
- Uneus: Puna jote e fundit, Nikanor…
Nikanor Parra: Po, jam duke punuar me një libër që quhet Kaçureo (Cachureo)[15]. Në këtë libër kam hedhur gjithë mbetjet që ngelen pas një ndërtimi. Unë nuk e di nëse kam shkruar mbi suvatimin e asaj ndërtesës, që quhet Obra gruesa[16]. Le ta zëmë se ky suvatim është Krishti i Elkit[17]. Tani duhet pastruar terreni, duhen hequr hedhurinat, mbetjet e materialeve që nuk nevojiten më, ndërsa ato që vlejnë do t´i përdor për rregullime të vogla anësore, dhe tani për këtë jam duke punuar me shumë zell. Çdo herë ndihem më i lirë për atë që bëj, çdo herë guxoj t´i them gjërat më hapur dhe në një mënyrë më pak letrare. Çdo herë gjendem më afër një gjuhe të folur thjesht. Domethënë, çdo herë jam më afër gjuhës së popullit, që do të thotë se çdo herë e më shumë i afrohem Pesoas. Puna ime, thelbësisht, qëndron tek harresa e gjithë hileve që mësova nga surrealizmi dhe te gjithçka që erdhi më pas; përpiqem të punoj veçanërisht me gjuhën e gjallë, me gjuhën shoqërore, dhe, kësisoj, në poezi të pasqyroj thjesht çaste, çaste të gjalla, përvoja të jetuara, lojëra përvojash, pra, nuk bëhet fjalë për të krijuar realitete që nuk kanë të bëjnë me përvojat e vërteta. Për këtë, jam duke punuar me librin, të cilit, mbi të gjitha, më duket se i shkon shumë titulli Kaçureo; guxoj ta përdor këtë fjalë, kaq të varfër, kaq të thjeshtë, kaq shumë mjerane. Domethënë, jam duke punuar me një poezi të bërë me hedhurina.
Santiago, nëntor 1978
Përzgjodhi e përktheu: Bajram KARABOLLI

05 SEPTIEMBRE 2014/VALPARAISO
[1] Visente Uidobro (Vicente Huidobro 1893 – 1948) – poet i shquar kilian, nismëtar i lëvizjes estetike creacionismo (krijimtarizmi).
[2] Cueca – kompozim muzikal që shoqëron një valle nacionale kiliane me të njëjtin emër.
[3] Taoizmi është një sistem filozofik i jetës, bazuar te “Libri i Taos” që i atribuohet filozofit kinez Lao Ce (shek. VI, para Krishtit).
[4] Félix Rubén García Sarmiento, i njohur si Rubén Darío (1867 – 1916) – poet, gazetar dhe diplomat nikaraguaian, përfaqësuesi më i madh i modernizmit letrar në gjuhën spanjolle dhe poeti që ka ushtruar një ndikim të jashtëzakonshëm në poezinë hispanike të shekullit XX.
[5] Hose Martí (José Martí, 1853 – 1895) – politikan republikan, mendimtar, shkrimtar dhe poet Kuban.
[6] Muzika mbi çdo gjë tjetër.
[7] Carlos Pezoa Véliz (1879 – 1908) – poet dhe gazetar autodidakt kilian.
[8] Pezoa Véliz (1879 – 1908) – poet dhe gazetar autodidakt kilian.
[9] Manuel Magallanes Moure (1878 – 1924), Diego Dublé Urrutia (1877 – 1967), Antonio Borques Solar (1874 – 1938) – poetë kilianë.
[10] El Gaucho Martin Fierro – është një poemë e gjatë narrative, e shkruar nga Hose Hernandes (José Hernández), një vepër që konsiderohet model i llojit gauçesk (gauço – një tip lopçari karakteristik në Pampën argjentinase, por edhe në rrafshinat e Uruguait, Paraguait e më gjerë).
[11] 陰|陽 yīnyáng (kin.) – e errëta dhe e ndritshmja, dy konceptet e taoizmit, të cilat përdoren për t´iu referuar dualitetit që kjo filozofi ia atribuon gjithë ekzistencës në univers.
[12] Enrique Lihn (1929 – 1988) – poet kilian.
[13] Ja si e përcakton eksteriorizmin (exteriorismo) vetë Kardenali: exteriorizmi nuk është një izëm, as shkollë letrare. Është një fjalë e krijuar në Nikaragua për të treguar llojin e poezisë që ne preferojmë. Eksteriorizmi është poezia e krijuar me imazhe të botës së jashtme, botës që shohim dhe prekim, dhe që përgjithësisht është bota specifike e poezisë. Eksteriorizmi është poezia objektive: narrative dhe anekdotike, bërë me elemente të jetës reale dhe me gjëra konkrete, me emra të veçantë dhe detaje të domosdoshëm, me të dhëna të përpikta, me shifra, fakte dhe të thëna. Së fundi, është poezia e ndyrë.
[14]Ernesto Cardenal Martínez (1925) – poet, shkrimtar, teolog, skulptor, përkthyes dhe politikan nikaraguan, me famë botërore, mbi të gjitha për veprën e tij poetike, për të cilën ka qenë edhe kandidat i çmimit Nobel.
[15] Cachureo – është një kilianizëm që do të thotë: send pa vlerë ose me vlerë sentimentale, që sistemohet dhe ruhet.
[16] Obra gresa, që do të thotë Karabiná (një ndërtesë ende e pambaruar), është vëllimi i shtatë poetik i N. Parras, ose e para antologji personale e tij.
[17] Propagandimet dhe predikimet e Krishtit të Elkit është vëllimi XI poetik i Nikanor Parras, botuar në vitin 1977. Në këtë libër antipoeti rikrijon elementë dramatikë për zhvillimin e poezive.
Poeti është frymëzuar nga një personazh ekstravagant i aktualitetit kilian, nga Domingo Zárate Vega (1898 – 1971), i mbiquajturi «Krishti i Elkit», një fshatar kilian nga provinca e Elkit, i cili u bë i famshëm për deklarimet e tij se shpesh i shfaqeshin dhe takohej me personazhe hyjnorë dhe për këtë pati mjaft ndjekës, të cilët i pagëzonte në lumin Elki.
NO COMMENT