READING

ROMANI I DASHURISË – Gazmend Krasniqi

ROMANI I DASHURISË – Gazmend Krasniqi

PJESA III

PROFET NË VENDIN E VET

*

            Histori apo roman? Duhej zbardhur një CD, për t’u përdorur për një qëllim thjesht praktik: një çështje gjyqësore.

Këtë e artikulova unë i pari: një çështje gjyqësore?

Le të themi ashtu, qe përgjigjja.

U pagova, madje, më saktë, u parapagova, kështu që nuk shihja arsye për të menduar më gjatë, por, herë për fat të mirë apo herë për fat të keq, shpesh bëhemi dëshmitarë të faktit se njerëzit nuk mendojnë të gjithë njësoj, ngaqë vijnë nga përvoja të ndryshme, apo për arsye të tjera, sepse disa të njohur më panë me dyshim: a duhej të besoja kaq verbërisht tek ajo kliente e panjohur? Ajo edhe mund të mos ketë dhënë emrin e vërtetë: si mund ta verifikosh?! A kisha komunikuar pikërisht me atë vajzë dhe jo me një burrë, me mjekër një pëllëmbë, bie fjala, i cili as që jetonte në Londër, siç thoshte? Befas m’u fanit pamja e lajmit te gazeta e një tirazhi të madh, që ndiqet në të gjithë botën, për shkak të gjuhës apo namit: Terroristi i shumëkërkuar ndërkombëtar, R.R., më në fund u identifikua… Ai jeton në qendër të Tiranës dhe punon në gazetën… Ajo (apo ai?) më ngatërroi më keq, kur më nisi copa të vërteta nga gazeta të medias britanike, ku mund të lexohej se ndoshta personi i audios ishte spiun i shtatë shteteve apo Wikileaks 2, se ndoshta iu parandalua vendosja e eksplozivit në një metro të Londrës, se ndoshta femra që bënte sikur kujdesej për të, për sa kohë qe në koma, qe futur nga CIA, për ta kontrolluar dhe për ta vrarë në çastin e duhur. Kur ajo (apo ai?) më tha se mes nesh po flitej vetëm për një marrëdhënie biznesi dhe nuk qe e nevojshme të pyesja shumë, unë po filloja të mendoja: publikimi i atij teksti, a e zvogëlonte mundësinë e manipulimit me emrin tim, apo mundësinë e një diversioni, ku mund të përfshihesha pa dashje, që unë do ta vuaja njësoj, si një rast me dashje?

Me sa duket, kisha folur me më shumë njerëz se duhej, që u gjeta aq shpejt në rrjetën e thashethemnajës, e cila për pak më la pa punë, që donte të thoshte pa bukën e gojës, ose vetëm hapi i parë i fatkeqësisë për njerëzit me këto akuza. Ajo thashethemnajë vendosi fatin e librit. Ngaqë gazetaria paragjykohet, se hidhet sapo lexohet, kurse mua më duhej një libër që të qarkullonte sa më gjatë, pasi nuk i dihej se për kur më ishte ruajtur goditja, unë, gazetari R.R., gjeta – nganjëherë më duket se më gjeti – shkrimtarin që qe shprehur publikisht për “vdekjen e autorit”, pra, nuk e shqetësonte fakti se teksti ekzistonte para tij.

Termi “roman” doli në dritë atëherë kur erdhi në vëmendje roli estetik i tekstit, sepse gjatë bisedave, jo të pakta, nganjëherë debate, edhe pse e shihte qartë padurimin tim, shkrimtari do të më fliste herë pas here për disa funksione të tij. (Janë në lojë: Vajza, së cilës, për sa dimë, i intereson qëllimi praktik për t’i ardhur në ndihmë djaloshit, apo edhe vetes, për çështjen gjyqësore; Ti, që të intereson mbrojtja e dinjitetit, apo edhe e jetës tënde; Unë, që te ky ligjërim më intereson loja, sepse qysh se ka dalë në modernitet, fjala “roman” ka nënkuptuar “krijime të kota” apo “gënjeshtra”; Djaloshi, një njeri jashtë nesh, që një ditë, në një cep të aeroportit britanik Heathrow, kishte kapur rastin për t’iu afruar vajzës dhe për t’i folur me një ligjërim që duhej të merrte sa më parë formë përfundimtare, për të krijuar idenë e duhur se çfarë përfaqëson.) Për mua, në fakt, më e pakta qe se shpëtoja veten prej ëndrrës që shihja përnatë: dikush – i njëjti njeri, por që unë nuk e dalloja se kush qe – më kërkonte t’i hiqja fitilin një bombe.

*

Shkrimtari ma mbështeti idenë se romanizimi i historisë do të thithte një numër më të madh lexuesish, por kjo, nënvizoi, nuk donte të thoshte se mund të bënte kompromise me idetë që kishte për romanin si gjini letrare. Idetë? Kur i çova shënimet e para, më tha:

Kam lexuar romane që i vogël. Romane? Me një fjalë, te të gjithë ato shkruhej “roman”. Të krijohej ideja se romanet qenë jeta. Po cila jetë? Për ca kohë kisha në bankë një çun nga ata që sot i quajmë tabula rasa. Ishte djalë shoferi. Pasi shpjegoi tkurrjen e bymimin, mësuesja e pyeti se çfarë bënte babai i tij shofer kur ishte shumë vapë. Bashkënxënësi im iu përgjigj me siguri të plotë: Heq këmishën. Për shumë kohë kam menduar se ky do të ishte lloji i romanit që do të shkruaja. Diku më lart në ciklin shkollor, kur mësuesja e matematikës i dha mësueses sonë të fizkulturës një udhëzim të drejtorisë, duke e mbyllur me fjalë që mund t’u thuhen vetëm nxënësve: Qartë, X-i? mësova se ky quhej, sipas gjermanëve, bildungroman, pra merrej me ndërtimin e njeriut. Pa hyrë mirë në adoleshencë lexova romanin “Lamtumirë armë”. Faqja me emrin e përkthyesit qe grisur, por mund të lexohej kush kishte bërë parathënien. Ai quhej Ismail Kadare. E mbaj mend si sot se i kishte bërë përshtypje kapitulli ku zhurmonte një polifoni zërash. Ky element mund të gjendet në romanet e atëhershme të Kadaresë. Dekada më vonë ai shprehej se Hemingway i kishte terrorizuar shkrimtarët e Lindjes, që donte të thoshte se dikur qe shkëputur prej tij. Dekada më vonë unë lexova se Hemingway tallej me epizmin në roman. Në fakt, romani kishte aq shumë përshkrime të natyrës së reportazhit, saqë i kaloja pa vrasje ndërgjegjeje. Përshkrimet lirike i kam lexuar mbi njëqind herë. Nuk më ndodhte me romanet e tjera, megjithëse atëherë (mosha 13-vjeçare) mund të plotësoja një listë shumë të pasur titujsh. Kurrë më nuk kam lexuar si në atë moshë. Meqë ra fjala, i dija përmendësh batutat e atyre pjesëve lirike dhe ua thosha edhe të tjerëve, sidomos vajzave të klasës. Për shembull, atë pjesën: Si çdo burrë nuk dija çfarë të bëja pas puthjes së një gruaje. Në gjimnaz mbizotëroi leximi i poezisë. Cilës? Ishte trishtim i vërtetë të aspiroje për poezi në Shkodrën e asaj kohe. Sidoqoftë, qe investimi im më i madh. Vazhdoja të lexoja ato pjesët lirike të Hemingway-t, derisa kuptova se qenë tregimet ato që e kishin bërë “Hemingway”, e jo romanet, mbi të cilët qenë bërë filma dhe ai kishte fituar ca para (të mira). Nuk kam lexuar më romane? Kam lexuar shumë tregime. Tregimet janë më afër me poezinë sesa me tregimet? E vërtetë. Duhet ta pranoj se kishin ndikuar te unë fjalët jo dashamirëse që kishin thënë Paul Valery dhe Borges-i për romanin. Kishte ndodhur vetvetiu. Dikur u shfaqën shkrimtarë si Conrad-i dhe Hesse. Të bënin t’i pranoje symbyllur. Pastaj, Faulkner-i. Për ta pasur mendjen të qetë, shkruaj emrin tim në krye të tekstit dhe vazhdo zbardhjen. Cezarit, çfarë është e tij. Do t’ia dalim!

Hutimi im qe i parëndësishëm për të. Dukej se as që e shihte. Nuk di të them se sa merreshim vesh edhe kur mblidheshim për të vënë titullin përfundimtar, sepse unë këmbëngulja që të ishte Historia e Frikës (Duhet ta lexosh si histori, i pata thënë. Si histori që nuk i dihet se si do të rrjedhë. Këtë të presim edhe nga lexuesi), kurse ai se duhej të ishte Romani i Dashurisë. (Duhet ta lexosh si roman, ma pat kthyer. Hë për hë, këtë tekst kemi. Nuk dimë gjë për atë që është jashtë tij, që mund të vijë apo jo). Sidoqoftë, vuajtjet e mia e patën kulmin atë ditë që më tha: Tashti, sido ta doje, nuk e botojmë dot. Kishte dyshime se libri qe në duart e shërbimeve inteligjente. Nuk ma kishte thënë më parë, sepse telefonat tanë mund të përgjoheshin. E pashë si gjë me të vërtetë serioze, kur mërmëriti: Unë do të dal nga Shqipëria për ca kohë. Do të doja të shpëtoja nga kjo mesele. Nga ky dështim i jetës sime profesionale.

*

Më shkroi nga larg:

Pse Romani i Dashurisë?

Nëse kemi të bëjmë me një romancier, cili është problemi kryesor për të: të gjejë një rrëfyes (narrator) prej fjalësh, jo prej mishi e gjaku, dhe që është personazh sa edhe të tjerët?

Një apo disa?

Këto kapërcime këndvështrimesh a ndjellin synimet e thellësisë, misterit, shumëkuptimësisë dhe shumëplanësi?

Po çfarë mund të thotë romani që nuk mund të thuhet në asnjë mënyrë tjetër?

Çfarë i bashkon romancierët, kudo që janë?

Imagjinata dhe gjuha i japin përgjigje i japin realitet verbal pjesës së pashkruar të botës, si pjesë e frikës së ngutshme të shkrimtarit: Nëse unë nuk e shkruaj këtë fjalë, nuk ka për ta shkruar askush.

Me ta thënë atë, romani e bën të dukshme pjesën e padukshme të realitetit. Ai e përdor tekstin si një arenë, ku takohen jo vetëm personazhet, por edhe gjuhët, kodet e sjelljes, etapat historike dhe larmia e gjinive, duke e zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme terrenin e pranisë njerëzore në histori.

Pikërisht për këtë, romani jo vetëm e pasqyron realitetin, por krijon një të ri, i cili nuk ishte aty më parë, por pa të tashmë nuk do të mundnim ta konceptonim dot.

Romancieri, me më shumë përpikëri se historiani, përherë na rrëfen se e kaluara nuk ka përfunduar, se e kaluara ka për të qenë e trilluar në çdo çast që e tashmja të mos na iki nga duart. Romani thotë atë që historia nuk e thotë dot, sepse e ka harruar apo e ka lënë së imagjinuari.

*

            Siç ishte e kuptueshme, mua më duhej t’i mëshoja historisë.

            Sidoqoftë, isha apo nuk isha unë dakord, sipas kontratës që kishim bërë, nuk duhej të cenoja asnjë nga fjalët e tij.

            Audiot në vazhdim janë zbardhur pa ato ndërhyrjet emocionale të shkrimtarit, edhe pse mua herë pas here sikur më merrte malli për to. Kaq kisha krijuar varësi prej tyre, saqë për inerci e vazhdoja leximin me zë, duke besuar se ai po më dëgjonte prej atje ku ndodhej atë çast.

            Duhet ta pranoj se, sidomos kur mbeta vetëm, ndonjëherë kam provuar një ndjenjë trishtimi për personin e audios. Për një kohë të shkurtër, sepse më pas ndodhte zhvendosja e plotë: vetëm unë isha shënjestra. Thashethemnaja kishte të drejtë: shigjetat me helm të lojës më kërkonin vetëm mua. Sigurisht, viktimë e historisë, jo e romanit. Më mbetej që atë shprehjen: Zot, bëje ëndërr!, ta ktheja në: Zot, bëje roman, por jo histori! Enigma vetëm se rritej kur përpiqesha të kuptoja zërin hundor të vajzës. Vërtet, nëse do të shfaqej sa duhej, a do të ndryshonte gjë? Për fat, dukej se zbardhja po i afrohej fundit: martesa është kurora e një historie rezistence, e një modeli që duhej përcjellë në breza.        Heroi martohet dhe ai e nusja jetojnë të lumtur përgjithmonë.

*

            Rrëfimi i njeriut të audios:

            As unë nuk e di se nga e di këtë, sepse nuk mund të ma ketë treguar me kaq shumë detaje.

            Meqë nuk mori përgjigje për letrën e fundit, djali i burgut u nis vetë për në Analtë. Vetëm kur shkoi të vizitonte varrezat dhe nuk gjeti as atje shenja të së ëmës, apo të nipit, u bind se shtëpia rrëmujë nuk qe e lënë pas dore, siç pat menduar, por qe krejt e braktisur nga njerëzit.

            Meqë artistët janë njerëz që e kthejnë vetminë në favorin e tyre, ai nuk bëri përjashtim: zgjodhi gurët më të përshtatshëm dhe filloi punën që dinte të bënte më mirë. Asaj pune i dha fund vrasja, apo vetëvrasja, sepse kur i nipi (i shtyrë nga parandjenjat e së shoqes) u kthye në shtëpi, pa se skulptorit të shtrirë në mes të dhomës, i qe ngulur thellë në gjoks, si shpatë, një daltë e madhe, gjë që e vinte në dyshim mundësinë e së parës.

            Nuk dihet nëse qe i prekur nga kjo histori, apo i nxitur nga dijet e shkruara andej-këndej nëpër oborr apo në shtëpi brenda, kur u pushtua prej idesë së papritur që, duke i thirrur kujtesës, të rishkruante letrat e xhaxhait. Vetëm pasi shkroi tri-katër letrat e para, i mbushur plot me rëndësinë e punës që po bënte, u kthye nga e shoqja dhe i tha gjithë triumf: Burrat e shtëpisë sonë kanë qenë gjysmakë, ndërsa unë jam drejt rrugës së përkryerjes. Edhe pa e marrë vesh nëse tregoi entuziazëm e shoqja, kur ai foli për përkryerjen, iu dha idesë së vet me fuqinë e njeriut që duket se po i ndriçohet mendja nga diçka e panatyrshme, sepse shumë gjëra të pa kuptuara më parë, tashti i shtjellonte shumë lehtësisht. Në të vërtetë, shumë shpesh diçka kërkonte t’ia ngrinte kokën prej letrave, por ai nuk i bindej, kaq ethshëm punonte. Sidoqoftë, asgjë nuk mundi ta shpëtonte nga rrëmuja që shkaktonin të vdekurit, duke ia behur lirisht nga katër anët e dhomës, veçse, pas një fjale të vetme apo shikimi thuajse të pakapshëm, thellohej edhe më tepër në punën e nisur, me bindjen e rrënjosur se shumë shpejt do të kishte forcë mbi ta, megjithëse qenë një rrymë e fortë, e cila përpiqej ta flakte në shkretëtirën e çmagjepsjes dhe harresës.

            E shoqja s’do ta harronte kurrë atë mëngjes kur ai, ndërsa u hidhte një sy gjërave të shkruara, u hodh përpjetë, duke thirrur me zë të tronditur, gati të huaj: O Zot, sa thellë qenkam zhytur! Shkaku i habisë qe se kishte shkruar sanskritisht, një gjuhë të cilën as që dinte se e zotëronte. Habia u bë e dyfishtë kur pa ngjashmërinë e madhe të asaj gjuhe të vdekur me shqipen. Kishte mbajtur shënim të gjitha fjalët që përkonin dhe ia rreshtoi gjithë atë lumë fjalësh të shoqes, e cila e dëgjonte vetëm e vetëm se s’kishte çfarë të bënte tjetër në atë çast, por nuk gjente ndonjë arsye për t’u mërzitur. Ata thoshin durah, shprehej ai, pa e vrarë mendjen se çfarë donte të thoshte kjo për të shoqen, ne themi dera. Ata thoshin gau, ne themi kau. Ata thoshin vis, ne themi vis. Ata thoshin sunuh, ne themi çun. Ky zbulim doli rrënues për shëndetin që i binte përditë. Vetëm një gjë kam frikë, përsëriti për të disatën herë, mos jam i parakohshëm dhe është caktuar për dikë tjetër përkryerja. Po pirgu i letrave të shkruara rritej vazhdimisht, sepse edhe më shumë se frika, vepronte ankthi për të përvetësuar të vërtetën. Qe fjala për çaste të vërteta tërbimi, sepse vala e pasionit shpërtheu aq fort, sa filloi t’ia zbehte lëkurën dhe nëpër damarët e tij me gjak që hollohej, filloi të dukej ecja shumëvjeçare e gjakut të fisit, me një zhurmë të lehtë prej murmurimash të ethshme shëndeti a hidhërimi, një lloj helmi mjaft i ëmbël. Shiko, do t’i thoshte shpesh së shoqes, gjyshi bëhej dikushi kur ishte i verbër, xhaxhai i madh u nis në rrugën që të çon e s’të kthen, xhaxhai i dytë e kaloi pjesën më të mirë të jetës në burg, im atë me binjakun e tij vetëm po të shkriheshin bashkë mund të bënin një njeri të plotë, kështu që, siç të kam thënë, të gjithë qenë gjysmakë. S’ka më dyshime: vetëm unë po e arrij përkryerjen

            Hante në të rrallë, sepse nuk donte të shkëputej për asnjë çast nga zbërthimi i zhurmave gjithnjë e më të forta të gjakut, sikur gjithë jeta i qe dhënë vetëm për ato zbulime, pa të cilat nuk i gjente paqe shpirti i shqetësuar, i ngarkuar me kujtesë, ëndrra, vështrime të terratisura që nuk qenë bërë ende të tijat. Përherë e më fort kërkonte të dinte se çfarë ka pas një imazhi, pas një pasqyrimi, pas një shkëndije, dhe ky stërmundim ia lodhte zemrën, ia gërryente barkun, ndërsa vazhdonte kërcitja e hapave që i oshtinin thellë e më thellë në trup. Kështu mbërriti edhe ajo pasdite kur, i pushtuar nga ekstaza, tek ngrinte sytë, pothuajse pa ngjyrë prej lodhjes nga shkrimi e leximi, do të shprehej: Do të doja vetëm që të vononte sa më shumë kthimi i nënës. E ëma, e qetë, veçse pak e lodhur, sepse po kthehej nga varrezat, ku kishte zbuluar varrin e atij që ia pat helmuar jetën gjithë ato vjet, nuk dha sqarime të hollësishme, e sigurt se vetëm thelbi kishte rëndësi për të birin. Erdha të të them se tashti mund të jetosh ku të duash, shpjegoi shpejt e shpejt.

            Këto fjalë s’do të ndryshonin gjë tek ai, sepse s’provoi asnjë lloj ndjenje të veçantë, veçse buzëqeshi lehtë, me një hovje të lehtë dëlirësie. Është kaq e tepërt, do t’ia kthente, me një zë të rraskapitur. Mua më duhet të shtrihem pak: me gjithë ndonjë dyshim të vogël që kam, mendoj se e arrita… përkryerjen. Nuk besoj që Buda të ketë arritur diçka më shumë se unë. Pas pak, symbyllur, deshi të pyeste për datën, por menjëherë kafshoi buzën me një nënqeshje të lehtë: u kujtua se ajo shtëpi nuk kishte kalendar dhe se e gjithë jeta, gjithë çfarë kish parë e dëgjuar, kishte qenë nata e një mijëvjeçari, nga i cili nuk do të hidhej dot në tjetrin, sepse e ndjente qartë gurgullimën e lotëve në zemrat e dy grave, që po e përjetonin me dhimbje vdekjen e mashkullit të fundit të shtëpisë dhe shuarjen e vazhdimësisë së emrit të atij fisi të ngujuar aq gjatë ndër male.

            Për dy gratë vdekja bëri të kundërtën e asaj që u bëri jeta: i lidhi marrëveshje pas marrëveshjeje, diçka që filloi pas këtyre fjalëve të më të vjetrës: Edhe unë them se nuk është e lehtë të shpërndahet ky hidhërim, tashti që të gjithë po dridhen nga Fundi i Botës. Fiset gjithmonë janë shuar nga ndonjë sëmundje, kur prenë mikun në besë, ose gjëra të tjera të këtij lloji, prandaj askush s’do ta kapërdijë rastin e këtij fisi që u mbyll sot: miqtë, nëse ka, do të hidhërohen në mënyrë të pangushëllueshme, kurse armiqtë, që janë pafund, do të tërbohen. Duket sikur e ka zënë një gjumë i gjatë. E fshehta është e shenjtë, por edhe pakëz qesharake.

            Nuk e kuptuan se dikush i ndiqte lëvizjet e tyre. E vunë re këtë gjë vetëm atë ditë kur tymi, që dilte nga dritaret e shtëpisë së tyre, u pasua nga një zjarr i cili sulmonte qiellin me fuqinë e një zjarrvënieje të menduar shumë hollë. Më duhet t’ju zhgënjej prapë: është vetëm fillimi. S’kishte kaluar as një javë nga zjarri që bëri të pabanueshme gjysmën e shtëpisë, kur u tund qemeri i saj kryesor nga forca e një burri, i cili, befas, zuri, pothuajse cep më cep, dritën e kuadratit të derës. Secila prej grave pati përshtypjen se pa të shoqin tek njeriu që hyri brenda, por, ai, një djalosh mjaft i ri në moshë, ua zhduku menjëherë këtë ndjesi, sepse me pamjen e vet të hutuar tregonte se e shihte për herë të parë shtëpinë. Madje, këtë edhe e përforcoi, kur tha se ajo nuk mund të kishte qenë gjithmonë ashtu siç po e shikonte ai. Më e vjetra, megjithëse nuk lëvizi nga vendi, po e shikonte në kokërr të syrit, derisa më në fund, fare ftohtë, si për ta larguar një çast e më parë, i tha se duhej të kishte ngatërruar shtëpinë. Djali, që dukej disi i pështjelluar në mendimet e veta, ose, të paktën, i ngarkuar prej emocionesh të pashfaqura, nuk u mërzit nga mënyra e pritjes dhe qe shumë i kthjellët kur ia ktheu: Aspak. Pas pak, pasi pa një copë herë mirë e mirë përreth, do të shtonte me një ton tashmë më familjar, ku kapej emocioni: Nuk mund ta ngatërroj, sepse… është shtëpia e tim et… Gaboi im vëlla binjak që iku në drejtim të pa ditur. Kështu më duhet të mbaj i vetëm përgjegjësinë e të dyve.


Your email address will not be published. Required fields are marked *