READING

ROMANI I DASHURISË – Gazmend Krasniqi

ROMANI I DASHURISË – Gazmend Krasniqi

PJESA I

ROMANI I DASHURISË

Dashuritë e mëdha janë si fantazmat: pak kush i ka parë, por shumë flasin për to

Për paranojën? pyeti mjeku, sapo më pa te dera e klinikës së tij. Më në fund!

Nuk priti as të pohoja me kokë.

Mund të kishim bërë goxha punë deri tani. Pse u vonuat? Nuk duhej t’i lije gjërat të përkeqësoheshin.

Nuk kisha hapur gojë ende, kur shtyu pak regjistrin mbi tavolinë dhe shtoi:

Keni ardhur pa gruan?… Pa më thuaj si qëndron puna. Mundësisht, sa më shkurt, ju lutem!

Gjithnjë pa hapur gojë, i zgjata dorëshkrimin që i kisha dhënë formë libri.

“Romani i Dashurisë”, belbëzoi. Është libri juaj? Po ma bëni dhuratë?

Erdhi çasti të them: Është edhe nuk është libri im, por pas përgjigjes sime ai filloi ta humbte pamjen miqësore në fytyrë.

Erdhët vetëm për të më sjellë këtë libër?

Vetëm kur ta lexoni atë libër, mund të flasim për diagnozën time. Nuk mund të flas më shkurt sesa thuhet në atë libër.

Unë jam mjek… Mos më keni ngatërruar?… Nuk kam kohë për lexime… Për më tepër, romane dashurie…

Bëri një nënqeshje.

Nuk jam as kritik letrar.

Ndërkohë, e shtyu librin lehtë me gishta.

Aty është edhe numri im i telefonit, doktor. Do të thoni: Nuk më ka ndodhur ndonjëherë diçka si kjo…

Po bëhej gati të aprovonte.

Gjithmonë ka një herë të parë, doktor, thashë duke u ngritur dhe duke ecur nga dera. Emri im është R.R. Në njëfarë mënyre, njerëzit më njohin, se jam gazetar… Te libri keni edhe numrin tim të telefonit… Është libër që vendos fatin e jetës sime, por jeni edhe ju personazh… Për sa kohë nuk e keni lexuar, për mua koha ka ngecur në vend. Nuk ju intrigon kjo që po them?

Prita të tregonte vëmendje ndaj emrit tim, por nuk e bëri.

Në kopertinë ka një emër tjetër. Keni shkruar me pseudonim?

Ndjehej menjëherë që u gjenda ngushtë.

Vetëm leximi do t’ju ndihmojë t’i shmangni pyetjet si kjo, doktor… Ditën e mirë!

U ngrita, tërhoqa derën pas vetes dhe nuk dëgjova asnjë fjalë prej tij.

Gjithë kohës nuk më hiqej nga përfytyrimi se si e hapte librin dhe fillonte nga leximi, i intriguar nga ajo që e gjente aty edhe veten personazh.

Po a po e hapte vërtet? Rrugës, e gjeta veten duke thënë: Fillo, doktor, fillo!

Dhe: Hë, se nuk u shemb Roma!

Më fanitej para syve gjithçka e shkruar në libër dhe përpiqesha të përfytyroja se si reagonte ndaj ngjarjeve e detajeve të caktuara.

Apo, ndoshta, i trembur, ai ka telefonuar policinë dhe unë duhet të mësohem me idenë se nga çasti në çast do të më vënë prangat!?

PARANOJA DHE DASHURIA

*

Me shkuarjen time të parë në klinikë, a mund t’i flisja mjekut nga qenia ime personazh, si aktant që lind e vdes brenda romanit, siç thonë teoritë moderne të prozës, përderisa isha i gjithi para tij, me biografinë time dhe me dokumentin e identifikimit, që ma kërkoi infermierja? A mund t’i shpjegoja se nga qenia ime si personazh varej fati i një romani?

Që te ai shkonin zakonisht njerëz me probleme në çift, dukej prej përgjigjeve të drejtpërdrejta, duke lënë mënjanë diplomacinë. Duket i kishte dalë mënyrë efikase.

Po përpiqem ta ringjall këtu atë dialog: sepse unë pyesja, ndërsa ai përgjigjej.

Si diagnostikohet njeriu me paranojë, doktor?

Nuk ka teste laboratorike për çrregullimet e personalitetit, por mund të përdoren teste të ndryshme diagnostikuese për të përjashtuar sëmundjen fizike si shkakun e simptomave.

Si mund ta kuptojë se është paranojak?

Paranoja është të mendosh dhe të ndjehesh sikur po kërcënohesh, edhe nëse nuk ka prova, ose ke shumë pak të tilla.

Si mund ta dijë njeriu nëse është intuitë apo paranojë?

Ekziston gjithmonë mundësia që mendimet të mashtrojnë: sidoqoftë, nëse keni mendime të përsëritura që duken se vijnë nga askund ose janë të vazhdueshme, ka të ngjarë të përjetoni një intuitë dhe jo paranojë.

Si e dimë nëse intuita po na thotë diçka?

Kushtojini vëmendje zonave të gjoksit dhe stomakut. Kur njerëzit flasin për “ndjenjat e brendshme”, i referohen intuitës, e cila krijon ndjenja shumë reale në trup. Kur filloni t’i vini re, mund të filloni të dëgjoni se çfarë kanë për të thënë.

Pse mendon njeriu se të gjithë po e vëzhgojnë?

Shenjat që mund të jeni duke përjetuar psikozë përfshijnë: halucinacione (dëgjim zërash, shikim gjërash që nuk janë aty, ndjesi ndjesish të çuditshme) mani (besime të rreme dhe shpesh të pazakonta për veten ose botën, që ju besoni se janë të vërteta) paranojë (ndjenja e të qenit i vëzhguar, se u fol ose u komplotua kundër jush).

Pse mendon njeriu se të gjithë duan të kapin?

Ideja paranojake është një simptomë e skizofrenisë, çrregullimit skizoafektiv dhe çrregullimit të personalitetit paranojak.

Si duhet folur me dikë me paranojë?

Krijojini hapësirë ​​të mjaftueshme, në mënyrë që të mos ndihet i bllokuar ose i rrethuar.

Si mund trajtohet paranoja gjatë natës?

Frymëmarrja e thellë është një mënyrë e shkëlqyer për të reduktuar ankthin dhe stresin. Meditim, pra.

Cili është ilaçi më i mirë për paranojën?

Ilaçet moderne atipike antipsikotike për skizofreninë si risperidoni janë baza e trajtimit për paranojën.

            Kur u zgjat e afroi nga vetja një bllok recetash, ia mbajta dorën.

            Jo sot, doktor. Më duket se më kanë adresuar gabim. Nuk e di nëse kam ardhur në vendin e duhur. Ditën e mirë!

            Edhe pse ai mori pamjen e njeriut që i bie tavani mbi kokë, nuk e ktheva më kokën pas, sikur kisha frikë se mos do të pendohesha.

            Më duhej ta bindja veten, nëse isha bërë për ilaçe. Shpresoja, nëse do paraqitej nevoja, një herë për herë, të më mjaftonte meditimi apo joga.

*

Është biseda e mëposhtme, që u zhvillua mes meje si personazh dhe shkrimtarit, kur po vendosej fati i këtij romani, ajo që më çoi te mjeku.

Paranoja është një shqetësim psikik i karakterizuar nga një delir i kthjellët, nga një logjikë mendimi mjaft koherente, po më thoshte. Deliret paranojake kanë të bëjnë me situata të besueshme dhe përmbajtja e tyre nuk ka tendenca të çuditshme. Forma tipike e paranojës është deliri i persekutimit. Personi paranojak është i bindur që disa persona duan ta dëmtojnë dhe në bazë të kësaj e interpreton çdo ngjarje në mënyrë të shtrembëruar, madje dhe atë më të parëndësishmen.

Edhe shtrembëruar, edhe kthjellët: Ç’situatë komode!

Ndjenjat paranojake janë pjesë normale e përvojës njerëzore, veçanërisht te njerëzit që janë të pambrojtur ose në kohë stresi ekstrem.

Sigurisht, zëri im ishte ironik, kur thashë:

Kjo duket më bindëse.

Mua më intereson situata bindëse ku ndodhesh si personazh i një letërsie postmoderniste, vazhdoi në të tijën. Atje je vetëm një aktant: jeton për sa kohë hyn në tekst dhe deri në çastin që del prej tij. Të tjerat nuk janë letërsi.

E pse duhet t’i besoj këto që thua?

Simptomat janë këto që po shfaq tani: të qenit në pozicion mbrojtës, armiqësor dhe agresiv; të ofenduarit lehtë; të besuarit se ke gjithmonë të drejtë, si dhe të mos qenit në gjendje të keni besim te të tjerët. A më kërkove ndihmë për atë dreq libri: kjo do të thotë se jam i besueshëm për ju. Duhet të flisni me dikë që i besoni. Sidoqoftë, këto që thashë unë, do të ishte më mirë t’i dëgjonit nga ndonjë mjek. Mua si shkrimtar do të më interesonte, për shembull, kërcënimi i përfshirjes totale nga sistemi i dikujt tjetër, apo frika se dikush po ta modelon jetën me lloj-lloj komplotesh të padukshme, që po ta grabit autonominë e mendimit dhe veprimit…  E për këtë më duket ende shpejt për të dalë në një mendim.

            Jeni shumë ngushëllues.

*

Një mendje më thoshte se burimi i frikës apo paranojës, ndoshta duhej kërkuar atje ku nisën shenjat e para. Kjo qe arsyeja që po kërkoja në çastet kur po thosha:

A kishte mungesë incizimi në atë audio që po zbardhja, pasi pasonin gjithë ato retiçenca, apo biseda me zë të ulët? Unë dija se pas retiçencës më të madhe, pra fundit të incizimit, prej audios erdhën ca britma femre, zhurma e një trupi që sikur plandosej diku dhe një zë burri, që tha anglisht, me një ton ku ndihej diksioni aktorial: I believe he is dead. Për disa çaste, audio xhiroi bosh, një bosh që më bëri të mbyllja veshët, sepse mund të mendohej që incizuesja “e pat humbur vëmendjen” nga ajo që po i shihnin sytë.

Them “mund të mendohej”, sepse tashti unë e dija: gjithnjë e më shumë bindesh se është e padrejtë të flasësh për gjëra që nuk i sheh. Unë dija – përmes fjalëve të tij në audio – vetëm se si erdhi te ky çast. Ajo që dija mirë unë qe se këtu mbyllej dëshmia e alibisë sime si zbardhës i audios, të cilën e përcolla me saktësi të plotë, sepse dualitetin histori – roman të këtij libri duhet ta përmbyllin shënimet e shkrimtarit, i cili shkroi:

Kur të mësoni për mistifikimin tim, më duhet të them se e bëra për hir të artit. Të gjithë i arratisemi realitetit të vërtetë. Asnjëri prej nesh nuk e mendon të kaluarën e vet edhe aq reale. I dashur lexues, ndërtoje autobiografinë tënde dhe në fund shiko se çfarë ka dalë nga përpjekja për të thënë të vërtetën. E ke stolisur? E ke arnuar? Në rastin e një përgjigjeje, secili është bir i epokës së vet.

A isha i detyruar t’i pranovja fjalët e shkrimtarit? Pyetje e drejtë. Kishte një marrëveshje mes nesh: nuk do të preknim gjërat e tjetrit. Vetëm kështu do të publikohej libri, që duhej ta bënte të njohur këtë histori.

            Kur u vendos pika e fundit dhe shkrimtari ngulmoi, edhe pse unë nuk e kuptoja, se nuk qe më libri i tij, por i lexuesit, me mua ndodhi krejt e kundërta: u ndjeva i përmbytur nga historia, me një peshë që, në vend të zvogëlohej, rritej. Pyetjet: Vdiq? U dëmtua rëndë? U dëmtua lehtë? Apo gjithçka qe pjesë e një inskenimi? Apo, ndoshta, e mori përgjigjen që deshi?, m’u kthyen në torturë kineze.

Më vonë, pyetja kryesore ndërroi drejtim: i shprehu dashuri të vërtetë ai djalë asaj vajze? Përgjigjja do të shpjegonte diçka. Jo gjithçka, por diçka. Dhe diçka është diçka.

Nuk pres përgjigje nga lexuesi, pa e marrë vesh ai se pse ngrihen këto pyetje dhe ato që ende nuk janë artikuluar.

            Pra, nuk jam unë njeriu që e quajti këtë libër Romani i Dashurisë. Është titull që rri mirë në kopertinën e një libri të cilin e duan lexuesit, por arsyet për të mos e mbështetur atë qenë më të forta sesa ato për ta mbështetur. Për më tepër, nuk jam ai që dëshiron të çudisë me një histori, por ai që, përmes saj, ka nevojë për ndihmë. Për të pasionuarit pas shtypit të përditshëm kujtoj se kjo histori është paraprirë prej një njoftimi të përsëritur në disa numra gazete: Së shpejti, do të kemi dëshminë e librit i cili tregon sesa të pabazë janë zërat që të përfshijnë në veprimtari terroriste.

Sigurisht, ka shumë të drejtë ai që do të pyesë: histori apo roman?

Ja ku po i laj duart: nuk jam unë ai që do të flasë për romanin. Jam ai që zbardh audion e cila na çon në aeroportin londinez Heathrow – kështu m’u tha mua, – ku janë takuar një djalë dhe një vajzë dhe ai ka disa gjëra për të thënë.

Me gjithë dëshirën e madhe, nuk i përshkruaj dot nga pamja. Madje, nuk e di as se si është zëri i vajzës, sepse dëgjoj vetëm zërin e tij.

Nuk e di se kur ka filluar biseda e tyre, që ai i thotë:

A e di se kujt po i thua se t’i rrjedh nga një familje e vendit që quhet Analtë?… Po, ashtu është: ka njerëz që më thonë “dështak”. Po, mua… Mirëpo unë jam i durueshëm: shoh larg. Unë e hedh bombën në vendin dhe kohën e duhur.

Nuk e di nëse ajo flet me mimikë, apo rilidhet ndonjë bisedë e kaluar, që ai thotë: Keni shumë të drejtë që pyesni se ku po shkoj. Mësojeni: jam njeri me mision.

Pas një pauze të shkurtër, ku mund të ketë parë diçka, ai vazhdon: Data 13, ora 13:00, viti 2013… Po, kjo është Analta… Nuk jeni kureshtare për këtë koincidencë?…

Unë kam pritur një jetë për këtë.

*

Nuk dëgjohej zëri i vajzës – nëse vërtet ajo fliste – por vetëm i tiji, që do t’ia niste shtruar:

Mbajeni mend, kujtesa është thelbësore në këtë histori. Gati – gati, personazh. Vetëm kështu merr vlerë ajo që thashë: hedhja e bombës.

Pra, erdha në Londër që të takoja hartuesit e Occult Encyclopedia, si njeriu që dinte më shumë se kushdo për Shën Agustinin e Analtës.

Një ëndërr, sigurisht profetike, më tha se nuk duhej ta lija të humbte historinë e një vendi që ka pasuruar historinë e apokalipseve dhe shenjtërimeve, por shumë nuk e kanë dëgjuar as sot e kësaj dite, megjithëse Analta ndodhet fare pranë Shkodrës sonë të dashur, e cila, në gjithë historinë mbi 2000-vjeçare, nuk ka harruar asnjëherë të shohë nga Roma.

(Kush mund të harrojë se në fëmininë tonë në Shkodër nuk ka pasur ndonjë shprehje që përdorej më dendur sesa: Hë, se nuk u shemb Roma!)

Kur qëndrova një herë në aeroportin e saj të stërmadh, ku pashë duke ia dhënë si pa të keq një linje tjetër avionin e linjës së Tiranës, u kujtova se, që qe shembur, në fakt, Roma e përjetshme dhe e pathyeshme (INVICTA ROMA AETERNA), e tregonin fjalët e ilirit Jeronim: Tashmë, drita e lavdishme e botës është zbehur e ndotur, siç shkroi në manastirin e ngritur në Betlehem, ku e kishin zbuar për idetë radikale.

Edhe pse mu në atë kohë një poet këndonte, gjithë ekzaltim: Roma vetëm të bërtasë dhe Rini urtohet; edhe pse qytetarët e saj besonin se vërtet kishin plaçkitur tri ditë vizigotët, por gjithçka ishte në një rregull të shkëlqyer, sepse institucionet e lashta u dukeshin krejtësisht të palëkundshme dhe ata, siç u pëlqente dhe siç qe zakoni, mund të gëzonin në kremtime pa fund; edhe pse Pelagu, murgu me origjinë britanike, ngulte këmbë se shpëtimi arrihej me përpjekje të forta individuale, me një fjalë, nëse njerëzit do të viheshin më fort në lëvizje, do të bëheshin më të mirë e më të zotë – Jeronimi e dinte çfarë thoshte.

Edhe doktrina e Shën Agustinit se qyteti i njerëzve, një kopje e keqe e Qytetit të Qiellit, ka një qytet-amë (me të uriturit – të ngopur, me ata që qajnë – të ngushëlluar), të cilin mund ta fitojnë vetëm ata që u ngjajnë fëmijëve, që e pranojnë me çiltërsi dhe pa u menduar atë që u jepet, mbështeste rënien e Romës së Përjetshme, por njeriu i shkretë aq di, aq bën: edhe 1500 vjet pas rënies së saj, i bënte lapidar atje në Shkodrën e vockël.

Vetëm fillimi është i vështirë, sepse shpejt vjen koha që mendon: Nëse është shenjt ai që lexon shpirtrat e njerëzve, që ushqen me pak ushqime katërqind udhëtarë, që sjell shi në kohë thatësire, që nuk e ndërron besimin e vet përpara asnjë torture, që ushqehet me barëra e rrënjë dhe bën të përkulet shpata si qiriu, nuk mund t’i shpëtohet tundimit për t’u bërë dëshmitar i gjërave të mëdha.

*

            Mandej, shtoi ai, vetë analtasit e kanë tejkaluar emocionin e lidhjes me Romën.

Pas dërgimit të kërkesës për shenjtërim në Vatikan, çdo fytyrë e re që shfaqej në fshat, do të merrej për postier, kaq me ankth pritej përgjigjja, sepse djaloshi emigrant, që kishte marrë letrën për Papën, po vononte të bëhej i gjallë.

Kur u bë i gjallë, ndodhi diçka përtej pritshmërive: nisi të bombardonte, aq sa gati nuk e ndiqnin dot, me informacione dhe me shpjegime për to. Për shembull, nëse informacioni thoshte se Kërkesa pritej të merrej në shqyrtim, ai edhe shpjegonte që në Papat kishte entuziazëm për kërkesën e analtasve, por fillimisht qe fjala për rrethet pa gjë në dorë, sepse vetëm komisione që shërbenin për verifikimin e kërkesës, mund të numëroheshin disa.

Nëse informacioni thoshte se Kërkesa po u nënshtrohej procedurave burokratike, ai edhe shpjegonte se duheshin ditë të tëra që letra të mbërrinte në duart e Papës, sepse, përveçse si përmbajtje, ajo kontrollohej edhe nga ana fizike: për antraks apo rreziqe të tjera të paimagjinueshme më parë.

Nëse informacioni thoshte se Kërkesa filloi të shqyrtohej, ai edhe shpjegonte se Papa nuk qe shprehur ende, por fakti që nuk e hodhi poshtë me të parën, fliste në të mirë të kërkesës. Ose shpjegonte se, për të zbritur edhe në rangjet e ulëta, përgjigjes i duhej aq kohë sa harxhoi për t’u ngjitur lart: aparati gati dymijë vjeçar i Papatit qe i padepërtueshëm në mënyrën e tij të funksionimit.

Nëse informacioni thoshte se Pas lëngatës së gjatë, Papa Vojtila vdiq, ai edhe shpjegonte se kërkesa e analtasve nuk qe larguar nga tavolina dhe se e gjithë vonesa qe një çështje firme. Nëse informacioni thoshte se Papa i ri, me flokët e bardhë si borë, qe gjerman, ai edhe shpjegonte se ky kishte shërbyer dikur në rininë naziste, por dukej i butë si qengj dhe nuk të kujtonte fare atë kohë lufte, edhe pse hebrenjtë rrinin gati që t’ia kujtonin.

Nëse informacioni thoshte se Papa po njihej me personelin, ai edhe shpjegonte se Papati qe i vetmi shtet në botë që përbëhej vetëm nga zyrtarë, kështu që kjo njohje nuk dihej se kur do të merrte fund dhe se gjatë kësaj kohe ai nuk hidhte firma.

A mos dikush kishte spiunuar, duke thënë se Shën Agustini ynë ishte i martuar?

*

            E pyeta shkrimtarin se si i dukej deri këtu dhe më tha: dyshimi është fillimi i inteligjencës.

            Cinik apo enigmatik? Nuk e kuptoja.

            E pyeta porositësin (porositësen) për cilësinë e punës sime si zbardhës, sigurisht duke pritur për të mësuar diçka përtej punës së drejtpërdrejtë, dhe mora përgjigjen më të shkurtër dhe më të thatë që mund të jepet: E shkëlqyer! Dhe, për hir të së vërtetës: Nuk mungon asgjë që ka rëndësi për ne.

Fjalët e tyre qenë etiketa e këtij teksti:

Sidoqoftë puna, cinizmi i Perëndimit e meriton një shuplakë… Po më incizoni?… A mos i koleksiononi zërat e meshkujve që ju afrohen? Apo ju shkon mendja të më manipuloni?… Jo, nuk jam prift… Nuk jam as nga ndjekësit e Jehovajt… U afrova te ju, sepse i ngjisni shumë dikujt që kam njohur dikur… Do të thosha se jeni dikush që kam njohur… Nuk di ta them tani se ku ju kam njohur, por jam i sigurt se po…

Më dëgjoni, që të bindeni…

Keni të drejtë, nëse mendoni se po lëviz herë pa here nga tema. Le të sqarojmë fillimisht  atë që qe e rëndësishme për historinë e Analtës, atë që është thelbi i misionit tim. Gjithmonë shpresoja se me anë të saj do të gjeja tim atë, Milo Temesvarin, atë njeri që në fëmijëri pat studiuar te jezuitët e Shkodrës, por kur u largua nga vendi, e mbuloi misteri, saqë edhe unë jam rreshtuar ndonjëherë me ata që nuk pranonin se ka ekzistuar, sepse më kot e kërkova deri në Argjentinë, në parajsën e njerëzve të fshehtë, pasi siç thoshte Umberto Eco, njohësi i tij më i mirë, qe CIA ajo që vendoste se kur duhej të kalonin disa vjet të mira që ai të jepte shenja se qe i gjallë dhe shumë i informuar për çfarë i ndodhte në rrethin e dhuntive dhe interesave të rralla, se kur duhej të renditej në listën e autorëve që nuk kanë ekzistuar kurrë dhe kur duhej të shfaqej me shkrime që e ngrenë botën peshë.

Për atë burrë, nëna në fliste ashtu siç flasin njerëzit e tjerë për takimet me alienët. Ai nuk ia kishte thënë kurrë emrin e vërtetë, por ajo iu bashkua menjëherë idesë sime se qe vetë Milo Temesvari. Edhe pse i vetmi portret, që gjendej lehtësisht në internet, dukej më tepër si një shkarravinë (vetëm unë dhe ajo mund ta dinim se sa qe kapur në karakter), edhe pse jezuitët mëtonin për ndonjë spekulim, meqë flitej për një njeri që fillimisht kishte marrë nga Lindja e jo nga Perëndimi, edhe pse shenjat paralajmëruese nuk na i thonë të gjitha, më mjaftonte që, sipas disa dëshmive, im atë qe parë në Analtë, vendi ku nuk e dija se si kisha përfunduar një herë aq rastësisht (siç mendoja asokohe), sepse, si te shumica e historive të botës (që nga Iliada), në këtë mes pat qenë një femër, për të cilën (në fakt) deri atë ditë nuk dija asgjë, edhe pse e kishim parë njëri-tjetrin nga larg, por pa ndonjë interes të veçantë…

Nuk mund të bësh përjashtim: sigurisht, kur flitet për një tjetër, të gjitha femrat pyesin se kush ishte ajo, prandaj ja ku po përpiqem të mos lë pika të errëta. Eja e më shoqëro deri në Analtë, më pat thënë thjesht, duke bërë me dorë nga mali. Ngaqë Analta ngrihet rreth 500 metër mbi fushën ku vazhdon të kalojë rruga kombëtare – i kam mirë koordinatat? – e kujtoj se mund të kemi qenë më pak se në gjysmën e rrugës kur më tha me ton urdhërues që t’i rrija larg, ndërsa vetë u ul mbi një gur dhe i dha kokës prapa.

E mbaj mend si ta kem para syve atë ditë të largët: hemorragjinë e hundëve e pati nga dielli i fortë, kurse vetëm njëqind metra më lart mjegulla u bë aq e dendur, sa nuk arrija të kuptoja pse ngulmonte për të vazhduar rrugën. Po aq mirë mbaj mend se rrugës takuam vetëm gra (ndoshta duhet thënë se dëgjuam vetëm zëra grash), dhe se kur pyeta pa të keq se ku qenë burrat, mora një përgjigje me ton kaq të prerë, sa nuk guxova të pyesja më, veçse përsëritja me mend fjalët që kishte renditur: Qysh se ia behu mjegulla në këto anë, filluam të vëmë rregull. Për një njeri që e njihte historinë e atij vendi, fraza e mësipërme donte të thoshte: Qysh se ia behu mjegulla në këto anë, filluam të ndajmë burrat veç e gratë veç.

Nuk qe kjo ndarja e parë, sepse gjithçka filloi nga gjëra më të thjeshta: së pari u ndanë dhitë nga delet, pulat nga gjelat, kuajt e bardhë nga kuajt e kuq, numrat tek nga numrat çift, zjarret e mëdha nga zjarret e vogla, fiqtë nga kumbullat, ftonjtë nga shegët e egra. Kuptohet: lista e gjërave të ndara mund të zgjatej pa fund, pasi në Analtë kishte më tepër vend për mosmarrëveshje, sesa për marrëveshje. Imagjinojeni se kjo ndodhte kur nuk kisha ndonjë ide për misionin, prandaj herë pa here qenë bërë gati për të kaluar në harresë, gati i pasigurt nëse i kisha parë në ëndërr apo në zhgjëndër.

            Po, qe e vërtetë, më ngatërroheshin pak sferat e realiteteve.

            Hë, se nuk u shemb Roma!

            Tashti do të ishte e rëndësishme të më besonit se nuk ka qenë ajo femër, por gjetja e tim et, arsyeja e vërtetë që iu riqepa Analtës (pyet për atë burrë me emrin Mulo apo Malo, më pat thënë nëna), ku edhe pas pesëdhjetë vjetësh dëshmitarët e paktë, tashti pleq, të cilët do ta kujtonin me hollësi ditën e parë kur aty u fol seriozisht për Fundin e Botës, diskutonin me bindje të plotë për zanafillën e kësaj historie, megjithëse nuk kishte asgjë të shkruar.

*

            Edhe pse në rrethana të ndryshme, në kohë e në vende të ndryshme, dy njerëz mund të bëjnë të njëjtën pyetje: Çfarë është më e rëndësishme?

            Përkim i rastit?

            Ndryshe nga unë, njeriu i audios mendonte që e kishte përgjigjen, sepse vazhdonte:

Bëni durim, ju lutem! Duhet të më besoni për sa ju thashë për atë femër, edhe pse pas njëzet vjetësh ndodhi një ritakim, në një vend të huaj – sa shumë gjëra po na ndodhin sot në vende të huaja – në të cilin unë kalova pak kohë, kurse ajo vazhdon të jetojë sot e kësaj dite, duke marrë përsipër fëmijët e tri martesave të dështuara.

Më kishte kërkuar me ngulm, por i lexohej menjëherë zhgënjimi. Kurrë më nuk do të jesh për mua djali i atyre viteve, më tha, kur po më shihte mirë e mirë.

Harronte veten: vitet kishin kaluar edhe për të.

Nuk mund të them se nuk doja të rrija pranë saj, se nuk doja ta përkëdhelja herë pas here, por pranë derës së apartamentit, u ndjeva krejt i kthjellët (nuk kam provuar më parandjenjë aq të kthjellët), duke lexuar qartas në trurin tim: kisha gabuar kur shkela aty, ndaj i bëra disa pyetje pa shumë kuptim për Analtën, sepse kujtoj të më jetë përgjigjur: Analta bën gjëra të mëdha dhe të vogla. Më e madhja e të mëdhave është në dorën e kushëririt tim të parë, i njohur si filatelisti, i cili zotëron një pullë postare me një vlerë të jashtëzakonshme. Thonë se, kur ta shesë atë, gjithë Analta do të ketë festë.

Më e vështira erdhi më pas: vura re se më hante gjithë trupi, një si thirrje për t’u kthyer po atë natë pranë asaj femre, për t’u shtrirë pranë saj, por njëkohësisht u jepja këmbëve shpejt, si të më ndiqte pas diçka kërcënuese. Puna e parë që bëra, qe banja.

Atëherë m’u kujtua se në ndarje më kishte thënë: Si mendove se mund ta harrosh kaq lehtë Analtën?

Meqë ma thoshte një grua që kishte dalë nga jeta ime, u mundova ta harroja.

Dikur e kuptova se e kisha marrë lehtë, se ia kisha bërë kot qejfin vetes, sepse ajo aromë si prej lënde gome bëhej aq e fortë, sa më largonte gjumin…

Duke u rrotulluar nëpër rroba, bëra zbulimin e frikshëm: ajo lënda si prej gome qe lënda e dikurshme e mjegullës, me të njëjtin neps që i mbështillte dikur trupat dhe mendjet e analtasve. Më parë m’u desh të bindesha se ajo aromë nuk vinte nga sapuni, nga peshqiri, nga rrobat e brendshme dhe ato të jashtme, nga çdo gjë e mbajtur në xhepa, nga uji apo mjedisi, por nga vetë vendi me emrin Analtë. Kur fillova të mësohesha me të, m’u shpif frika tjetër: pas saj arome, mos e kishte radhën mjegulla vetë dhe, pas mjegullës, mos e kishte radhën ajo sëmundja e rregullit?

Dilema rritej sitashti që po mendoj: Çfarë shenje më nisi Shpirti i Shenjtë me ty?

            Nuk ka rëndësi se ti nuk di shumë gjëra për Analtën.

            Jam unë këtu për t’i ditur dhe për ta bërë të qartë të folurën me shumë kuptime të Shpirtit të Shenjtë. Sapo ta njohësh këtë alfabet, gjërat do të bëhen më të thjeshta për të dy. Jemi vetëm të A-ja.

            Duhet ta ndiesh edhe ti se bota po zvogëlohet para nesh. Ose, po shumëfishohet, që është e njëjta gjë.

            Në të dyja rastet, bëhet e njëjta: Analta.

            Si ka mundësi?! Për këtë duhet të më ndiqni.

*

            Edhe në këtë pikë e pyeta shkrimtarin, më tepër si për të ruajtur kontaktin.

            Në rregull, tha. Personazhet janë siç i dua unë: antimimesis. Është si skenat kur Zoti u flet profetëve të vet. Nuk i shohim, nuk e dimë si janë nga pamja, nga veshja, por flasin. Nuk e dimë ku janë, në çfarë mjedisi po rrinë, por flasin. Jemi lodhur nga përshkrimet e pafundme realiste prej dhjetëra faqesh të shekullit XIX.

            Ende kam imunitet nga paranoja, nëse ke parasysh këtë, ia ktheva duke u përpjekur të imitoja pak nga cinizmi i tij.

            Sidoqoftë,mund të mbash në shtëpi nga ato risperidonët. Herë pas here, mund ta gëlltitësh ndonjë. Romanet postmoderniste i duan personazhet e veta, por, me gjithë dëshirën dhe vullnetin e mirë, nuk mund të bëjnë ndonjë gjë për to.

            Këto këshilla m’i jep kur të më kesh personazh, ia ktheva.

            Mbaje mend, ma ktheu edhe ai, kur të jesh vetëm aktant, nuk të jap më dot këshilla.

            Ha-ha.

            Ai mjeku është profesionist i mirë. Flasin mirë për të.

            Nuk thashë gjë.

            Po atëherë?

            Po të çoj numrin e tij të telefonit, që ta kesh nëse të duhet. Ndoshta është pikërisht ai që të duhet.

            Gjithsesi, nuk e ke keq. Le ta kem edhe unë numrin e tij.

            Nuk kishte parë ende personazhe me kokëfortësinë time.

*

            Ndihej menjëherë se ligjërimi i njeriut të audios sikur kishte gjetur bash njeriun e kërkuar për një jetë të tërë. Ndoshta edhe e kishte gjetur, sepse po fliste me tonin e njeriut që ta jepte këtë përshtypje.

            Po thoshte: 

            Ata ishin dëshmitarët e paktë, por mua nuk e di pse më dukej që i kisha dëgjuar më parë se, më tepër se prej faktit të nisjes së dikujt në Rrugën e Ndaluar, njerëzit qenë tronditur kur doli se ai qe djali i madh i njërit prej kasapëve të fshatit: askush s’e kishte çuar ndër mend më parë që një njeri pa emër e lavdi do të sfidonte e përdhoste tabutë e vjetra. Madje, deri atëherë, pjesa më e madhe e analtasve nuk e dinte as se ku fillonte ajo rrugë e mbuluar prej kohësh, mbase prej shekujsh, nga ferra të pakalueshme. Një herë që guxoi mësuesi të jepte temë hartimi për perëndimin e diellit, qe ndëshkuar: nxënësit, ose shkruan gjëra krejt të tjera, ose e dorëzuan fletën të bardhë. Nuk mbahej mend se kush vendosi që për të ikurin lypseshin përbuzja e fyerja, që vetmia t’i bëhej aq rraskapitëse, sa vetëvrasja t’i dukej e ëmbël. Ajo që mbahej mend mirë, ndodhi në buzëmbrëmje, kur, me të mbërritur, ndjekësi i fundit së pari u ul dhe vodhi diçka të verdhë, shkulm pas shkulmi, si të kishte pirë dhjetë-pesëmbëdhjetë litra ujë.

            Pasi e mori pak veten, meqë askush nuk mund të thoshte diçka tjetër, me gjuhë të trashur tregoi një orë rresht se si duhej ta kishte vrarë kuçedrën djali i kasapit. Mbahej mend vetëm fjalia e fundit. Bëjini derman… asaj... Atëherë njerëzit panë përtokë një grua bukuroshe, e cila as që përpiqej të mbulonte lakuriqësinë e zbuluar nga rrëzimi, sepse nuk i kishte mbetur pikë fuqie.

            Duhej të merrte veten ajo grua, të cilën të gjithë e njihnin si prostituta, që të mësohej se, gjatë kohës që rrëzohej përtokë, merrte vendimin më të rëndësishëm të jetës: gjithë paratë e fituara nga puna e saj do t’ua falte të varfërve, por nuk arriti të rrinte për shumë kohë në sipërfaqe të ngjarjeve, sepse ose merrej në konsideratë ana e saj… më kuptoni se çfarë dua të them… ose mbaheshin mend vetëm disa rrahje që i bënë ish-dashnorët, të cilët kërkonin paratë ose kthimin e saj në të dikurshmen, kështu që përsëri kryengjarja për Analtën mbeti ikja e djalit të kasapit dhe nevoja e shpjegimit të ëndrrës që ai pa një natë para nisjes. Qe Nata e Këndellave, kur pa në ëndërr shifrën ku shihte përmbushjen e vet. Ajo shifër qe numri 13.

            Si i di unë të gjitha këto?

            Kjo nuk është pyetje për njeriun me mision. Rrugët e Shpirtit të Shenjtë janë të pafundme.

            Ti do të thuash: Hë, se nuk u shemb Roma! Nuk u shemb Roma, vërtet, por kjo do të thotë se duhet të më ndjekësh me vëmendje.

*

            Që të bindeni se njeriu i audios nuk dinte të ndalej, e përforcon edhe copa e mëposhtme:

Ju duhet ta keni lexuar Umberto Eco-n që thotë se deri në vitin 1988 Milo Temesvari ishte gjallë – në të kundërt, nuk mund të kishte parasysh librat mbi misterin e Rennes-le-Chateau, të shfaqur mes fundit të viteve ‘60 dhe ‘70, dhe as bestsellerin e famshëm Holy Grail, që i përkiste vitit 1982. E drejtë: në vitin 1988, Temesvari nuk mund të dinte për librin Kodi Da Vinci, megjithatë ai shprehej për pikturën Darka e Fundit e Leonardo da Vinci-t: një trekëndësh i përmbysur, drejtuar nga Jezusi, pa pikë dyshimi kishte domethënien e një vagine (virtuale), ose thënë ndryshe, zonën pubike të një trupi femre (pra, martesa e Krishtit me Magdalenën nuk qe fare mistike). I bënte përshtypje natyra e skenës ku dishepujt në të majtë shfaqeshin të lidhur me Mjeshtrin, gati për një bashkëbisedim alarmi, ndërsa në të djathtë dukej sikur qenë në ikje e sipër. Pra, Temesvari argumentonte se, më shumë se një darkë mes Mjeshtrit dhe dishepujve apo të një feste martesore, Darka e Leonardo-s fliste për prishjen mes një grupi: dëshironte të lajmëronte bashkëkohësit e tij se komploti i përshkruar nga protokolli ka funksionuar që nga fillimi, por sigurisht pa e ditur se ai do të vijonte deri në ditët e sotme, ku merr forma të ndryshme, deri në komplote të pavarura. Konkretisht, Temesvarit i interesonin pyetjet: mos vallë Gjoni, dishepulli bukurosh, me pamje burri e gruaje njëkohësisht (pra, një heteroseksual), do të ishte viktimë e këtij komploti, prandaj arratisja në Pathmos bëhej për t‘u shpëtuar joshjeve nga Pjetri dhe Juda, me qëllim që Apokalipsi që la pas të jetë alegoria e rezultateve profetike nëpër të cilat do t’i kalonin shokët? Apo ndoshta Leonardo dëshironte të denonconte teoritë e ndryshme, përfshirë këtu edhe të ardhshmin Kodi Da Vinci, duke e ndërtuar Darkën si një blof provokues dhe duke i shtyrë të gjithë drejt interpretimit?

Në Paris, ku po jepte disa konferenca, unë i thashë:

Thjesht, ai donte të thoshte, jo vetëm për mua si djalë, por për të gjithë shoqërinë njerëzore, se në kohën tonë pothuajse të gjitha historitë po ritregoheshin, se nuk kishte një histori, por një seri historish – zyrtaret dhe të përjashtuarat – se edhe nën një shkronjë duhej kërkuar dhe gjetur një kuptim sekret, se dikush ka komplotuar ose komploton ende nën hije, se ndoshta ndonjërit prej këtyre komploteve i përkiste edhe zhdukja e tij, apo se ndoshta ai kishte vënë në dukje shifra që ende duhej të kishin mbetur të fshehura. Pse emri Leonardo da Vinci përbëhet nga 13 shkronja, kur po aq janë edhe panelet në afresk apo pjesëmarrësit? Pse ka po kaq germa emri Milo Temesvari? Pse ka 13 germa emërtimi Djali i Kasapit?

Eco ngriti supet. E pranoi se ndoshta duhej të ishte thelluar më tepër.

Mendoj se na vjen në ndihmë Kodi Analta, i thashë.

Eco më pa pak ftohtë, deri sa u dëgjua një zë që tha: Analta?!

Pyetjen e bëri miku që e shoqëronte.

A mund ta mendoni, e dashur! – njeriu që foli, e kishte jetën për së dyti prej një familjeje nga Analta, mirënjohjen për të cilën nuk e kishte harruar kurrë.

Më falni që ju quajta ashtu, por nuk mund të harroja emocionin që pata provuar atë ditë.

Nuk e kuptoja mirë se çfarë po ndodhte, por gjithsesi ndjehesha pjesë e diçkaje të madhe. Është ajo dita kur Eco më tha: Nëse nuk do të dilte kjo Analta e mikut tim, do të të kisha menduar gjithmonë si një personazh të shpikur nga unë.

            Ndërsa unë i thashë: Hë, se nuk u shemb Roma!

            Qeshi.

            Na e thoshin kur ishim të vegjël, tha. Kur vriteshim e qanim. Na e thoshin nënat dhe gjyshet.

            Qesha edhe unë.

            E njëjta gjë, ia ktheva

            E pranoi përsëri: Është intriguese që Temesvari të ketë lënë një djalë në Shqipëri. Duhej të isha thelluar më shumë.

                        E pranoi apo e bukosa fare me dijet e misionin tim?

*

            Akuzës se “kishte shumë fantazi”, njeriu i audios i përgjigjej:

            Po e marr si një eufemizëm: nuk dashkeni të më thoni “gënjeshtar”… Mendoni se edhe këtu në fund të botës, ne u takuam rastësisht?… Ma thuaj me bindje dhe unë do të përpiqem t’i korrigjoj mendimet e mia…

            E skuqura e fytyrës tënde po më ndihmon për fillin e rrëfimit tim. Le të themi se Cungu i të Këndellave filloi të jepte shenjat e ndezjes, duke i dhënë mjedisit një atmosferë krejt tjetër, por djaloshi, që do të ikte në Rrugën e Ndaluar, nuk e kuptoi nëse kjo po ndodhte në ëndërr apo zhgjëndërr – ah, këto sferat e realitetit – sepse ndërkohë ndiqte veprimet e gruas që shtronte sofrën e madhe, mbi të cilën, në mënyrë rituale, ajo po vendoste ca poçe vere e enë të ndryshme prej balte, duke pëshpëritur në mënyrë rituale, sa për t’u dëgjuar brenda kthinës. Ai u kujtua: Natën e Këndellave kthehen në shtëpi shpirtrat e të vdekurve, të cilët duhet ta gjejnë sofrën gati. Me zë, tha: Shpirti i Shenjtë i nis ëndrrat që të na thonë se vetë ne njerëzit i vëmë kufijtë e pengesat, pasi në të vërtetë ato nuk ekzistojnë.

            E ëma kapi muzikën, jo kuptimin e asaj që u tha, prandaj, megjithëse e pat të qartë se ai e kishte mendjen te ikja, nuk diti çfarë të shtonte, sepse diçka sikur po ia bënte fjalët të pavlefshme.

*

            Rikthehem te pyetja: Si i dija gjitha ato gjëra, që kanë ndodhur në një kohë tjetër, megjithëse e dija vetëm se i dija?

            Di vetëm se di që duhet të vazhdoj:

            Në fakt, gjithë analtasit e atyre ditëve i përshkruanin si njerëz pa shumë fjalë, derisa ndodhi vrasja, siç e quajtën disa, apo vetëvrasja, siç e quajtën disa të tjerë. Mund të ketë pasur edhe versione të tjera për atë ngjarje, por njerëzit kanë veçuar atë që ka qarkulluar më shumë, që thotë se mësuesi, ndoshta i vetmi pa teori komplotesh, e kishte si pas një mjegulle vajzën e vetme të kasapit kur iu përgjigj: Yt vëlla ndoshta edhe ka mbërritur aty ku është nisur. Sidoqoftë, askush s’mund ta vërtetojë. Ne e pranojmë në mirëbesim.

            Kur, në vend të lirohej prej fjalëve, vajza filloi që të lirohej nga teshat e trupit (Që të bëhej gazi i botës), me një lëvizje të shpejtë, ai arriti ta mbërthejë nga kyçi i dorës. Dukej sikur mbërtheu kujtesën që po ngarkohej, nga e cila nuk do të lirohej gjithë jetën. Që donte të thoshte se, me gjithë përpjekjet e mundimshme, s’mundi ta duronte më atë djersitjen prej akulli dhe ngërçin e fortë ndër zorrë, ato duar dhe atë gjak që ia urdhëronte një forcë e panjohur, sepse sakaq mbeti pa frymë, sikur po e damkosnin me hekur të skuqur apo sikur po e kapte një ndjenjë e pakontrolluar vaji. Që donte të thoshte se, së bashku me fjalët: Meqë nuk mund të jem fati yt, nuk dua të shkoj as te fati im i parë!, ndjeu se u përcoll në dorën e tij të ftohtit e metalit të një arme. Që donte të thoshte se, shumë më vonë, larg atij vendi, do ta kuptonte që kishte thënë: Mos vallë duhet ta pranoj se, siç po thuhet gjithandej, familja juaj qenka një mallkim!? Që donte të thoshte se, si nëpër jerm, kishte dëgjuar edhe fjalët e vajzës: Ne jemi mallkimi i vetes, sepse të tjerët te ne zbulojnë ose dashurinë ose frikën ndaj saj. Që donte të thoshte se, kur ndjeu t’i rëndonte pesha e trupit të vajzës, iu shfaq me një qartësi të pamëshirshme, prej filmi, marrëzia e veprimit të nxituar dhe pafundësia e gjërave që do të mund të bënte në atë fshat, se po ia mbathte larg njerëzve që do të mund t’ia dëshmonin tmerrin e përmbledhur nga realiteti, i cili po i kthehej përnjëherësh te shqisat, se megjithëse ecte gjithë ngut, në faqen e një pllaje, si në faqen e një libri, iu renditën këto fjalë, që ai e dinte se ishin vetë zakonet e vendit:

            Një vajzë e fejuar, duke u martuar me një tjetër, i jep të drejtë të fejuarit t’i vrasë vëllanë, të atin, xhaxhanë ose kushëririn e parë. Nëse vajza është e rrëmbyer, të afërmit ose i fejuari, kanë të drejtë të vrasin rrëmbyesin, ose ndonjë prej të afërmve.

*         

            Atëherë ndodhi që, për disa gjëra, kujtesa kolektive e Analtës më tepër po lirohej, sesa ngarkohej, nga kjo shumësi ngjarjesh.

            Njeriu i audios përpiqej të sqaronte gjërat:

            Jo gjithkush e dinte se, disa metra më tej, tek shihte se qeni i shtëpisë s’e hante ushqimin prej dorës së tij, veçse e kundronte me ca sy të trishtuar e enigmatikë, djali i vogël i kasapit pat hequr dorë nga ajo që po bënte, duke e çuar mendjen tek e motra, pas së cilës qeni qe shumë i lidhur, dhe vendosi ta kërkonte, por nuk kishte bërë asnjë hap, kur u përzien bashkë angullima çjerrëse dhe krisma e armës. Mu atë çast ai dalloi lot në sytë e kafshës dhe u pushtua menjëherë nga parandjenja e keqe, megjithëse atëherë kurrsesi nuk deshi të besonte në diçka fatale. Nuk besoja se qemë kaq të dënuar nga fati, do t’u thoshte më vonë, në ditët e gjata të zisë, prindërve të dërmuar. Por ngurrimi i tij nuk zgjati shumë, se e ëma u shfaq në derë, e pazonja ta mbante përbrenda një të vërtetë të tillë, dhe përmendi vrasjen. Jo gjithkush e dinte se, qysh atë çast ajo u duk njëzet vjet më e vjetër, sikur befas t’ia kishin hequr me dorë nga jeta ato vite. Jo gjithkush e dinte se i biri, i cili nuk ndjeu dhimbje më pak, as atëherë, as më vonë, që nga ajo ditë do të fillonte të përdorte gjithfarë mënyrash për t’ia larguar mendjen nga ndjenja e fajtores. Nuk priste ndonjë gjë të madhe as atë ditë kur solli në shtëpi një orë tavoline, të cilën e kishte ndërruar me një dele te një i panjohur i rastit. Pak para mbrëmjes, pa thënë asnjë fjalë, filloi të bënte zhurmë me zilen e orës, derisa u tërhoqi vëmendjen prindërve të shushatur në një qoshe të dhomës. Kur pa se ia arriti qëllimit, u hodhi një shikim të kënaqur, sepse shumë rrallë po ndodhte një gjë e tillë. E kurdisa, tha. Por më duhet të dal të pyes për orën e saktë. Pa e drejtuar fare trupin e lodhur, e ëma i hodhi një shikim të vakët që prej cepit ku po rrinte, si një perëndi e mefshtë, e pa mësuar që ta besojnë. Mos u lodh kot, po çoje shtatë e njëzet, i tha me përtesë, siç thuhen shumë gjëra për forcë zakoni. Jo gjithkush e dinte se, për të mos ia prishur qejfin, djali e vuri orën aq sa tha ajo, por më vonë, kur ndeshi në rrugë një tregtar çikërrimash, u mahnit: qe fjala për një saktësi të plotë.

            Dhe nuk qe një rastësi kalimtare: gruaja e kasapit, e cila e gjente përmendsh orën e saktë në çdo kohë, përditë filloi të nxirrte nga kujtesa ca data martesash, lindjesh, vrasjesh, vdekjesh, sëmundjesh masive e pushtimesh, të papërmendura kurrë më parë, ca emra njerëzish, që i linin gojëhapur edhe më pleqtë, ca histori të varrosura mashtrimesh a dashurie, të cilat i vinin flakën gjithë fshatit, i cili, duhet thënë, i lemerisur nga kjo, për ca kohë e zbuti mjaft sjelljen e vet, duke e kthyer në një si matje pulsi. Ka mbetur vrimë e zezë, nëse qe e sinqertë apo e fshehu të vërtetën, kur pas disa përpjekjesh e mundimesh ajo i tha të birit, se nuk ia dilte dot, pra nuk po e gjente emrin e vrasësit. I biri s’e ngacmoi më: siç u mor vesh më vonë, atij i interesonte më tepër një nuk e di, sesa një përgjigje e gabuar.

            Vetëm kur vrau kushëririn e parë të mësuesit, e kuptuan njerëzit se çfarë mund të bluante në kokë një djalë i pafjalë si ai.

*

            E pyeta veten disa herë: Si e pranonte vajza atë narrator të gjithëdijshëm, që nuk e dinte se nga i dinte gjërat (ja ku u infektova nga shkrimtari)?

            Kjo pyetje donte të thoshte se duhej ndjekur vazhdimi i audios, të cilën e zbardha kështu, duke marrë edhe shpërblimin e këmbënguljes sime:

            Meqë nuk e keni parë, mund të mos e besoni, por unë e di se ekziston një foto e Marubëve të famshëm, të cilës i mungon plotësisht kompozimi (gjë që nuk ndodh kurrë te ata mjeshtër) i një figure burri të moshuar. Rrallëkush e di se për këtë nuk duhet fajësuar fotografi, por modeli. Jo modeli që ndodhet në të, por një tjetër që nuk duket. Unë e di se modeli në foto është kasapi, por ndërkohë mungon e shoqja… Kam dëshmi. Një tregim i shkurtër prej ndihmëses së Marubit të fundit, ndihmon për të bërë lidhjen me historinë tonë: kasapi me të shoqen arritën ta vizitojnë të birin pak para transferimit nga burgu dhe pikërisht në këtë udhëtim të fundit në Shkodër u kuptua se plakën nuk e kapnin shkrepjet e fotoaparatit… Meqë plaku nuk e hiqte asnjë çast atë foto nga dora, le ta mendojmë një pasdite të butë maji kur, më tepër për ta qortuar, sesa për ta ndëshkuar, ajo i bërtiti: Lëre atë dreq, sepse një copë letër është!

            Kasapit s’i iku trishtimi nga fytyra, megjithatë e uli fotografinë, ku vazhdonte të priste shfaqjen e fytyrës së saj. E di se është një copë letër, ia ktheu, veçse nganjëherë më duket sikur ti nuk je me të vërtetë. Në fillim e shoqja qeshi nga këto fjalë të thëna me aq sinqeritet, po kur ia pa fytyrën, u murrëtye edhe ajo: u ngrit ngadalë dhe ia hodhi duart në qafë, me shpresën e vakët se kështu do t’ia zbuste ndopak trishtimin. Mos u bëj fëmijë! i tha me ton filozofik, të njeriut të ngopur me jetë. Edhe pak e po shkojmë atje ku nuk kemi nevojë për asgjë.

            Ishte kohë dreke dhe asaj i duhej të merrej me gatimin, por, për çudi, pa se nuk po i pëlqente të ndahej prej tij, sepse pasi ia zbërtheu këmishën, filloi t’ia përkëdhelte gjoksin dhe barkun, me një lloj ndjesie që, sa më shumë e prekte, aq më shumë fundosej bota përreth, duke mbetur vetëm zëri i saj që thoshte se atij i vinte era plak. I shoqi kërkoi një rast kur ajo do të ndalonte pak dhe e pa i qetë. Nuk do të më vinte keq për atë që the, mezi i pëshpëriti, nëse do ta kishim shtëpinë plot, që ai djalli i magjisë të plaste nga zilia. Pikërisht atëherë e kuptoi ajo se e urrente për vdekje fotografin.

            Më pas, kur zbuloi se urrejtja dhe dashuria janë dy gjëra të ndërsjella, sepse me të njëjtën fuqi që urreu fotografin filloi të dashuronte të shoqin, befas ndërroi mendje: ia diti për nder atij njeriu, që i linte vend për ndjenjën e saj ndaj të shoqit, të cilin vazhdonte ta përkëdhelte në vende gjithnjë e më delikate. Plaku, i cili po përpiqej prej kohësh të rregullonte frymëmarrjen, nuk thoshte asnjë fjalë, i sigurt se në atë fyt të rënduar nuk do të mund të artikulohej një fjali e rregullt, se nuk do të mund t’ia dilnin asaj që po kërkonte e shoqja, megjithatë i dukej e mjaftë zhytja në një si banjë të vakët, edhe duke e quajtur iluzion më tepër sesa jetë. Do ta kuptonte vetëm më vonë shndërrimin e vaktësisë në një nxehtësi të papërmbajtshme, që, pa u marrë vesh nëse shpërthente nga brenda apo vinte nga jashtë, i shkriu në një qiellin e tokën, gjithë atë gjithësi që mund t’ia rrokte mendja, e cila sikur premtonte diçka, të paktën një iluzion mbarsjeje, një iluzion se jeta nuk mbaron me vdekjen e njeriut.

            Shikoje atë heshtje që e bën gojën si kupë dhe thotë: Rrëmbejeni këtë mësim të vockël Analte!

            Hë, se nuk u shemb Roma!


Your email address will not be published.