5 tregime

Dionis Prifti

ANOMALI MEKANIKE

Në horizont mullinj ere gjigantë. Vapë. Helikat e tyre të bardha më dërgojnë copëza dielli të bezdisshme ndër sy e pasqyra. Makina ecën pa zhurmë. Hap dritaren të pi një cigare. Punën e lashë shpejt. Po shkoj në fshat. Një i afërm ka vdekur.

E bukur e premtja. Edhe në atë fabrikë të vjetër mekanike e bukur duket. Fundjava është premtuese, larg hekurave. Keq rezervat e hekurit, keq resurset natyrore. Teknologji të avancuara që gjurmojnë disa kilometra nëntokë. Punë dreqi. E pashë si më shihte sot, diçka donte të më thoshte. Do më shkurtojnë. Mungesë motivimi.

Kujdes me atë sëpatë, Eugjen! Sëpatë çeliku. Ca hekurishte buzë rrugës. Varreza makinash? Nga ana tjetër, asgjë, një copë shkëmbi i varfër. Do ketë burime aty? Ujë apo hekur? Të dyja na duhen.

Të paktën sediljet janë të buta, jo prej hekuri. Sustat brenda tyre janë prej hekuri. Sustat e groposura në errësirë dhe pluhur. Shumë qetësi. Vetëm një pëllitje gomari e mbytur. Gomar? S’paska asnjë gomar rreth e rrotull. Asgjë të gjallë, në fakt. Përveç insekteve e krimbave nëntokë, sigurisht. Gërryerje e kafshime të padukshme, pa ndalur. Ku është ky gomar? Hedh cigaren, mbyll xhamin. Dëgjohet ende pëllitja, madje më shumë.

Ndaloj në çakllin anës rrugës së asfaltuar. Kitare e bateri, perkusione. Dhe një ulërime kafshe. Do ta gjej nga vjen kjo pëllitje. Dal të shoh më mirë në fushën me shkurre të ulëta. Ndonjë gomar fshihet aty? Po ata sikur rrinë në këmbë. Zëri i tij bëhet më i zbehtë kur i largohem makinës, fjalët s’i kuptohen. Atëherë duhet të jetë afër makinës, ose në makinë. Afrohem. Bagazhi? Bosh. Brenda? Bosh, s’kam asnjë gomar në makinë. Kofano? Qenka këtu. Çudi. Një kokë gomari, e lidhur mes kabujve e hekurave. Dreq o punë, edhe kjo më duhej! Ç’do një kokë gomari që pëllet këtu?! Nga qafa e prerë me gjak të mpiksur, dalin vena a tela që lidhen me baterinë dhe motorin. I kontrolloj, nuk mund t’i heq. Makina duket sikur furnizohet nga koka e kësaj kafshe të gjorë.

Sa të shkoj në fshat, do gjej një mekanik e do ta heq kokën me veshë të gjatë nga kofanoja. Po si ta duroj gjithë rrugës? Ai më sheh në sy e pëllet. S’di ç’do të më thotë. Besoj thjesht ulëret si qenie që nuk mund të flasë, britma që s’komunikojnë asgjë. Ç’më gjeti! S’e di a ka ngecur këtu kjo kokë e prerë, apo kështu e kanë prodhuar makinën. Makina e kompanisë, s’e kisha vrarë mendjen të hapja kofanon më parë. Pak rëndësi ka, më mirë po vazhdoj rrugën. Të mbaroj punë me të vdekurin andej e të kthehem. Punë të hënën. Po pëllitjet e tij s’mund t’i duroj gjithë rrugës. Hap kroskotin, një copë leckë për xhamat. E marr, e bëj shuk, ia ngjesh gomarit në fyt. Ai s’bën më zë. E godas lehtë në turirin akull të ftohtë, ta kuptoj a do dëgjohet më tingulli i tij. Ai pëllet mbyturazi, si me vuajte, shumë pak dëgjohet tani. Të mbyll kofanon, të ngre muzikën, s’do dëgjohet më fare. Hap derën të vazhdoj rrugën. Ca njerëz në fushën anash afrohen. Janë shumë, mbajnë një arkivol në supe. Indianë. Me pendë e gjethe e lëkura e ngjyra. Një këngë e çuditshme i shoqëron. Tymosin llulla të gjata, shtëllunga e tymit mbi kokat e tyre duket sikur po ngre peshë arkivolin. Ç’ka në atë arkivol? Një tjetër indian? Prijësi, ndonjë fëmijë i pafat? Apo kafshë? Ndoshta gomari. Vetëm trupi i tij, me siguri. T’u them që e kam unë kokën, po të duan ta marrin. Jo, s’e di a do të punojë më makina pastaj, është edhe e kompanisë. Ç’rëndësi ka fundja ç’kanë në arkivol. Çfarëdo që të jetë, tashmë ka vdekur, larguar përgjithmonë mes krimbave e hekurave nëntokë.

Ç’duan indianë këtej, s’kisha parë kurrë. Në fakt, s’kam qenë që i vogël në këtë rrugë fshati, midis këtij shkëmbi në dukje të thatë e kësaj fushe me shkurre të buta e mullinj ere që të dërgojnë copëza dielli në sy. S’e dija që këtu mund të dëgjoje një kokë gomari në kofano duke pëllitur, s’e dija që këtu kishte indianë që varrosnin me rituale të vjetra prijës, fëmijë a kafshë pa kokë. Futem në makinë e vazhdoj eci. Jam vonë. Të shkoj në varrim e të kthehem. Të hënën punë.

Tiranë, mars 2017

NGA GJUMI NË GJUMË

Më kishte zënë gjumi në verandën me diell e vapë. U zgjova i trullosur nga thirrjet për të ngrënë drekën. Teksa hapja ngadalë sytë, e kisha të vështirë të lëvizja qafën. Më kishte ngecur anash dhe ndieja damarët e fryrë, që mezi çonin gjak deri në kokën e mbështetur në sup. U përshtata me vështirësi me dritën e nxehtësinë e u ngrita duke fshirë djersën që më kishte ngjitur kanotierën pas trupit.

U futa në shtëpi dhe ndjeva rrymën e ajrit midis dy dyerve në secilën anë të korridorit. Kishte miza. Dhe një zhurmë të mbytur freskueseje. U ula te vendi im, hëngra pak bukë dhe nisa të provoja supën. Ishte shumë e ëmbël. Kërkova kripë. Gjyshja nuk më kuptoi. Ia përsërita. Prapë s’më kuptoi. I hodhi një shikim të çuditur gjyshit që kishte rrudhur vetullat. Gjyshërit pyetën për diçka babin e ai iu përgjigj. Aty kuptova se nuk merreshim vesh, ata thoshin fjalë pa kuptim, trashje e hollime rrokjesh me shumë zanore. Flisnin një gjuhë krejt ndryshe nga imja. E hoqa mendjen nga një krizë paniku që mund të më kapte nga vështirësia e komunikimit, u ngrita ta marr vetë kripën. Duhet të isha ende i trullosur nga gjumi. Mbarova supën pa nxjerrë më asnjë fjalë. Nxehtësia e saj m’i shtoi djersët. Në tavolinë pirunët shkëmbeheshin ngatërrueshëm për të kapur sallatën, gotat e ujit bënin shumë zhurmë kur mbusheshin. Freskuesja po ulërinte, lugët oshtinin kur përplaseshin me pjatat. U ndjeva i ngopur, për më tepër komunikimi i vështirë po më ngrinte nervat. U ngrita e mendova të dilja përsëri në verandë, të vendosja karrigen lëkundëse në cepin ku nuk binte dielli e të flija duke shpresuar se do të kthjellohesha. Duke u ngritur nga tavolina, pashë se gota e babit, e mbushur me verë, rridhte ujë nga poshtë. Gjyshja me mamanë kishin ngecur pirunët me njëra-tjetrën, duke u përpjekur të merrnin të njëjtën copë domateje e tani po qeshnin duke u përpjekur t’i shqisnin. E qeshura e tyre oshtinte e vibrohej nga freskuesja, por të paktën qeshnim njëlloj.

Dola në korridor dhe në murin midis derës së jashtme e dritares pashë kornizën e njeriut tonë të dashur, që nuk jetonte më. U kujtova që ca nga ne ishin larguar, në këtë botë vdisje. U kujtova që edhe unë do të vdes dikur. Përfytyrova makthin e ditëve të mia të mbetura nëse do të vazhdonim të kishim këtë komunikim të vështirë. Më kapi ankthi, ndjeva zemrën të më rrihte më shpejt e krahun e majtë të më mpihej. Këmbët m’u prenë e thashë se s’do t’i lëvizja dot më. Por bëra një sforco të llahtarshme dhe erdha deri këtu, te karrigia lëkundëse.

Tani po mundohem të fle. Pas një gjumi të dytë, ndoshta zgjohem me aftësinë për të komunikuar me të tjerët. Dielli përvëlon, po mua disi më shijon ajri i nxehtë që vjen nga pemët e larta përtej kanalit, poshtë shtëpisë, e qarkullon në verandë. Pemët e larta me kurorat e tyre të shpërfytyruara nga një re e trashë me imazhe të lëngëzuara. Mbase jam në ëndërr, prandaj ndoshta s’merremi vesh, prandaj ndoshta pashë një gote qelqi jo të çarë të rridhte ujë. Pickoj veten të ngrihem, s’ka efekt. Gjithsesi, të fle, të futem në një gjumë të dytë, që të zgjohem nga i pari. Por ndoshta është gjumi im i dhjetë, ndoshta nuk kam për t’u zgjuar më. E kotë të përpiqem të kuptoj. E lë veten të lirë, me zemrën që më rreh shpejt e mendjen që përpiqet pa shpresë të gjejë rrjedhën në lumenjtë e rrëmbyeshëm të absurditetit. Përqendrohem në bisedën e padeshifrueshme të familjarëve të mi, zërat vijnë shumë pak deri këtu tek unë. Përpiqem të kuptoj. Kapa një fjalë të njohur. Shoh kurorat e pemëve të larta që tunden pa ndalim në valën e lëngëzuar që krijon dielli i nxehtë e përpiqem të kuptoj fjalët e njerëzve të mi të dashur që janë në jetë. Ndërkohë pres të fle.

Tiranë, gusht 2018

NË PRITJE

E kishim lënë në 8, po ti nuk erdhe. Mua më doli gjumi herët, si gjithmonë kur lëmë takim. U vesha e u lava me padurimin për të vrapuar drejt sheshit ku do të të shihja ty. S’kisha lidhur mirë këpucët e desh rashë në pllakat e prishura para universitetit. Ti nuk e hape telefonin, po gjithsesi ishte shpejt. Fillova të pres. Duke u përpjekur të humbas mendjen në vëzhgimin e kalimtarëve. Ata vazhdonin të vraponin pa u shqetësuar për pritjen time, e unë nuk e çaja kokën fare për vrapimet e tyre. Ca adoleshentë idiotë që bënin akrobacira me biçikleta të vogla. Një plak me një kollare çuditërisht të bukur, por jo për atë ditë me diell. Në kollare ca ngjyra vjeshte, ca kuadrate si dritare me korniza që humbisnin në sfondin prej ndryshku. Pastaj pashë orën dhe ishte fiks 8.

Prita edhe pak në këmbë, pastaj u ula, i vendosur të prisja gjatë. Dhe ranë ca shira të ftohtë e në stinët që pasuan koha u bë e shëmtuar, pa dritë. Dhe unë u acarova shumë. Ishte ftohtë dhe errësirë dhe s’kishe ç’bëje veçse të prisje.

Ti nuk e hape prapë telefonin e unë aty kuptova që s’do e hapje më kurrë. Më përshkoi një valë e ftohtë kur kujtova një shok që më kishte pyetur para ca ditësh në isha i sigurt që ti ekzistoje. Unë qesha atëherë, po tani që e mendoj prapë, a ekziston ti? Më erdhi ndërmend kollarja e plakut, me dritaret e ndryshkura, me korniza jashtë e brenda, e u futa thellë në brendësinë e tyre të verdhë e aty pashë dikë të ulur me kujdes në karrige, në pozicion pritjeje. E aty në karrige, brenda së verdhës me ndryshk, u kujtova se një ditë, 12 vjet pas fillimit të pritjes, ti kishe kaluar vërtet aty afër, te cepi tjetër i universitetit, unë s’të pata njohur, por tani që mendohem, ta kisha parë edhe herë tjetër atë pallton blu, dhe flokët ishin tamam si të tuat. Dhe tani që e kujtoj prapë, e kisha kuptuar që ishe ti, po kisha pasur frikë të të thërrisja. S’dija ç’të të thosha, pse ishe vonuar aq shumë, pse më kishe gënjyer aq gjatë. Dhe druhesha të të flisja, se nuk ishe tamam siç të kisha pritur unë gjithë atë kohë, nuk m’u duke aq e bukur, palltoja m’u duk e vjetër, dhe ti dukeshe e zakonshme, e prekshme. Pastaj ti më pyete në ishe vërtet ti ajo që unë po prisja, a e dija unë çfarë po prisja vërtet.

Kur pothuaj e kisha harruar fytyrën tënde, një erë e lehtë solli në shkallët e universitetit ca fletushka me reklama për klinika dentare e zyra avokatie dhe mua m’u kujtua Takimi i Humbur i Buxatit, e e gjithë magjia e pritjes m’u prish kur kuptova se po bëja thjesht një kopje të shëmtuar të atij takimi, ndoshta në anën tjetër të boshtit të kohës.

Pastaj u ndjeva përnjëherë shumë i lodhur, m’u duk se kisha ecur mijëra shkretëtira e kisha harruar të pushoja. Kështuqë u shtriva aty në pllakat e trotuarit e mbylla sytë, lirova kollaren nga qafa e u përpoqa të fle.

Tiranë, prill 2019

LARGUAR VETËM NGA NJË VIJË DHE CA KUJTIME – OSE – BISEDË ME DIKË QË NUK E NDIHMOJ DOT

M. ishte veshur me të zeza dhe zbriti në Friedrichstrasse. Atë natë kishte parë një ëndërr të përsëritur: sikur qe e rrethuar nga tela me gjemba dhe i duhej të ushqehej me boronica a manaferra që rriteshin në krye të gjembave të telave.

Unë të tregova një version të ndryshëm nga ky më sipër, pa i shtuar gjërat që ti do më thuash më poshtë t’i shtoj, dhe që unë nuk e di tamam pse “nuk dua” t’i shtoj si një kapriço idiote, osesi një shenjë rezistence ndaj asaj që unë e quaj mediokre në art, dhe që unë nuk e di tamam pse “dua” t’i shtoj (dhe që i shtova në fakt në fund, pasi mbarova këtë pjesë të dytë), si pjesë e shijimit të një melankolie të vetëkrijuar nga ide që duken aty për aty më gjenialet që kanë qëndruar ndonjëherë nënjë tru njeriu, në ato momente të rralla frymëzimi si në një masturbim të ndjenjave unike artistike, por që njëlloj si masturbimi i zakonshëm të lë më vonë një ndjesi pendese e pështirosjeje, e ishte ndoshta pikërisht kjo ndjesi pështirosjeje, që në rastin e masturbimit intelektual bëhet akoma edhe më e rëndë se pështirosja e masturbimit seksual, që më kishte ndaluar që në fillim t’i shtoja gjërat që ti më the, e që më ndalon pothuaj nëçdo gjë që shkruaj a mendoj të shkruaj.

Ne të dy jemi të larguar vetëm nga një vijë imagjinare dhe ca kujtime të ngatërruara në kokën tënde, por kur flasim bashkë, dukemi aq të ndryshëm, sa nuk e di a mund të quhemi e njëjta qënie.

Unë përpiqem të të kuptoj tek flet ngadalë dhe krejt shkarazi mendoj se ndoshta mefshtësia jote vjen nga mungesa e kujtimeve të bukura, ose nga prania e atyre të shëmtuara.

Ti the se të pëlqeu, po nga shprehja në fytyrë mua nuk m’u duk tamam ashtu. Nuk është se nuk të pëlqeu artistikisht, por u zhgënjeve ngaqë nuk reflektoheshin tamam vuajtjet e tua, dhe ti dilje në fund disi naive, jo tamam një “heroinë”. Unë thashë se më vinte keq po nuk doja të përfshihesha në mesazhe politike dhe nuk e ngatërroja asnjëherë artin tim me histori personale që ishin krijuar nga fati i keq (ti këtu u ngryse në fytyrë e çuditur, si unë e mendoja të gjithë këtë një fat të keq, kështuqë unë e rregullova menjëherë) dhe nga tmerret që kanë shkaktuar kafshët njerëzore, dhe këtë jo se nuk mundesha, por se nuk doja t’u jepja këtyre kafshëve (s’po dija ç’te thosha më shumë) as vëmendjen më të vogël, dhe se njerëzit e dinin se çfarë ndodhte përditë nëvende jo dhe aq larg tyre, nga qënie dhe mbi qënie jo dhe aq të ndryshëm nga ata. Ti the se mund ta kuptoje deri diku këtë, megjithëse nuk ishe aspak dakord (as unë) që njerëzit janë të vetëdijshëm çfarë ndodh larg tyre, por do doje që të paktën të kishte disa elementë të ngrohta që lexuesin ta mallëngjenin në fund, si për shembull disa kujtime të fëmijërisë me mamanë, që është një figurë që nuk zhgënjen kurrë. Dhe gjithsesi, shtove ti, ky pasazh nga përditshmeria krejt monotone në një botë që nuk i plas fare për të shkuarën apo të tashmen e bashkëjetuesve të saj, nuk është ndonjë temë shumë e rrallë, mund të kishte shumë mënyra të tjera si ta kisha trajtuar. Unë u acarova pak aty, dhe mora zemër e të tregova një ide tjetër që kisha pasur dikur.

Një djalë që rrëfen me imtësi dëshirat e tij seksuale ndaj një vajze në një kamp refugjatësh lufte. Djali mund të ishte një ushtar a paqeruajtës a mjek që në fillim e sheh me mëshirë vajzën në kamp e më pas, fiksohet pas këmbëve të saj gjysmë të zbuluara nga rrobat e grrisura, nga fytyra e supet e saj të pista që i kujtonin një fantazi seksuale me fshatare mesjetare. Të thashëqë përveç provokimit të ndjesive të lexuesit, më pëlqente kontrasti midis dëshirave fizike të ushtarit/paqeruajtësit/mjekut që në rrethana të tjera do ishin krejt të kuptueshme, dhe ndjesive padyshim të ndryshme të vajzës me një të shkuar padyshim të vështirë.

Ti the se ndoshta nuk kisha pse shkoja aq larg, se nuk ka nevojë për kontraste aq të mëdha apo provokime aq shokuese. Le të themi që ty nuk të bëri aq përshtypje kjo ide, sipas meje tejet avantgarde, dhe vazhdove ende me mendimet e tua që tregimi i parë ishte mirë, vetëm se duheshin ato ndryshimet e vogla për sentimentalizëm. Dhe u mendove dhe the se meqë doja ta bëja pak interesant le të fusja diçka seksuale (megjithëse ti qeshje kur e thoje këtë)dhe le ta bëja pak të ngatërruar, por jo dhe shumë shumë të ngatërruar. Dhe fakti që as nuk e përmendja shtetin tënd X, se ti e dije mirë se do e shënoja me X, pavarësisht se mua personalisht nuk më pëlqen fare të përdor X-a dhe iniciale, do të thoshte shumë, se ishte akt burracakërie, burracak se nuk isha i sigurtë a mund të mbaja një qëndrim konkret për një kauzë konkrekte e fshihesha pas gjoja stilistikave dhe preferencave letrare ndërkohë që të gjitha ato ishin budallëqe, dhe unë vërtet e dija që ishin budallëqe, para tmerreve të vërteta të njerëzve, jo personazheve të dikujt që i ka marrë koka erë.

Dhe më këshillove madje që të bija me këmbë në tokë e mos të përdorja aq superlativa për “artin” tim e ndjesitë e mia unike si artist, se fundja nuk isha as i pari e as i fundit që mendoja ashtu, se në fakt kisha marrë ca referenca këtej e ca influenca andej e kisha sajuar atë rrëfim të ngatërruar që funksiononte në disa nivele, por jo në nivelin që kishte më shumë rëndësi për ty e ndoshta pjesës më të madhe të njerëzve (edhe pse ndoshta njerëz që jetojnë aktualisht pa luksin e artit), dhe se nuk isha as i pari e as i fundit me këto mendime e sajesa letrare që bota e kishte harruar pa e kujtuar kurrë. Dhe ti e përbuzje faktin që tani personazhin tënd, po e transformoja në zërin tim të brendshëm, e shkruaj fjalë që ti s’do i mendoje kurrë, po thjesht përmbushin profecinë time për një tregim interesant me shumë kthesa e transformime personazhesh e autokritikë të dobët, e çdo fjalëmë tepër që shkruaj i mëshon kësaj pjese e i largohet qëllimit fillestar.

Kështuqë unë duhet ta mbyll këtu, para se personazhi yt aq i dashur të kthehet në njëlodër që kënaq vetëm egon time artistike. Do më marrë malli për ty, për dikë që s’do e njoh kurrë e s’do mund kurrë ta ndihmoj, vërtet e kam, mos qesh, të ndjej shumë të afërt, kështuqë po e mbyllkëtu se po ta mendoj më gjatë më duket se do bie në dashuri e pastaj do qaj.

Tiranë, 8 Janar 2020

GJATË TRAJNIMIT

Trajnimi kishte pak që kishte filluar, kur hyri vajza e re me xhaketë lëkure të kuqe. Nga larg dukej rreth të 30-tave, mjaftueshëm tërheqëse, trup i hollë, as shumë e gjatë, as shumë e shkurtër, bjonde. Nuk e kishim parë ndonjëherë në kompani. Shefi dukej se e njihte, se kur ajo u shfaq te dera ai lëshoi një “ooo” të kënaqur. Ajo iu afrua dhe e përshëndeti duke i shtrënguar dorën dhe unë vura re se gjatë shtrëngimit damarët në dorën e shefit u theksuan shumë, ndërsa dora e saj u mpak e ora me zinxhir floriri të shplarë u var edhe më shumë në kyçin e dobët. Shefi i hodhi një shikim të plotë, pastaj u përpoq të përqëndrohej aty ku e kishte lënë fjalën. Vajza erdhi e u ul afër meje dhe aty kuptova se ajo duhet të ishte të paktën 37 vjeç. Të gjithë e dinim si shkonin këto orë trajnimi. Shefi fliste po të njëjtat gjëra, niste me rëndësinë e marrëdhënieve me klientët e kompanisë, pastaj kalonte te industrialistët e fuqishëm europianë e takimet e tij shumë të rëndësishme me ta. Kështuqë u shpërqëndrova me kënaqësi e ngula vështrimin te xhaketa e kuqe. Pastaj te flokët e verdhë që nisnin me rrënjë të zeza. E verdha ishte e djegur, qimet ishin elektrizuar. Mendova se duhet të ishte duke rënë shi. Pashë jashtë. Xhaketa e kuqe ishte e ngrënë pak te mëngët. Pantallonat e bardha i rrinin pak të gjera te vithet. Ose ishin pak të mëdha, ose ajo ishte shumë më e dobët seç dukej. Para se të ulej, xhaketën e kishte varur te varësja në cep të zyrës, shumë pranë tabelës ku shefi tregonte sa interesantë ishin industrialistët e huaj dhe arsyetonte me detaje pse ai vetë kishte aq shumë ngjashmëri me njërin prej tyre. Xhaketa ende nuk kishte reshtur së u lëkunduri. Vajza kishte filluar të shkruante në një bllok me vija blu. Një blu e theksuar që të vriste sytë. Ndërsa shkruante, fliste me kolegen time, ulur ngjitur me të. Dhe kur ngrinte kokën nga fletorja e fliste, i hapte sytë fort. Në kompani të gjithë i hapim pak më shumë sytë kur duam të tregojmë interes në bisedë, po m’u krijua përshtypja se ajo po i hapte shumë më shumë seç duhej. Gjithsesi kjo e bënte më tërheqëse. Gjithmonë më janë dukur tërheqës sytë e hapur fort, me bardhemën gjigande. Ndërsa shihja këmbën e saj që tundej ritmikisht, dëgjoja që i thoshte koleges se edhe ajo kishte punuar gjithmonë me klientë të fuqishëm, aty ishte specializuar. Shkruante me një stilolaps të verdhë, me një logo në kapak, aty ku vendoset gishti kur mban stilolapsin. Një logo që tashmë ishte bërë e pashqueshme nga përdorimi, dhe une pyeta veten nëse në gishtin e saj do të mund të shquanim dot pjesët e munguara të logos. Ajo vazhdonte thoshte se shefin e njihte prej kohësh, se kishte shumë respekt për të, se ai vërtet kishte njohje gjithandej e mund të të ndihmonte të arrije shumë. Shefi bërrtiti: “brilant!” dhe ajo u hodh e trembur. Shefi e kishte fjalën për anglezin e famshëm, shprehjet e të cilit i përmendte në çdo mbledhje. Ajo qeshi pak, dhe pastaj u kthye përsëri nga kolegia ngjitur, duke i pohuar me kokë, e kur pohonte, e tundte kokën fort dhe i hapte syte edhe më fort. Kolegët e tjerë dukeshin të përgjumur. Shoku im rrinte në fillim e shihte orën. Donte të dilte më vajzën e bukur që më kishte folur javën e kaluar, por e dinte që më parë duhej të çonte shefin në shtëpi me makinën e tij. Makina e shefit ishte shumë e madhe. Shefi nuk dinte ta ngiste. Xhaketa nuk reshte së u tunduri, që pas varjes. Vajza bënte sikur shkruante. Unë pashë përsëri jashtë. Atëherë më kapi veshi vajzën që i thoshte koleges sime se kishte një vajzë të vogël që ishte përpëlitur gjithë natën nga temperatura. Nuk e di pse më tërhoqi vëmendjen. E pashë me kujdes dhe mendova se patjetër duhet të ishte 40 vjeç. Shefi tha se ato ishin projekte milionash dhe u drejtua nga vajza 40 vjeçare për konfirmim. Ajo tha “sigurisht” dhe qeshi dhe në qafë i kërceu një damar blu. Shefi buzëqeshi shumë i kënaqur, mbylli sytë përgjysmë dhe vazhdoi rrëfimin. Unë doja të dëgjoja më shumë për vajzën e vogël të sëmurë, por kolegia e pyeti për klientët e pasur. Vajza 40 vjeçare filloi të fliste për ta. Xhaketa e kuqe filloi të tundej më shumë në varëse. Ajo thoshte se i njihte shumë mirë, se e telefonin shpesh e i kërkonin këshilla. Sepse ajo ishte e fushës, dhe kishte shumë vjet në atë punë dhe i njihte mirë të gjithë. Sidomos industrialistët e huaj. Xhaketa e kuqe u rrëzua nga varësja dhe vajza 40 vjeçare kërceu nga vendi për ta kapur. Kërceu aq fort sa u pengua në karrigen e koleges sime. E kapi në kohë xhaketën që binte, por ajo ishte shumë e rëndë dhe krahu i vajzës u këput e ra në pllakat e shkëlqyeshme që kërcitën me një zhurmë të bezdisshme. U afruam të gjithë e pamë krahun prej alabastri. Në pikën e thyerjes, diku sipër bërrylit, ishin formuar relieve vërtet interesante, por nuk qëndruam gjatë t’i vështronim. E pyetëm vajzën nëse ishte mirë, ajo na siguroi se çdo gjë ishte në rregull. Shefi i ofroi diçka për të pirë, ndoshta pak alkool të mirë që ia kishin sjellë dhuratë nga jashtë. Ajo buzëqeshi fort dhe e hapi gojën më shumë se sa gjatë një buzëqeshjeje normale. M’u duk se diçka i mungonte. Mendova për shenjat e logos që nga stilolapsi kishin kaluar në gishtin e saj, në dorën që tani qëndronte e ngurtë mbi pllaka, e ne nuk mund ta shihnim me vëmendje se nuk ishte çast i përshtatshëm. Ne e pyetëm përsëri a ishte mirë, mos donte të largohej e ta shoqëronim për diku. Ajo hapi sytë fort e tundi kokën me fytyrën e skuqur. Përsëri na siguroi se ishte shumë mirë dhe u ul të dëgjonte me interes trajnimin që shefi e kishte rinisur pasi ishte kujtuar me vështirësi se ku e kishte lënë. E shihja tek mundohej të shkruante me dorën e majtë.

Tiranë, 23 prill 2021


Your email address will not be published. Required fields are marked *