READING

Prof. Dr. Floresha Dado – Pse ky studim mbi...

Prof. Dr. Floresha Dado – Pse ky studim mbi eseistikën?

 

Pse ky studim mbi eseistikën?

Për të vënë në dukje se ky lloj krijimi zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e Kadaresë? Për të plotësuar interpretimin e gjithë rrugëtimit krijues, të  larmishëm dhe të pandërprerë të këtij shkrimtari dhe eseisti? Apo për të dëshmuar një qasje të re ndaj këtij korpusi, për të cilin është folur pak dhe varfërisht, në krahasim me përmasat e jashtëzakonshme që ka, me strukturë të brendshme dhe të jashtme komplekse?

Sigurisht jo vetëm kaq! Sepse ajo çka përfaqëson kjo krijimtari, në universin krijues kadarean, hap shumë shtigje interpretimi, zbulon mistere të pafundme të vetëdijes dhe intuitës së tij, kënaq lexuesin, por fut në “sherr” studiuesit… Na ndodh shpesh që, duke lexuar esetë e Kadaresë, sidomos ato që i kushtohen figurave të shquara të letërsisë botërore dhe shqiptare, autorë e personazhe, të kemi ndjesinë që po lexojmë një krijim letrar, dhe pak na vjen e qartë ideja e diferencimit të prozatorit nga mendimtari, nga publicisti, nga historiani etj.

Çfarë djallëzie fsheh në vetvete ky lloj, që quhet Ese, së cilës, historikisht, krijues të huaj, apo dhe shqiptarë, i janë qasur në mënyra të ndryshme?

Janë disa sfida që fusin në siklet studiuesin e eseistikës së këtij autori të jashtëzakonshëm, njëra më provokuese se tjetra: Ç’ngjyresë dhe fizionomi trillimi ka eseja në korpusin krijues të tij? Ç’peshë zë filozofia e të menduarit, e dijes në këtë krijimtari specifike? Si qëndron intuita dhe vetëdija e eseistit Kadare në raport me letërsinë, kritikën letrare, publicistikën, psikologjinë, filozofinë, dhe në përgjithësi me shkrimin shkencor?

E kanë quajtur një hibrid paradoksal të  shkencës dhe artit. Sa është i saktë ky konceptim? E kanë quajtur vizion sepse shikon dhe lidh shumë gjëra, sepse është shumë intelektuale dhe shumëformëshe, sepse fiton formë nga vetja e saj. Sa i qëndron ky kuptim thelbit të asaj lloj eseje që krijon shkrimtari ynë? Por më intriguese është çështja: çfarë misteri fsheh brenda vetes eseistika e Kadaresë, lidhur me lojën e shprehjes së mendimit dhe përmasave të fjalës artistike?

E ndodhur midis disa llojeve të krijimit, emocional dhe logjik, kjo krijimtari të përfshin në një vorbull përjetimesh dhe të arsyetimesh. Ajo të fut në kurthin e emocioneve të krijimit letrar, duke sjellë vështirësi lidhur me përcaktimin se në ç’mënyrë na çon drejt këtij sistemi?

Nga ana tjetër, provokuese shfaqet edhe pyetja se a ka kufij të qartë që dallojnë esetë e tij nga parimet e logjikës krijuese, të arsyetimit filozofik, social, politik, psikologjik, të rrafshit kombëtar, ballkanik, evropian e më tej?

Dhe sfida më e vështirë mbetet: ç’lidhje është ajo e tyrja? Ka kufij qartësisht të dallueshëm, apo tërësia është, në mënyrën më të çuditshme, njëherazi, edhe trillim artistik edhe arsyetim logjik?

Eseja, ky krijim kapriçioz, me veçanësinë e organizimit të brendshëm, gjithnjë është bërë shkak për interpretime të ndryshme, shpeshherë edhe kontradiktore. Kjo ndodh, jo vetëm për shkak të pikëvështrimeve të veçanta të teoricienëve dhe krijuesve, që e kanë lëvruar këtë lloj, por edhe për shkak të larmisë dhe paparashikueshmërisë së trajtave që ajo ka shfaqur, që në fillimet e saj e deri në ditët e sotme. Energjike, e befasishme, e zhdërvjelltë në mënyrën e komunikimit me lexuesit, eseja shfaqet, edhe në shkrimet e Kadaresë, në trajta befasuese, duke shkrirë në vetvete tipare të artit letrar, por dhe të formave të tjera të krijimtarisë intelektuale. Një shkrimtar i përmasave të Kadaresë sigurisht që mbart brenda vetes edhe përmasat e dijetarit. Lidhja e brendshme, midis peshës që i jep fjalës artistike dhe qasjes racionale, mbi aspekte dhe problematika të ndryshme, sa konkrete-individuale aq edhe universale, formëson një strukturë tjetër të horizontit të tij krijues. Brenda këtij sistemi shpirti dhe dija realizojnë njëra-tjetrën; lëvizja e imagjinatës dhe e mençurisë, midis njohjes dhe përjetimit shpirtëror të autorit, janë aq të veçanta dhe intriguese, sa që zbulojnë, tashmë në këndndriçim të ri, jo vetëm mjeshtrin e fjalës artistike por edhe mendimtarin e përmasave të gjera.

Në një kuptim, Kadareja është si të gjithë eseistët. Por, në thelbin e vet ai është edhe i ndryshëm prej tyre. Sepse, nëse specifika artistike, si shkrimtar, e ka dalluar nga krijuesit e tjerë, atëherë edhe mënyra se si në eseistikën e tij mplekset imagjinata me dijen, ka veçanësinë e vet. Pikërisht kjo lidhje e brendshme përcakton atë ngjyrim që e dallon krijuesin e pashtershëm Kadare në reflektimet, sa emocionale, aq edhe logjike, ndaj dukurive të realitetit, të djeshëm dhe të sotëm, të Shqipërisë, por edhe përtej saj. Kapërcimet e papritura nga fenomeni i veçantë shqiptar në rrokjen e problematikave të gjera, madje universale, e bëjnë gjithë korpusin e tij eseistik të pashtershëm gjatë leximeve të herë pas hershme.

Raporti midis mendimit dhe përfytyrimit të figurshëm është kaq i veçantë, i komplikuar, turbullues, sa një lexues i kualifikuar do të zbulonte e rizbulonte një botë të pafund të arsyetimit dhe komunikimit.

Duke studiuar eseistikën e Kadaresë, i futemi një sfere të jashtëzakonshme të njohjes, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, të mendimit dhe imagjinatës së tij. Pyetja nëse është vetëdija ajo që ka nxitur imagjinatën e përfytyrimeve, të shkëndijimit të tezave dhe hipotezave të reja, të përballjes me shoqëri njerëzore, apo është intuita e brendshme që e çon drejt arsyetimeve origjinale, të diskutueshme apo dhe të gjithëpranueshme, është më e vështira, sidomos në këtë lloj krijimi. Studimi se si mendimtari   dhe   shkrimtari,   me   mirëkuptim,   i  zënë vendin njëri-tjetrit në shtresimet e brendshme të eseve, është një qasje specifike, që është shumë e dallueshme nga interpretimi i krijimtarisë së tij letrare. Sipas mendimit tim, këto janë dilema shumë interesante, që nxisin një mënyrë tjetër të interpretimi të thelbit të eseve të Kadaresë dhe që rizbulojnë përmasa të tjera të këtij krijuesi të jashtëzakonshëm.

Shënim i PALIMPSEST

Ky libër përmban këta kapituj:

  1. Pse ky studim mbi eseistikën
  2. Si erdhi eseistika para Kadaresë?
  3. Sa është studiuar eseistika e I. Kadaresë?
  4. Shkon eseja te letërsia apo letërsia vjen tek eseja?
  5. Imagjinatë artistike / imagjinatë shkencore
  6. Eseistikë apo kritikë letrare?
  7. Mënyra eseistike e kuptimit të arteve
  8. Origjinalitet eseistik mbi problematikën politike, historike, sociale, filozofike
  9. Eseja si provokim shkencor?
  10. Eseisti në marrëdhënien me veten
  11. Lexuesi i futur në kurth?
  12. Ka parime krijuese?
  13. Llojshmëri tipologjike
  14. Dilema mbi llojin zhanror


Your email address will not be published. Required fields are marked *