READING

HISTORIA E “HISTORITË E 1001 DITËVE”

HISTORIA E “HISTORITË E 1001 DITËVE”

gazmend krasniqi

HISTORIA E “HISTORITË E 1001 DITËVE”

Atyre që presin prej meje një shpjegim për historinë e atij çifti, mund t’u them vetëm se si qëndron puna me “Historitë e 1001 ditëve”. Se është pyetje me vend ajo: çfarë e bënte historinë e tyre aq të ndjekur dhe aq të diskutuar?! Tregohen shumë legjenda, prandaj pajtohem me idenë se ndoshta është koha e duhur për të hedhur pak nga drita e së vërtetës.

Për mua, duhet filluar aty ku ajo grua që pat qëndruar pranë tavolinës sime, duke më thënë, me një shikim që nuk ia kapja mirë përtej syzeve me xhama të errët: Më quani Shehrezade. Blej histori!, por unë mora pamjen e njeriut që do të futej në bisedë kur të pushonte burri që, në një tavolinë aty pranë, i lexonte gazetat me zë të lartë, gjë që ajo e kuptoi dhe nënqeshi siç bëjnë njerëzit që e kanë situatën nën kontroll.

Ai Bar ku ndodhi kjo bisedë – po të doni, e quajmë Voltaire, po të doni e quajmë Ballkan, por njerëzit më fort po e njohin si Klubi i leximeve – qe një nga ato lokale që gjenden rëndom gjithandej, pa ndonjë shenjë për të shkëlqyer mbi të tjerat, ku njeriu e vendos vetë nëse e gjen ose nuk e gjen veten. Unë u pata futur aty duke pasur parasysh kriteret e mia: ose tavolina bosh, ose tavolina me një person në të, pra ku nuk flitet me zë të lartë, sepse doja të merresha me ca korrigjime që kërkonin vëmendjen time të plotë, që prisja të ma përcaktonin fatin si shkrimtar.

Kisha zënë vend, duke u munduar të arrija përqendrimin, deri kur qe shfaqur ai që më vonë do të mësoja se qe Shahriari i saj; i vetëm, me disa gazeta në dorë, pamje jo fort mikluese për një shkrimtar kaps prej muajsh, i cili po shoshiste në paqe idetë e veta, të cilat asnjë botues nuk i vinte në hesap.

Nuk kisha menduar për atë burrë, derisa i dëgjova zërin: u ktheva dhe pashë se qe rehatuar si ata folësit e televizioneve, të cilët kujdesen që zëri i tyre të mos ketë ndonjë “kiks”, siç i quajnë muzikantët çirrmat kakofonike në instrumentet e tyre.

Durova disa minuta, pastaj, me shpresë se kjo qe diçka kalimtare, mora t’i bëja një shenjë kamerierit, por ai m’u shmang, siç dyshova -jo pa të drejtë -me vetëdije. Pas pak u ktheva nga klienti në tavolinën tjetër – që qe vetë Shehrezadja – por nuk e dija nëse më pa pas syzeve të errëta, si dhe nuk dija se si ta merrja grimasën që bëri, pasi ende nuk kisha mësuar për problemet e saj me shikimin.

Nga frekuentuesit e atij lokali vetëm unë nuk dija për dashurinë e dikurshme të Shehrezades me Shahriarin e saj; apo se “dashuria e famshme” qe kthyer në “prishja e famshme”.

Në atë lokal vetëm unë nuk e dija se kur mjeku e pat këshilluar ta ndalonte leximin e shtypit, edhe pse nuk flisnin, tjetri, që nuk kishte pasur ndonjëherë interes të veçantë për leximin e shtypit, pati një ide: të lexonte me zë të lartë, që donte të thoshte të mos e privonte ish të dashurën nga ajo që donte shumë: informacioni i ditës.

Kur ma tha këtë, jo vetëm se nuk e prishi gjakun nga patetizmi që m’u shfaq te sytë, por më tërhoqi vëmendjen: Shiko, këtu ka vend për një sqarim, dhe më shpjegoi që nuk mund ta pranonte idenë se nuk mund t’ia kthente “nderin” ish të dashurit, edhe pse nuk kishte mendim të mirë për letërsinë, e cila i dukej diçka e kotë, pra humbje kohe.

Ia përkraha idenë e kotësisë së të shkruarit: se ai proces i dhimbshëm që kërkon mundim të madh dhe net pa gjumë, që përveç rrezikut të bllokimit ka gjithmonë edhe ndjesinë se e ke dështimin të pashmangshëm, që asgjë nga ajo që shkruajmë nuk është ajo që dëshirojmë të shkruajmë, që është veçse një mallkim – nuk i meritonte sakrificat.

Për të, nuk kishte rëndësi se çfarë thosha unë, po se çfarë thoshte ajo vetë: pa pyetur për pamjen time skeptike, më shpjegoi shpejt e shpejt,prandaj disi ngatërrueshëm, sikur kishte frikë se do t’i harronte fjalët- dukej se fliste me fjalët e atij tjetrit –se, sipas paktit të pashkruar, për ish të dashurin duheshin lexuar gjëra që e tejkalonin informacionin e thjeshtë, informacione që nuk përmbanin mundësinë e verifikimit të menjëhershëm, por kërkonin të ishe i lirë dhe ta nxirrje përfundimin sipas dëshirës. Ish i dashuri ishte për habinë dhe emocionin, dhe jo, siç tha ajo me patos, “bir i epokës së informacionit”.

Përderisa bënin pakte, pse nuk bënin negociata?

Nuk duhej ta përmendja dy herë fjalën negociata. E njihnin aq mirë njëri-tjetrin: nuk do të kishte tërheqje për asnjërin.

Dua histori të reja, tha, teksa zvogëlohej nga tmerri i tragjedisë së refuzimit tim. I ka lexuar të gjitha historitë e njohura. Përndryshe nuk funksionon… E merr përsipër?… Unë paguaj.

Po ja ku u kujtova për pyetjen shpëtuese: si do t’i lexonte, kur mjeku e ndalonte?

Pyetje me vend për mua, por jo për atë. Mirëpo unë nuk pranoja t’i lexonte dikush tjetër, kështu që duhej ta merrja përsipër vetë. Por më pas do të harxhoja edhe fishekun e fundit: i kisha pa redaktuar, por dukej sikur po i mohoje jetën, dhe mua kaq m’u desh që të thyhesha.

Atëherë, s’di si u kujtova dhe paraqita argumentin se audio e celularit nuk mund të mbante ngarkesa të mëdha, prandaj do t’ia jepja një nga një, por ajo nuk donte t’ia dinte për kësi detajesh, e kishte mendjen vetën se si t’ia arrinte qëllimit.

Ku duhej kërkuar përgjigjja, që ditët që kaluan nuk ndryshuan asgjë në këtë perfectum trinum? Që e vetmja gjë që ndryshoi, qe se herë e paguante ajo kafen dhe herë unë, edhe pa i dhënë të njohur njëri – tjetrit?

Bëri tifozë, të cilët e ndiqnin nga tavolinat e tjera. Duke pasur parasysh Shehrezaden e përrallave arabe, ata qenë shprehur se donin të kishin idenë tonë për çfarë thuhet në këto “1001 ditë”.

Ajo vetë qe e kënaqur me gjërat ashtu siç qenë: për të qe e rëndësishme se ish i dashuri i kishte mirëpritur dhe vazhdonte t’i mirëpriste historitë.

Nganjëherë do të donte të diskutonte me të, por asnjëherë nuk e ndërmori këtë hap. Kur i vinte ta bënte këtë, hidhte historinë tjetër.

Kjo qe arsyeja që një ditë dola vjedhtaz nga kjo histori: e mendova si mision të kryer. Për më tepër, e dija se nuk ia shpjegoja dot se më qe kthyer bllokimi që kisha pasur para se të vija në atë lokal.

Provova lokal pas lokali, pa u bindur se qe diku mes tyre i duhuri. Në çorientimin tim, besoj, ndikonin edhe mendimet e botuesve për gjininë e tregimit.

Më gjeti kur e kishte humbur plotësisht besimin se do të më gjente.

Kishte ardhur të më thoshte se “ai iku”.

E prisja, ia ktheva. Ato tregime s’i hyjnë në punë askujt. E ke thënë shumë mirë: janë vetëm humbje kohe.

Ajo më pa për pak me habi.

Tregimet qenë super, ma ktheu me ton kompetent. Ai iku kur ato mbaruan.

Mendojeni vetë ndjenjën që pata: para meje qëndronte dikush që donte të më dëshmonte dobinë e letërsisë!


Your email address will not be published. Required fields are marked *