5 POEZI – DAVIDE RONDONI

5 POEZI

DAVIDE RONDONI

Çfarë përfshin një përkthim në gjuhën e një vendi kaq afër e larg si Shqipëria? Të vjen si një lloj sëmundje deti, një situatë pasigurie e tmerrshme dhe e shëndetshme. Sigurisht midis dy brigjeve nuk kanë munguar shkëmbimet, mbivendosjet, por të paktën aq sa nuk mungonin distancat dhe boshllëqet. Sinkronia dhe koha e kundërt. Sikur në përkthimin e sjellë në shqip, falë mirësisë së poetes Denata Ndreca, një grua e aftë të kalojë tërmete të ndryshme, përfundon në një territor të panjohur siç janë gjërat përtej një pragu, ku një dritë ndryshon gjithçka. Ndoshta, përkthimi në gjuhën e një vendi të largët është paradoksalisht më qetësues, nëse ky term do kishte një kuptim në poezi. Në këtë rast është e nevojshme të pranojmë më qartë që duhet të “zhvendosemi”, me pak fjalë, të pranojmë fatin e poezisë për të mos pasur vendbanim dhe për të qenë çmendurisht në dispozicion. Shqipëria është tokë poetësh, i këngës së vështirë, të ëmbël dhe të dhimbshme. Poezia italiane dhe ajo shqiptare janë hardhi të ndërthurura nën të njëjtin diell, përpara të njëjtit det. Por hyrja në këtë vresht, duke u përgatitur për të dhënë verë për aq sa mundemi, përfshin një ndjenjë shqetësimi, ndjenjë të papërshtatshme për sasinë e dhimbjes dhe dinjitetit që poezia shqiptare na ka dëshmuar së fundmi. Por edhe kjo frikë e pazgjidhshme lë vend për besimin e pashuar në takime, vrullin e dritës së detit dhe britmën e anijes dhe shqiponjës që na thërret dhe na pyet.

Poeti është ai që nuk mund të jetë kurrë në një vend
tjetër përveçse në poezi. Poeti është gjithmonë një djalë
plak dhe një plak djalosharë. Një krijesë që ka rënë këtu
nga një mal i çuditshëm ku pyjet shkëmbejnë mesazhe
me yjet.
dhe yjet që sheh,
në sytë e atij që do
janë imagjinatë e përsëritur
në të gjitha civilizimet …
si lëvizje e fuqishme,
si udhëzues në kalim
dhe secila poezi e vë veten në mëshirën e lexuesit të saj.
Është e pambrojtur, është në dispozicion. Ndodh vetëm
gjatë leximit. Nuk ka forcë në vetvete, përveçse në
takimin me zemrën dhe mendjen e lexuesit.

`

7

Memeci, ftesa
e lartë e yjeve që zhduken,
e dhunshmja që vjen
me gaz në gjak,
ndërrimi i hënës në gojë
pastaj heshtja papritmas
kur zbehen
shkrimet e mëdhaja të reklamave,
dhe pemët jeshil-blu
të larta rilindin….

ke ardhur ti, në këtë agim
që është akoma një fytyrë vajze
ndër duart e natës.
është diçka e pafundme, një luftë
o një proçesion
që ka kaluar në sytë e mi
për të varfërit çdo ditë
vjen me një shfaqje.

8

Do çuditesh ndoshta
sot që të them
asgjë nuk është më e pastër në jetën time


veçse një pikë djegëse
që pabesia ka lëmuar si një guaralec deti.


Dhe që nuk është dëshira për të jetuar.

9

Duke pasë jetuar me rrufe të forta

Duke pasë jetuar kështu
me armiqësi gjaku, me kokë
të shkëputur nga dëshirat e vdekura,
me këtë ujk në bark, shpatat
e bardha në sy, tiraninë
e konopëve të erës mbi shpinë,
duke pasë jetuar kështu, me fikjen
e çdo morali si ide
dhe mendje që zbehet
si dritë mbi një video që ikë.

Duke pasë jetuar me siguri,
shenjt dhe i trashë
për dhimbjen si njeri, me gotë
akoma si një fëmi brënda në natë,
me grep në gojë
duke ndjerë që zbrazet
ndërmjet brinjëve dhe frymës.

Duke pasë jetuar me rrufe të forta
në rruaza, nën lëvizjen
e shpejtë të qiellit
dhe në dritat e akullta që natën
ndien në rrugë

vetrinat e fast food-it
e për një çast në sy.

Shën Palit iu tha
të të mjaftojë hiri im,
sepse forca –
forca në dobësi u arrit.
Michelangelo deponoi
mjetet rrëzë punës së mbaruar
dhe qau para një shpalljeje.

Milano në mëngjes
derdh shi
dhe ndonjëherë një diell që nuk mbërrin
mbi pemë dhe shtëpi. –

Po kush
mban në duar çdo natë
çmendinë e errësirës
dhe kush dridhet për të uriturin
që vrapon në tunelet bosh
të metropolitanave?
Duke pasë jetuar

duke prekur
gjithkund Zotin, fytyrën
e tij prej tigri, shikimin e tij
prej gruaje që ka lindur.

10

Bartolomeo

Kur të ndalesh dhe ti në këtë autogril

të madh dhe fyryrën, i lodhur

do shohësh shpejt

mbi xham, mbi aluminin e banakut,

do të jetë një natë si kjo

që në erë thyen dritën

në retë e ditës, do të jetë

një çast i madh:

do ta marrim vesh vetëm unë e ti.

Do të nisesh sërish

me një shqetësim të vogël, gati

një kujtim dhe heshtjet e raftave

stacionet e karburantit, kapelet e tyre,

do t’i ndjesh pas shpatullave lehtë

tek bëhen këngë.

Lumturia e kohës është të t’them po,

je, një forcë sekrete

që të bën ankth, jo rinia

ime që kapitullon, jo mosha

e pjekur, jo plakja ime –

ngjashmëria jonë e vërtetë

është atje ku nuk shihet.

Biri im, udhëtari im,
do të jetë ferri yt, virtyti yt
kjo e dëgjuar nga një qen apo një engjëll
i cili ndjen njëzëshëm gjiron e planetëve
dhe tabletën e ilaçeve që bie në gotë
dy kate më poshtë, ku dy pleq
kujdesen për njëri-tjetrin.
Do jetë kjo dashuria e mahnitshme
e babait tënd, ai i vërteti.


Ndalu prapë në këtë autogril,
nga errësira do doja të të shihja përsëri.

11

Carlotta

Ti do jesh një grua
do të arsyetosh ashtu siç unë
nuk kam bërë kurrë. Do jesh unë

por do veshësh fund.
Nata do të ketë një tjetër
ëmbëlsirë për ty,
nuk do ndjesh këtë ashpërsi
tek mbyll duart.
Edhe shirat e mëdhenj për ty
do jenë këngë.

Do jesh një grua, do të kthesh
shumë dashuri, dashuri të fortë
si në det kthehet dallga,
planktoni yt i padukshëm
kundër vdekjes së thellë.
Do të kesh spazmat dhe do të qeshësh
befasisht.
Mendimi do të jetë në mbrëmje
një degë e ëmbël
mbi sy.

Do jesh një mrekulli për shumë njerëz,
edhe pa bërë asgjë.

Një udhë
për ato që nuk shohin më yjet.
Do të shfaqesh si nëna jote, e bukur,

një shkëndijë.

Do të ndjej përgjithmonë duart e tua të vogla
tek më luajnë në fytyrë,
do të jesh privilegji
i një kënge të lartë, që nuk vdes.

Përktheu; Denata Ndreca

Davide Rondoni (Forlì 1964) është një nga poetët më të mëdhenj të kohëve tona. Shkrimtar, gazetar, filozof, dramaturg. I diplomuar në letërsi në Universitetin e Bolonjës, ku themeloi dhe drejtoi Qendrën për Poezinë Bashkëkohore. Autor i disa përmbledhjeve me poezi, botuar në Itali dhe jashtë saj: Il Bar del tempo (Guanda, 1999); Avrebbe amato chiunque (Guanda, 2003); Compianto, vita (Marietti 2004), Apocalisse amore (Mondadori 2008); ), Le parole accese (Rizzoli 2008); Tommaso, Paolo, Michelangelo (Marietti 2009); Rimbambimenti (Raffaelli 2010); Si tira avanti solo con lo schianto (WhiteFly 2013); Cinque donne e un’onda (Ianieri 2015); La natura del bastardo (Mondadori 2016) me të cilët ka fituar disa nga çmimet kryesore të poezisë. Fitues edhe i Çmimit Montale me motivacionin: “Zëri poetik (i cili) është shenja e gjallë e një përvoje gjatë rrugës”. Vëllimet e tij të fundit të eseve janë: Pafundësia. Puthjae çuditshme e poetit ndaj botës, mbi poezinë Pafundësia të Giacomo Leopardit (Fazi 2019); Noi, il ritmo. Fletore e një poeti për vallëzim (dhe për një kërcimtare) (La nave di Teseo 2019); Il fuoco della poesia (Rizzoli 2008); Nell’arte vivendo (Marietti 2012); L’amore non è giusto (Carta Canta 2013); I termini dell’amore (me Federica D’Amato, Carta Canta. Ka themeluar dhe drejtuar revistën “clanDestino”. Shumë nga veprat e tij janë përkthyer në vende të ndryshëm të botës. Bashkëpunon me programe poetike në Radio dhe TV (Rai, Sky, tv2000, San Marino RTV), në shkrim filmash dhe ekspozita me përvoja teknologjike të larta e gazeta të ndryshme. Kaqenë dhe kritik letrar në Il Sole 24 Ore. Drejton kolonën “I Passatori – Contrabbando di poesia” për Carta Canta Editore. Autor veprash teatrale dhe të përkthimeve të (Baudelaire, Rimbaud, Péguy, Jimenez etj). Ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare të poezisë në shumë vende. Në tregime ka botuar: I bambini nascono come le poesie (Fabbri 2006); Hermann (Rizzoli 2010); Gesù (Piemme 2013); Se tu fossi qui (San Paolo 2015, Çmimi Andersen për fëmijë mbi 15 vjeç); E se brucia anche il ciflo (Frassinelli 2015); Il bacio di Siviglia (në kolanën “Vite esagerate” ideuar nga ai vetë San Paolo 2016) dhe Best della grande palude (San Paolo 2018). Redaktor i shumë antologjive poetike; bashkëpunëtor në skenarin e filmit Il vegetale të regjisorit Gennaro Nunziante. Në vitin 2018 ideoi projektin “Infinito 200” (me rastin e dyqindvjetorit të hartimit të poezisë L’Infinito të Giacomo Leopardit, që daton në vitin 1819), duke u ndalur gjithashtu edhe në Shqipëri, për konferencën “l’infinito tra le due rive – Pafundësia ndërmjet dy brigjeve”, së bashku me poeten shqiptare Denata Ndreca. Ka mbajtur kurse letërsie në Universitetet e Bolonjës, Milanos, Cattolica, Genova, në IULM dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (në Universitetin Yale dhe Universitetin Columbia).


Your email address will not be published. Required fields are marked *