Ndjekja – Tregim

Stiven Domi

Sapo lexoi librin e tij të parë, ajo u fiksua me autorin, kompozimin e fjalëve të tij, rrjedhave e kthesave të ngjarjeve, kryeqendra e mendimeve të saj ishte ai libër, kryefjala e saj ishte autori. Aq shumë u dashurua pas narracionit të tij, saqë i shkruajti e-maile, i dërgoi mesazhe në “Facebook” dhe postoi pjesët e preferuara të librit në “Twitter”, herë-herë duke nxjerrë në pah dëshirën për një libër të radhës, por nuk mori asnjë përgjigje, prandaj për dy vite, kur koha ia vagulloi dashurinë për autorin dhe po i humbte interesi, ai i ktheu përgjigje në “Facebook”.

– Javës tjetër.

Vetëm kaq qe shkruar. Vajza kishte harruar ç’pyetje i kishte bërë, mesazhet i kishte fshirë – kishte kaluar kaq shumë kohë, për atë Zot. Ndonjëherë vetja i dukej fëmijërore kur shihte postimet e së shkuarës, por mesazhet dërguar autorit i shihte gjithmonë, me të njëjtën dëshirë e kureshtje, e nuk pendohej. Por çfarë i kishte shkruar?

“Kur do të publikohet libri i ri?”

“Kur do të takohemi?”

“Kur do të bëhet konferenca?”

Ajo ishte konfuze. Gjendej përpara laptopit, në mëdyshje. Shkruajti disa rreshta, mandej i fshiu, shkruajti të tjera, por nuk ia dërgoi. I fshiu edhe ato. U mëdysh. U mbush me frymë, mbylli laptopin dhe doli në ballkon, hodhi sytë poshtë, drejt shushurimave të largëta, zhurmave që jehonin nën dendësinë e trafikut, dritave që xixëllonin, muzikës nga ndonjë makinë që do t’u bëjë përshtypje disa vajzave pa e ditur se këto gjëra i përkasin një brezi të kaluar, borive të fuqishme të urbanëve, dritave në ndryshim të semaforëve, qarkullimit të makinave dhe të njerëzve si miza.

Priti një javë. Libri i ri u publikua. Ishte ndër të parat që e bleu. Parapëlqente ta quante autorin sekretin e saj të vockël. E lexoi librin me një frymë, brenda ditës. E adhuroi. Filloi të qante, ndjeu se e zhgënjeu autorin që e kish lexuar aq shpejt librin, ndaj nisi ta lexonte përsëri. Sekreti i saj i vogël me kalimin e ditëve mori përmasa edhe më të mëdha, emri i tij dëgjohej gjithkund, në rrugë, media e lajme. Fytyra e tij gjendej në gazeta, televizione e revista, libri i tij i fundit po thyente rekorde të mëdha. Ajo zhvilloi një xhelozi të cilën nuk e kuptonte nga i buronte, dhe u përpoq të përmbante lotët e zemëruar. E lexoi librin për të tretën herë, me të njëjtin pasion, nënvizoi frazat e preferuara, me një fjalor përpara identifikoi fjalët të cilat nuk i kishte dëgjuar më parë, shkruajti disa letra drejtuar autorit për ndjesitë që ky libër i kishte përcjellë, pas një analize të hollësishme.

– Kohët e fundit po marr shumë mesazhe,- tha autori në një intervistë në televizion, – prandaj nuk kam kohë t’u përgjigjem. Përveç kësaj, jam duke punuar me librin tim të tretë, të cilin do ta publikoj në fundvit.

Vajza ndjeu se po fluturonte.

Ajo i dërgoi tre letra autorit, i shkruajti katër a pesë mesazhe në çdo rrjet social që ai dispononte, dridhej nga mendimi se ai do t’i kishte kthyer një përgjigje, apo të paktën do t’i kishte parë, por as njëra, as tjetra. Megjithatë, nuk e humbi shpresën, vazhdoi t’i shkruante pa pushim, shprehte të gjithë emocionin e dashurinë e saj për veprën e tij, çdo ditë hulumtonte mbi jetën e autorit, e cila me ardhjen e famës ishte bërë edhe më publike.

Një ditë i gjeti numrin në faqen e tij në internet dhe e telefonoi disa herë, por i doli i mbyllur. Të nesërmen i telefonoi përsëri.

– Përshëndetje! – një zë vajze.

Ajo u prezantua, i tregoi gjithçka sekretares së tij, e bindi t’i caktonte një takim, por nuk u realizua nga axhenda e mbushur e autorit, megjithatë sekretarja i premtoi se do t’i përcillte çdo fjalë.

Pas disa ditësh vajzës i erdhi një mesazh i ri në “Facebook”:

“Të falënderoj për mesazhet e përzemërta, ndonëse është pak muaj larg, je e ftuar nderi në promovimin e librit tim më 25 dhjetor,”

Vajza fluturoi nga gëzimi, u hodh përpjetë e kënaqur, ia tregoi prindërve dhe atyre pak miqve që kishte, e hodhi në rrjete sociale që njerëzit ta shihnin, e postoi në faqen që kishte krijuar dedikuar autorit, i dërgoi dhjetë mesazhe falenderimi atij, gruas së tij, pas disa hulumtimesh dhe gjeti shkollën fillore ku studionte vajza e autorit.

Një ditë doli ta priste, në pesë të pasdites kur ajo mbaroi, vajza u prezantua, e mori përdore vogëlushen dhe e shoqëroi në shtëpi, jo shumë larg nga shkolla. Me ditë të tëra qëndronte jashtë shtëpisë së tyre, aty ku nuk dukej, ndonjëherë filmonte dhe e shihte regjistrimin gjatë gjithë natës, një herë tjetër vendosi një kamera në pallatin përballë shtëpisë së autorit, dhe regjistrimin e pa të nesërmen, plot shtatë orë pa u ndarë nga ekrani, shihte veç bardhësinë e mureve të shtëpisë, lulet e gjelbra në vazo të vogla mbi parmak, derën e drunjtë, kutinë postare, disa lëvizje makinash, hyrje e dalje nga shtëpia të autorit e familjes së tij.

Ajo e bëri rutinë vendosjen e kamerës në pallatin përballë shtëpisë përdhese; çdo ditë shihte regjistrimin me sytë që i puliste rrallë. Një herë vërejti diçka ndryshe, një burrë hyri në shtëpinë e tyre, nuk ishte as agjenti, as botuesi, as ndonjë i afërm i autorit apo gruas së tij. Pas dy orësh, burri doli dhe mbërtheu zinxhirin e pantallonave, i dhuroi një të puthur plot pasion gruas së autorit dhe i hipi një makine e u largua. Vajza u përpoq t’i merrte targën, por e kishte të pamundur. Tashmë, me kalimin e ditëve, ajo shihte regjistrimet edhe më me kërshëri, fiks një javë pas ngjarjes burri u shfaq përsëri, por vajza e pa në regjistrim, prandaj vendosi se javës tjetër do ta ndiqte burrin, dhe ashtu bëri.

Burri jetonte në anën tjetër të qytetit; kishte një grua të shëndoshë dhe dy fëmijë, të vegjël. “Prandaj qenka shëndoshur,” – mendoi ajo kur pa fëmijët e tyre. Në regjistrimin e asaj dite ajo vështroi autorin të lëvizte me këmbë e duar përtej dritares; mandje, ai doli duke turfulluar dhe mbylli derën pas tij me forcë, e në fund hipi në makinë.

Të nesërmen vajza ndoqi autorin, ajo e ndeshi në një lokal dhe e përshëndeti, i kërkoi një autograf, ai e ftoi të ulej me të dhe ajo pranoi me plot dëshirë.

– Shumë faleminderit! Është një nder i madh.

– Me çfarë merreni?- e pyeti ai.

Vajza nuk foli për pak. Javët e fundit i kishte kaluar duke vëzhguar shtëpinë e tyre, lëvizjet, dashnorin e gruas, hyrjet e daljet.

– Jam në shkollë, studioj për letërsi.

– Ah, sa mirë. Unë kam studiuar kimi, por pasion kam të shkruarit.

– Kam qenë ndër të parat që lexuan librin tuaj të parë. Rashë në dashuri me stilin tuaj.

– M’u drejto me “ti”, të lutem.

– Oh, nuk e di a mundem…

– Të thashë të lutem,- tha ai dhe buzëqeshi çelët.

– Në rregull, në rregull. Jeni… je një frymëzim i madh për mua. Veprën tënde të dytë, e kam analizuar kryekëput.

– I kam parë shumicën e mesazheve që më ke dërguar, të them të drejtën në fillim më je dukur si maniake e fiksuar, por mbase nuk isha familjar me idenë që kam adhurues, kurse tashmë është ndryshe.

– Cila është ajo gjë që të jep frymëzim?

– Ime shoqe, – tha ai prerë.- Të mos ishte për të, unë sot do të isha një hiç.

-“Ajo të tradhëton,” – dëshironte të thoshte vajza, por lëshoi vetëm një zë të mekur, të mbytur.- Sa mirë, – tha shkurt.

Pasoi një heshtje e sikletshme. Ajo kruante dorën kurse ai lëvizte këmbën me shpejtësi, në ankth.

– E di, kam patur një periudhë të keqe me të, – tha ai, – veç grindje, por thellë-thellë ne duhemi pa masë.

Ajo e këqyri rishtazi, ia studioi tiparet dhe pamjen e tij e fotografoi në mendje, si një imazh i dalë nga një aparat fotografik polaroid. Sytë e tij jeshilë i bënë shumë përshtypje, lëkura e ashpër dhe hunda e vogël. Tani ishte momenti t’i thoshte për gruan e tij të pabesë, por nuk mundi, lëshoi një hukamë që zgjati pak.

Vajza kaloi natën përpara shtëpisë së tij: Atë natë filloi një shi i dendur; ajo nuk kishte as çadër, as kapuç dhe flokët iu qullën, sytë iu verbuan nga pikat e rënda të shiut, trupi iu ngjeth nga depërtimi i ujit të ftohtë mbrapa në kurriz, ama ajo nuk u largua, qëndroi deri herët në mëngjes, u largua me lindjen e diellit, dhe shiu akoma nuk kishte pushuar; binte vërshueshëm; lagte ajrin e pemët e tokën e asfaltuar. Pas disa ditësh të shoqëruara me ethe e temperaturë, pasi e kaloi rrezikun e një pneumonie që do ta plandoste në shtrat për disa javë, çoi një letër në shtëpinë e dashnorit të gruas së autorit shoqëruar me filmimin e tyre duke u puthur, dhe në ditën e caktuar të javës, ajo pa në regjistrim grindjen dhe ndarjen mes tyre, mandej gruaja ishte rikthyer në krahët e autorit për të rigjetur dashurinë që s’ishte larguar kurrë.

Disa ditë më vonë ajo kaloi aty pranë, dhe takoi vajzën e vogël të tyre, e shoqëroi në shkollë, priti pesë orë para derës së shkollës dhe kur mbaroi vajza mësmin, ajo e shoqëroi deri në shtëpi.

– Dëshiron të vish në shtëpinë time? – pyeti ajo vajzën e autorit.

Vogëlushja pranoi dhe pas disa orësh të mbushura me lojëra e argëtim, ajo e ktheu vajzën në shtëpinë e saj, prej nga doli e ëma e zverdhur dhe me sytë e mbushur me lot.

– Kush jeni ju?!

Vajza u prezantua.

– Unë njoh burrin tuaj, jam një adhuruese e madhe e tij.

– Çfarë bën me vajzën time?

– E shoqërova nga shkolla… dhe e mora në shtëpinë time për të luajtur për pak kohë, shpresoj të mos ju kem shqetësuar.

– Sigurisht që na ke shqetësuar! Mos të të shoh më pranë vajzës sime, përndryshe do të të raportoj në polici!

Vajza u hutua, vështroi rrotull dhe u gëlltit, ajo kërkoi falje dhe u largua. Vendosi kamerën në pallatin përballë dhe të nesërmen e mori e këqyri regjistrimin. Asgjë e re. Shkoi vetë, qëndroi përballë shtëpisë në shi. Nga shtëpia doli gruaja e autorit me çadër në dorë, puliti sytë njëherë dhe e vështroi me vëmendje vajzën. 

– Largohu nga ne! Largohu! – dhe hyri brenda.

Vajza nuk lëvizi nga vendi, as nuk bëzani.

Shiu u bë edhe më i rëndë, ajo mbante një çadër të zezë mbi krye, por u lag deri në gjunjë dhe ndjeu çizmet t’i bënin pllaq-plluq. Vërejti gruan që shihte nga dritarja, e përsëri nuk lëvizi. Gruaja mbylli perden me egërsi dhe fiku dritën. 

Vajza shkoi tek dera e shtëpisë dhe i ra ziles; mandej, trokiti dy herë.

– Jam adhuruesja më e madhe e burrit tuaj. Dhe ju nuk i keni qëndruar besnike një njeriu të atillë.

Dera u hap me forcë. Ishte autori.

– Si ishte ajo që sapo thatë?

– Gruaja juaj ju ka tradhëtuar. – Vajza nxori celularin dhe i tregoi regjistrimin. Autori e vështroi dhe fytyra e tij u ngrys, buzët e vetullat iu rrudhën e u nxi nga inati. Ai mbylli derën dhe shtëpia shpërtheu në ulërima. Vajza u largua.

Pas pak javësh ishte dita e promovmit të librit.

“A jam akoma e ftuar nderi?”, – i dërgoi ajo mesazh autorit.

“JO!” mori përgjigje të menjëhershme. 

Asaj iu ngrit damari i ballit, sytë iu errësuan dhe duart iu mbuluan nga djersët e nxehta. Filloi duke sharë me të madhe; qante nga zemërimi; çirrte fytyrën me thonj dhe shkulte flokët me egërsi. Ajo i gjuajti grushta murit derisa e lanë fuqitë e duart iu gjakosën, duke lënë shenja edhe mbi murin e padëmtuar. Megjithatë, ajo vendosi të shkonte, pas një pritjeje kaq të gjatë, shoqëruar me një përgatitje rigoroze shpirtërore, vajza do të ishte e pranishme në promovmin e librit më 25.

Ditët e javët kaluan, gjatë ditës së madhe vajza u lye, u vesh bukur e me stil, në hyrje bleu një kopje të librit dhe dëgjoi fjalimin e gjatë të autorit, ndjeu një eksitim të lehtë dhe u dridh aty poshtë, një dridhmë që iu përçua lart deri në flokë, e elektrizoi të tërën.

Autorin nuk e përshëndeti, qëndroi jashtë rrezes së shikimit të tij, dëshironte t’i shfaqej si surprizë e bukur gjatë firmosjeve, prandaj nuk e ndoqi shumë pjesën më të madhe të eventit; qëndroi e mënjanuar, u shmangej njerëzve e pyetjeve, gjeti një qoshk e u ngulit aty së bashku me gotën e saj të shampanjës.

Një radhë e madhe u krijua nga njerëzit që kishin dëshirë që libri i tyre të mbante firmën e autorit, dhe qëllimisht ajo u vendos në fund të radhës, priti mbi një orë.

-Çfarë po bën këtu?- e pyeti ai pasi e njohu.

– Dua të firmos librin…

– Nuk ta firmos!

– Doja të të kërkoja falje; jam treguar mendjelehtë, por e bëra për të mirën tënde.

– Të mirë quan shkatërrimin e një familjeje?

– Ajo grua të tradhëtonte.

– Aq më mirë që nuk e dija! Zhduku që këtu!

– Ka ndonjë problem?- pyeti një burrë trupmadh, që u afrua afër vajzës.

– Jo, jo asnjë problem,- tha vajza shkurt.

– Kjo vajza, kjo është problemi, kjo është maniake.

– Sepse të dashuroj!

Vajza nxori nga çanta një revole dhe e qëlloi. Gjaku i tij shpëlau mbulesën ngjyrë të verdhë, librat mbi të dhe disa pikla gjaku spërkatën fytyrën e vajzës. Ajo i lëpiu e eksituar. Autori u shemb mbi tryezë, i vdekur, kurse ajo qeshi, mandej hapi gojën, futi armën dhe e shkrepi.

Një zhurmë e rëndë dhe erë baruti kaploi vendin.


Your email address will not be published. Required fields are marked *