HISTORIA E NJË TESTI

Gazmend Krasniqi

HISTORIA E NJË TESTI

Meqë më ra në dorë, në mënyrë të rastësishme teksti i testit të maturës, mendova të hedh një përshtypje, në mënyrë të rastësishme. Ndërkohë, uroj të ketë gjetur zgjidhje ky problem delikat. Dua të them se nuk e shoh problemin te një rast, megjithëse ai peshon shumë, por të konceptimi i  ngjarjeve të tilla për jetën e njeriut, konkretisht të rinjve.

Më duhet të them që në krye se zgjedhja për koment e poezisë së Lasgushit, “Dritë fshehtësie”, nuk i ka sjellë fat përgatitësit të testit. Mund të ishin bërë zgjedhje të tjera, më përfaqësuese, prej këtij poeti.

Poezia në fjalë, i takon poezisë të formatit “një mendim i vënë në vargje”. Në këtë poezi, poeti, që e ka zbuluar Të bukurën, ka nevojë të thotë: Si mund ta liroj idealen nga pesha e materiales? Vetëm kjo pyetje filozofike e mban gjithë poezinë. Pjesa tjetër është “veshja”. Poezisë i ka mbetur parësor ai mendim, kështu që veshja nuk ka fituar rëndësi. Nga pikëpamja profesionale, themi se kaq ligjërim klasik sa paraqet, ka qenë e mjaftueshme për të. Njohja që kemi për prodhime letrare shqipe të ligjërimit klasik apo modern, të pasura me mjete letrare, e lë në hije atë poezi. Kujtojmë se Lasgushit nuk do t’i mbetej hatri për këtë, sepse ai vetë ngulte këmbë se as poetët më të mëdhenj nuk kanë më shumë se 7-8 poezi shumë të mira.

Lasgushi di, si askush, të ndërtojë vargje dhe strofa, dhe i bën ato. Po asnjë fjalë e veçantë nuk na tërheq vëmendjen. Përgatitësit të testit i ka bërë përshtypje fjala “dlirnja”. Në fakt, në këtë poezi kjo fjalë nuk sugjeron asgjë: ajo ka kuptimin që ka në fjalor, që në kohën e “Mesharit” të Buzukut, ku ajo përdoret si fjalë e përdorimit të gjerë.

Në këtë rast, ajo mund t’i jepej maturantëve vetëm si detyrë shtëpie: Gjejeni këtë fjalë në fjalor ose pyesni prindërit për të, pasi një pjesë e tyre mund të mos e kenë pjesë të përdorimit të përditshëm. Pra mënyra se si është ndërtuar pyetja me të, (dlirnja ka kuptimin: gëzohem, çlirohem, gjunjëzohem apo shmangem?), nuk i përafrohet një mjeti letrar, që duhej t’i jepte kuptim një testi letërsie.

Mandej, në këtë rast, mund të ngrihet pyetja: A di maturanti për kategorinë estetike të së Bukurës, apo konceptet filozofike të ideales dhe materiales, që t’i përgjigjet asaj pyetje? Me fjalë të tjera: a ka bërë estetikë dhe filozofi?

Ngaqë poezia e zgjedhur nuk i ka dhënë shumë dorë, përgatitësi i testit i ka ikur vazhdimisht gjetjes së mjeteve letrare, duke rënë në pyetjen: tregoni se ku gjenden  notat e trishtimi!!!, pa folur për mjete letrare që mund ta japin atë.

Përgatitësi i testit nuk e ka kuptuar nëse e ngatërron apo e ndihmon “kritika” (që përmend), kur thotë:

45.  Kritika gjen nё poezinё e Poradecit elemente tё simbolizmit. Nё dy vargjet e fundit tё strofёs sё parё zbulojmë mё sё shumti pёrqasje simbolike tё tingujve dhe fjalёve me: 

A)  ngjyrat dhe nuancat e tyre.

B)  notat muzikore tё buta e tё paqta.

C)  erёrat dhe aromat.

D)  shijet e ёmbla apo tё athёta.

Është fjala për këto vargje:

Ti pёrflakje mёngjezore! Harg ylberi-i shtatёngjyrshmё!

Botё yjsh! botё hёnash! Botё djejsh me gji tё zjarrtё!

Për cilin simbolizëm flet përgatitësi i testit? Nëse është fjala për lëvizjen letrare të simbolizmit francez, a e kanë bërë këtë maturantët në shkollë? Tashti nuk e verifikoj dot. Por si mësimdhënës në universitet, unë nuk i kam parë rezultatet. Nëse nuk jepen njohuri për këtë, kjo pyetje nuk duhej të ishte.

Sidoqoftë, edhe pse është mbështetur te “kritika”, përgatitësi nuk ka të drejtë në këtë pyetje. Ti pёrflakje mёngjezore! Harg ylberi-i shtatёngjyrshmё! Nuk mund të shihen si simbolizëm, pasi ato nuk sugjerojnë, por emërtojnë; nuk japin efektin, po vetë sendin.

(Duhet theksuar se në bisedat e P. Kolevicën ai e mohon kategorikisht marrëdhënien me simbolizmin)

 Ilustrim i manifestit të simbolizmit do të ishte poezia “Përkime” e Ch. Baudelaire.

Natyra është tempull ku kolona bujare

Shpërndajnë anembanë fjalë që s’merren vesh:

Njeriu ca pyje simbolesh përshkon përmes

Përgjuar prej tyre me shikime familjare.

Si jehona të gjata, të pleksura jehona,

Në një nyjë të vetme, të errët dhe të thellë

Siç rri ditë e plotë me natën humbellë,

U përgjigjen plot tinguj, ngjyrime dhe aroma.

Aroma të brishta janë, si një mish fëmije,

Të gjelbra si rudina, të ëmbla si magji,

Shpërbërë krejt disa, disa dehur prej lavdie.

Kanë shtrirje si gjërat tej në pafundësi,

Posi myshqet, temjani, rrëshira e pishave

Që këndojnë dalldisjen e shpirtit dhe shqisave.

Të mos flasim për Nonsense të tilla:

31.  Motivi kryesor i kësaj poezie lidhet me

D)  shmangiet filozofike në lidhje me mënyrën e krijimit tё gjithёsisё.

I bie që kështu maturanti të mos e tregojë kurrë formimin e tij të vërtetë.

Ja dhe poezia e testit:

DRITЁ FSHEHTЁSIJE  

O greminё! O fusha pllajash! O shkёmbonj! O brigje t’artё!

O ju qiej shkretёtirash tej-pёr-tej aq tё kёqyrshmё!

Ti pёrflakje mёngjezore! Harg ylberi-i shtatёngjyrshmё!

Botё yjsh! botё hёnash! Botё djejsh me gji tё zjarrtё!

Bjenё fellё mёnt’ e mija dhe çuditen dyke pyetur:

Nё lёvisni-a nё pёrdridhi, nё valoni-a nё kёndoni,

Nё me sulmё tё vёrtikshme çmёndurisht ju fluturoni,

E prej sysh mё bjenё lotё posi helm e plumb i tretur.

Po tё mos tё kisha njohur nё mjerim tё jetёs Tinё,

Bukuri! tmerisht e dashur, llaftari! tmerisht e bukur;

Po tё mos tё kisha parё – ah, stoli ndaj mё je dukur!

Dritё-e fshehtё-e zemrёs s’ime qё mё fal pёrjetёsinё:

Si do mund t’i dlirnja vallё kupёtimit t’im tё ngushtё

Grop’ e shesh e krast’e male, pasqyrim nёr vala detesh,

Dritёn qё buçet sёfshehta pёrmes ditёsh edhe netesh,

Dh’ata yj qё mё shёkojnё posi mijё sy tё prushtё?


Your email address will not be published.