Vargje karantine

Gazmend Krasniqi

VARGJE KARANTINE

1.

Frika është natyrale

Si dritarja e shtëpisë

Frika është e rreme

Si xhami i dritares

Shtëpia është natyrale

Si frika e botës

Bota është e rreme

Si frika e poezisë

2.

SHKRUAR NË TË ARDHMEN

Kemi dëgjuar gongun e shfaqjes.

Është dhënë komanda “Qetësohu!”

Për fjalët me spaleta: të shpëtojnë

Nga virusi i historisë së vet.

Është dhënë komanda “Gatitu!”

Për mendjet e ndritura: ora

Kur kapen pas ideve.

Duan të thonë se është shkruar

“Mbreti Lir” nga njëri me emrin Shekspir,

Si sfidë ndaj fjalëve frikë, panik,

Mbi të gjitha, karantinë.

Ca të tjerë e shohin thashetheme. 

E saktë është se vdekja, deri dje,

Rrinte në rreshtin e parë.

Apo, kur shfaqja të nisë, duhet të them:

Isha unë ai që mbante zemrën e vet

Në një thikë – lodër.

3.

Fjalë, që dini të fshehta

Që mbysin kuptimin e çështjes;

Fjalë, që zbuloni me shpërthime

Fushën e minuar të minutave;

Fjalë, që dini se ka shumë

Për të thënë në poezi të reja;

Fjalë, që kishim ëndërr

Të ngrinim një epope;

Më ndjeni, për çfarë jeni –

Ky mur karantine vuan për një tullë,

Kjo vjershë vuan për një varg:

Dashuria s’i ngjan vdekjes!

4.

Mëngjes: dielli shtrin hartën e lëvizshme

Deri në mes të dhomës. Dita ofron shumë

E ka aq pak: marsi tha fjalë mimozash

E fluturash, reje e dielli, shiu e bore,

Por si film mesnate, që e shohim se s’kemi gjumë,

S’i shtoi gjë kujtesës. Marsi foli me zërin

E time bije: Ajo qyqja mbi shtyllë na pa ne!

E prisha çerdhen rrëzë ballkonit. Këtë vit,

“Kuku-ja” s’na zgjoi të dielave. Diku, sidoqoftë,

Ia kanë ruajtur një. Jeta, që s’e marr vesh.

Marsi humbi si figurat e librit të botanikës

Që mbyllet përnjëherësh, Gryka e çezmës

E përqesh atë zhurmë fletësh, kur lajmë duart

Me shkak e pa shkak: ndoshta duhet të shohim

Syhapur, për dikë a diçka. Ndoshta

Duhet të flasim. Çdo gjallesë do ta bënte.

Dritarja s’tregon as qen. Po ngulemi aty.

Jeta që na mbetet, që hapet falas, pa shkëmbime,

Ndoshta duhet ta lehë një vjershë karantine.

5. VIDEO – KONFERENCË

Kemi luksin që, kur na vjen të hedhim plehrat,

I hedhim; kur na del para një lule kumbulle,

Zgjatemi dhe e prekim: polici nuk vjen te pallati ynë.

S’ka mbetur vend për dëshirat – shkujdesja

Na merr përdore deri te përgjigjet:

Na hahet – hamë, na pihet – pimë, na flihet –flemë.

Fatin ia lamë në dorë korporatave farmaceutike,

Që sot kanë në dorë një krem për gishtin e mesit.

Pra, s’kemi asnjë kërkesë.

Thënë hapur, jetojmë në caqet e lumturisë.

6.

Prapë shiu që mbyll në kafaz zemrën e dimrit

dhe shtigjet e reve; që radhit,

kumbullat e plepat, si togë ushtarësh,

dhe i shton të gjelbrës të gjelbër,

pa inate me diellin që kthehet si Uliksi,

pak prej gjalpi, kur na merr përqafe,

kur shpall projektin e lamtumirës tjetër:

is this April the cruelest month?

Dhe prapë i vetmi mësues i gjallë, heshtja,

që bën apelin e ditës: qyqja kërkon

çerdhen e prishur a mikun e ikur?

Dhe prapë takimi me shiun e djeshëm

që duket sajesë, kur vjersha sheh fjalët

që shullëhen si pulat, si trupi i gjithësisë,

si dëshirat që marrin kurë karantine,

si kujtesa që pështyn ndër ne teatrin e mendjes.

7.

E mbaj mend veten në net ndryshe

Kur pija me etje kujtimin e një përroi

Në shtratin e shkretë të mbrëmjes

Në gurëzit e zallit të heshtjes

Kur shijoja erozionin e kotësisë

Në qoshkun komod të zemrës

Ndoshta qenë mbrëmje vere

Pa fluturime pulëbardhash

Kujtesa m’i rikthen

Po në distancë të duhur karantine

8.

Të paktën, vjen në dhomë

Shi fjalësh

Të një pranvere tjetër

Se si kuajt e territ hanë tagji perëndimi

Që hëna të hedhë mbi koçinë e vet

Frerë prej argjendi

Se si hieroglifet e degëve me ngricë

Që bien në muret e dritës

Shkruajnë se jeta është udhëkryq ikjesh

Se si ushtat që sjell mushka e trishtimit

Janë gardhi

Që të ruan prej botës

Se si dikur, në vrapin e ditëve,

Çdo zemër do vdesë, që plaga t’i rrijë ndezur –

Hënë e varur në kopshtet e gjithësisë

Tash që edhe fjalëve u rrimë një metër larg,

Të paktën, shohim se si shkreptijnë

Molisjen e vet mbi ballin e natës,

Një det që hapet me vrap infeksioni –

Jeta për ata në breg

Vdekja për lundërthyerit


Your email address will not be published. Required fields are marked *