QENI

Grazia Deledda

Qeni

Në mëngjesin e sotëm të gaztë, në bregun e detit takova një qen. Tre fshatarë qenë ulur mbi rërë, me çadrën përtokë, shportat dhe këpucët që ua vështirësonin ecjen.

Qeni qëndronte përpara tyre, i ndalur dhe me putrat nën ujë, dhe përshqonte largësitë e detit, përmes hapësirave të hundëzës – si një i burgosur.

Duke kaluar edhe unë e zbathur në ujë, e vështrova; më pëlqen të shoh në sy më shumë kafshët sesa njerëzit, të cilët shtiren. Qeni i madh iu përgjigj vështrimit tim: kishte sy të gjelbër e të ëmbël dhe një fytyrë rioshe besnike: trupin të lartë, të hirtë në kafe me pikla të errta si një hartë gjeografike.

E kuptoi direkt gjendjen time shpirtërore – e përshndritur, sepse e tillë ishte edhe koha e deti qe i qetë – dhe  më ndoqi.

Ndieja hapat e tij nën ujë, pas meje, si ato të një fëmije; m’u avit, më preku lehtë me noçkë për të më bërë me dije se ishte aty, dhe sikur kërkonte leje për të më shoqëruar.

U ktheva dhe i përkëdhela kokën e kadifenjtë; dhe menjëherë ndjeva se edhe unë më në fund kisha në këtë botë një mik.

Edhe ai dukej i lumtur për këtë gjë të re; këndellet, ngazëllehet përpara meje gati duke kërcyer në ujë – putrat e tij të pastra dalloheshin midis stërpiklave – dhe herë pas here ndalonte e më priste, duke u kthyer për të parë nëse isha e lumtur për të.

Sytë e tij ishin të shndritshëm, siç mendoj se ishin edhe të mitë; kishim harruar të dy shumë gjëra.

Edhe deti na shoqëronte i tretë në këtë shëtitje të bukur, edhe ai i pavëmendshëm për furitë që shumë shpesh, por jo më shpesh se ne, e përndjekin. Valët luanin të qeta me këmbët tona. Dhe imazhi i diellit, në pasqyrën e lagësht të bregut, na paraprinte kokëfortë duke mos na lënë ta mbërrinim e as ta shihnim.

Kaluan dy të rinj, të cilët mbanin prej krahësh si një anforë një vajzë të vogël bionde: e më pas askush.

Shkoi në një vend kaq të largët, në një varrezë guaskash; midhje të ngordhura të shpërndara si kocka në një fushë beteje.

Duket sikur është në ekstremitetin e tokës, ku njeriu nuk mund të arrijë: ku vetëm gjurma e zogjëve lë zbukurime të gjata gjarpëruese mbi dunën e paepur.

Njeriu këtu nuk mbërrin, madje ka frikë të takojë dikë; duhet të kthehet mbrapsht, tek të tjerët, ku secili shihet përmes dhimbjes së tjetrit.

Por qeni shkon akoma më larg për hesap të vet, madje hidhet në tokë dhe përpëlitet në rërë, luan me një shkop, shtrihet me barkun përpjetë – të lakuriqtë që i regëtin, dhe me putrat që duken sikur duan të rrokin qiellin blu.

Kam përshtypjen se mua më harroi dhe dëshiron të qëndrojë i vetëm me kënaqësinë e çmendur të lirisë: kam luajtur shpesh me fantazinë time duke e besuar të qenësishme.

Dhe e vetme kthehem pas, por pas shumë pak hapave ndiej galopin e tij në ujë: kafsha më arrin, më parakalon, kthehet dhe pa ndaluar më vështron: kurrë më parë nuk kam parë një vështrim kaq lutës.

Mos më lër, thotë ai vështrim: – nëse më do, vij me ty, madje të paraprij për të ta bërë të sigurt udhën dhe për të mbërritur para teje atje ku ti do të mbërrish.

Ky qen sidoqoftë është imi: nëse nuk është i fshatarëve është pashmangshmërisht imi: dhe dua ta marrë; do i lë nën kujdes kopshtin dhe në orët e vetmisë do të qëndrojmë së bashku në hije të një peme, në emër të miqësisë sonë. Madje do i lë nën kujdes edhe shtëpinë.

Kështu mendoj; nga gjestet e vogla, lind zemërgjerësia jonë, ashtu si lulet e bukura nga farat e tyre.

Qeni tanimë vinte afër meje duke matur hapin e tij me timin, ndonjëherë ndalonte dhe nuhaste algat, mëpastaj shikonte detin duke tundur veshët; teksa ktheheshim mbrapsht, kërkonte  me patjetër diçka. Nëse unë i përkëdhelja kokën ngrinte sytë dhe më përçonte besnikëri.

Me të mbërritur ku qenë fshatarët ndaloi, i palëvizur, me putrat nën ujë dhe me sytë  e fiksuar në largësitë e detit, përtej hapësirave të hundëzës.

Dukej si një i burgosur i kthyer në burg pas një arratisje të shkurtër.

  • Është i juaji? – pyeta fshatarët.
  • Jo, zonjë; menduam se mos ishte i juaji. Duket që ka humbur të zotin.

Edhe pse tentova, nuk donte të më ndiqte më: tani nuk bëhej më fjalë për luajtur. Aty kishte humbur të zotin, dhe aty qëndroi për ta pritur.

Shumë gjëra më mësove sot, o qen madhështor me sy të jeshiltë, që tekembramja dinë të gënjejnë si ata të njerëzve.

Dhe mbi të gjitha më mëson se duhet ndalur pikërisht atje ku jemi përhumbur; e ndërsa luajmë me iluzionet që kalojnë, presim që padroni ynë i vetëm – vetëdija jonë – të vijë e të na rimarrë.

Përktheu Anxhela Lepuri


Your email address will not be published. Required fields are marked *