5 poezi

Gazmend Krasniqi

FRIKA E FUNDIT

S’do shkruaja as këto rreshta,

Nëse do hiqej prej meje ajo pyetja:

“Na prek, qoftë një herë, Përjetësia,

Që kthehemi në këtë breg liqeni?”

Sa të tjerë janë endur këtu më parë

E tregojnë gjurma zjarresh,

Çfarë panë në ato drita, s’e thotë asgjë:

Vetëm trupin kalimtar kam këtu, me ty,

O çmenduri, o tepri shpirti,

Plagët e të cilit vizatuan festat

Që s’kanë çuditur njeri,

As kur fjalët dalin nga poemat e mëdha,

As kur shpejtojnë këmbët, si ato

Që eci mbi ujëra Jezusi,

Thua Përjetësia është si ti,

Ashtu përmbytur me dimër,

Që edhe një dritëz e beftë do ta shembte:

Frika ime e fundit.

TREGIM

Heshtja e pasdites, si trinë që thuret prej rrezesh të fundit;

Ai zog që ndan përshëndetje sikur ka rënë nga parajsa –

Janë fjalë që dinë më shumë se ne

Për atë psherëtimë të padobishme të prehjes,

Për ne dhe vjeshtën: tashmë larg dëgjimit.

Vazhdon të jetë mendim i skuadruar

Me misteret e ftohta të universit, kjo dritare

Me pamje nga veriu, thua se nuk e kam pyetur sa herë

Nëse mund të ndihem edhe unë si ajo:

Një i barabartë me vetveten.

Edhe pse tashmë e ka njohur pendimin tim

Për çfarë unë nuk di, vazhdon të shohë

Me sytë prej akulli, thua se nuk e kam parë sa herë

Të ngrejë nga amza e sendeve

Spektrin e asgjësë.

As pohime, as mohime; ose flet aq ulët,

Sa fjalët nuk vijnë deri te unë.

Siç bën, me kokën e pafuqishme

– Mbreti i torturës –

Zëri i brendshëm.

POEZIA NDODH

Një botë që ndamë mes nesh, ku rri te stina që shqitet

Me tjetër stinë? Ku rri te koha që fshin djersët

E ftohta të pyetjes, deri përtej kufijve që kapin shqisat.

Po gjërat s’marrin emra, që bota e tyre të ngrihet

Në këmbë, siç bënte sa herë para syve tanë? Ngrihen

Njerëzit e kateve më poshtë, ndezin makinat

Dhe ndjekin oraret, po unë kam mbetur zëulët –

Edhe pse shkruar shtrembër – para pikëpyetjeve

Në avujt e mi mbi xham: Po unë?! Kush qenkam unë?!

Si ai që la duhanin, po ndien veç erë nikotine,

Kam shuar alarmin e verdhë të vjeshtës në tavllën e ideve:

Çfarë i shton universit një çaj i ngrohtë? Sa të tjerë si unë,

Pas xhamash, nuk duan përgjigjet, po pyetjet: kur përgjakin

Metaforat si shtegu i pashkelur; kur realja s’ia del t’i ngjajë

Vjershës; kur në zemrën e bërë copë bota s’ndahet nga bota

Dhe ka gjithmonë brenda nesh diçka që s’mbushet –

A është shansi ynë, që vjen edhe një vjeshtë:

Siç vjen e rimbin fara e idesë për vjersha?

Tash që kam shokë më pak, se zbraza rafte librash, kur thanë:

“Hiq nga rruga jote kujtime që s’vlejnë”!, udhëtimi

Prapë fillon ku dikur gjëmoja unë, po tash gjëmon gropa

E zbrazët e kohës, ku asgjë s’premton jetë më të qëndrueshme,

Ku fjalët nuk kthehen më aroma që mund të nxjerrin një gjuhë

Nga martesa e avujve të qepës me një çadër – për shembull,

Sanskriten; tash që kanë mbetur vetëm libra që s’hiqen dot

Dhe udhëtimi – secili si i fundit – fillon te monumenti

I tenjës së asgjësë, fuqinë e mori fakti: një mundësi më pak

Për metafizikën, kur shpirti, që vinte vërdallë, kërkonte

Poezinë ku mund të gjente prehje. Poezia s’mund të ndodhte

Kur diçka po ndodhte. Për shembull, kur kjo pasdite të diele

Dashurohej me një flluskë. Holluar me melankoli – as i ftohtë,

As i ngrohtë, as javë e re, as javë e vjetër – uji i kohës  

Dhe unë që s’desha as alibi, as dëshirë, as falje. I mjaftonte

Limontia, si shi i rrëmbyeshëm vere, zbulimit tim:

Gjithë mbrëmjet e të dielave kështu i kanë dashur gjërat –

Të paqëndrueshme e të pakapshme si zemrat në gjoks.

NIRVANA

Midis përgjigjes

Dhe pyetjes

Një thes i madh skaj rruge

Vetja që zbrazet

Nga dilemat e dëshirat

Nga kremtet e disfatat

Nga ëndrrat e triumfet

Nga vargu i Ungaretti-t:

Perché bramo, Dio!

Nga heshtja që pret të bëhet pyetje

Dhe kamja e humbjeve –

Ku ishe padron i i klisheve,

Fajit dhe faqes së kthyer –

Nga fjalët, të brishta si flutura,

Që vijnë rrotull në qiell

Si atëherë kur ndezën së pari

Diellin që lidh asgjënë

Me asgjënë

FJALIME

I lumtur se kish pasur rrënjët në mjegulla, ende

Mbështjellë në shami mjegulle në xhepin tim,

Dhëmbi u mbajti atyre një fjalim:

“Ndoshta na i morët mendtë,

Kur, mjeshtre të vërteta, ngriheshit në këmbë

Dhe fshinit me gomë malet, kodrat dhe detin;

Kur, vetimthi, me dy prekje peneli, kthenit

Kënetat që panë ushtarët e Çezarit, derisa

Era tjetër nga deti ju shtynte prapë drejt maleve.

O dhelpra të ngopura me pulat e ideve për ju:

Po, të gjitha rrugët të çojnë në Romë”.

Ideja e fjalimit tim ishte se e mori me meritë

Vendin mbi çati.

Fjalët e zogut çukitës s’i mban mend njeri:

Ishte i dehur nga lavdia.   


Your email address will not be published. Required fields are marked *