Oana Glasu – 4 poezi

Oana Glasu

 

VONË

 

në vjeshtën time ka mbetur

një gjethe e vetme,

e fundit e parënë dhe e pambledhur

dhe nuk u shkel

as nga të verbër,

as u shkërmoq nga një dorë

mbase je ti

i harruar nëpër degë

që më shikoje

dhe më pëshpëritje të qëndroja

duke të ledhatuar ty

duke të mbuluar ty

unë isha shumë e gjelbër të dija

si shkelet mbi gjethe,

çfarë do të thotë përzierja

e ngjyrave më të bukura

pastaj kam mposhtur stinët

që të kthehem

dhe e kam dashuruar vonë

dhe e kam marrë në krahë

dhe lëkundem bashkë me dridhmat e saj

unë duke i dhënë nga malli im

ajo duke më dhënë mua, jetë.

 

AFRIM

 

rrëshqas nën gjak. dhe pres. dhe kam frikë

të endem si femër e dëshpëruar

pas mishrave, pas prekjeve

që mbetën në hije

por nuk kam turp nga njerëzit e bukur

kur më vështrojnë duke numëruar eshtrat

duke fryrë drejt detit

ta zhvesh prej diellit

të qëndrojë pa dritë

vdekja të trembet nga gjumi im

dhe nga përqafimi im me engjëjt

 

ti më ke thënë se liria e hijes

u ul në buzë të trupave të zbrazët

që i mbulove sot me heshtjen

me të cilën herë tjetër

ndalove errësirën të vinte

drejt meje

 

E AKULLT

 

më ke lënë si kujtim

të gjitha ëndrrat pas të cilave

unë kisha vrapuar prej kohësh

vetëm ti i mbajte për

një të diel të ftohtë

kur e dije

se do të kërkoja përsëri

krahë

ku të fle sikur shtrihesha

mbi barin e lartë dhe

më prite e re dhe e bukur akoma

gjithë ankth iu afrove buzëve të mia

prej akullit

duke u thyer

duke u shkrirë në copa

lumturie

të cilën pasqyra pas meje

ta tregon sikur i ngjan

qumështit të gjirit

për fëmijën që e fsheh

në kujtesë

 

MËSOMË TI!

 

gjatë gjithë ditës kam pyetur veten si mundem

ta largoj muzgun

i cili bie ziliqar

së pari në sytë e tu

sepse ty të donte dhe mua më urren

që kur të rrëmbeva shikimin

lëviz më tej në flokët e mi

zbret mbi gjinjtë e mi

dhe pret …

pranë meje

karrigia ka mbetur bosh

ti ke harruar rrugën

megjithëse nuk ke humbur kurrë

nëpër hije

midis duarve ose agimeve

por unë e di

se do të vish në të tashmen që

merr mësime për të mos vdekur

e varur në fjalë të cilat

i fshij

por e di vendin e tyre

dhe kuptimet

ato janë të nxehta

të kapura në gozhdë

dhe të harruara

në buzët e tua

 

 

Oana Glasu u lind me 13 shtator 1975 në qytetin Corabia, në jug të Rumanisë. Ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Dega e Gjuhësisë, pranë Universitetit të Tiranës, të cilat i mbaroi në vitin 2001, duke vazhduar për gradën shkencore master në gjuhësi, specialitet që e mbaroi në vitin 2003. Në vitin 2010 ka mbrojtur edhe një diplomë tjetër në Fakultetin e Psikologjisë, në Rumani. Është bashkëpunëtore e përhershme të revistës kulturore Oltart, ku publikon artikuj për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, si dhe përkthen autorë shqiptarë dhe i publikon në revista letrare rumune. Ka marrë çmimin Euterpe për poezi në një konkurs kombëtar, në vitin 2018, ndërsa në vitin 2019 ka fituar një çmim tjetër që i solli dhe vëllimin e parë të publikuar. Publikon poezi në shumë revista letrare rumune. Punon në bibliotekën e rrethit Olt.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *