Monumenti – Gazmend Krasniqi

Gazmend Krasniqi

MONUMENTI

Me 18 nëntor 1891, kur i duhej vetëm një ditë për të mbushur 25 vjeç, në ditarin e kolegjit jezuit të qytetit polak të Krakovit, emri i Ndre Mjedës përmendet si ai që do t’u bënte përsëritjen e mësimeve nxënësve të tjerë. C. (karisimi) Miedia, Andreas, Albanice. Pas kësaj përmendjeje të parë, vijnë edhe disa të tjera, pasi ai do të studiojë këtu dy vjet rresht: ky qytet i Evropës Qendrore, është një farë limani paqeje, pasi në perëndim (në Francë) shkollat jezuite janë përndjekur egërsisht dhe Mjeda i ri nuk ka mundur ta vazhdojë shkollën kaq gjatë në një vend, ashtu siç ka ndodhur me bashkatdhetarin e tij Anton Xanoni këtu në Krakov, i cili studion dy vjet më lart.

Rruga ku ndodhet shkolla jezuite quhet Kopernika. Ndoshta Anton Xanoni e ka ditur se një humanist nga Durrësi i tij ka qenë pedagog i Kopernikut. Ndoshta jo. Se çfarë ka menduar Ndre Mjeda i ri për këto ngjarje e fenomene nuk e dimë dhe, kuptohet, nuk do ta dimë ndonjëherë, pasi arkiva e shkollës ruan shumë pak gjëra për të: këto janë përmendjet në ditar. Arkiva, e cila ndodhet në kishën shën Barbara (shek. XIV), buzë kishës shumë të njohur në historinë artit (shek. XIII) për altarin e rrallë të gdhendur nga nurembergasi Veit Stoss, në të vërtetë ka disa foto te zëri Miedia, veçse në këto foto nuk gjendet Ndre Mjeda, por pamja e plotë dhe disa fragmente të tablosë “Dy rrugët” (Ferri e parajsa) të piktorit shkodran Kol Idromeno. Në foto, ky i fundit, plot humor tipik shkodran, shikohet i përqafuar me ata që ndodhen në rrugët e ferrit, pra djajtë. Për fat, jezuiti i ri, drejtori i bibliotekës, dallon një shishe në dorën e piktorit dhe thotë: é critico. Drejtori është i shëndetshëm, qesh me zë të lartë, ka një mjekër në të kuqe dhe nuk mban rroba fetare, pra, krejt ndryshe nga ç’mund të përfytyrohej pamja e një jezuiti. Mbi të gjitha, bie në sy gatishmëria e tij e lartë për të përcjellë te shqiptarët gjithçka që ndodhet aty për Miedia, Andreas. Gatishmëria e tij nuk ndryshon as kur mësohet se aty ndodhen disa gjëra që i përkasin shqiptarit tjetër, Anton Xanonit: në arkiv, këtij i dalin dy poezi në latinisht dhe tre vizatime hokatare.

– Ekziston, – i them drejtorit, duke treguar me gisht nga tabloja e Idromenos.

– Sigurisht, – ma kthen dhe lexon vendin se ku ndodhet: bazilikata…

Përmbahem dhe nuk i them se unë e njoh atë tablo jo nga ndonjë bazilikatë, por nga qenia e saj për disa dekada në muzeun ateist të Shkodrës (i vetmi muze ateist në botë, siç thuhet), pasi ndoshta do të duhet shumë kohë për të shpjeguar çudinë origjinale shqiptare.

– U zhgënjeve?

Unë kisha në kokë fjalët e pedagogut tim të pikturës: Kur fitova të drejtën për të vazhduar studimet e larta në Poloni ndesha në një problem: si gjithë të tjerët, kisha dëshirë të shkoja në B.S., sepse dija shumë pak gjëra për Poloninë. Profesori im, Odise Paskali, që ishte njeri me kulturë, më shpjegoi se Polonia ishte një vend shumë i përparuar. Kur shkova atje u binda: Akademia e Arteve në Krakov, ku shkova unë, qe themeluar më 1818. M´u desh punë e madhe të korrigjoja shumë gjëra nga ato që kisha mësuar në Liceun e Tiranës: shkolla ku kisha mbërritur ishte shumë liberale. Të gjithë profesorët kishin mbaruar studimet në Francë. Çdo gjë që ndodhte në Francë mbërrinte në Krakov brenda një jave. Pa kaluar as pesë ditë nga ekspozimi në Paris, mbërriti aty, i riprodhuar në revistë, një portret i Picasso-s. Van Gog shihej si histori, si formë artistike e kaluar. Shkolla nuk kishte kufizime: lulëzonin të gjitha rrymat e artit. Tek unë nisi lufta e brendshme: çfarë mësoja dhe çfarë më priste në Shqipëri.

– Nuk më doli ëndrra, – i thashë.

Qeshi, ashtu siç dinte ai.

– Ke parë ëndërr me Krakovin?

Kur pohova, vazhdoi:

– Pashë edhe unë një ëndërr me qytetin tënd. Po shihja një monument.

–  Monument?

– Ku mund të lexoja disa fjalë. Po deshe, t’i them.

I kërkova t’i shkruante dhe prita derisa ma dha fletushkën në dorë.

Kërkova në çantë, derisa nxora një bllok të vogël.

– Ke parë ëndrrën time, – i thashë. – Përputhet edhe ajo që shkruhej në monument.

Dhe lexova, nën lëkundjet e tij të pandërprera të kokës:

Më vunë natën, pa lejen e autoriteteve. Po para burrave nga kryeqyteti, kryetari i bashkisë pati një ndriçim: “Ne e kishim kuptuar se çfarë fshihej pas pamjes së thjeshtë të bashkëqytetarit tonë…” Atëherë engjëlli, që kërkonte diçka që nuk zbret nga lartësia e vet edhe në lojën më komike të jetës, ia çoi zemrën time Zotit. Zoti, që më vuri në krahun e djathtë, tha se do të jetë një vjeshtë plot gjethe.

– Ekziston?

Një ndjenjë e tmerrshme xhelozie më pengonte si të thosha po, si të thosha jo.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *